Fosilet
Ata që mbahen pas teorisë së evolucionit me qëllim për të zbuluar prejardhjen e jetës, u drejtohen fosileve edhe kinse për ta vërtetuar teorinë e vet, edhe sepse në periudhat historike nuk haset në ndonjë dukuri evolutive. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Darvini. Si biri i një familjeje të pasur dhe i një babai mjek, e filloi arsimimin duke mësuar për mjekësi, por ikte prej shkolle për të shëtitur fushave e maleve për të vëzhguar bimësinë dhe, pasi nuk pati sukses në mjekësi, vendosi të mësojë për teologji. Ngaqë zgjuarsinë teorike e kishte në vend, por jo në atë nivel edhe zgjuarsinë praktike, ai pati vështirësi edhe në studimin e teologjisë; megjithëkëtë, më në fund, u bë si u bë dhe e gjeti profesionin e tij të përshtatshëm. Ai mori pjesë në një ekspeditë studimore të organizuar nga qeveria angleze dhe bëri kërkime në ishujt e Oqeanit të Qetë, Afrikë, Amerikën e Jugut dhe Australi, bëri krahasime mes kafshëve të ishujve Galapagos dhe kontinentit, shqyrtoi disa fosile, u përqëndrua në aktivitetet e vullkaneve dhe koraleve, mblodhi bimë dhe insekte.
Shkurt, kur u shfaq vetvetiu domosdoshmëria e gjetjes së një lloji (specieje) të ndërmjetëm për të vërtetuar se majmuni dhe njeriu vijnë prej një ati të përbashkët dhe kalimin nga një lloj në tjetrin, u ndje nevoja për të gjetur dhe përdorur fosilet. Këtë duhet ta bënin paleontologët. Po qe se dalin paleontologë pa paragjykime, gjejnë fosile të ndërmjetme dhe thonë se është e mundur të bëhet lidhja mes majmunit dhe njeriut, duke gjetur edhe përkrahjen e gjenetistëve pa paragjykime, vetëm atëherë duhet pranuar një teori e tillë dhe duhet konsideruar me vlerë kryerja e kërkimeve dhe studimeve mbi të. Në të kundërt, është e pamundur që pretendimi evolucionist të quhet një teori shkencore!
Fosilet e zogjve
Mes fosileve të gjetura gjer tani, flitet për fosilin e zogut të ashtuquajtur arkeopteriks (Archaeopteryx) me bisht të gjatë, me dhëmbë dhe kthetra në krahët e përparëm, duke pretenduar se ky është një lloj i ndërmjetëm mes zvarranikëve dhe zogjve. Duke u mbështetur në këtë, evolucionistët mendojnë se kanë gjetur një lloj ose brez të ndërmjetëm të procesit të evolucionit dhe, duke gjetur edhe hallkat e tjera të humbura, do të mund të mbushin zbrazëtirat mes shumëqelizorit të parë dhe njeriut për të provuar, ndërkaq, edhe se njeriu e ka prejardhjen prej majmunit!
Në të vërtetë, nuk ka asnjë shenjë që të tregojë se kjo gjallesë e ashtuquajtur arkeopteriks është një etapë mes zvarranikëve dhe zogjve. Po u pranua ky si i tillë, atëherë nuk ka asnjë pengesë që edhe lakuriqi i natës të vlerësohet si i tillë, sepse, meqë lakuriqi i natës është një zog gjitar, fare mirë mund të pranohet si një etapë e ndërmjetme mes zogjve dhe gjitarëve.
Mirëpo, ashtu siç shkenca nuk bën fjalë për një periudhë kur lakuriqi i natës të mos ketë ekzistuar, ashtu siç lakuriqi i natës nuk ka pësuar asnjë ndryshim gjatë ekzistencës së vet, ashtu edhe evolucionistët vetë, madje, nuk mendojnë ta përdorin atë si provë dhe argument për evolucionin. Ashtu si në rastin e arkeopteriksit, edhe në disa zogj, në ditët tona, hasen sqepe me anë të dhëmbëzuara. Të vegjlit e zogut të quajtur Opisthocomus hoatzin që rron në pyjet e Amazonës, kanë gishta të lirë në krahë (flatra). Për rrjedhojë, të sillesh sikur janë zbuluar dhe njihen të gjitha gjallesat që kanë jetuar e jetojnë mbi tokë qysh në krye të herës e gjer më sot, qoftë edhe sikur njihen të gjitha llojet e kafshëve që jetojnë sot, për të ecur, duke u mbështetur mbi pretendime të tilla boshe, me qëllim për të kërkuar etapa të ndërmjetme mes hallkave të evolucionit prej në krye të herës gjer te njeriu, s'do të thotë gjë tjetër veçse ta shpenzosh kohën kot, dhe këtë kuptim do ta ketë edhe në të ardhmen, sepse do të duhet të gjenden miliarda fosile të ndërmjetme për miliona lloje gjallesash nga njëra tek tjetra! Mbi gjithçka, sa e çuditshme është që, ndërsa fosilet e kafshëve që kanë jetuar por janë zhdukur si lloj, gjenden me shumicë, nuk gjendet qoftë edhe një fosil i vetëm që të provojë një etapë të ndërmjetme! Kurse gjallesa të tilla si dinozaurët që janë krijuar (ose kanë ekzistuar) në një të kaluar të caktuar dhe, pastaj, për shkaqe të kushteve të papërshtatshme të mjedisit apo të tjera, janë zhdukur si lloj, mund të shërbejnë si provë dhe argument jo i evolucionit, por vetëm i asgjësimit. Prandaj, fakti që, përkundër të gjitha këtyre, ka mëse një shekull që këmbëngulet mbi një teori të tillë duke bërë shpenzime tejet të mëdha, nuk mund të pajtohet kurrë me qëllimin e mirë për t'i shërbyer shkencës dhe të vërtetës. Nëse ende ka qarqe shkencore që vazhdojnë të merren me këtë punë, kjo ndodh sepse teoria e evolucionit është një dogmë që përdoret kundër krijimit, për rrjedhojë, kundër besimit te Zoti!
