Nje Udhetim I Shkurter ne Boten e Jashtme dhe Brenda Vetes Tone
Çdo qenie e madhe ose e vogël në gjithësi e vazhdon ekzistencën e saj në një ekuilibër të tillë të hollë e marramendës, saqë është e pamundur ta shohësh këtë gjendje të përgjithshme të përbërë nga margaritarët e urtësisë, përfitimit dhe harmonisë, të mos e mendosh Krijuesin e të mos thuash "Allah"!
Në lidhje me këtë, është e mjaftueshme t'i lësh të gjitha të tjerat e të shohësh vetëm brenda vetes tënde. Të gjitha veprimtaritë e trupit tonë paraqesin një sistem të mrekullueshëm të rregulluar me anë të mekanizmave hormonale e nervore shumë të ndjeshme e të lidhura me njëra-tjetrën dhe që funksionon në harmoni. Të gjitha organet, indet dhe qelizat funksionojnë në harmoni dhe përsosmëri pa e cënuar aspak detyrën që u bie sipër, të orientuar sipas një qëllimi dhe përfitimi krejt të qartë dhe duke mos u shkaktuar as dëmin më të vogël ndërtimit të trupit, rregullit të tij të përgjithshëm, madje funksionit të një pjese fare të vogël. Meqë edhe ora më e thjeshtë nuk do të mund të mendohej pa artizanin e saj, të mendosh se nuk është dikush që i vë në punë dhe rregullon funksionet jetësore të trupit të njeriut që janë miliona herë më komplekse se të një ore mekanike, që i sheh dhe kontrollon marrëdhëniet mes veprimtarisë dhe rezultateve, duhet të jetë mungesa më e madhe e respektit ndaj të menduarit.
Sidomos ndjeshmëria në qeniet e gjalla, përsosmëria në organet e tyre të shqisave dhe fakti që çdo qenie e gjallë është e pajisur me organet dhe ndjeshmërinë më të përshtatshme për të, të gjitha këto, nëse s'u dedikohen një diturie të patëmetë që di gjithçka dhe që qëndron pas çdo gjëje, një planifikimi të përsosur në kuadër të kësaj diturie dhe një fuqie që e zbaton këtë plan pa asnjë të metë, të gjitha këto, pra, me se mund të shpjegohen tjetër?
Le të prekim nja-dy specifika sa për ta ndriçuar këtë çështje. Po qe se pelikani i pajisur me një sqep të përshtatshëm për të ngrënë peshk, nuk do të ishte i pajisur edhe me këmbë me flatra për të vozitur, ç'do të bënte? A mos vallë do të themi se kjo kafshëz u mendua, u mendua dhe zhvilloi për vete sqepin dhe këmbët e posaçme për notim? Apo mos do t'ia dedikojmë këtë lëndës, materies, natyrës që s'dinë gjë as për pelikanin, as për nevojat e tij, as për ujin dhe peshkun? Apo do t'ia lëmë këtë punë erërave të rastësisë që e tregojnë hapur se, po t'i lihej kjo punë rastësisë, nuk do të kishte as gjithësi bashkë me të gjitha gjërat e mëdha e të vogla që ka brenda? Apo mos do të pretendojmë se e kemi zgjidhur këtë çështje me anë të evolucionit që mbështetet te natyra, lënda dhe rastësia? Zoti im, ç'pretendime të pabaza këto!
Edhe bota bimore me atë gjallëri, harmoni dhe enigmë të mrekullueshme si dhe me atë cilësinë e saj që është përtej të gjitha shkaqeve, thotë "rregull" dhe na ofron mesazhe enigmatike nga një dituri e fshehtë, nga një fuqi e pafundme! Po qe se mundemi të realizojmë një udhëtim ideor në gjithësi duke u nisur nga gjërat e dukura si më të parëndësishme, më të pavlera, kushedi ç'shohim dhe kushedi për ç'gjëra bëhemi dëshmitarë! Edhe kërpudhat e mykut, madje, që rrojnë vetëm mbi kalbësira e dekompozime dhe disa nga llojet e të cilave na e shpëtojnë jetën, kushedi ç'gjëra u pëshpërisin zemrave që ndjejnë dhe mendjeve që mendojnë mbi Sunduesin Absolut që vepron në gjithësi me art, ekonomi, urtësi dhe dituri!
Po të doni, le ta bëjmë një udhëtim të shkurtër edhe në pyjet që pranohen se janë mushkëritë e qyteteve por që, për fat të keq, në ditët tona janë kthyer në të sëmurë rëndë të shtrirë në shtrat! Ta bëjmë një udhëtim të tillë e të shohim solidaritetin mes njerëzve e pemëve, posaçërisht pasurinë biologjike të pyjeve tropikale, marrëdhëniet e shumë llojeve bimësh e kafshësh brenda një nxehtësie magjepsëse dhe se si këto marrëdhënie zhvillohen brenda një harmonie marramendëse!
