Pjesë të zgjedhura nga intervista të ndryshme

Islami është keqkuptuar [58]

Ne duhet të rishikojmë konceptin tonë për Islamin. Si myslimanë, duhet të pyesim veten: pse në këtë botë të tjerët përparojnë, kurse ne bëjmë prapa? Duke marrë Kuranin dhe Sunetin si burimet tona madhore dhe duke respektuar njerëzit e mëdhenj të së kaluarës, me ndërgjegje që ne jemi fëmijë për kohën, ne duhet të pyesim për të kaluarën dhe të tashmen. Unë po vështroj njerëzit e mendimit dhe kërkoj të vendos balancën e nevojshme midis aspekteve të ndryshueshme dhe të pandryshueshme të Islamit dhe, duke i marrë në konsideratë normat e tilla juridike si abrogimi, përpjesëtimi, përgjithësimi dhe kufizimi, mund ta prezantoj Islamin me koncept modern. Pesë shekujt e parë të Islamit ishin periudha e kërkimeve dhe dijetarëve të shumtë. Përgjatë kësaj periudhe kishte një liri shumë të madhe të mendimit. Vetëm në një atmosferë të tillë mund të lindin dijetarë dhe mendimtarë të mëdhenj.

Nuk ka Dogmatizëm në Islam [59]

Pyetje: Cili është qëndrimi Islam për dogmatizmin?

Përgjigje: Nëse dogmatizëm do të thotë të pranosh ose të kopjosh diçka qorrazi pa i lënë hapësirë mendimit të lirë dhe aftësive intelektuale, atëherë nuk ka dogmatizëm në Islam. Veçanërisht në konceptimin për fenë në Perëndim, dijet dhe besimi janë konsideruar gjëra të ndryshme. Kurse në Islam ato plotësojnë njëri-tjetrin. Kurani insiston që gjithsecili duhet të shfrytëzojë aftësitë e tij mendore (mendimi, arsyetimi, reflektimi, thellimi, kritikimi, vlerësimi, etj.).

Pyetje: Cilat ajete kuranore janë përcaktuese në të drejtën kanonike?

Përgjigje: Ato janë aspekte të fiksuara dhe të pandryshueshme për krijesat dhe jetën. Ashtu si nuk ndryshojnë kurrë "ligjet e natyrës," ashtu si nuk ndryshojnë kurrë aspektet thelbësore të natyrës njerëzore (natyra e tij, nevojat bazë, ndjenjat e kështu me radhë), një fe që i adresohet njerëzimit duhet të ketë parime të pandryshueshme dhe vlera të përhershme. Për më tepër, standardet e tilla morale siç janë çiltërsia, dëlirësia, ndershmëria, respekti për më të rriturit (veçanërisht për prindërit), dhembshuria, dashuria dhe ndihma, janë gjithmonë vlera të pranuara botërisht. Gjithashtu, përmbajtja nga alkooli, kumari, tradhtia bashkëshortore dhe prostitucioni, vjedhja, mashtrimi dhe rrugët e padrejta të të jetuarit, janë pranuar përgjithësisht. Pranimi dhe marrja në konsideratë e standardeve dhe vlerave të tilla duke i kthyer në ligje nuk është dogmatizëm.

Megjithatë, ashtu si në të gjithë fetë e tjera, Islami ka shfaqur disa qëndrime dogmatike. Për shembull, zahirizmi filloi gjatë sundimit të Aliut si rezultat i ekstremizmit harixhit. Ata i pranuan ajetet vetëm me domethënien e tyre të jashtme dhe refuzuan të marrin në konsideratë norma të tilla themelore siç janë abrogimi, përpjesëtimi dhe përgjithësimi. Në zanafillën e tij, ai nuk u bë një shkollë e mendimit. Sido që njerëzit si Davud el-Zahiri dhe Ibn el-Hazmi e vendosën këtë si një sistem në Andaluzi dhe nxorën libra për të. Më vonë, kjo shkollë kaloi në duart e disa njerëzve me influencë siç ishte Ibni Tejmije dhe të dijetarëve me ndikim si Ibni Kajim el-Xhevzi, Imam Dhehebi dhe Ibni Kethir. Më pas ajo u bë shkak për vehabizmin. Megjithëkëtë, këta njerëz gjithmonë kanë përfaqësuar vetëm një minoritet.

Islami, Teokracia dhe Tirania [60]

Pyetje: A është në Islam despotizmi ose teokracia një rrugë e mesme?

Përgjigje: Disa njerëz ashtu siç mund të shfrytëzojnë gjithçka me qëllim të keq, mund ta shfrytëzojnë dhe Islamin dhe ta përdorin fenë për rregulla despotike. Por kjo nuk do të thotë që Islami ka një aspekt despotik. Unë mendoj që një pretendim i tillë vjen për shkak të trajtimit të çështjes në mënyrë jokorrekte. Islami nuk ka asgjë të përbashkët me teokracinë që në një kontekst është një sistem qeverisjeje i ushtruar nga interpretimi i etërve të kishës. Në Islam nuk ka hierarki klerikale zyrtare ose një sistem klerikal.

Fundamentalizmi [61]

Fundamentalizëm do të thotë aderim fanatik dhe dogmatik në një besim. Ai nuk ka asgjë të përbashkët me Islamin edhe nëse disa njerëz i njehsojnë lëvizjet iraniane dhe saudite me fundamentalizmin. Por kjo nuk do të thotë që Islami e parasheh fundamentalizmin. Versionet iraniane dhe saudite janë të veçanta në vetvete duke rrjedhur nga sektet pasuar nga secili prej tyre. Shumica e myslimanëve nuk i pranojnë as njërin, as tjetrin. Është gabim që ta konsiderosh Islamin si fundamentalizëm dhe myslimanët si fundamentalistë. Çështja është mbyllur në konfuzionin konceptual dhe së pari duhet të qartësohet kjo.

Femra dhe të Drejtat e saj [62]

Pyetje: Cili është mendimi juaj për të drejtat e gruas?

Përgjigje: Ky është një subjekt shumë i gjerë. Nga një perspektivë, ajo është e hapur për debat. E kam shumë të vështirë që t'i përmbledh mendimet e mia në këtë fushë. Në një sens, ne nuk duhet t'i veçojmë burrin dhe gruan nga njëri-tjetri. Në një sens tjetër, ata kanë ndryshime fizike dhe psikologjike. Në opinionin tim, gruaja dhe burri duhet të jenë si dy pamje të një të vërtete, si dy anët e një monedhe. Nuk mund të ketë burrë pa grua ose grua pa burrë, sepse ata janë krijuar së bashku. Edhe Qielli është Qiell i vërtetë kur ata të dy janë së bashku. Kjo është arsyeja pse Ademi qëndroi këtu me bashkëshorten e tij. Burri dhe gruaja plotësojnë njëri-tjetrin.

Profeti ynë, Kurani dhe parimet kuranore nuk i trajtojnë burrin dhe gruan si krijesa të veçuara. Unë mendoj që problemi është se njerëzit e shohin çështjen nga ekstremet dhe në këtë mënyrë prishin balancën.

Pyetje: A ka shembuj të rolit të femrës?

Përgjigje: Në atmosferën sociale të shoqërive islame ku Islami nuk është njollosur me të drejta zakonore ose me tradita joislame, femrat myslimane janë plotësisht pjesëmarrëse në jetën e përditshme. Për shembull, gjatë periudhës së parë të Islamit, Aishja, gruaja e Profetit, udhëhoqi një ushtri. Ajo ishte gjithashtu një dijetare fetare e cila e vështronte çdo njeri me respekt. Femrat faleshin në xhami së bashku me meshkujt. Një grua mund ta kundërshtonte kalifin në xhami në një çështje juridike. Madje në periudhën otomane gjatë shek. XVIII, gruaja e një ambasadori anglez e lavdëroi shumë femrën dhe e përmendi me admirim rolin e saj në familjet dhe shoqërinë islame. [63]

Individët dhe të Drejtat e tyre Njerëzore [64]

Ne nuk duhet të shqetësohemi apo të frikësohemi rreth individëve, zhvillimit ose motivimit të tyre për individët e tjerë, sepse Kurani e sheh çdo individ si një tip më vete në krahasim me tipat e tjerë. I rëndësishëm është burimi i emocioneve dhe i mendimeve që i edukon ata. Kur individët fitojnë një rrugë të qartë mendimi dhe kuptimi dhe arrijnë një horizont të caktuar, ata do të ngërthejnë atë që është e nevojshme për veten e tyre dhe jetën shoqërore. Personat e rritur do të ndjejnë nevojën që të jenë së bashku me të tjerët sepse kuptohet që nuk duhet të lihen të vetëm dhe gjithashtu t'u bëjnë keq anëtarëve të tjerë të shoqërisë.

Ata individë që janë edukuar në këtë rrugë, që nuk i shfrytëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre për të dëmtuar të tjerët, por në mënyrë të ndërgjegjshme shohin interesin e të tjerëve përpara interesit të tyre, duhet të lihen të zhvillohen individualisht. Përndryshe, ata do të jenë vazhdimisht të gjykuar dhe të dënuar, shtypës dhe të shtypur, mizorë dhe viktima të mizorisë. Ky është një dimension i tablosë tragjike të Turqisë së sotme.