Historia ose përralla e kalit me pesë thonj (thundra)
Një tjetër pikë ku mbështeten evolucionistët duke e marrë për provë të brezave të ndërmjetëm, është edhe historia ose, më saktë, përralla e kalit me pesë thonj (thundra). Sipas kësaj historie, kali i parë kishte pesë thonj, kurse vetë kishte shtatin e një dhelpre. Pastaj, duke kaluar nëpër fazat e quajtura Eohippus, Mesohippus, Merychippus dhe Pliohippus, me kohë, iu pakësuan edhe thonjtë. Po qe se këta fosile janë të vërtetë, me siguri që janë qenie që kanë jetuar si një lloj i veçantë dhe pastaj janë zhdukur. Lidhja e këtyre me kalin është e pamundur. Po qe se ngulim këmbë për një lidhje të tillë, na dalin para dy pyetje të rëndësishme: E para, pse thonjtë e kalit ranë nga pesë në një? E dyta, ndërsa e kishte shtatin sa të një dhelpre, pse iu rrit dhe mori përmasat e sotme? Shkenca nuk mund t'u përgjigjet asnjërës prej këtyre pyetjeve. Edhe sot ka kafshë me një, me dy, me tre dhe me katër thonj. Ka edhe kafshë si dhelpra që vazhdojnë të jetojnë si ajo në të njëjtat kushte jetese. Ka edhe kafshë me pesë thonj dhe ende jetojnë si të tillë. Pse kali i hodhi katër thonjtë dhe na doli para me një thua (si njëthundrak), me shtatin të rritur? Po u tha se iu zgjatën këmbët nga nevoja për të vrapuar, atëherë del pyetja: Pse qeni i gjahut nuk u rrit sa kali? Edhe qeni i gjahut vrapon të paktën sa kali, është më i përshtatshëm për t'u rritur si shtat dhe është më i lëvizshëm se ai. Ndërsa kali i hedh thonjtë dhe rritet, pse qeni i gjahut të mbetet sa ka qenë?
Ekzistenca e brezave (llojeve) të ndërmjetëm duhet t'u përgjigjet edhe kushteve të gjenetikës, sepse, duke u nisur nga shembulli i kalit, që dhamë, themi se nuk mund të mendohet që një kafshë që ka jetuar dikur si dhelpër, të kthehet menjëherë, me një mutacion, në kalë! Kjo është sikur një njeri të ngjitej (vetë) në çast nga lartësia 0 metra në lartësinë 10000 metra! Prandaj, jo një mutacion i kësaj përmase, por, ndonjëherë, edhe një mutacion i vetëm mund ta asgjësojë një gjallesë. Për rrjedhojë, është e domosdoshme ekzistenca e fazave të ndërmjetme që e ndjekin rregullisht njëra-tjetrën. Me të vërtetë, edhe kërkimet këtë linjë ndjekin. Kërkuan dhe gjetën një sërë fosilesh të reja e të vjetra, por nuk gjetën dot asnjë fosil që të tregonte kalimin gradual nga pesëthundrakët, në katërthundrakë, në trethundrakë, në dythundrakë, në njëthundrakë. Veçanërisht u përqëndruan në fosilet që do ta lidhnin njeriun me majmunin, bënë fjalë për fosile që i mbiquajtën Australopithecus, Homo erectus, Neandertal, njeriu i Javas, njeriu i Pekinit, dhe thanë se këta janë gjallesa që përbëjnë fazën kalimtare mes majmunit dhe njeriut.
