Profeti Muhamed si edukator dhe kryetar familjeje
Profeti Muhamed (s.a.s.) është përfaqësuesi i nivelit më të lartë të emrit Rab-Zot të Allahut. Ai është një natyrë e përjashtuar e përfaqësuesit më të lartë të këtij emri të Allahut mes njerëzve duke përfshirë edhe profetët. Natyrisht, edhe ata që janë përgatitur nën edukimin e tij, janë, pas profetëve, më të zgjedhurit e njerëzimit. Është e pamundur të tregosh dhe të përgatitësh mbi tokë një Ebu Bekr, një Omer, një Osman, një Ali (r.anhum) tjetër. Ndërkaq, është e pamundur të arrihet niveli i ndonjërit prej sahabeve, shokëve të Profetit, sepse ata janë përgatitur e formuar nën edukimin personal të tij. Janë edhe perlat e përgatitura në atmosferën e edukatës së tij dhe të përhapur në shekujt e mëpasëm, prandaj, në një kuptim, edhe ata janë përgatitur e formuar nga Profeti. Edhe përgatitja dhe formimi i njerëzve të ngjashëm me këta njerëz fisnikë e të zgjedhur që konsiderohen si krenari e njerëzimit, është e pamundur. Njerëz të tillë si Fudajl b. Ijad, Bishri Hafi, Bejazit Bistami, Xhunejd Bagdadi, Ebu Hanife, Shafii, Imam Malik, Ahmed b. Hanbel, Imam Rabbani, Imam Gazali, Mevlana Xhelaleddin Rumi, Sheh Gejlani, Shazeli, Nakshibendi, Ahmed Rufai dhe Bediuzzaman e sa e sa të tjerë i kanë marrë mësimet dhe edukatën prej tij dhe janë përgatitur e formuar me parimet edukative të tij. Edhe nëse thënia që do të citojmë më poshtë, e cila i njihet Profetit, nuk është hadith dhe, ndonëse nuk është e dokumentuar, është një thënie e bukur dhe me kuptim të hollë. Siç rrëfehet, Profeti ka thënë: “Dijetarët e umetit tim (bashkësisë sime) janë si profetët e të bijve të Izraelit!” Asnjë njeri nuk mund t’u afrohet profetëve përsa i përket virtytit të përgjithshëm. Megjithëkëtë, në disa kushte të veçanta, ka njerëz që shkojnë përkrah me ta. Të tillë janë të gjithë ata me të cilët krenohemi ne, ata që sapo i përmendëm dhe shumë të tjerë që mund t’i përmendim. Ata pothuajse kanë zbritur në tokë. Po qe se kërkohet të mbushet vendi i tyre me të tjerë, gjithsesi do të duhet të zbresin engjëj nga qielli, sepse ata mund të përfaqësohen vetëm me engjëj!
Kjo është një situatë e posaçme vetëm për Profetin Muhamed (s.a.s.). Sigurisht, është e posaçme vetëm për të që ka dhënë fryte të tilla. Dhe do të vazhdojë të japë fryte gjer në kiamet! Pas një periudhe thatësire dhe zie, kushedi ç’njerëz të zgjedhur do të formohen mes atyre që janë përgatitur në ditët e sotme e që janë të vendosur për t’u bërë të shquarit e të nesërmes. Përsa i përket zotësisë, ata janë gjithë shpresa jonë. Qysh kur kam ardhur në mendtë e mia, unë i kam pritur ata pa humbur asgjë nga shpresa dhe do të vazhdoj t’i pres!..
Dhe tani, pa kaluar në edukatën e përgjithshme të të Dërguarit të Allahut, le të përpiqemi ta shohim atë me sistemin e tij të edukimit në shtëpinë e vet. Ai ishte kryetar familjeje dhe në shtëpi kishte gratë, fëmijët dhe nipërit.
1. Profeti Muhamed si kryetar familjeje
Nuk ka asnjë dyshim se kjo shtëpi ka qenë shtëpia dhe foleja familjare më e lumtur, më me fat dhe më e begatë se të gjitha shtëpitë dhe foletë familjare që janë ngritur mbi tokë e që do të ngrihen në të ardhmen! Në shtëpinë e tij në çdo kohë ndihej lumturia. Kjo shtëpi ishte ndoshta një ndër më të varfrat në botë nga mundësitë materiale, sepse kalonin muaj dhe aty s’gatuhej as dhe një supë, kurse strehimi i secilës prej grave përbëhej vetëm nga një dhomë e vogël ose nga një si kthinë e ngushtë. Ato gra fatbardha parapëlqenin ndaj çdo gjëje të kësaj bote të rrinin qoftë edhe nja dy orë në javë me të. Ato ishin tejet të lumtura e të kënaqura.
Të gjithë fëmijët e Profetit vdiqën para tij, përveç të bijës Fatime, e cila jetoi edhe pak kohë pas tij. Edhe ajo bënte vazhdimisht një jetë të vështirë. Pra, as asaj Profeti nuk i pati përgatitur një jetë me mirëqenie. Megjithëkëtë, si gratë, ashtu dhe kjo vajzë, fryti i zemrës së tij, e donin si të marra atë dhe e mbanin më të çmuar se çdokush, se çdo gjë! Në zemrat e tyre, i Dërguari i Allahut kishte një vend të zgjedhur mbi çdo përfytyrim.