Humanizmi ose Njerëzorja [65]

Pyetje: Cila është perspektiva islame për humanizmin?

Përgjigje: Dashuria është një prej temave më të diskutuara në ditët e sotme dhe një prej çështjeve më të nevojshme. Në të vërtetë, dashuria është një trëndafil në besimin tonë dhe një mbretëri në zemrën që kurrë nuk vyshket. Më parë se çdo gjë tjetër, ashtu si Zoti e thuri universin si dantellë në avlëmendin e dashurisë, në gjirin e ekzistencës muzika më magjike dhe më e bukur është gjithmonë dashuria. Lidhja më e fortë midis individëve në familje, shoqëri dhe popull, është për shkak të dashurisë. Dashuria universale e shfaq veten anembanë ekzistencës në kozmos përmes ndihmës dhe mbështetjes për çdo pjesëz.

Kjo është aq e vërtetë, saqë faktori më dominues në thelbin e ekzistencës është dashuria. Ashtu si një individ në korin universal, pothuajse çdo krijesë sillet dhe luan me stilin e saj, motivin magjik që ka marrë prej Zotit në një melodi dashurie, sido që ky shkëmbim i dashurisë nga ekzistenca tek natyra njerëzore dhe, nga njëra krijesë tek tjetra, ndodh në një mënyrë të nënvetëdijshme sepse Vullneti Hyjnor dhe Dëshira Hyjnore zotërojnë plotësisht krijesat që nuk kanë vullnet. Nga kjo perspektivë, njerëzit, në mënyrë të vetëdijshme marrin pjesë në këtë simfoni të dashurisë në ekzistencë dhe e rrisin dashurinë në natyrën e tyre të vërtetë dhe hetojnë rrugët për ta demonstruar atë në një mënyrë humane, njerëzore. Prandaj, pa neglizhuar dashurinë në shpirtrat e tyre dhe për hir të dashurisë në natyrën e tyre, çdo njeri duhet të ofrojë ndihmën e vërtetë dhe mbështetjen për të tjerët. Ata duhet ta mbrojnë harmoninë e përgjithshme që gjendet në shpirtrat e tyre, ose në respekt të dashurisë që gjendet në thelbin e ekzistencës si një ligj natyror.

Në strukturën e parimeve universale të Islamit, gjykimi dhe ideja për dashurinë është shumë e balancuar. Shtypësit dhe agresorët janë mohuar nga kjo dashuri sepse shfaqja e dashurisë dhe mëshirës i bën shtypësit më agresivë dhe gjithashtu i inkurajon të dhunojnë të drejtat e të tjerëve. Për këtë arsye, nuk duhet të tregohet mëshirë për njerëzit që kërcënojnë dashurinë universale. Mëshira e treguar për një shtypës është akti më i pamëshirshëm për të shtypurit. Profeti thotë: "Ndihmoni vëllain tuaj nëse ai është një shtypës ose viktimë. Ju mund ta ndihmoni shtypësin nëse ai ndalon shtypjen ndaj të tjerëve." Është e mundur të tregohet mëshirë për një tiran nëse ai ndalon veprimet e padrejta.

“TERRORIZMI NUK PËRPUTHET ME ISLAMIN” [66]

Intervistë nga Nurije Akman

Bashkësia islame qëndron për vite mënjanë vetëm duke lajkatuar për masat parandaluese të terrorit dhe duke deklaruar se "Islami nuk përputhet me terrorin." Megjithatë, incidentet e 11 shtatorit ndodhën. Si pasojë, sulmet me bomba janë të pranishme në shumë vende përfshirë dhe Turqinë. Është zbuluar që ekzekutuesit e këtyre akteve vijnë nga radhët tona. A nuk mendoni që ne (myslimanët) duhet të alarmohemi para së gjithash?

Sot, më e pakta që mund të themi, është se Islami nuk njihet nga të gjithë. Myslimanët duhet të deklarojnë: "Në Islam nuk ka terrorizëm!" Në Islam, vrasja e një njeriu është një akt i barabartë për nga rëndësia me mosbesimin. Asnjë person nuk mund të vrasë një krijesë njerëzore. Asnjë person nuk mund ta ngacmojë një person tjetër të pafajshëm, edhe në kohë lufte. Asnjë person nuk mund të japë një fetva (një deklarim legal në Islam) në këtë çështje. Asnjë person nuk mund të jetë një granatier vetëvrasës (kamikaz). Asnjë person nuk mund të vrapojë mes turmave me njerëz, me bomba lidhur në trupin e tij. Pakujdesia e treguar ndaj fesë së njerëzve në këto turma, nuk është nga ana fetare e lejueshme. Edhe në kohë lufte - gjatë së cilës është e vështirë të mbash balancat - kjo nuk është e lejuar në Islam. Islami deklaron: "Mos prekni fëmijët ose njerëzit që luten në kisha!" Kjo nuk është thënë vetëm një herë, por është përsëritur vazhdimisht gjatë gjithë historisë. Ç’thoshte mësuesi ynë, profeti Muhamed, ç’thoshte Ebu Bekri dhe ç'thoshte Omeri, është e njëjtë me çfarë kanë thënë gjithashtu në kohët e mëvonshme Salahudin Ejubi, Allparslani dhe Këllëçarslani. Pastaj, të njëjtën gjë tha dhe Sulltan Fatihu (Mehmeti II), triumfuesi. Në këtë mënyrë, qyteti i Kostandinopojës, në të cilin sundonte kaosi dhe shthurja, u bë Stamboll. Në këtë qytet grekët nuk i dëmtuan armenasit dhe po ashtu as armenët nuk u sollën të këqija grekëve. As myslimanët nuk dëmtuan asnjë njeri nga popullsitë e tjera. Pak pas pushtimit të Kostandinopojës, njerëzit e qytetit varën një portret të stërmadh të triumfuesit në murin që i përkiste Patrikanës. Është e çuditshme që një qëndrim i tillë ishte shfaqur në atë kohë. Atëherë, siç tregohet në histori, Sulltani e thirri Patrikun dhe i dha atij çelësat e qytetit. Edhe sot, Patrikana e kujton këtë gjest me respekt. Por sot, Islami, si në çdo pikë tjetër, nuk është kuptuar saktë. Islami gjithmonë ka respektuar idetë e ndryshme dhe kjo duhet kuptuar për të pasur një vlerësim të saktë.

Me keqardhje po them që në vendet ku jetojnë myslimanët, disa udhëheqës fetarë dhe myslimanë të papjekur nuk kanë armë tjetër në duar veç interpretimit fundamentalist të tyre për Islamin. Ata e shfrytëzojnë këtë për të hedhur njerëzit në luftëra që u shërbejnë interesave të tyre. Në fakt, Islami është një besim i vërtetë dhe duhet jetuar besnikërisht. Në rrugën për arritjen e besimit nuk mund të përdoren kurrë metoda të rreme. Në Islam, ashtu siç një qëllim mund të jetë i ligjshëm, po ashtu duhet të jenë të gjithë mjetet që përdoren për ta arritur atë. Nga kjo perspektivë, askush nuk mund ta fitojë parajsën duke vrarë një person tjetër. Një mysliman nuk mund të thotë, "Unë do të vras një njeri dhe atëherë do të shkoj në parajsë." Pëlqimi i Zotit nuk mund të fitohet duke vrarë njerëz. Një prej qëllimeve më të rëndësishme për një mysliman është të arrijë pëlqimin e Zotit, tjetra është për t’i bërë të njohur emrat e Zotit të gjithëmëshirshëm në univers.

A funksionon në këtë mënyrë logjika e tyre, "lufta është për të luftuar në front, por tani kudo është një fushë beteje"? A e perceptojnë ata këtë si një lloj lufte apo xhihadi? A mendojnë ata që dera e parajsës do të jetë e hapur për ta?

Rregullat e Islamit janë të qarta. Individët nuk mund të shpallin luftë. Një grupim apo një organizatë nuk mund të deklarojë luftë. Lufta shpallet nga shteti. Lufta nuk mund të shpallet pa një president apo një ushtri, duke deklaruar së pari që jemi në luftë. Ndryshe, ky është një akt terrori. Një rast lufte i tillë është krijuar nga grumbullimi rreth vetes, më falni për gjuhën time, i pak banditëve. Një tjetër person duhet të mbledhë të tjerë rreth vetes së tij. Nëse njerëzit do të shpallnin luftë individualisht, atëherë do të mbizotëronte kaosi, sepse për dallime kaq të vogla, një front lufte mund të jetë krijuar edhe mes njerëzve me mendim të shëndoshë. Disa njerëz mund të thonë: "Unë shpall luftë kundër aksh personi." Një njeri që është tolerant me krishtërimin mund të jetë akuzuar si në vijim: "Ky njeri ndihmon krishtërimin dhe dobëson Islamin. Kundër tij duhet të shpallet luftë dhe ai duhet të vritet." Si rezultat, është shpallur luftë. Për fat, shpallja e luftës nuk është kaq e thjeshtë. Nëse shteti nuk deklaron luftë, asnjë tjetër nuk mund ta nisë atë. Kushdo që nuk e kupton këtë, edhe nëse ata janë dijetarë, të cilët unë i admiroj, nuk mund të zhvillojë një luftë të vërtetë. Kjo është kundër frymës së Islamit. Normat e paqes dhe të luftës në Islam janë parashtruar qartë.