Në pyjet tropikale, pavarësisht nga kompleksiteti në dukje që paraqesin mijra veprimtari të ndërthurura me njëra-tjetrën, ka një rregullsi harmonike të tillë që zemrat e zgjuara e dëgjojnë si një poezi e si një muzikë. Në pyjet tropikale ku reflektohet përsosmëria në artet e Krijuesit të Lartë, nuk shpenzohet kot as dhe gjëja më e vogël; çdo qenie që e plotëson jetëgjatësinë e vet, përpunohet nga qenie të tjera të ngarkuara me atë detyrë, dhe sillet, pas një kohe të shkurtër, në gjendje të përdorshme e të dobishme për pyjet. Pandeh se do të jetë e pamundur që njeriu të arrijë një ditë ta realizojë këtë akord dhe harmoni që vazhdon e tillë qysh prej miliona vitesh, këtë ndarje pune të përsosur, këtë ndihmë reciproke të mrekullueshme të realizuar mes qenieve të gjalla me natyrë krijimi krejt të ndryshme nga njëra-tjetra siç janë bimët dhe kafshët!
Sa për botën e kafshëve, është e qartë se burimi i vërtetë i prirjes së dukurive aq të mrekullueshme sa të mos mund të shpjegohen as me arsye, vetëdije dhe vullnet, është një Dije dhe Vullnet që përfshin tërë ekzistencën, ndryshe, përpjekja për t'i shpjeguar dukuritë e mrekullueshme me një koncept të pakuptueshëm si "instinkti", nuk mund të shkojë më tej se një vetëmashtrim. Fakti që kafshët janë të pajisura me struktura anatomike në përshtatje të plotë me mënyrën e tyre të jetesës, fakti që shumë kafshë, si zogjtë, merimangat, karkalecat, etj. janë marrë nga njeriu si modele në teknikë dhe teknologji dhe, si të tilla, i kanë siguruar njeriut suksese të mëdha e të jashtëzakonshme, janë nga një mrekulli më vete që edhe në mos i bëfshin dot evolucionistët, për egoizëm, ta pranojnë se e kanë gabim, janë në gjendje t'i shtrëngojnë në një skaj pa dalje për t'i bërë që ta mbyllin gojën!
Udhëtimin tonë mund ta vazhdojmë edhe në botën e sëmundjeve, shëndetit, ilaçeve, mjekimit, imunitetit, mikrobeve. Në të vërtetë, edhe ato qenie mikroskopike që ne u themi "mikrobe" e që i luftojmë me antibiotikë dhe ilaçe të tjera, janë krijuar në dobi të njeriut dhe gjallesave të tjera dhe për një ekuilibër. Po, këto gjallesa mikroskopike që s'i shohim dot me sy, vrapojnë në ndihmë të njeriut. Ç'e do se këto mikrokrijesa që në vendin e vet janë shumë të dobishme, për shkak të mjeteve dhe mjediseve të këqija të përgatitura prej nesh, bëhen shumë të dëmshme. Kur mendojmë për sistemin imunitar si mekanizmi më kompleks dhe i fshehtë i trupit tonë, na rritet shpresa se në të ardhmen do të bëhen të shërueshme edhe sëmundje që sot duken si të pashërueshme.
Mendimi materialist i cili mban në themelin e vet zhurmë, dialektikë dhe mohim të Zotit, pavarësisht nga të gjitha këto e plot të tjera të vërteta krejt të hapura, jep konkluzione apriori duke mohuar çdo gjë tjetër veç materies dhe paraqet një entitet krejt dogmatist.
Teoritë e materialistëve mbi ekzistencën dhe jetën që kanë gënjyer dhe mashtruar shumë njerëz gjer më sot, janë hulumtuar e kontrolluar pikë për pikë nga shumë e shumë mendimtarë, janë kritikuar me rrugë e metoda të ndryshme dhe, në përfundim është kuptuar se as pretendimet që ia kanë ofruar botës shkencore duke i përzjerë në mënyrë artizanale ato (pretendime) në shkencat eksperimentale, as dhe teoritë e tyre mbi jetën që i kanë parashtruar duke i popullarizuar me një zhurmë të madhe propagandistike, nuk janë aspak të shëndosha ashtu siç pandehet. Sot, në ditët tona, më në fund, është kuptuar se e tërë ekzistenca ndodhet e lidhur pas një sërë ligjesh si vepër e një fuqie eternale tejet të lartë dhe mbi çdo gjë tjetër. Po qe se e ilustrojmë këtë me një specifikë që e njohim mirë të gjithë, ndërsa lënda dhe materia në trupin tonë janë në ndryshim të vazhdueshëm, identiteti ynë nuk pëson asnjë ndryshim!
Në të vërtetë, sot, të gjitha zbulimet dhe konkluzionet të arritura dhe parashtruara nga shkencat e natyrës dhe teknika, kanë treguar se nuk është e vërtetë se kudo është një materie që vëzhgon dhe vepron, siç pretendojnë materialistët, se çdo gjë s'është identitet i ndryshimeve periodike materie-energji dhe energji-materie, se krijimi dhe ekzistenca e qenies është aq e komplikuar sa kurrë nuk mund të shpjegohet me anë të rastësive. Kështu, kalbëzimi në themel i pikëpamjes materialiste të konsideruar gjer më sot si e përsosur dhe e pakundërshtueshme, është provuar edhe një herë tjetër!
- Publikuar më .