Kur i vdiq i ati, Fatimeja derdhi lot për shumë ditë me radhë dhe thuri vargje zemërcopëtuese. Ajo mundi ta durojë ndarjen prej të atit vetëm gjashtë muaj dhe pastaj shkoi pranë tij me gëzim të madh. Asnjë fëmijë nuk e ka dashur të atin sa Hz. Fatimeja! Dhe asnjë baba nuk i ka dashur fëmijët sa ç’i ka dashur i Dërguari i Allahut, i cili, ndërkaq, ka qenë i ekuilibruar edhe në këtë drejtim. Të tilla i pati ai marrëdhëniet edhe me gratë e tij. Asnjë grua nuk e ka dashur të shoqin sa ç’e kanë dashur bashkëshortet e veta Profetin. Sigurisht, kjo aureolë dashurie e formuar rreth tij e ka pasur një shkak. Me mënyrën e trajtimit që u bënte Profeti atyre që kishte pranë dhe me edukatën me të cilën sillej ndaj tyre, bënte të lindte ndër zemra një interesim e një lidhje e pafundme. Pastaj ky interesim e kjo lidhje ndaj tij e nisur në familje, u zgjerua dallgë-dallgë gjersa përfshiu pothuaj gjithë njerëzimin. Dhe ky ishte një dimension tjetër i zgjuarsisë së tij profetike!
Mendoni se, kur pati vdekur, Profeti nuk pati lënë shtëpi për asnjërën nga gratë. Ato kishin trashëguar prej tij vetëm ato dhoma të vogla ku patën futur kokën në të gjallë të tij. Biografët thonë se ai u pati lënë si trashëgim grave nga një dhi për ta mjelur. Ja, vetëm kaq gjë pati mundur t’u sigurojë bashkëshorteve ai njeri për të cilin qe krijuar gjithësia, dhe pati ndërruar jetë duke i lënë ato në një varfëri të tillë. Ndërkaq, asnjëra prej grave, në asnjë periudhë të jetës së tyre bashkëshortore nuk pati thënë ndonjë fjalë që të shprehte ankesë për këtë gjendje. Edhe nëse për një moment, në kokën e ndonjërës prej tyre pati kaluar një gjë e tillë, me paralajmërimin e Kur’anit qe shuar. Hz. Ebu Bekri u jepte diçka nga malli i shtetit dhe ato mjaftoheshin me ç’u jepej. Edhe kjo nuk ishte kushedi çfarë, vetëm aq sa ç’u jepej njerëzve të radhës. Hz. Ebu Bekri nuk i pati trajtuar ato as në nivelin e atyre që patën hyrë të parët në Islam, kështu që u pati lidhur atyre zonjave të bekuara një rrogë të vogël, shumë më poshtë se të muslimanëve të parë. Kështu pati vepruar Hz. Ebu Bekri, sepse i tillë ishte opinioni i tij. Por kur u bë kalif Hz. Omeri, u lidhi të vejave të Profetit rrogë të shkallës së parë. Sipas tij, edhe pse gratë e Profetit nuk i përkisnin kohës së muslimanëve të parë, duhet të trajtoheshin së bashku me to pasi ishin njerëzit më të afërt të Profetit dhe do të vazhdonin të konsideroheshin gjer në kiamet nëna të muslimanëve. Edhe Omeri ashtu pati vepruar, sepse i atillë ishte opinioni i tij. Ndërkaq, specifika mbi të cilën ne deshëm të qëndrojmë me këmbëngulje, nuk janë këto gjëra, por çështja e vetme së cilës po i vijmë rrotull, niveli i lartë e i paarritshëm edukativ që arriti Profeti të realizojë te bashkëshortet. Ai qe një edukator i tillë që pati hyrë aq thellë në zemrat e bashkëshorteve, saqë nuk mendonin asgjë tjetër veç tij. Kurse ai u pati dhënë atyre nga gjërat e kësaj bote, domethënë, nga të mirat dhe favoret materiale, vetëm ato gjëra që i përmendëm më lart. Kjo do të thotë se ai kishte një tërheqje të tillë që e magjepste mjedisin që e rrethonte. Edhe kjo situatë flet për një anë tjetër të profetësisë së tij!
Meqë martesën e Profetit me shumë gra si një argument krejt të veçantë të profetësisë së tij, do ta parashtroj kur t’i vijë vendi, tani për tani atë çështje nuk do ta prekim. Ndërkaq, këtu do të them vetëm që shtëpia e bekuar e Profetit ishte si një shkollë ku praktikoheshin situatat specifike përkatëse të femrës. Pozita e veçantë e profetit në atë shtëpi si dhe specifikat përkatëse të femrës mësoheshin atje dhe pastaj i përcilleshin umetit, bashkësisë. Nëntëdhjetëpërqind të konkluzioneve dhe urdhrave mbi jetën familjare na janë përcjellë nga ana e bashkëshorteve të nderuara të të Dërguarit të Allahut. Për rrjedhojë, prania e grave në shtëpinë e tij me gjendje dhe nivele të ndryshme, ka qenë një domosdoshmëri. Vetëm për të mos u asgjësuar konkluzionet fetare, i Dërguari i Allahut i ka vënë gjoksin martesës me shumë gra pas moshës 53 vjeç dhe, në një kuptim, me këtë ka bërë sakrificë.
Po, në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut kishte nevojë për shumë gra. Meshkujt kishin mundësi gjithmonë të rrinin në faltore e të dëgjonin Profetin. Edhe nëse dikush nuk i ndiqte dot bisedat e një dite, shokët ia plotësonin mungesën duke ia përcjellë gjithçka ishte biseduar atë ditë. Por shumica e grave nuk e kishin një mundësi të tillë, sepse ato s’kishin mundësi gjithmonë e për çdo çast ta dëgjonin Profetin. Në këto kushte, kush do t’u fliste atyre veçanërisht për çështjet përkatëse të femrës? Kush do t’ia përcillte bashkësisë jetën private të Profetit, zakonet dhe shprehitë e tij, edukatën, etikën dhe moralin e dhomës bashkëshortore? A mund të mjaftonte, vallë, mundësia e një gruaje për ta përshkruar dhe përcjellë fenë së bashku me të gjitha parimet, bazat dhe disiplinat e saj?