Nëse kjo është kundër frymës së Islamit, atëherë pse bota islame gjendet në këtë pikë?

Sipas opinionit tim, nuk ekziston realisht një botë islamike, por në botë ka vende ku jetojnë myslimanët. Në disa vende ka më shumë myslimanë dhe në disa të tjera, më pak. Islami është një mënyrë jete, një kulturë dhe nuk është ndjekur si një besim. Myslimanët e kanë ristrukturuar Islamin në përputhje me idetë e tyre. Unë nuk u referohem radikalëve, myslimanëve ekstremistë, por myslimanëve të thjeshtë që e jetojnë Islamin siç u përshtatet ai atyre. Kushti i domosdoshëm në Islam është besimi i vërtetë dhe jeta në përputhje me të, prandaj myslimanët duhet të marrin përgjegjësi të natyrshme në Islam. Nuk mund të thuhet që ndonjë shoqëri e tillë me këtë koncept dhe filozofi ekziston brenda gjeografisë islame. Nëse ne themi që ata ekzistojnë, atëherë ne jemi duke shpifur për Islamin. Nëse ne themi që Islami nuk ekziston, atëherë ne jemi njerëz shpifës. Unë nuk mendoj që në një të ardhme të afërt myslimanët do të jenë në gjendje të kontribuojnë shumë për ekuilibrin e botës. Unë nuk i shoh drejtuesit tanë që ta kenë këtë vizion. Bota islame është injorante, pavarësisht nga një iluminim i ngadalshëm që po vjen në ditët e sotme. Ne mund ta vëzhgojmë këtë fenomen gjatë haxhit. Ne mund ta shohim këtë nëpër konferenca dhe tek drejtuesit e saj. Ju mund ta shihni këtë në parlamentet e tyre nëpërmjet televizionit. Kanë një disnivel serioz në çështje të rëndësishme. Myslimanët, nuk mund të zgjidhin problemet e botës. Ndoshta mund ta arrijnë këtë gjë në të ardhmen!

Ju rrjedhimisht mendoni që termi "botë islame" nuk duhet të përdoret?

Nuk ka një botë të tillë. Sot Islami është individual. Myslimanët janë në vende të ndryshme të botës. Hap pas hapi ata janë ndarë nga njëri-tjetri. Unë personalisht nuk e shoh ndonjërin të jetë mysliman i përsosur. Nëse myslimanët nuk janë të aftë të kontaktojnë me njëri-tjetrin dhe të krijojnë një bashkim, të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e përbashkëta, për të interpretuar universin, për ta kuptuar atë më mirë, për ta shqyrtuar universin me kujdes në përputhje me Kuranin, për ta interpretuar të ardhmen më drejt, për të krijuar projekte për të ardhmen, për të përcaktuar vendin e tyre në të ardhmen, atëherë unë nuk mendoj që ne mund të bisedojmë rreth një bote islame. Meqenëse nuk ka një botë islame, gjithsecili vepron individualisht. Madje mund të thuhet që disa myslimanë kanë bindjet e tyre personale. Nuk mund të deklarohet që ka një konceptim islam i cili ka qenë sipas marrëveshjes i aprovuar nga studiues të kualifikuar, mbështetur me besimin në Kuran dhe i testuar në mënyrë të përsëritur. Më saktë, mund të thuhet që është mbizotëruese një kulturë myslimane, sesa një kulturë islame.

Ajo ka ekzistuar që prej shek. V hixhri (XI e.r.). Ka filluar me periudhën abaside dhe shfaqjen e selxhukëve. Është rritur pas pushtimit të Stambollit. Në periudhat në vazhdim, dyert për interpretime të reja janë mbyllur. Horizontet e mendimit janë kufizuar. Gjerësia e mendimit që ishte në shpirtin e Islamit është ngushtuar. Shumë njerëz të paskrupullt filluan të shfaqen në botën islame, njerëz të paqëndrueshëm, që nuk mund t'i pranonin të tjerët, që nuk mund ta hapnin vetveten për çdo njeri tjetër. Ky kufizim ishte hasur gjithashtu edhe në tyrben e dervishit. Është e trishtueshme që madje ishte i pranishëm edhe në medrese (shkollat teologjike). Dhe sigurisht, të gjitha këto dogma dhe interpretime kanë nevojë për rishikim dhe rinovim nga njerëzit e edukuar në fushat e tyre.

Duket që rrjeti el-Kaide ka një shtrirje në Turqi. Ju shpjeguat anën fetare të çështjes. A ka gjithashtu dimensione të tjera të saj?

Një prej njerëzve që unë urrej më shumë në botë, është Osama Bin Laden, sepse ai ka nxirë pamjen e ndritshme të Islamit. Ai ka krijuar një imazh të njollosur. Edhe nëse ne përpiqemi me më të mirën tonë për të rregulluar dëmin e tmerrshëm që ai ka sjellë, do të duhen shumë vite për ta korrigjuar.

Ne flasim rreth kësaj mbrapshtie kudo, në shumë tribuna të ndryshme. Ne shkruajmë libra për të. Ne themi, "ky nuk është Islam." Bin Laden zëvendëson logjikën islame me ndjenjat dhe dëshirat e tij. Ai është një mostër, siç janë edhe njerëzit përreth tij. Nëse njerëzit ngado janë të ngjashëm me të, atëherë ata gjithashtu, nuk janë asgjë më shumë se mostra.

Ne e dënojmë këtë qëndrim të Ladenit. Ndonëse rruga e vetme për ta ndaluar këtë mënyrë të vepruari është që myslimanët, duke jetuar në vendet që ngjajnë të jenë islame - dhe në fillim unë deklarova që nuk perceptoj një botë islame, por janë vetëm vende në të cilat myslimanët jetojnë - do t’i zgjidhin problemet e tyre.

A duhet të mendojnë ata në një mënyrë plotësisht të ndryshme kur zgjedhin udhëheqësit e tyre? Ose a duhet që ata të zbatojnë reforma fundamentale? Për rritjen e një brezi të ri të edukuar ashtu siç duhet, myslimanët duhet të punojnë për të zgjidhur problemet e tyre. Jo vetëm problemet e tyre për çështjen e terrorit, një instrument që sigurisht nuk aprovohet nga Zoti, por gjithashtu dhe për sa i përket drogës dhe duhanit, dy nga gjërat e ndaluara prej Zotit. Mosmarrëveshjet, trazirat civile, varfëria pa fund, turpi për të qenë i qeverisur nga të tjerët dhe të qenët i fyer pas formimit të qeverisë nga fuqitë e huaja, janë të gjitha probleme që mund t'i jenë shtuar listës.

Siç ka thënë Mehmet Akif Ersoji, skllavëria, mizëritë e vështirësive, narkomania, pranimi i gjërave jashtë karakterit dhe vënia në lojë e të tjerëve, janë të gjitha të pranishme midis nesh. Ato janë mallkime të Zotit dhe së pari kanë zënë vend në kombin tonë. Kapërcimi i këtyre, në opinionin tim, varet në të qenët një krijesë njerëzore e vërtetë dhe e devotshme për Zotin.

Njerëzit që e përkrahin terrorin rriten midis nesh në familjet myslimane. Ne mendojmë që ata ishin "myslimanë." Çfarë transformimi kanë pësuar ata duke u bërë terroristë? A nuk jemi të gjithë fajtorë?

Është dobësia jonë, është dobësia e kombit. Është dobësia e edukimit. Një mysliman i vërtetë që e ka kuptuar Islamin në çdo aspekt, nuk mund të jetë terrorist. Është e vështirë për një person që të mbetet mysliman nëse ai është përfshirë në terrorizëm. Feja nuk e pranon vrasjen e njerëzve me qëllim arritjen e një objektivi.

Por, sigurisht, çfarë përpjekjesh duhet të bëjmë ne që këta njerëz t'i ngremë në nivelin e një krijese të përsosur? Me çfarë elementësh duhet t'i pajisim ata? Çfarë përgjegjësish marrim ne për edukimin e tyre dhe, kështu, tani të presim që ata të mos përfshihen në terror?

Njerëzit mund të jenë mbrojtur nga përfshirja në terrorizëm prej domethënieve të disa virtyteve që burojnë në besimin Islam, siç janë, frika për Zotin, frika për Ditën e Gjykimit dhe frika për kundërshtimin e parimeve të fesë. Ndonëse ne nuk e kemi ndjeshmërinë e duhur për këtë çështje, përpjekjet derimë sot kanë qenë të vogla për ta trajtuar këtë temë të harruar. Por, fatkeqësisht, janë disa pengesa të vëna në këtë rrugë nga bashkëkombësit tanë.

