Ç’thonë të tjerët për Fethullah Gylenin
TURQIA NDJEK NJË LINJË ISLAMI TË MODERUAR
Douglas Frantz
Onur Elgin, një adoleshent turk, nuk ka dyshim rreth faktit që po i kalon pushimet verore duke studiuar fizikë. Ai shpjegon me një anglishte të rrjedhshme që dëshiron të jetë i suksesshëm për shkollën dhe vendin e tij, po ashtu dhe për botën.
Kolegji Fatih, shkolla e lartë e Onurit, është pjesë e një komuniteti islamik të përparuar të lidhur me Fethullah Gylenin, një lider fetar 62-vjeçar që jeton në Pensilvani. Përveç qindra shkollave të hapura në Turqi, Ballkan dhe në Azinë Qendrore, vëllazëria e përhapur ngado, drejton një kanal televiziv, një radiostacion, një agjenci reklamash, një gazetë të përditshme dhe një bankë, që janë të gjitha proislamike dhe të përqendruara në Stamboll.
Ndonëse pak i njohur në Shtetet e Bashkuara, për shumë vjet Fethullah Gylen ishte një ambasador jozyrtar i Turqisë që promovonte një linjë të moderuar të Islamit. Ai predikon tolerancë duke u takuar me Papa Gjon Palin II dhe udhëheqës të tjerë fetarë dhe politikë, ku midis tyre janë kryeministra dhe presidentë turq.
Por këtë muaj, pas një hetimi njëvjeçar, një gjykatë për sigurinë shtetërore nxori një urdhër arresti për Fethullah Gylenin. Një prokuror e ka akuzuar atë për nxitje të ndjekësve të tij për të komplotuar rrëzimin e qeverisë laike turke, një krim që dënohet me vdekje. Autoritetet nuk janë përpjekur që ta ekstradojnë z. Gylen, por urdhër arresti sjell një ftohtësi në rrethin e admiruesve dhe shkakton ankth mes liberalëve që nuk janë bashkuar me këtë lëvizje.
Në të njëjtën kohë, qeveria është përfshirë në një debat të ashpër publik rreth përpjekjeve të saj për të dëbuar nga administrata mijëra nëpunës të dyshuar për lidhje me proislamikët ose me grupet separatiste. Kryeministri Bylent Exhevit kërkoi një autorizim për çemërime nëpërmjet një dekreti qeveritar, por presidenti Ahmet Nezhdet Sezer refuzoi dy herë që ta kthente projektligjin në ligj. Z. Sezer e argumentoi qëndrimin e tij me faktin që autorizimi mund të formulohej vetëm nga parlamenti. Qeveria pranoi sot t'ia paraqesë parlamentit çështjen për gjykim.
Për shkak të kësaj pike të vdekur, z. Sezer që e mori detyrën në maj, i është bërë disa herë thirrje për dorëheqje. Kjo gjendje gjithashtu i ka kontribuar vazhdimit tensionit të krijuar midis përkrahësve të linjës së ashpër të regjimit laik të vendit dhe njerëzve që kërkojnë më shumë tolerancë për pikëpamjet fetare dhe lirinë e fjalës.
Me përgjigjet që u jep pyetjeve të gazetës The New York Times, z. Gylen thyen heshtjen njëvjeçare për akuzat e ngritura kundër tij. Ai i quan akuzat të fabrikuara nga një grup i vogël, por me influencë, që ka një pushtet të konsiderueshëm në qarqet politike.
Z. Gylen deklaron që ai nuk kërkon vendosjen e një regjimi islamik, por mbështet përpjekjet për të siguruar që qeveritë e ngritura mbi baza etnike dhe ndryshimet ideologjike si një mozaik kulturor nuk janë shkak për diskriminim.
"Standardet e demokracisë dhe drejtësisë mund të ngrihen duke qenë bashkëkohore me Perëndimin," deklaron z. Gylen, i cili vitin e kaluar i është nënshtruar një terapie medikale në Shtetet e Bashkuara dhe shprehet që shëndeti i tij e pengon që të kthehet në Turqi.
Drejtuesit ushtarakë turq e kanë vlerësuar prej shumë kohësh z. Gylen si një rrezik potencial për shtetin. Frika e tyre ngjan të jetë konfirmuar vitin e kaluar kur stacionet televizive transmetuan videokaseta në të cilat ai dukej se nxiste ndjekësit e tij të infiltronin në qeveri me "durim dhe pa u ndjerë."
Z. Gylen deklaroi që fjalët e tij janë marrë jashtë kontekstit dhe një pjesë e tyre janë tjetërsuar. Ai thotë se i ka këshilluar ndjekësit e tij të tregohen të duruar përballë nëpunësve të korruptuar dhe administratorëve intolerantë për punonjësit myslimanë që kryenin ritet e fesë së tyre.
“Deklaratat dhe fjalët ishin përpunuar dhe montuar për t'u shërbyer qëllimeve të atyre që gjendeshin prapa kësaj”, shprehej z. Gylen.
Sqarimet e z. Gylen vështirë se mund të bindin përkrahësit e linjës së ashpër laike që e shohin veten si mbrojtës të Turqisë moderne, të krijuar më 1923 nga Mustafa Qemal Ataturku. Për ata, bizneset dhe shkollat e hapura nga ndjekësit e tij mbjellin farërat e një regjimi islamik.
Disa turq të moderuar i shohin këto biznese dhe shkolla me orientim islamik si një përpjekje për të mbushur hendekun e krijuar nga politikat qeveritare dhe diskriminimi. Një studim i kryer nga Fondacioni Turk për Studime Ekonomike dhe Sociale, vë në dukje se këto grupe islamike apelojnë jo vetëm për të varfrit, por gjithashtu për myslimanët e ngurtë që shpesh ndjehen të përjashtuar nga rryma tradicionale.
Në shkollat e orientuara nga Gyleni mësohet vetëm program fetar i miratuar nga qeveria, në turqisht dhe anglisht. Pagesa vjetore në këto shkolla është rreth një mijë dollarë në vit dhe studentët përballen me sfidat rigoroze akademike.
Ozdem Sanberk, drejtuesi i Fondacionit për Studime Ekonomike dhe Sociale, deklaron që "duke u shprehur në mënyrë strategjike, shkollat duhet të mbështeten nga shteti sepse prezantojnë Turqinë në këto vende."
I riu Onur Elgin që është 16 vjeç, në shkollën Fatih jashtë Stambollit, nuk ka synim të shkatërrojë shtetin. I vetmi qëllim i tij tani është të mësojë mjaftueshëm fizikë për të konkuruar në akademinë kombëtare turke.
* Ky artikull është botuar në prestigjiozen The New York Times, më 25 gusht 2000.
- Publikuar më .