Për shkak të natyrës njerëzore, as gruaja apo gratë e profetit nuk bëjnë përjashtim nga gratë e zakonshme përsa u përket problemeve të përditshme me të cilat përballet një grua e martuar, duke u shtuar, këtyre, edhe problemet e veçanta si bashkëshorte profeti. Atëherë, në rastin konkret të profetit Muhamed, një grua e vetme nuk do të kishte mundësi t’i përcillte e vetme të gjitha situatat, çështjet dhe problemet.
Prandaj gjithmonë ndjehej nevoja e shumë grave që do t’i përballonin dhe të na përcillnin aspektet përbërëse të gjendjes së Profetit, që do të kishin marrëdhënie të afërta e të ngushta me të. Dhe kjo nevojë s’kishte aspak lidhje me anën njerëzore të Profetit. Ajo ishte një nevojë dhe domosdoshmëri që buronte krejtësisht nga nevojat dhe domosdoshmëritë fetare. Edhe Profeti, për shkak të një nevoje dhe domosdoshmërie të tillë kishte marrë përsipër një peshë të rëndë.
Gratë e Profetit, jo vetëm qenë bërë shkas që fiset dhe tributë e tyre të lidheshin me të me lidhje krushqie e gjaku, por qenë bërë edhe ndërmjetëset më të mëdha të ruajtjes së mijëra haditheve. Mund ta them me siguri të plotë se bota femërore u detyrohet në shumë gjëra grave të të Dërguarit të Allahut. Aq shumë shërbime i kanë bërë ato fesë, saqë sikur të gjitha gratë t’i rreshtonin kokat si gurë kalldrëmi nën këmbët e tyre, përsëri nuk do t’ua paguanin dot hakun atyre.
Kështu, pra, as martesa e Profetit me disa gra nuk ishte një nevojë sensuale – sepse në një vend të nxehtë si Arabia kurrë nuk mund të thuhet se një burrë 53 vjeç ka nevojë për t’u martuar me shumë gra – as ato vetë nuk u martuan me të për nevoja sensuale ose për interesa materiale, sepse ai jetonte si njeriu më i varfër ndër njerëzit. Edhe gratë pranuan ose kërkuan të martoheshin me të duke e ditur gjendjen e tij ekonomike dhe mënyrën e jetesës.
Profeti sillej me gratë me drejtësi dhe dinjitet. Ai mund të takohej me secilën vetëm një herë në javë, megjithëkëtë, ato gjithmonë thonin: “I Dërguari i Allahut është njeriu më fytyrëqeshur, njeriu me sjelljet më delikate ndaj grave!”
Ju lutem, a nuk duhet të tregonin sadopak zemërim, si njerëz që ishin, këto gra që në shtëpi s’gjenin gjë për të ngrënë dhe që detyroheshin të vishnin të njëjtën rrobë për një kohë të gjatë? Por jo! Ne s’dimë për to gjë tjetër veç qëndrimeve që shprehnin pëlqim e kënaqësi ndaj tij. Pandeh se ata që do ta analizonin me kujdes historinë dhe bio-bibliografinë, do të më jepnin të drejtë mua!
Pavarësisht nga rëndësia dhe serioziteti i shpirtit profetik që kishte, Profeti afrohej dhe sillej në mënyrë delikate me gratë. Ndërkaq, në mes mbetej vetëm një perde e hollë që kishte të bënte me marrëdhëniet e tij me Allahun, sepse, në fund të fundit, ai ishte një profet. Edhe gratë e tij, para së gjithash, ishin umeti i tij...
Ishte e pamundur që të mbushej boshllëku i lidhjeve dhe marrëdhënieve me të, sepse edhe në këtë aspekt ai ishte i veçantë. Edhe gratë e tij nuk mund të mendonin kurrë një botë pa të.
Me Sevden Profeti pati lidhur kurorë qysh kur ndodhej në Mekë. Ajo ishte, atëherë, gruaja e dytë e Profetit. Por më vonë, nuk e dimë se me ç’shkak apo mendim, në një moment, Profeti deshi ta ndante. Kur e dëgjoi këtë, gruaja u godit rëndë. Ajo vrapoi menjëherë te Profeti vetë si dhe vuri edhe njerëz për të ndërmjetësuar. Ajo i lutej kështu atij: “O i Dërguari i Allahut! Unë s’pres prej tej asgjë të kësaj bote. Edhe një ditë që e pate ndarë për mua, ia kam lënë Aishesë. Po deshe, kurrë mos eja te unë as për të më pyetur se si jam. Vetëm mos më ndaj nga kurora me ty. Dua të shkoj në botën tjetër si gruaja jote. Nuk mendoj dhe s’dëshiroj asgjë tjetër veç kësaj!”[1] Kjo dëshirë e Sevdes u pranua nga Profeti dhe ajo mbeti si një nga bashkëshortet e nderuara të Profetit.
Ja, kështu pati bërë vend Profeti në zemrat e tyre. Sikur ai ta kishte ndarë ndonjërën prej tyre, pa dyshim ajo do ta vinte kokën në pragun e tij dhe do të priste gjer në kiamet!