Disa tregojnë llojet e aktiviteteve që ne na nevojiten, por nuk duhen lejuar. Kjo do të thotë që mësimi i kulturës dhe moralit duhet të jetë plotësisht i ndaluar në institucionet edukative. Në të njëjtën kohë, ne luftojmë që çdo kërkesë e jetës duhet të njihet në shkollë. Edukimi i shëndoshë duhet të jetë siguruar nga specialistët e edukimit. Klasifikimet në lidhje me jetën në përgjithësi dhe jetën në shtëpi duhet të bëhen të kuptueshme në shkollë.

Njerëzit duhet të udhëzohen si ta kalojnë jetën në harmoni bashkëshortore dhe si të rrisin fëmijët e tyre. Por problemi nuk mbaron këtu. Turqia dhe vendet e tjera që kanë një popullsi të madhe myslimane, vuajnë nga abuzimi me drogën, bixhozi dhe korrupsioni. Nuk gjendet pothuajse asnjeri në Turqi që të mos jetë përfshirë në ndonjë skandal. Disa qëllime që ishin menduar për t'u arritur, janë finalizuar. Akoma shumë objektiva të tjerë nuk janë konkretizuar. Ju nuk mund të hetoni asnjeri në lidhje me këtë. Ju nuk mund të akuzoni njeri për përfitime. Ata janë të mbrojtur dhe në këtë mënyrë janë lënë në punën e tyre.

Këta janë njerëzit që rriten në mesin tonë. Të gjithë ata janë fëmijët tanë. Pse disa prej tyre marrin rrugë të shtrembër? Pse disa rriten si tiranë? Pse ka disa nga ata që rebelohen kundër vlerave njerëzore? Pse vijnë në vendin e tyre dhe e hedhin veten në erë si kamikazë?

Të gjithë ata janë madhuar mes nesh. Prandaj, edukimi i tyre ka qenë i gabuar. Kjo do të thotë që sistemi edukativ mund të ketë disa mangësi, disa pika të dobëta që është e nevojshme të ekzaminohen. Është e domosdoshme që këto dobësi të eliminohen. Më shkurt, rritjes së krijesave njerëzore nuk i është dhënë prioritet. Ndërkohë disa gjenerata kanë humbur, janë rrënuar dhe shkatërruar.

Rinia e pakënaqur ka humbur spiritualitetin e saj. Disa njerëz kanë përfituar prej tyre duke i lidhur ata me dollarët ose duke i kthyer në robotë. Ata i kanë droguar. Ky është lajmi i parë në të gjitha gazetat që mund të lexojmë këto ditë. Me këta të rinj është abuzuar në atë shkallë sa ata janë manipuluar. Ata janë shfrytëzuar si vrasës me pretekstin e disa idealeve apo qëllimeve të çmendura. Disa njerëz keqdashës kanë dashur të arrijnë ca synime duke abuzuar me këta të rinj.

Këta njerëz janë kthyer në robotë. Një kohë, shumë njerëz u vranë në Turqi. Grupet e ndryshme vrisnin njerëzit nga kampet kundërshtare. Gjithsecili ishte përfshirë në një luftë të përgjakshme përpara se të vinte dhe të ndërhynte ushtria më 12 mars të vitit 1971 dhe më vonë më 12 shtator të vitit 1980. Njerëzit vrisnin duke derdhur gjakun e njëri-tjetrit.

Disa njerëz u përpoqën të arrijnë një qëllim duke vrarë të tjerët. Gjithsecili ishte një terrorist. Njerëzit e njërit krah ishin terroristë, edhe ata në krahun tjetër ishin terroristë, ndërkaq që çdokush e etiketonte të njëjtin veprim ndryshe. Një person do të thoshte: "Unë po veproj në emër të Islamit." Një tjetër do të thoshte: "Unë jam duke luftuar për popullin dhe vendin tim!" Ndërsa një i tretë: "Unë jam ngritur kundër kapitalizmit dhe shfrytëzimit!" Të gjitha ishin vetëm fjalë. Kurani flet rreth këtyre "etiketimeve." Ata nuk meritojnë të vlerësohen. Por njerëzit vazhduan me vrasje. Çdokush ishte vrarë në emër të një ideali.

Në emër të këtyre "idealeve" të përgjakura shumë njerëz ishin vrarë. Kjo nuk ishte asgjë tjetër veçse terror. Çdo njeri, jo vetëm myslimanët, kishte bërë të njëjtin gabim. Më pas, këto vrasje u bënë një qëllim "i realizueshëm." Vrasja u kthye në një zakon. Gjithsecili filloi të shfrytëzohej për të vrarë, edhe pse vrasja e një personi tjetër është një akt shumë i dënueshëm. Një herë, një nga miqtë e mi më të afërt, vrau një gjarpër. Ai ishte i diplomuar në teologji dhe tani është predikues. Në shenjë kundërshtimi për këtë veprim, unë nuk fola me të për një muaj. Unë i thashë: "Ky gjarpër ka të drejtë të jetojë në natyrë. Çfarë të drejte ke ti për ta vrarë?"

Por sot gjendemi në një moment të tillë që, nëse 10 apo 20 njerëz janë vrarë, ose nëse numri nuk është aq i lartë sa mendohej, atëherë ata thonë: "Nuk është aq keq, nuk kanë vdekur shumë njerëz!" Kjo dhunë e pabesueshme është e pranueshme për njerëzit në një nivel të tmerrshëm. Ata thonë: "Është pozitive që numri i të vdekurve nuk i kalon 20 apo 30!" Shkurt, e tërë shoqëria e pranon këtë si një pjesë të jetës sonë të përditshme.

Kjo situatë mund të ishte shmangur nëpërmjet edukimit. Ligjet dhe rregullat e shtetit mund ta parandalonin këtë. Disa grupime të vogla që janë mbrojtur, dhe për pasojë nuk mund të ndalohen, janë duke i ekzagjeruar çështjet e parëndësishme dhe po u japin shumë rëndësi çështjeve pa vlerë. Ka një shërim nga kjo. Shërimi është të mësojmë të vërtetën menjëherë. Duhet të bëhet e qartë që myslimanët nuk mund të jenë terroristë. Pse duhet të bëhet kjo e qartë? Sepse njerëzit duhet ta kuptojnë që nëse bëjnë diçka të keqe, edhe në qoftë se është e vockël sa një atom, ata do të paguajnë për atë në këtë botë dhe në botën tjetër! [67]

Po, vrasja e një njeriu është diçka shumë domethënëse. Kurani thotë që vrasja e një personi është e një njëjtë me vrasjen e të gjithë njerëzve. Ibni Abasi shprehet që një vrasës do të qëndrojë përjetësisht në ferr. Ky është i njëjti dënim që është dhënë edhe për mosbesimtarët. Kjo do të thotë që një vrasës i është nënshtruar të njëjtit dënim si një jobesimtar. Shkurt, në Islam, në momentet e ndëshkimit në Ditën e Gjykimit, një vrasës do të konsiderohet të jetë aq i ulët po aq sa dikush që ka mohuar Zotin dhe Profetin (me fjalë të tjera një ateist). Nëse ky është një parim themelor i fesë, atëherë ai duhet të jetë mësuar në shkollë.

INTERVISTË E GAZETËS “DAILY NATION” [68]

Hezron Mogambi

Pyetje: Cili është misioni i jetës tuaj dhe çfarë mesazhi do t’u jepnit njerëzve?

Nuk besoj se unë si person përfaqësoj ose jam një mision më vete. Mundohem të jem një njeri si gjithë të tjerët. Mua më mjafton nderimi që Zoti më ka dhënë duke më krijuar si “njeri”. Sigurisht që njeriu është një krijesë që kërkon të kuptohet. Njeriu i ngjan asaj farës së vogël që mbillet, rritet dhe kërkon të arrijë fazën e pjekurisë. Fuqia hyjnore i ka dhuruar farës mundësi zhvillimi dhe për t’ia arritur këtij qëllimi ajo mbillet në tokë. Nëse ajo nuk gjen një ambient të tillë ose pengohet nga ndonjë gjë e dëmshme, mbetet aty ku hidhet dhe nuk lulëzon, por kalbet. Nga ana tjetër, nëse kjo farë gjen kushtet e përshtatshme për t’u zhvilluar, i shpëton kalbjes dhe arrin të bëhet një pemë që jep fruta të mrekullueshëm. Pra, nga një farë aq e vogël, ajo fiton përfaqësimin e një tërësie.

Po kështu, Dora e të Plotfuqishmit, edhe njeriut i ka dhënë mundësi të pafundme. Nga këto mundësi, fara e vogël e hedhur në tokën shpirtërore gjelbërohet me ujin e besimit dhe adhurimit, dhe nëse aspektet shpirtërore i përdorim në drejtim të qëllimit të të krijuarit, degët e tyre zgjaten deri në pafundësi duke u kthyer në pemë me fruta të mrekullueshme që të japin lumturi në këtë botë, e begati në botën tjetër dhe mirësi të pafundme në parajsë.

