Argumentimi i jetës tjetër, nga fuqia e pasosur

Në Kur’an, Zoti premton dhe frikëson për organizimin e të quajturit mahsher, grumbullimit të njerëzve të ringjallur pas vdekjes për të dhënë llogari dhe fillimin e jetës tjetër; sipas përshkrimeve kur’anore, mahsheri përmban dy pamje: njërën që do ta bënte njeriun të buzëqeshte dhe tjetrën që do ta bënte t’i plaste buza!

Zoti jep fjalën! Ai është i aftë për ta çuar në vend fjalën e dhënë. Kurse kthimi nga fjala e dhënë kurrsesi s’i përshtatet personalitetit të Tij të lartë! Ai s’ka të bëjë aspak me cilësi të tilla negative si shkelja e premtimit!

Në tërë gjithësinë, brenda apo jashtë ngjarjeve dhe dukurive, vëzhgojmë fuqinë e shkëlqyer dhe madhështore të Zotit!

E dimë se, nga bota e atomeve e gjer te bota e nebulozave, ekziston një lidhje shumë e ngushtë e llogaritur matematikisht. Për shembull, le të marrim një atom dhe le ta shqyrtojmë përbërjen e tij me elektronet që lëvizin rreth bërthamës ku ndodhen protonet dhe neutronet dhe do të vërejmë se në atomin në gjendje neutrale ekziston një ekuilibër forcash i llogaritur matematikisht ose, e thënë ndryshe, sundon një llogari tejet e imtë, e saktë dhe serioze.

Ndërsa janë qenie gjysmë të pavarura, atomet bashkohen, formojnë koloni dhe nga kolonitë e atomeve formohen molekulat.

Po ta shqyrtojmë sistemin diellor për sa i përket fushës së tërheqjes dhe radiacionit, do të vërejmë se mes diellit dhe satelitëve të tij ekziston një lidhje dhe marrëdhënie tejet e ngushtë. Kjo lidhje e bën veten aq të ndjeshme, sa ne vëzhgojmë se, si gjendja normale e diellit, ashtu dhe ndryshimet e mundshme sado të vogla te ai, ushtrojnë ndikim dhe shoqërohen me pasoja të dukshme mbi fizikën e tokës. Ky ndikim është në përpjestim të drejtë me fushën e tërheqjes dhe gjendjen e radiacionit.

Forsed thotë kështu: “Ashtu si marrëdhëniet e një qelize me qelizat e tjera, edhe në makrobotë ka marrëdhënie mes pjesëve të saja!”

Një qelizë është si një qeveri gjysmë e pavarur. Ndërkaq, sistemi urdhër-përgjigje brenda saj është i pavarur. Qeliza përpiqet ta ruajë dhe mbrojë strukturën e vet. Ajo ia komunikon nevojat e veta një qendre të caktuar. Kjo qendër ia komunikon gjendjen një qendre më të lartë. Pastaj te qeliza arrijnë ato që ka kërkuar. Çdo qelizë konsumon në mënyrë të pavarur. Shtetet e vegjël të quajtura qeliza, vijnë pranë e pranë dhe formojnë një shtet federativ.

Kjo lidhje dhe kjo marrëdhënie e ndërthurur mes materies shihet si vepër e një vetëdijeje të shkëlqyer e madhështore. Ata që s’e njohin çështjen në thelb, e shohin këtë si çudi. Meqë vetëdijen në fjalë e kërkojnë te vetë materia, s’gjejnë dot zgjidhje tjetër veçse të habiten. Kurse ne mahnitemi dhe themi kështu: “Individualiteti, përballë veprave të ekspozuara nga fuqia e të cilit mendjet mbeten të ngrira nga mahnitja, është i pastër nga dobësia dhe mangësia!”

Secila prej miliona qelizave që e përbëjnë trupin, pothuajse bart trurin e Platonit dhe zotëron një aftësi intelektuale për ta administruar botën. Të duket sikur qelizat janë bashkuar kokë më kokë dhe janë marrë vesh për mbrojtjen e trupit, për vazhdimin e jetës së tij në mënyrë të shëndetshme dhe për të urdhëruar brenda parimeve të higjienës. A nuk tregon kjo gjendje e tyre ekzistencën e një fuqie zotëruese që urdhëron mbi të gjitha këto?

Kjo është kështu edhe në mikrobotë, në botën e thërrmijave që veprojnë në mënyrë të ndërlidhur. Kjo është kështu edhe në makrobotë, në botën e yjeve dhe galaktikave. Valët dhe radiacioni elektromagnetik veprojnë në mënyrë tejet të llogaritur brenda spektrit të vet, aq sa duket sikur mes lëkundjeve të frekuencave të ndryshme ekzistojnë marrëdhënie të vetëdijshme! Po të mos qe kështu, një galaktikë që pulson siç rreh zemra dhe zgjerohet në një krah, nuk do të ishte e mundur të vazhdonte të ekzistonte. Siç shihet, jemi përballë me një forcë dhe fuqi të madhe! Mes të gjithë elementëve të ekzistencës ekziston një lidhje dhe marrëdhënie e ndërsjelltë që e shpall me të madhe ekzistencën e një ndërhyrjeje të vetëdijshme!

Dhe tani, le të mendojmë: A mos janë molekulat e mjera, të verbra, të shurdhëta, të papushtetshme dhe të pavetëdijshme që e ngrenë nga bota më e vogël në botën më të madhe këtë lidhje, marrëdhënie dhe sundim të vetëdijshëm? Apo është Zoti i karakterizuar nga atribute përsosmërie, i përjashtuar nga atribute mangësie? Po, Ai është! Dhe fuqia e Tij është e pafundme dhe e pasosur!

Ja pra, Zoti me fuqi të pafundme premton se këtë gjithësi që e krijoi si një libër, një ditë do ta mbyllë për ta hapur një ditë tjetër. Meqë është Ai që e thotë këtë gjë dhe e dëshmojnë profetët, besnikët dhe të urtët që janë specialistët e çështjes, pa dyshim që do të ndodhë. Atëherë, ringjallja duhet parë jo si një mundësi, por si një dukuri që do të ndodhë jashtë çdo diskutimi!

“Atë ditë i fryhet bririt dhe ju vini grumbuj-grumbuj. Qielli është hapur si portë fletë më fletë!” (Nebe’, 78/18, 19)

Bashkë me njerëzit dhe xhindet që do të grumbullohen për t’u hetuar e për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi amanetin e madh që patën ngarkuar mbi supe, mahsherin ose vendgrumbullimin do ta rrethojnë edhe engjëjt. Ajetet e ndryshme të Kur’anit tërheqin vëmendjen mbi këtë specifikë.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.