Kur pati ndjerë një herë shqetësim prej Hz. Hafsasë, Profeti qe shprehur kështu: “Po të dojë, i jap rrugë!” Edhe kaq pak fjalë, madje, mjaftuan për t’ia thyer krahët asaj. Ata që ndërmjetësuan te Profeti, nuk pushonin së treguari për vetitë e shquara të Hafsasë si grua që falte shumë namaz e agjëronte. Ata iu lutën profetit të mos e ndante Hafsanë.[2] Dhe ai e konfirmoi edhe një herë qenien e saj që e kishte shoqe dhe bashkëshorte besnike, si banore të shtëpisë së lumtur profetike!
Gratë e quanin ndarjen prej Profetit më të rëndë se vdekjen. Në këtë pikë, të gjitha gratë pa përjashtim këtë ndjenin dhe këtë mendonin! Sepse Profeti i dy botëve kishte ngritur fron në zemrat e tyre në një mënyrë që nuk mund të shkulej e largohej që aty, kishte hyrë mes tyre dhe ishte bërë plotësisht një me to. Ai e kishte ndarë me to jetën e tij të bekuar, të butë e të natyrshme në atë mënyrë që ato e kishin krejt të pamundur të ndaheshin prej tij. Ndryshe, do të vdisnin si nga asfiksia!
Ç’është e drejta, pamja e tyre pas vdekjes së tij ishte pamje ndarjeje, malli dhe dëshpërimi. Sa herë që Ebu Bekri dhe Omeri shkonin te gratë e Profetit, i gjenin ato duke qarë.[3] Kishte ndodhur që edhe ata vetë të uleshin e të qanin bashkë me to dhe kjo pati vazhduar gjatë gjithë jetës së tyre. Ja, të tillë gjurmë të pashlyeshme pati lënë i Dërguari i Allahut tek to. Ndoshta kishin kaluar shumë pak kohë me të, por Profeti i dy botëve qe bërë burim jete për to. Kjo është edhe e veçanta e tij që kërkojmë të tregojmë. Edhe si kryetar familjeje ai kuptohet fare qartë se ishte i Dërguari i Allahut!
Qe një periudhë kur ai i pati të nëntë gratë, të cilat i pati mbajtur dhe trajtuar pa i lënë shteg asnjë problemi serioz. Një kryetar familjeje dhe bashkëshort i tillë delikat e i shquar ishte ai!
Pak ditë para se të vdiste, Profeti pati thënë: “Robi u la i lirë të zgjidhte Zotin apo këtë botë dhe ai zgjodhi Zotin e tij!” Njeri tejet i zgjuar, Ebu Bekri e pati kuptuar aludimin dhe pati qarë me ngashërim.[4] Robi për të cilin bënte fjalë Profeti, ishte ai vetë. Sëmundja e Profetit nuk vazhdoi gjatë. Çdo ditë që kalonte, sëmundja i rëndohej edhe më shumë. Edhe në atë gjendje ai nuk e braktisi delikatesën dhe respektin ndaj të drejtave të grave. Ngaqë nuk mund t’u shkonte për vizitë në dhomat e tyre, Profeti iu lut grave ta lejonin të qëndronte vetëm në një dhomë dhe ato të gjitha ia pranuan lutjen. I Dërguari i Allahut i kaloi ditët e fundit në dhomën e Hz. Aishesë.[5] Kështu, pra, ai i respektonte të drejtat e grave edhe në kushtet më të rënda. Shpirt të tillë kishte ai!
2. Vlera që u jepte bashkëshorteve
Vlera që i pati dhënë i Dërguari i Allahut gruas ishte e një niveli të paparë gjer atëherë dhe e tillë vazhdon të mbetet edhe sot. Sikur të ngrihej një natë e të pyeste për shëndetin dhe mirëqenien e ndonjërës nga gratë, ai, do të shkonte edhe te të tjerat për t’i pyetur e respektuar po njëlloj. Nuk vërehej që, në sjelljen ndaj tyre, ai të parapëlqente ndonjërën ndaj të tjerave. Si çdo njeri tjetër, edhe secila nga gratë e pandehte veten si njeriun më të dashur për të Dërguarin e Allahut, gjë që buronte nga mirësia dhe bujaria e tij e madhe. Ndërkaq, ashtu siç asnjë njeri nuk mund t’i sundojë prirjet e zemrës, kjo gjë nuk duhej pritur as prej tij. Prandaj Profeti i kërkonte falje Allahut për prirjet e zemrës që s’i kishte në dorë dhe thoshte kështu: “Mund të ndodhë që, pa i rënë as vetë në të, ta dua njërën më shumë se të tjerat dhe kjo do të ishte padrejtësi. Prandaj, o Zoti im, strehohem në mëshirën tënde nga kjo gjë që s’e kam në dorë!”[6]
O Zot i madh! Ç’delikatesë, kjo, ç’hijeshi! Po ju pyes: a mundët gjer më sot t’i doni djemtë apo vajzat pa bërë dallime mes tyre? Me lejen tuaj, do të përgjigjem unë në vendin tuaj: Jo! Sigurisht, njëqind mijë herë jo! Le “jo”-në, sikur të mundnim t’i fshihnim prirjet tona ndjesore, ne, do ta quanim për vete shenjë karakteri e vullneti të fortë, kurse jo vetëm që këtë s’e bëjmë dot, por, ashtu siç lëvdohet koptiu për trimëritë e tij, e themi me të madhe! Kurse i Dërguari i Allahut pendohej për mundësinë e lindjes së pavullnetshme të një prirjeje të tillë në vetvete dhe i lutej Allahut ta falte!