Pra, ne si njerëz, jemi dërguar në këtë botë që me anë të dijes dhe besimit, të kuptojmë atë që është e vërtetë. Duke vënë re ndryshimin që ne kemi me krijesat e tjera dhe duke parë mundësitë që na janë dhënë, ne si njerëz na takon që me anë të rrugës së dijes dhe besimit të ndërtojmë botën dhe të vendosim paqen dhe ky qëllim na ngarkon me përgjegjësi të ndryshme përkundrejt Krijuesit të gjithësisë dhe krijesave të tjera. Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të! thotë “Njeriu më i lartësuar tek Allahu është ai që i beson vetëm atij duke mos i vënë shok dhe ai që u shërben të tjerëve”. Pra, mbret i një populli është ai që i shërben atij. Duke u bazuar në këto pika, besoj se kjo është detyra ime në këtë botë.

Si mund të përfitojmë nga feja për vendosjen e demokracisë, mirëkuptimit të dyanshëm dhe të drejtave të njeriut në botë? Cili mund të jetë roli i fesë për vënien në jetë të këtyre çështjeve?

Feja apo roli i saj nuk mund të kufizohet vetëm me këto aspekte që ju përmendët, gjithashtu ajo i garanton këto vlera. Zoti e ka dërguar fenë për lumturinë individuale dhe kolektive. Feja bazohet në besimin dhe adhurimin e Zotit. Besimi dhe adhurimi i një Zoti të vetëm bën që besimtarët të jenë më të afrueshëm me të gjithë krijesat e tjera. Sa më e lartë të jetë shkalla e besimit të njeriut tek Zoti, aq më e lartë është konsiderata e tij ndaj qenieve të tjera. Feja, e cila është një ndërmjetëse midis Zotit dhe njerëzimit, bazohet gjithashtu edhe në krijesat e tjera që i përulen sistemit hyjnor. Pra, së bashku me botën ku ne jetojmë, i gjithë universi i bindet rregullave të vendosura nga Zoti, duke formuar kështu një bashkim, rregull dhe harmoni. Ndryshimi i bindjes së njeriut ndaj Zotit me krijesat e tjera është se ne na është dhënë vullneti dhe logjika. Ky vullnet dhe detyrimet që sjell, e shtyjnë njeriun të ndjehet në harmoni me qeniet e tjera dhe nxit etikën e lartë dhe zhvillimin njerëzor. Zotit kurrsesi nuk i pëlqejnë padrejtësitë dhe mashtrimet. Ai kërkon që ne të jetojmë në paqe dhe brenda kufijve të drejtësisë. Si rrjedhim, ajo që pritet nga besimtarët, nga ata që i besojnë dhe adhurojnë vetëm Zotin, është përpjekja për nxitjen e paqes, vëllazërisë dhe drejtësisë.

Në vijë të përgjithshme, feja tregon njohuri, disiplinë, të drejtat dhe detyrimet e njeriut. Ajo është një sistem hyjnor që i tregon individit dhe kolektivit atë që është e drejtë dhe e gabuar. Në këtë mënyrë, sipas fesë, jeta është një përmbledhje e një sërë detyrash dhe të drejtash që besimtarët gëzojnë dhe janë të detyruar që t’i kryejnë. Në këtë drejtim, feja e sheh jetën si marrëdhëniet e individit me vetveten, me Zotin, me kolektivin si dhe me mjedisin që e rrethon. Si përfundim, pavarësisht se si besimtarët i ushtrojnë detyrimet fetare brenda dritës, sot, ata që pranohen si dashuri, respekt, mirënjohje, të drejta njeriut, falje, mëshirë, paqe, vëllazëri dhe liri, janë vlera që feja i përmban dhe i predikon. Sipas fesë, të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe të njëjtë ashtu siç janë dhëmbët e një krehri. Ajo nuk pranon asnjë lloj dallimi racor, ngjyre, moshe, kombësie apo të meta fizike. Feja thotë “Të gjithë keni ardhur nga Ademi, kurse ai është nga toka. Prandaj dhe ju njerëz bëhuni vëllezër!”

Feja ka sjellë këto disiplina bazë:

- Fuqia gjendet tek e drejta, në të kundërt e drejta nuk përkon me forcën.

- Drejtësia dhe ligji janë baza mbizotëruese.

- Nuk mund të cenohen në asnjë mënyrë besimi, liria e mendimit, jeta, pasuria personale, e drejta për krijimin e familjes, mendja dhe shëndeti trupor tek njeriu.

- Mbrojtja e të fshehtës dhe paprekshmërisë individuale.

- Askush nuk ka të drejtë të fajësojë tjetrin pa patur prova dhe askush nuk ka të drejtë të mos dënojë tjetrin për arsye afrimiteti.

- Me qëllim të jetës në kolektiv, individët janë në gjendje që të bashkëpunojnë së bashku në paqe.

Duke iu bazuar fesë, në jetën sociale si bazë njihet e drejta dhe jo fuqia. Armiqësia është e papranueshme. Marrëdhëniet midis njerëzve duhet të krijohen duke u bazuar në besim, dashuri, ndihmë, mirëkuptim, respekt reciprok dhe jo mbi mosmarrëveshje, zënka apo interes. E drejta sjell bashkim, rritjen e vlerave njerëzore, ndihmë dhe konsulencë. Kurse besimi është burim i vëllazërimit. Gjithashtu, sipas fesë, të gjithë njerëzit janë krijesa të Zotit dhe askush nuk është më i lartë se tjetri përsa i përket vetive që janë jashtë vullnetit të njeriut si raca, ngjyra apo familja. Për këtë arsye, mbizotërojnë ligjet dhe askush nuk mund të jetë më sipër se ata. Ligjet zbatohen në mënyrë të barabartë për këdo dhe gjykatat punojnë sipas rregullave juridike. Feja e llogarit pasurinë e kolektivit dhe thesarin e shtetit si diçka amanet. Gjithçka që del nga ky thesar bazohet mbi të drejtën dhe rregullat ligjore. Marrëdhëniet që çdo individ drejtues ka me thesarin është e njëjtë me atë person që i dorëzohet me amanet të përkohshëm.

Vjedhja, grabitja, cenimi dhe dhuna janë ndër mëkatet më të mëdha te Zoti. Feja urdhëron drejtësi, mirësjellje ndaj prindërve, të afërmve, të varfërve si dhe ndihmesë që mund t’i jepet rrugëtarëve. Ajo ndalon abuzimet seksuale, padrejtësitë që mund t’u bëhen të varfërve dhe jetimëve si dhe hilet në peshore. Ajo urdhëron në këtë mënyrë: “Mos flisni në ato tema që nuk i dini, flisni me gjuhë të ëmbël ndaj njëri tjetrit, mos mbani inat dhe mos i flisni me tone të ashpra njëri tjetrit, jini zotërues të veprimeve që bëni, askush s’ka të drejtë të tallet me tjetrin dhe ti ngjisë nofka të këqija, largohuni nga mendimi i keq dhe i gabuar për të tjerët, mos gjykoni dhe mos kërkoni mëkate tek të tjerët, mos hiqni dorë nga dëshira mbi të vërtetën qoftë kjo dhe në dënimin tuaj, të prindërve apo të afërmve tuaj, dhe në çdo veprim tuajin të mbizotërojë drejtësia, mëria që mund të keni ndaj një personi apo kolektivi të mos ju nxisë juve për padrejtësi ndaj tyre. Përmbahuni zemërimit tuaj dhe falini të tjerët, silluni me të mirë ndaj të keqes; bëhuni të arsyeshëm dhe të falshëm; mos përdorni pije alkoolike dhe mos luani kumar.” Gjithashtu lajmërohet në këtë mënyrë: “Ju të gjithë jeni njerëz dhe para Zotit jeni të barabartë. Por ata që i frikësohen Zotit, ata që janë besimtarë të vërtetë dhe me fjalë dhe me sjelljet e tyre përfaqësojnë të vërtetën, nderohen dhe lartësohen. Lindja, ngjyra apo raca nuk mund të jenë gradë madhësie. Të gjithë do të vdisni dhe do të përballeni me një gjykim madhështor ku do të jepni llogari për ato që keni bërë në këtë botë. Ato ditë korrupsioni dhe mirësia nuk do të kenë vlerë; e vetmja gjë e pranueshme do të jetë besimi i vërtetë dhe vepra e pastër.” Shkurtimisht, feja, nëse mësohet dhe jetohet me të vërtetë ashtu siç është, me të gjithë të drejtat dhe liritë e njeriut, do të jetë çelësi dhe garancia e lumturisë për këtë jetë dhe për jetën e amshuar.

A shpresoni për arritjen e paqes në botë, ndërkohë që çdo ditë e më shumë vërejmë shtimin e krimit dhe të këqijave sociale?