Po qe se dora e një fosili është gjetur këtu, kurse koka pesëdhjetë metra më tej dhe disa eshtra disa metra më thellë, nuk është e sigurtë që këto të gjitha t'i përkasin një individi. Ndoshta një eshtër është e një kafshe që ka jetuar në periudha shumë më të hershme se një kafshë nga e cila ka mbetur një eshtër tjetër. Për rrjedhojë, është e pamundur të formohet një opinion i prerë në këtë drejtim!
Evolucionistët shkuan aq larg në kërkimin e një brezi të ndërmjetëm mes majmunit dhe njeriut, saqë në vitet 1912-1914 folën për Njeriun e Piltdounit si ati i vërtetë i njeriut. Fosili i gjetur përbëhej nga kafka e një njeriu 500-vjeçar me nofull orangutangu dhe dhëmbë njeriu. Por në vitet 1953-1954 doli në shesh se ky ishte një fosil i montuar dhe i treguar me rrugë kimike si shumë i vjetër. Këto lloj sajimesh na e vështirësojnë besimin në studimin e fosileve dhe e forcojnë tezën se evolucioni është, më shumë se sa një çështje shkencore, një bindje, një çështje ideologjike![1]
Një dimension tjetër i çështjes është ky: Sipas përcaktimit të paleontologëve, më i vjetri i fosileve për të cilët bëhet fjalë, i përket një kohe 1,5 milion vjet më parë. Mirëpo, në Kenia, në breg të liqenit Rudolf, u gjet një fosil njeriu që ka jetuar 2,8 milion vjet më parë. Në këtë mes, ka edhe kundërshtime në lidhje me metodën e përcaktimit të moshës së këtij fosili. E rëndësishme për ne është e vërteta se njeriu ka ekzistuar mbi tokë para majmunit ose, të paktën, në një kohë me të!
Format iluzive të kalimit nga majmuni në njeri
Në librat shkollorë vendosen pranë e pranë figura qeniesh pak a shumë të ngjashme kinse për të ilustruar etapat kalimtare të evolucionit: një majmun, një gjysmë majmun dhe gjysmë njeri, një qenie më afër njeriut se majmunit dhe, më në fund, një tip mashkulli europian me moshë mesatare. Ç'mashtrim i madh! Pse jo të gjithë majmunët, por vetëm një lloj prej tyre ka pësuar një evoluim të tillë? Pastaj, pse na tregohet një mashkull moshëmesatar e jo një femër? Si është zhvilluar evoluimi i femrës? Sa copë majmunë së bashku kanë hyrë në rrugën e evolucionit, një apo disa? Po qe se, siç pretendohet, rasti i ka bashkuar shumë majmunë në një ishull ku ata kanë evoluar në njeri, ç'e ka penguar që e njëjta rastësi të mos ndodhte paralelisht në një vend tjetër ose të mos përsëritej e njëjta gjë edhe më vonë në mënyrë të përsëritur? Mbushja e të gjitha boshllëqeve të këtij pretendimi me hipoteza dhe rastësira, me ç'kritere dhe seriozitet shkencor mund të shpjegohet? Po qe se do të tregohej i njëjti zell për argumentimin e krijimit hyjnor, a nuk do të ishte më e lehtë dhe më shkencore të bëhej një sistematizim i botës së gjallë duke u mbështetur në dijen, vullnetin dhe fuqinë hyjnore?
[1] Mashtrimet e bëra në emër të evolucionit nuk mbetën të kufizuara vetëm me këtë shembull. Evolucionistët dolën me pretendimin se peshku Coelacanth (Rhipitisian Crossopterigian) është një lloj ndërmjetës mes qenieve detare dhe tokësore, i zhdukur rreth 70 milion vjet më parë. Mirëpo në vitin 1939 ky lloj peshku u kap në ujërat pranë Madagaskarit dhe, pas asaj dite e gjer më sot, janë kapur edhe rreth pesëdhjetë peshq të tjerë të tillë. Veç kësaj, tek ky peshk nuk ndodhen ato cilësi (si hapësirat e veshit të brendshëm, eshtra e kurrizit në formë koke dhe qeska e notimit) që i shtynin evolucionistët ta paraqisnin këtë peshk si një lloj ndërmjetës. Si përfundim, evolucionisti A.H. Clark ka mbetur i detyruar të pohojë se nuk kanë hasur në asnjë fosili apo grupe gjallesash që mund të jenë lloje të ndërmjetme, për rrjedhojë kurrë nuk ka ekzistuar ndonjë lloj i ndërmjetëm! Edhe Richard B. Goldschmidt, me pohimin se nuk ekzistojnë formante të ndërmjetme, mbron tezën se boshllëqet mes llojeve mbushen me kapërcime të menjëhershme, gjë që nuk mund të shpjegohet me asnjë lloj metode shkencore, veçse duke pranuar krijimin hyjnor. (The Fountain, Nr. 24, f. 14; shën. i origjinalit.)
- Publikuar më .