Kjo delikatesë te ai do të ishte reflektuar me të gjithë anët e veta edhe te shpirtrat e bashkëshorteve që ndarja e tij pati lënë pas një vetmi dhe mall të pambarim. Ndoshta nuk i jepnin fund jetës sepse këtë gjë Islami e ndalonte, mirëpo, pas largimit të të Dërguarit të Allahut, jeta për to qe bërë një klithmë e gjatë, një dhimbje e pashuar!
Në të vërtetë, Profeti sillej me delikatesë dhe respekt ndaj të gjitha grave dhe këtë gjë ua këshillonte edhe të tjerëve. Nga ana tjetër, atë që ua këshillonte të tjerëve, e bënte vetë praktikisht me gratë e veta. Këtë hollësi sjelljeje të tij e shohim kështu te Buhariu. Ngjarjen na e përcjell Sad b. Ebi Vakasi nga Hz. Omeri. Hz. Omeri thotë: “Një ditë, hyra te i Dërguari i Allahut dhe e gjeta duke qeshur. Ai vazhdoi të qeshte edhe pasi unë u ula. I thashë: “Allahu të dhëntë buzëqeshje të përjetshme, o i Dërguari i Allahut! Pse qesh?” Ai m’u përgjigj pa e lënë buzëqeshjen: “Qesh me këto gratë! Ishin ulur e po bisedonin me mua. Sapo ta dëgjuan zërin, u fshehën secila në një qoshe!” U fola me zë të lartë grave që s’i shihja, por që e dija se ishin fshehur aty rrotull dhe më dëgjonin: “O armike të vetvetes! Domethënë keni frikë nga unë e jo nga i Dërguari i Allahut dhe silleni pa respekt pranë tij, apo jo?” Ato m’u përgjigjën: “Ti je i ashpër e i egër!”[7]
Në të vërtetë, Hz. Omeri s’ishte i ashpër, zemërak dhe i egër. Edhe ai mbante qëndrim delikat ndaj grave, por ashtu si njeriu i zakonshëm kur krahasohet me Hz. Jusufin me bukuri të pashoqe, duket i shëmtuar, ashtu dhe Hz. Omeri, kur krahasohej me Profetin në sjelljen e butë dhe delikate ndaj grave, dukej i ashpër, zemërak e i egër. Ky konkluzion relativ buronte nga krahasimi i tij me të Dërguarin e Allahut, mirëpo askush nuk mund të krahasohej me të Dërguarin e Allahut!
Gratë qenë mësuar me butësinë dhe delikatesën e të Dërguarit të Allahut, prandaj sjelljet e Hz. Omerit u dukeshin të ashpra e të egra. Kurse Hz. Omeri ishte ai që në të ardhmen do ta mbante mbi supe pa të metë peshën e zëvendësit të Profetit! Ai do të bënte një jetë të përkorë por tejet të ngjeshur dhe do të bëhej një nga shembujt më të shquar pas profetëve. Në kohën për të cilën po flasim, këtë s’e dinte askush, megjithëse qysh në atë kohë Hz. Omeri qe shquar për karakter të jashtëzakonshëm dhe drejtësi. Erdhi dita dhe personaliteti i tij u shpalos me të gjitha cilësitë dhe ai la pas një emër të pashlyeshëm. Hz. Omeri kërkonte pjekuri në të gjitha qëndrimet e sjelljet si për veten, ashtu dhe për të tjerët dhe bënte përpjekjet më të mëdha për ta parë dhe treguar të drejtën-të drejtë dhe të shtrembrën-të shtrembër!
Te ai kishte një cilësi shpirtërore që do ta sillte në pozitën e kalifatit, zëvendësit profetik. kjo cilësi shpirtërore mund t’u dukej e ashpër të tjerëve. Mirëpo vetëm me një cilësi shpirtërore të tillë do të mund të bëhej i suksesshëm ai kur t’i vinte supet kauzës së madhe që do ta përfaqësonte, dhe u bë!
3. Këshillimi me bashkëshortet
I Dërguari i Allahut ulej e bisedonte me gratë, madje disa çështje i diskutonte me to si shok. Profeti nuk kishte aspak nevojë për idetë dhe mendimet e tyre sepse ai mbështetej nga zbulesa hyjnore. Mirëpo Profeti donte t’i mësonte disa gjëra umetit, bashkësisë së tij. Sa për gratë, ato do të viheshin në një vend shumë të lartë, në kundërshtim me vendin që u ishte dhënë gjer atë ditë dhe, si çdo praktikë tjetër, edhe këtë i Dërguari i Allahut e fillonte nga shtëpia e vet!
... dhe një shembull
Marrëveshja e Hudejbijes u kishte ardhur shumë e rëndë muslimanëve! Pas nënshkrimit të saj, askujt s’i kishte mbetur më as fuqi e as dëshirë për të lëvizur vendit. Në këtë mes, Profeti u tha shokëve të thernin kurbanët që kishin marrë me vete me qëllim për umre, dhe të dilnin nga ihrami. Mirëpo sahabet nuk u ngutën ta zbatonin kërkesën e profetit me shpresën se mos bëhej ndonjë ndryshim në marrëveshje dhe shkonin në Qabe për vizitën e umres ashtu siç e kishin vënë si qëllim në nisje. Profeti e përsëriti kërkesën. Por qëndrimi i shokëve nuk ndryshoi. Kjo s’ishte aspak një opozitë ndaj Profetit. Ata prisnin vetëm një gjë: një ndryshim në urdhër, sepse ishin nisur me tjetër qëllim! Ato që ishin thënë aty, në Hudejbije, mund të mos zbatoheshin, por të rishikoheshin.