Njeriu është fëmijë i shpresës dhe jeton aq sa shpreson; ai, në momentin që humb shpresën, edhe pse fizikisht duket sikur jeton, do të thotë që zjarri i jetës i është shuar. Shpresa është në përpjesëtim të drejtë me besimin. Për këtë arsye, besoj dhe shpresoj që bota e së ardhmes do të jetë më e lumtur, më e pastër dhe më e mëshirshme. Një zhvillim dhe një e vërtetë që na shton këtë shpresë, që ndoshta tani është akoma në fazat e para të saj, është afrimiteti midis krerëve myslimanë, të krishterëve dhe çifutëve. Unë personalisht kam pritur dhe pres një botë parajsë ku njerëzimi të jetojë në lumturi dhe paqe. Tashmë kjo botë e vjetruar duhet të jetë mërzitur nga luftërat dhe përplasjet e shumta. Për këtë arsye, ajo tashmë nuk ka nevojë vetëm për ajër, ujë dhe bukë, por edhe për mëshirë, mirësi, qetësi shpirtërore dhe paqe. Duke u bazuar në këtë, mendoj se të gjithë popujt e shteteve të ndryshme janë të gatshëm për një botë të tillë. Pra, njerëzit tani do të ndjejnë nevojën e ndihmës dhe bashkëpunimit me njëri-tjetrin; sot, bota jonë sa vjen e globalizohet çdo ditë e më shumë duke u shndërruar në një fshat ku informacioni dhe udhëtimet e shumta po rriten gjithmonë e më shumë dhe ne si njerëz ndihemi si të mbyllur mes katër mureve të shtëpisë.

Gjeneratat e mëparshme kanë përjetuar një përplasje që nuk duhet të ekzistonte: atë midis fesë dhe shkencës. Kjo përplasje lindi shkencën materialiste dhe kjo industrinë gjigante të armëve, duke i hapur udhë kështu armatosjes në përmasa kolosale dhe ndotjes së mjedisit në përmasa të frikshme. Ndërkohë që shkenca studion njeriun dhe natyrën që janë vepër e Diturisë, Vullnetit dhe Fuqisë së Zotit, s’ka se si të përplaset me fenë, e cila është urdhër i Zotit që mund ta gjeni në tre librat e shenjtë Kuran, Bibël dhe Teurat. Por, si rezultat i përpjekjeve të shumë dijetarëve dhe shkencëtarëve myslimanë dhe të krishterë, ka nisur të kuptohet se konflikti disashekullor fe-shkencë, më së paku është i panevojshëm. Shpresoj që një botëkuptim i tillë do ta parandalojë ose të paktën do ta kufizojë shkencën përsa i përket ndotjes dhe shkatërrimit të “natyrës”.

Fundi i konfliktit fe-shkencë, do të sjellë afrimin e fesë me shkencën dhe përkrah saj një sistem arsimor ku të përmbahen vlera të larta shpirtërore dhe etike. Dhe si përfundim, do të edukohen gjenerata me mendje të ndritur e me zemër të mbushur me besim.

Kjo stinë do të jetë ajo ku do të marrë fund ose do të zvogëlohet çdolloj shfrytëzimi, ngushtimi sa më i madh i dallimit i varfër - i pasur, do të arrihet ekuilibri punë - kapital - nevojë; do të jetë një stinë ku do të marrë fund dallimi racor, i ngjyrës, i gjuhës dhe i pikëpamjeve mbi botën si dhe stina ku do të njihen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Sipas jush, cilat janë problemet e Afrikës dhe si mund të zgjidhen ato?

Për popujt e Azisë dhe Afrikës tre janë armiqtë kryesorë: injoranca, varfëria dhe përçarja. Kundrejt këtyre duhet të luftohet me dinamikat e dijes, punës dhe bashkimit. Me dituri mund të sfidosh injorancën, me punë dhe kapital sfidon varfërinë ndërsa kundër përçarjes nevojitet dialogu, mirëkuptimi dhe respekti ndaj të tjerëve. Nuk dua të lë pa përmendur dhe diçka, në burim të çdo problemi gjendet njeriu vetë, si rrjedhim, njeriut i duhet të largohet nga të qenit problem dhe rruga për arritjen e lumturisë së vet dhe botës së tij kalon nga arsimimi. Shkaku më i madh i përçarjes sot, janë dallimet etniko-racore. Sot, në një botë që po zvogëlohet nga dita në ditë dhe po krijohen aleanca mes vendesh të ndryshme dhe kur njerëzit për qëllime të ndryshme po afrohen gjithmonë e më shumë, është e vështirë të kuptosh këto ndarje të panevojshme dhe shumë të dëmshme.

Si shkaqe të përçarjes mund të përmendim disekuilibrin në fushën ekonomike, mosshpërndarja e drejtë e të ardhurave në shoqëri të ndryshme si dhe mungesa e institucioneve që luajnë rolin e urës midis individit dhe kolektivit. Gjithashtu mosvendosja në vendin e duhur e forcave në mekanizmin drejtues, moszbatimi i mënyrave demokratike në zgjidhjen e problemeve si dhe mosekuilibrimi i lidhjes ligj - forcë - urtësi, janë të tjera shkaqe që mund t’i shtohen. Çështje të tjera mund të përmendim edhe fanatizmat, dëshirat, emërimi dhe përcaktimi i shumë gjërave sipas iniciativës së disa individëve të veçantë, problemet ekzistuese që ekzistojnë në fushën politike dhe administrative. Një tjetër rrezik që rrezikon popujt aziatikë dhe afrikanë, është prishja që ka filluar në kulturë dhe moral që po përhapet si sëmundja e verdhëzës. Ky demoralizim po trondit të gjithë vlerat që mbajnë këta kombësi në këmbë. Si përfundim mosbesimi dhe demoralizimi po depërton thellë në mosrespektimin e atyre që janë të shenjta për këto kombe.

Ashtu siç është nevoja për një fokusim mbi ato pika që janë të përbashkëta dhe kërkimi i zgjidhjeve në mënyrë logjike, po ashtu, të domosdoshme janë edhe paqja, bashkimi dhe bashkëpunimi, aktorë këta që përbëjnë bazën e lumturisë në kolektiv. Për këtë gjë është e domosdoshme largimi dhe paragjykimi ndaj të tjerëve dhe duhet që njeriu të drejtën dhe të bukurën të mos e shohë vetëm në vetvete. Duhet të këmbëngulet mbi dallimet që po ndodhin përsa i përket racës, ngjyrës, përkatësisë etnike, etj, faktorë këta që ndikojnë në përçarjen midis individëve. Ne duhet të sillemi në mënyrë të tillë që të respektojmë rregullat sociale të shoqërisë duke mos cenuar askënd. Të gjitha këto do të arrihen duke parë pikat e përbashkëta dhe faktorët jetikë që na shoqërojnë gjithmonë.

Vazhdimësia dhe fuqizimi i popujve dhe kombeve Afrikane do të arrihet së pari me aleancat me vendet fqinjë dhe më pas me ato shtete që kanë pika të përbashkëta, por që në asnjë mënyrë nuk duhet nxitur armiqësi me ndonjë shtet tjetër. Krijimi i këtyre aleancave është i nevojshëm dhe i domosdoshëm dhe ky duhet jetë një ndër detyrat e para të këtyre vendeve. Në vend të armiqësive duhet të përqafohen miqësitë.

Çështja Izrael - Palestinë ka kohë që vazhdon. Myslimanët dhe të krishterët e lindjes së mesme nuk i besojnë njëri-tjetrit. Si mendoni se mund të zgjidhet kjo çështje dhe cila është mënyra që njerëzit e kësaj pozite gjeografike do të kuptojnë dhe arrijnë paqe dhe lumturi?

Çështja Izrael - Palestinë tanimë nuk i intereson vetëm këtyre dy shteteve, por të gjithë kësaj hapësire gjeografike, madje ka arritur në një çështje që i përket paqes botërore. Personalisht, aktet që disa grupe palestineze ndërmarrin në emër të fesë Islame, i shoh me dyshim. Ushtria Çlirimtare e Palestinës që në fillim ka ndjekur një rrugë me ulje dhe ngritje. Për këtë arsye, nuk jam i sigurt nëse kjo lëvizje po i sjell apo do t’i sjellë ndonjë përfitim popullit palestinez. Për më tepër, nëse çështjen e shohim në mënyrë të vetëdijshme, duke parë kushtet dhe gjendjen ku ky vend ka përfunduar, duket hapur se rezultati nuk është shumë i kënaqshëm. Me këto kushte, të paktën momentalisht, nuk duhet të gjykohet si një çështje fetare. Pasi në një terren kaq konfuz, feja mund të keqkuptohet dhe të keqpërdoret. Së dyti, feja edhe në këtë zonë, edhe në botë, duhet t’i shërbejë paqes.

Gjithashtu nuk duhet të neglizhojmë edhe aspektin psikologjik të çështjes. Pra, zona për të cilën flasim, është e shenjtë si për myslimanët, ashtu dhe për të krishterët e çifutët. Historia tregon se të gjithë profetët kanë predikuar në këtë vend. T’i besosh profetëve që Zoti u ka dërguar bijve të Izraelit dhe profetëve të tjerë është një kusht themelor i besimit Islam. Myslimanët, të krishterët dhe çifutët i pranojnë këta profetë. Për më tepër, pikat e përbashkëta që ekzistojnë midis këtyre tri feve nuk janë më të pakta se kontradiktat. Për këtë arsye, të gjitha këto ngjashmëri, që normalisht duhet të stimulojnë bashkëjetesën në paqe, fatkeqësisht, për disa arsye politike, u hapet rrugë konflikteve dhe kontradiktave. Pra, çështja Izrael- Palestinë, duhet të gjykohet sipas rregullave ndërkombëtare duke gjetur zgjidhje të tillë që kënaqen të gjithë palët dhe të garantojë liritë, sigurinë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Ka nga ata që barazojnë Islamin me terrorizëm dhe terrorizmin me Islamin. Ç`mendoni mbi këtë?