Profeti i kuptoi shokët pa fjalë dhe hyri në çadrën e vet. Ai u këshillua me gruan që kishte me vete, Ummu Selemen. Kjo grua me horizont të gjerë e dha mendimin e vet vetëm për hir të këshillës, sepse edhe ajo e dinte se Profeti nuk kishte aspak nevojë për ato gjëra që do t'i thoshte ajo. Me këtë këshillim, Profeti na jepte një mësim me vlerë shoqërore. Në kushte dhe raste të tilla nuk ishte aspak pa vend këshillimi me gruan, pra, duhej bërë një këshillim i tillë.
Ummu Seleme i dha Profetit pak a shumë këtë mendim: “O i Dërguari i Allahut! Mos e përsërit edhe një herë tjetër urdhrin se mos të kundërshtojnë dhe kjo gjë do t’i dëmtonte ata. Dil ti i pari, there kurbanin tënd dhe, pa thënë asnjë fjalë, dil nga ihrami. Me këtë, ata do ta kuptojnë se urdhri yt është i formës së prerë dhe, dashje pa dashje, do të të binden!” Profeti qe i një mendjeje me të. Ai doli jashtë dhe, pa thënë asnjë fjalë, pa komunikuar me asnjeri, filloi t’i therë kurbanet e tij. Atëherë edhe shokët filluan t’i therin kurbanet e vetë e të dilnin nga ihrami. Secili e kishte kuptuar se nga marrëveshja e bërë s’kishte kthim![8]
Nuk do të bëj dot pa ju pyetur: Cili nga ne ka treguar një konsideratë të tillë ndaj gruas? Sa kryetarë shtetesh ka që këshillohen me gruan e vet në çastet më të vështira? A mund t’i shumëfishojmë pyetjet për t’ua drejtuar të njëjtën pyetje të gjitha uniteteve shoqërore? Le t’u kumbojnë veshët të gjithë atyre me gojën sa një çorape që thonë se Islami e ka robëruar femrën! Cili feminist, vallë, ka arritur në këtë nivel?
Edhe këshilla dhe këshillimi, si çdo punë tjetër e dobishme dhe e bekuar, u praktikua më parë në shtëpinë profetike dhe i Dërguari i Allahut u këshillua me bashkëshortet. Ne ende vijmë rrotull rreth kësaj mendësie dhe nuk e dimë se nga mund të hapet kjo portë enigmatike. Madje, ne nuk e kemi arritur mundësinë për t’i rënë tokmakut të kësaj porte. Sot, edhe në mendimin e atyre që pretendojnë se mbrojnë të drejtat e femrës, madje, femra nuk ka shpëtuar ende nga të qenit një qenie e dorës së dytë. Kurse ne e shohim femrën si gjysmën e një uniteti, ekzistenca e së cilës është kusht për ekzistencën e gjysmës tjetër të këtij uniteti. Ne besojmë se uniteti njerëzor mund të formohet vetëm nëse bashkohen të dyja pjesët. Aty ku s’është ky unitet, nuk ka as njerëzí. Nuk ka as profetësi, as Islam, as komb.
Ashtu siç paraqitej në qëndrime e sjellje bujar dhe nderues ndaj grave të veta, ashtu dhe me fjalët e tij të ndritshme, Profeti nxiste dhe mbështeste të tjerët të silleshin bujarë e respektues ndaj grave. Në një porosi të tij, Profeti thotë: “Muslimani me besimin më të patëmetë, është ai me moralin më të lartë. (Me anë të moralit të lartë njeriu arrin nivele të tilla, lartësohet në qiej njerëzorë të tillë, që nuk mund t’i arrijë me asnjë lloj adhurimi.) Kurse muslimani me moralin më të lartë është ai që sillet më mirë me gratë!”[9]
Shihet se, nëse në historinë e njerëzimit femra e ka gjetur ndonjëherë atë që ka kërkuar dhe është nderuar ndonjëherë, kjo ka ndodhur në kohën e profetit Muhamed (s.a.s.)!
4. Ngjarja e lejimit të bashkëshorteve për të zgjedhur[10]
Këtu është fjala për lejimin nga ana e Profetit të bashkëshorteve të veta të lira për të jetuar apo jo së bashku me të. Pavarësisht nga burimi, kjo ngjarje ka të bëjë me një urdhër të engjëllit Xhebrail drejtpërdrejt për Profetin. Ajeti kur’anor mbi këtë çështje thotë kështu: “O i Dërguar! Thuaju grave: “Po qe se doni jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, ejani t’ju fal dhe t’ju lë të lira me të mirë! Por po qe se doni Allahun, të Dërguarin dhe jetën e ahiretit, dijeni se Allahu ka përgatitur për ato nga ju që sillen mirë, shpërblim të madh!” (Ahzab, 33:28-29)
Ka mundësi që disa nga gratë e Profetit të kenë dëshiruar një jetë më me mirëqenie dhe të kenë thënë: “A s’mund të jetojmë edhe ne, si gjithë muslimanët e tjerë, pak më mirë? Të paktën, të gatuajmë një herë në ditë! Edhe rrobat t’i ndërrojmë pak më shpesh!” etj. Në shikim të parë, meqë kjo dhe kërkesa të ngjashme janë legjitime, mund të duken si mjaft të pafajshme e të drejta. Mirëpo ato ndodheshin në një shtëpi të tillë që do të mbetej shembull për të gjitha foletë familjare gjer në kiamet. Edhe me këtë aspekt, bashkëshortet e Profetit ndodheshin në qendër të vëmendjes. Për rrjedhojë, ato nuk mund të silleshin dhe vepronin si muslimanët e tjerë, sepse ato ishin ndër njerëzit e afërt të Zotit.[11] Gjërat e konsideruara të mira e mirësi për të tjerat, duhet të pranoheshin si mëkat për bashkëshortet e të Dërguarit të Allahut!
Kur Profeti ndjeu një dëshirë të tillë te disa prej bashkëshorteve, kaloi menjëherë në një korrigjim qëndrimi. Ai u betua se nuk do të takohej me to dhe u tërhoq në ballkonin e shtëpisë. Ngjarja u dëgjua menjëherë. Çdo njeri vrapoi në faltore dhe zuri të qajë, sepse edhe dëshpërimi më i vogël i të Dërguarit të Allahut mjaftonte për t’i bërë muslimanët të qajnë. Të gjithë muslimanët ishin njësuar aq shumë me Profetin, saqë shqetësimi më i vogël në shtëpinë e tij merrej vesh menjëherë dhe muslimanët prisnin me padurim të merrte fund. Kështu ndodhi edhe atë ditë.
Ky korrigjim qëndrimi e sjelljeje nga Profeti quhet edhe “ngjarja i’la”.[12] Veç vlerësimeve të mësipërme për këtë ngjarje, kishte nga ata që e shihnin me sy tjetër. Ndër këta të dytët ishin edhe Ebu Bekri dhe Omeri që kishin vajzat e tyre mes bashkëshorteve të Profetit. Edhe Ebu Bekri dhe Omeri, sapo e mësuan ngjarjen, vrapuan për në faltore.
Ata kërkuan leje për të hyrë te Profeti por nuk iu dha. Atëherë, si gjithë të tjerët, edhe ata filluan të presin në faltore. Herën e tretë të kërkesës morën leje, hynë brenda dhe filluan t’i qëllojnë të bijat me shuplaka. Profeti i ndiqte veprimet e tyre nga larg dhe, gjatë gjithë kësaj kohe, tha vetëm këto fjalë: “Këto kërkojnë prej meje gjëra që s’janë në dorën time!” Kurse Kur’ani u thoshte atyre: “O gra të të Dërguarit! Ju s’jeni si gratë e tjera!”[13] (Ahzab, 33:32)
Gratë e tjera mund të shpëtonin vetëm duke kryer farzet, kurse ato që i vinin supet kësaj pune në qendër, ato që në mjedisin e tij intim ishin prezantueset intime të shumë të vërtetave, duhet ta sakrifikonin tërë qenien e tyre në mënyrë që në qendër të mos ndihej dobësi. Të qenët bashkëshorte profeti kishte shumë përparësi, por, edhe po aq rreziqe. I Dërguari i Allahut i përgatiste ato për të qenë modele për fenë dhe botën. Ai kujdesej për to që të mos i hanin dhuntitë e botës së përjetshme qysh në këtë botë e të mos pësonin shuplakën e ajetit që thotë: “... ju i shfrytëzuat të mirat në jetën e kësaj bote...!” (Ahkaf, 46:20) Profeti i ruante ato si dritën e syve! Prandaj, nga disa anë, në shtëpinë bëhej një jetë e vështirë. Ja, pra, si rrjedhojë e kësaj jete ndodhnin hapur ose tërthorazi disa kërkesa të vogla. Ndërkaq, pozita e tyre s’ishte si e të gjithave. Ato kishin disa përgjegjësi si rrjedhojë e pozitës ku ndodheshin. Ato s’mund të qeshnin si të gjitha, s’mund të hanin e pinin si të gjitha! Me të vërtetë, disa njerëz të mëdhenj kanë qeshur vetëm nja dy herë gjatë gjithë jetës, kurse disa të tjerë, gjatë gjithë jetës nuk e kanë mbushur barkun asnjëherë!
Fudajl b. Ijad pothuaj nuk qeshte kurrë. Vetëm një herë e patën parë duke qeshur dhe e patën pyetur të çuditur për shkakun. Dhe ai e pati shpjeguar kështu shkakun e asaj buzëqeshjeje të rrallë: “Sot më njoftuan për vdekjen e tim biri, Aliut. “E paska dashur Allahu” – u gëzova me vete dhe buzëqesha!”[14]
Kur puna qëndron kështu me të mëdhenjtë, sigurisht që Profeti i cili ishte i madhi i të mëdhenjve dhe bashkëshortet e virtytshme të Profetit, të cilat ishin si nënat e të gjithë umetit, do të ishin shumë të ndryshme nga të tjerët!
Denjësia për të qenë bashkë me Profetin në këtë botë dhe në përjetësi nuk është një përfitim që mund të arrihet aq lehtë. Prandaj, siç e thekson ajeti, këto gra të veçanta e të zgjedhura jepnin një provë vullneti. I Dërguari i Allahut i linte të lira ato të zgjidhnin midis shtëpisë së tij të varfër dhe pasurisë e shkëlqimit të kësaj bote. Po qe se do të zgjidhnin pasurinë dhe shkëlqimin e kësaj bote, Profeti do t’u jepte ç’të kërkonin, por pastaj do t’i linte. Por po qe se do të zgjidhnin Allahun dhe të Dërguarin e Tij, do t’u duhej të pranonin standardin e jetesës që kishin bërë gjer atëherë, sepse kjo ishte një nga specifikat e asaj shtëpie. Meqë ajo shtëpi ishte e veçantë, e posaçme, edhe banorët dhe banoret e saj duhet të ishin të veçantë e të posaçëm. I tillë ishte kryetari i asaj familjeje. Atëherë edhe gratë dhe fëmijët duhet të ishin si ai!