Së pari dua të theksoj diçka; Një fe e dërguar nga Zoti, sido që ajo të quhet, qoftë feja islame, qoftë ajo çifute apo e krishterë, jo vetëm që nuk e urdhëron terrorin, por ç’është më e rëndësishme, as që nuk e lejon atë. Në radhë të parë, jeta e njeriut është shumë e rëndësishme për Zotin. Në këtë drejtim, Zoti me fenë që ka dërguar, e ka konsideruar atë si një nga vlerat më kryesore. Kështu që Islami e sheh jetën e një individi si një të tërë, pra, vrasjen e një personi, e njëson me vrasjen e të gjithë njerëzve dhe shpëtimin e një personi e pranon si shpëtimin e të gjithëve. Përsa i përket të drejtës, duke deklaruar “se nuk ka të drejtë të vogël apo të madhe”, e ka konsideruar të njëjtë të drejtën e një individi me atë të një kolektivi, dhe asnjërën prej tyre nuk e ka sakrifikuar për tjetrën.

Së dyti, Islami i urdhëron besimtarët që në aktivitetet e tyre të kenë për qëllim të drejtën dhe atë që është legale dhe thekson se mjetet për të arritur këtë qëllim duhet të jenë domosdoshmërisht legale, si dhe u kujton atyre që veprojnë apo mundohen që të arrijnë qëllimet e tyre me mjete jolegale se do të ndëshkohen me të kundërtën e asaj që synojnë të arrijnë. Nga kjo pikëpamje, mund të themi se terrori s’mund të jetë kurrsesi mjet për të realizuar qëllime në emër të fesë Islame. Edhe luftën që është një realitet njerëzor dhe dukuria që bie më shumë në sy, Islami nuk e ka konsideruar kurrë si të pëlqyeshme, fillimisht e ka lejuar vetëm me qëllim mbrojtje e, pastaj, sipas parimit të përmendur në Kuran “fitneja (fitme) është më e keqe se vrasja”, e ka lejuar luftën me qëllimin e parandalimit të luftës, ose parandalimin e shkaqeve që çojnë drejt luftës si ngatërresat, dhuna, çekuilibrit etj,. Bashkë me këtë, për herë të parë në historinë e njerëzimit, solli mbi këtë çështje kufizime tepër të rëndësishme dhe në një periudhë shumë të hershme predikoi rregullat juridike ndërkombëtare. Kësaj fushe i është dhënë aq rëndësi, saqë dijetarët myslimanë mbi këtë çështje kanë shkruar libra 13 shekuj më parë. “Mos largoni nga zemra juaj frikën ndaj Zotit. Mos harroni se nuk bëni dot asgjë pa ekzistuar dëshira e Allahut. Kujtoni gjithmonë se Islami është feja e lumturisë dhe dashurisë. Rruga, guximi dhe trimëria e Profetit (a.s) le të jenë një model për ju. Mos shkelni nëpër vreshta dhe nëpër fusha të mbjella. Mos lëndoni murgjit, priftërinjtë apo besimtarët që janë mbyllur nëpër faltore dhe jetën e tyre ua dedikojnë Zotit. Mos qëlloni mbi civilë, mos u sillni në mënyrë imorale përkundrejt femrave dhe mos lëndoni ndjenjat e të humburve. Mos pranoni dhurata nga popullsia vendase. Mos strehoni ushtarët tuaj nëpër shtëpitë e vendasve. Në asnjë mënyrë mos braktisni asnjë nga namazet. Frikësojuni Zotit dhe mos harroni se vdekja mund t’iu gjejë në çdo kohë, qoftë edhe mijëra kilometra larg fushëbetejës. Pra, gjithmonë jini të gatshëm për vdekjen që mund t’iu vijë.” Këto pra janë principet që krerët e shteteve islame u kanë kujtuar komandantëve në kohë lufte. Lufta mund të ndërmerret vetëm nga shteti dhe kjo kur nuk ka zgjidhje tjetër. Ashtu siç nuk kanë të drejtë për hapje lufte individë dhe organizata të ndryshme, po ashtu, edhe aktet terroriste që cenojnë njerëzimin nuk mund të kenë vend në fenë Islame. Kështu që, nëse në botën Islame apo gjetkë, nëse sot ekzistojnë këto fenomene, së pari ,duhet të gjendet sëmundja dhe më pas të mendohet për kurimin e saj me mënyrat më të përshtatshme.

A mund të jenë shkollat burim i paqes në një shoqëri? Çfarë sugjeroni për sistemin arsimor për të arritur këtë qëllim?

Njeriu nuk është një qenie e cila përbëhet vetëm nga trupi, vetëm nga mendja, vetëm nga ndjenjat apo vetëm nga shpirti. Trupi i tij vazhdimisht rrotullohet në rrjetën e nevojave; mendja e shtyn të mendojë për nevoja akoma më të thella që ka, për të kaluarën e tij e për dyshimet ndaj të ardhmes dhe e nxit të pyesë veten: “Çfarë jam unë? Ç’është dhe kujt i përket kjo botë? Çfarë kërkon jeta dhe vdekja nga unë? Kush dhe me ç’qëllim më dërgoi mua në këtë botë? Ku po shkoj dhe cili është qëllimi i kësaj jete? Kush është udhëzuesi im në këtë botë?”; përtej mendjes, ndjenjat kërkojnë kënaqësi më të madhe dhe shpirti që i jep identifikimin thelbësor njerëzor, pra me të gjitha këto, njeriu është një qenie e kompletuar. Sipas meje, njeriu do ta arrijë lumturinë e vërtetë vetëm atëherë kur t’i plotësohen të gjitha nevojat dhe të vlerësohet me të gjithë aspektet e tij. Në këtë pikë, zhvillimi dhe përparimi i tij në aspektin qenësor mund të arrihet vetëm me arsim.

Njeriu vjen në këtë botë me nevojën për të mësuar gjithçka. Detyra e vërtetë që i takon të kryejë në këtë botë kalimtare është marrja e patentës për të kaluar në botën tjetër duke përdorur mendjen, logjikën, sjelljen e mirë; duke qenë drejtues dhe kontrollues i zemrës dhe shpirtit; duke aktivizuar të gjithë fakultetet shpirtërore; duke kuptuar të gjitha misteret e të fshehtat që ekzistojnë, duke kuptuar kuptimin e qenies së tij dhe kështu kuptimin e plotë të të qenit njeri. Për këtë arsye, megjithëse deri tani nuk ka qenë e mundur, duhet që tani, sistemi arsimor të jetë i tillë që të përfshijë ndriçimin e mendjes me dituri dhe mbushjen e zemrës dhe shpirtit me besim e virtyte. Një botëkuptim i tillë që e lartëson nxënësin mbi krahët e dijes dhe besimit dhe e shtyn atë të fitojë pëlqimin e Zotit duke i shërbyer shoqërisë e njerëzimit, do të jetë shumë i vlefshëm për brezat e ardhshëm. Të paktën, duke e përdorur dijen për qëllime të mira, do ta shpëtojë atë nga aspektet e dëmshme dhe nga materializmi që e përdor atë si një armë asgjësuese. Pra, një pikëpamje e tillë, do të parandalojë fenë të jetë e çalë dhe shkencën të verbër. Atëherë, dhe feja nuk do të jetë larg mendjes, e shkëputur nga jeta dhe shkenca dhe nuk do të jetë një institucion fanatizmi që vendos mure mes njerëzve dhe popujve.

Shpeshherë flasim për globalizmin si rezultat i zhvillimit të telekomunikacionit dhe zvogëlimit të distancave. Tanimë, popujt, sado larg që të jenë, po bëhen fqinjë. Por kjo nuk do të thotë se popujt do të humbasin traditat kombëtare të tyre. Përkundrazi, këta do të vijojnë duke mos i hapur rrugë konfliktit, por duke mbetur si faktorë që do të shtojnë e zbukurojnë mozaikun e këtyre popujve dhe shteteve. Tek ne ka një fjalë të urtë “njeriu ka nevojë edhe për hirin e fqinjit”. Nëse ju nuk keni as hi për t’i dhënë fqinjit, atëherë mos prit asnjë vlerësim nga të tjerët. Ndërkohë, çdo popull ka ç`të japë dhe ç`të marrë nga popujt e tjerë. E ndër mjetet më tepër efikase në këtë bashkëveprim patjetër që janë shkollat dhe institucionet arsimore.

Kur folëm për Afrikën, thamë se tre armiqtë kryesorë ishin injoranca, varfëria dhe përçarja. Injoranca mund të marrë fund me dituri, varfëria me punë, kurse përçarja me bashkëpunim, dialog dhe mirëkuptim. Për këtë arsye, meqenëse të gjithë problemet bien mbi njeriun, rruga e parë për të kapërcyer këtë është arsimi. Arsimi është rruga më e mirë për t’i shërbyer njerëzimit. Meqë sot po jetojmë në një botë globale, edhe shërbimi ndaj njerëzimit dhe dialogu midis qytetërimeve do të arrihet pikësëpari me arsimim.