Profeti thirri të parën Hz. Aishen dhe i tha: “Dua të bisedoj diçka me ty, por mos u nxito të më japësh përgjigje pa biseduar me prindërit!” Pastaj Profeti i lexoi asaj ajetin që përmendëm në krye të kësaj çështjeje. Përgjigjja e Aishes qe e denjë për vajzën besnike të babait besnik: “O i Dërguari i Allahut! Për këtë çështje do të bisedoj unë me prindërit? Vallahi, unë zgjedh Allahun dhe të Dërguarin e Tij!”
Vazhdimin na e tregon Hz. Aishja kështu: “I Dërguari i Allahut bisedoi me të gjitha gratë dhe mori të njëjtën përgjigje prej secilës. Asnjëra prej tyre nuk shfaqi ndonjë mendim tjetër. Ç’të kisha thënë unë, thanë edhe ato!”[15]
Ato thanë të njëjtën gjë sepse të gjitha ishin lidhur dhe bërë një me të Dërguarin e Allahut dhe s’mund të thonin të kundërtën. Po qe se i Dërguari i Allahut do t’u thoshte të agjëronin gjatë gjithë jetës pa prishur në iftar, ato do të pranonin, siç edhe pranuan dhe ashtu pranuan që iftari i këtij agjërimi u bë për to sherbeti i vdekjes së tyre i ofruar nga Azraili!
Mes grave të Profetit kishte nga ato që kishin bërë jetë pallati. E tillë ishte Hz. Safija. Në Hajber ajo humbi të atin dhe të shoqin. Të dy ata kishin qenë zotërinjtë e Hajberit. Safija ndodhej mes robërve të luftës, gjë që e kishte prekur rëndë atë grua krenare. Prandaj dhe, kur e pa të Dërguarin e Allahut, u nxeh shumë me të, aq sa, ndoshta, nuk ishte nxehur me njeri tjetër në botë gjer atëherë. Por zemërimi i saj nuk vazhdoi gjatë. Ndjenjat e saj ndërruan menjëherë...[16] Kështu, pra, në shtëpinë e Profetit kishte edhe gra si Safija, e ardhur nga pallati, e cila pranonte jetën e rëndë të shtëpisë profetike ku nuk mundej as ta mbushte barkun me bukë! Safija bënte të njëjtën jetë si gratë e tjera. Ndërkaq, me personalitetin e tij tejet të veçantë e të shquar, Profeti kishte hyrë në zemrat e tyre në atë mënyrë që bashkëjetesa me të, pavarësisht nga çmimi që duhej të paguanin, përbënte qëllimin e vetëm të të gjitha grave të tij!
Nga prejardhja, Safija ishte çifute. Një ditë, njëra nga gratë ia përplasi syve asaj këtë fakt, duke i thënë: “Moj çifute!” Safija ia tregoi Profetit incidentin dhe i foli për hidhërimin dhe dëshpërimin e saj. Profeti e ngushëlloi dhe qetësoi atë me këto fjalë: “Po qe se të thonë edhe një herë kështu, jepu këtë përgjigje: “Im atë është Haruni, im ungj është Musai, kurse im shoq, siç e dini, Muhamed Mustafai! Po ju, me ç’mund të krenoheni para meje?”[17] Dhe Safija, duke u larguar nga prania e Profetit, e linte pas të gjithë hidhërimin dhe dëshpërimin, sepse burri i saj ishte Muhamed Mustafai! Aty e tutje ajo do të krenohej vazhdimisht me këto fjalë!
Shkurt, cilësia e Profetit si kryetar familjeje e kapërcente nivelin e të mrekullueshmes me sa e pranojmë ne zakonisht. Fakti që ai i administronte kaq gra me kaq lehtësi duke u dashur gjer në fund prej tyre, fakti që ai ishte i dashuri i zemrave, mësuesi i mendjeve dhe edukatori i shpirtrave të tyre, fakti që, pavarësisht nga të gjitha këto, ai nuk bënte asnjë lëshim në detyrën e tij dhe nuk nënvleftësonte asgjë nga punët që kishin të bënin me shtetin dhe popullin, janë argument dhe provë e hapur e profetësisë së tij. Po qe se për profetësinë e tij s’do të kishte asnjë argument tjetër, vija që ndiqte ai si kryetar familjeje do të ishte e mjaftueshme si argument dhe provë e profetësisë së tij!
[1] Mexhmau'z-Zevaid, 9/246; Muslim, Radá, 47.
[2] Nesai, Talak, 76; Mexhmau'z-Zevaid, 9/244.
[3] Ibni Hisham, Sire, 4/305.
[4] Buhari, Salat, 80; Fedailu'l-As'hab, 3.
[5] Ibni Sad, Tabakat, 2/231; Ibni Hisham, Sire, 4/298.
[6] Tirmidhi, Nikah, 41; Ibni Sad, Tabakat, 2/231.
[7] Buhari, Edeb, 68.
[8] Buhari, Shurut, 15.
[9] Ebu Davud, Sunnet, 15; Tirmidhi, Rada, 11; Darimi, Rikak, 74.
[10] Në origjinal: tahjir.
[11] Në origjinal: mukarrebin.
[12] I'lá: lartësim (në vlera).
[13] Muslim, Talak, 34, 35.
[14] Ebu Nuajm, Hilje, 8/100.
[15] Muslim, Talak, 35.
[16] Mexhmau'z-Zevaid, 9/252; Ibni Sad, Tabakat, 2/108.
[17] Tirmidhi, Menakib, 64.
- Publikuar më .