Ne na takon që të rrisim një gjeneratë të tillë e cila përkrah mendjes dhe eksperiencës, i jep rëndësi edhe ndërgjegjes dhe botës së brendshme. Kjo gjeneratë do të kërkojë perfekten në gjithçka, do të vendosë ekuilibrin midis kësaj bote dhe asaj që na pret si dhe do të forcojë lidhjen mendje-zemër. Po ashtu, ky brez do të mendojë, besojë, studiojë dhe do të pajiset me vlerat më të larta morale. Nuk do të braktisë kurrë vlerat morale kur të përdorë të gjithë këto kushte moderne. Kjo gjeneratë e dashuruar pas së drejtës dhe përfaqësuese e sigurisë, nuk do t’i kushtojë rëndësi jetës materiale, rehatisë dhe luksit. Të gjithë këto mirësi që u ka dhuruar Zoti do t’i përdorin për të mirën e njerëzimit.

Gjenerata e re do të jetë e tillë që do të luftojë vazhdimisht për rritjen e dijeve, do të edukohet me vlerat më të larta morale, me fushat më të gjera të zhvillimit, me mendimin e drejtë dhe nuk do të mjaftohet me atë që zotëron. Kjo gjeneratë e pajisur pra me vlerat më të larta njerëzore, do të parapëlqejë të tjerët në vend të vetvetes, në vend të jetës së tij do të zgjedhë atë të të tjerëve dhe do të dijë të sakrifikojë lumturinë e vet për atë të të tjerëve.

Sot thuhet se roli i fesë nuk është bashkues por përçarës. Cili është shkaku i kësaj?

Në vijim të përgjigjeve që dhashë më lart, mund të themi se: Feja, dikotominë e konsideruar fatkeqësisht antagoniste te konceptet fe-shkencë, kjo botë-bota tjetër, natyrë-Libër i Shenjtë, materie-kuptim, shpirt-trup, e përjashton dhe parandalon shkencën materialiste që është shkak i rrënimeve. Feja dhe dispozitat e Zotit do jetë ajo që do e vendosë shkencën në vendin e merituar dhe që do t’i japë fund konflikteve disashekullore ndërmjet popujve dhe shteteve.

Ne si myslimanë i pranojmë dhe e kemi si kusht të besimit besimin e profetëve dhe librave hyjnorë të dërguar popujve të ndryshëm në kohë të ndryshme: Një mysliman është ndjekës i rrugës së Ibrahimit, Musait, Davudit dhe Isait dhe gjithë profetëve të tjerë. Njeriu nuk mund të quhet mysliman në atë çast kur nuk pranon një profet ose njërin nga librat e shenjtë. Rrjedhimisht, duket fare qartë unifikimi themelor i fesë që është si një simfoni e pasqyrimeve të mëshirës së Zotit dhe mirësive të Tij dhe universaliteti i besimit fetar. Në këtë mënyrë, feja është një sistem që përqafon të gjitha racat dhe besimet dhe një rrugë që mbledh gjithkënd në mënyrë vëllazërore.

Sidoqë ndjekësit e fesë i zbatojnë ritualet gjatë ditës, dashuria, respekti, mirëkuptimi, falja, të drejtat e njeriut, paqja, vëllazërimi dhe liria janë vlera që feja i lartëson. Nuk mund të mohohet se në të kaluarën ka pasur persona që e kanë përdorur fenë për qëllime përçarjeje. Por në këtë moment, faji nuk i përket fesë, por personit përkatës. Së bashku me këtë, tanimë, pothuajse nga shumica është kuptuar që faktori fe ndikon në bashkimin e njerëzve. Për këtë qëllim, ajo patjetër që ka një funksion dhe rrjedhimisht që duhet të vendosë dialogun dhe mirëkuptimin ndërmjet anëtarëve të saj.

Dialogu ndërmjet anëtarëve të fesë është i domosdoshëm. Si hap i parë i kësaj, mund të përmendet harrimi i së kaluarës dhe siç ka theksuar një dijetar i madh mysliman bashkëkohor, duhet të lihen mënjanë polemikat e ndryshme midis feve të ndryshme dhe të vihen në plan të parë anët e përbashkëta. Ashtu siç thotë dhe Mevlana Xhelaledin Rumi “Një këmbë e kam në qendër kurse tjetra shëtit ndër 72 popuj”, na duhet të vizatojmë një rreth të gjerë ku të përfshihen jo vetëm anëtarët e feve, por i gjithë njerëzimi. Nuk duhet të harrojmë se tani ka mbaruar ajo kohë kur çështjet zgjidheshin me forcë dhe me luftë, por nevojitet rruga e dialogut dhe mirëkuptimit. Zgjidhjet që duhet ndërmarrim duhet të bazohen në fe dhe në ideologjinë e saj dhe ajo nuk duhet të keqpërdoret për qëllime politike. Feja nuk mund të përdoret për realizimin e dëshirave personale. Kur të realizohen të gjitha këto atëherë do të duket dhe imazhi i vërtetë i fesë.

Cili është mesazhi që do t’i dërgonit njerëzimit?

Personalisht nuk e shoh veten që mund të jap mesazhe për të tjerët. Por, për të sotmen dhe të nesërmen e njerëzimit, mund të them këto gjëra:

Duhet të përpiqemi që të zbulojmë vlerat e larta që fshihen tek vetë njeriu për një të ardhme sa më të mirë. Duhet të rikujtojmë edhe njëherë se për t’i shpëtuar stresit që ekziston tek njerëzit, qoftë ky stres psikologjik apo shpirtëror, si dhe për të shpëtuar nga konfliktet masive, duhet të mbështetemi tek vlerat e besimit, tek dashuria, morali i lartë, mendimi i pastër, tek dituria dhe edukimi shpirtëror.

Të besosh do të thotë të njohësh të vërtetën, të dish se si dhe çfarë është ajo; nëse është dëshirë apo dashuri, kjo duhet të jetohet në këtë jetë. Ata që nuk duan dhe nuk besojnë, nuk janë gjë tjetër veçse një trup i privuar nga jeta e vërtetë. Besimi është rruga e përqafimit të gjithë krijesave, është burim më i rëndësishëm i aksionit; kurse dashuria është faktori bazë dhe dimensioni më i lartë i mendimit njerëzor. Për këtë arsye, ata që duan ta ngrenë botën e re mbi këto virtyte të larta, së pari duhet të arrijnë majat e besimit, pastaj të ngjiten në skenën e dashurisë dhe që atje të predikojnë mesazhet e besimit dhe dashurisë. Dhe për të arritur këtë, nuk duhet harruar që duhet ndjekur rruga e drejtë dhe e moralshme.

E ardhmja e botës do përcaktohet nga ata që janë të mbushur me dashuri. Kjo e ardhme u përket atyre që vetëm buzëqeshin me dashuri, që zemrat i kanë të mbushura me dashuri, atyre në sytë e të cilëve lexohet mëshirë dhe atyre që digjen me ndjenjat e moralit të pastër human.

Ata që kërkojnë të rregullojnë botën, së pari u duhet të ndryshojnë vetë. Nëse ata kërkojnë që të tjerëve t’u dhurojnë një botë më të mirë, duhet që së pari të pastrojnë botën e tyre të brendshme nga urrejtja, inati dhe xhelozia dhe botën e tyre të jashtme ta zbukurojnë me virtyte. Fjalët e tyre që nuk kontrollojnë dhe disiplinojnë dot vetveten, edhe pse në fillim mund të duken tërheqës,e në një kohë shumë të shkurtër mund të humbin vlerën dhe t’i marrë era. Së fundi, po e përsëris edhe një herë, nuk duhet të humbim shpresën për asnjë çast. Mirësia, bukuria dhe e vërteta përbëjnë bazën e të qenit njeri. Si rrjedhojë, njerëzimi do ta zbulojë thelbin e vet, dhe në bazë të vlerave si besimi, dashuria, mëshira, dialogu, pranimi i të tjerëve, respekti reciprok, drejtësia dhe të drejtat, do të ndërtohet me siguri një botë e re.


[58] Hulusi Turgut, Sabah, mars 1997, 23-31.

[59] Eyup Can, “Reaching to the Horizon with Fethullah Gülen” (përkth.) Zaman, gusht 1995.

[60] Eyup Can, “Reaching to the Horizon with Fethullah Gülen”

[61] Po aty.

[62] Ertuĝrul Özkök, “Hocaefendi Speaks” (përkth.), Hurriyet, janar 1995, 23-30.

[63] Lady Mary Wortley Montague.

[64] Nevval Sevindi, “Interview with Fethullah Gülen in New York”

[65] S. Camcı and Dr. K. Unal, Tolerance and Atmosphere of Dialogue in Fethullah Gülen’s Writings and Sayings

[66] Kjo intervistë është botuar në gazetën turke Zaman mes datave 22 mars-1 prill 2004.

[67] Kurani, 99:7-8.

[68] E përditshme që botohet në Kenia dhe në Afrikën Lindore me një tirazh ditor prej 3.5 milionë kopjesh.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.