Veçorite e Profeteve

1. SHENJTERI
Asnjë profet nuk ka filluar duke u menduar e duke thënë "të zbatoj një sistem të tillë..." dhe as nuk mund të fillojë! Në çështjen e kumtesës profetike, drejtpërsëdrejti Zoti dëshiron të bëjë profet dikë nga njerëzit.

Kur t'i vijë koha, ia komunikon këtij njeriu të zgjedhur, të krijuar krejtësisht për profetësi, detyrën dhe përgjegjësinë profetike dhe pastaj e shpall atë. Çdo profet vjen me revelacionin sipas nivelit të tij, me atë revelacion mbahet gjallë dhe shkon kur ai revelacion t'i ndërpritet. Ç'vlerë të kenë për vazhdimin e jetës sonë elementë themelorë si ajri, uji dhe buka, atë vlerë ka edhe revelacioni për profetin. Ata sikur jetojnë me frymërat hyjnore që vijnë prej Allahut. Nga Burimi i Begatisë së Shenjtë si një erë mëngjesi vazhdimisht fryjnë e vijnë ca gjëra dhe ata mbeten mes njerëzve për sa kohë të fryjnë këto frymëra. Dhe kur ndërpritet kjo, hapin krahët me dëshirë drejt Zotit dhe presin çastin kur do të fluturojnë përtej...

Ata i janë dorëzuar Zotit të tyre me të gjithë qënien e tyre. Çfarëdo që të duan të thonë, ata e thonë vetëm në masën që do Zoti. Meqë feja që kanë sjellë është e buruar plotësisht dhe vetëm nga Zoti, ata janë shenjtorë dhe të ngarkuar me përgjegjësinë e sjelljes në vend të një detyre të tillë të shenjtë.

Pranimi ose kundërshtimi i bashkëbiseduesve të tyre gjatë kryerjes së detyrës nuk ndikon tek ta për t'i shmangur nga detyra, e cila është vetëm kumtesa dhe shpjegimi. As që i marrin parasysh thëniet apo bëmat e kundërshtarëve. Kurse lëshimet në emër të kauzës së tyre kategorikisht nuk mund të mendohen. Qëndrimi i palëkundur i Profetit Muhammed (s.a.v.) nëpërmjet thënies së tij "Edhe sikur të më vënë hënën në një sup e diellin në supin tjetër, nuk heq dorë nga kjo kauzë", është parimi i përgjithshëm i tyre.(49)

2. VULLNETARIZEM

Profetët nuk presin asnjë pagesë shpirtërore e materiale si kundërvlerë të shërbimit të kryer. Kur'ani bën fjalë për këtë specifikë të tyre në raste të ndryshme dhe në ajete të ndryshme. Momenti i përbashkët i thënieve të tyre përqëndrohet te e vërteta "Shpërblimi im i përket vetëm Allahut". Sa për ne, mundet të presim një shpërblim shpirtëror edhe në mos qoftë fjala për shpërblim material. Kurse profetët nuk e presin as këtë dhe të gjitha bëmat i bëjnë duke i vlerësuar nga këndvështrimi se ato janë urdhëri i Zotit. Për supozim, edhe po ta dinin se, në përfundim, do të digjeshin mes flakëve të xhehennemit, prapëseprapë kthjelltësia e mendimeve të tyre nuk do të turbullohej dhe do të vazhdonin të mendonin vetëm për kryerjen e detyrës së tyre...

Profetët janë njerëz që flijojnë ndjenjat e përfitimit materialo-shpirtëror dhe në këtë çështje janë qenie eprore. Nuk janë as sevdaja për xhennetin apo frika për xhehennemin që i shtyjnë për të kryer këtë detyrë të rëndë e të vështirë, por vetëm e vetëm dëshira për të fituar miratimin e Zotit të tyre.

Çdo profet është një vullnetar. Kurse pika më e lartë e vullnetarizmit i përket Mbretit të Profetëve. "Ummeti, njerëzit e mi!" ka thënë kur ka lindur dhe edhe në ditën e ringjalljes ashtu do të thotë.(50) Shihni se çfarë vullnetarizmi dhe vetmohimi që, ndërsa portat e xhennetit të hapura kat më kat presin të nderohen me ardhjen e tij, ai parapëlqen të përjetojë çastet më të turbullta të ringjalljes pas katastrofës me qëllim që të marrë me vete edhe ummetin, bashkësinë e tij! Jo vetëm farefisin dhe ata që i kanë ndenjur afër, por të gjithë ummetin, përfshi edhe atë më mëkatarin!

Po, udhëkalimet shpirtërore të tyre janë të hapura vetëm për një gjë: për pëlqimin dhe miratimin e Allahut! Për çdo gjë tjetër i kanë vënë derës shulin nga pas.

Veçanërisht në ditët e sotme, ata që i kanë vënë shpatullat detyrës së kumtesës e të orientimit që është një detyrë profetike, duhet të kenë shumë kujdes në këtë pikë dhe duhet të sillen me shumë ndjeshmëri. Sepse forca ndikuese e fjalës është e fshehur jo në kumtesën dhe në ligjërimin e bukur, por në të qenit i sinqertë. E të qenët i sinqertë kërkon vullnetarizëm dhe flijim. Pikërisht për të vënë gishtin në këtë konceptim, në Kur'an thuhet: "Ndiqni njerëzit që nuk kërkojnë ndonjë shpërblim prej jush e që janë në rrugë të drejtë!" (Kur'ani, Jasin: 21) Po, ndërsa ata fluturojnë në qiejt e orientimit, edhe ju ndiqini ata. Sepse nuk kërkojnë prej jush ndonjë gjë në emër të kësaj bote. I mendoni mirë njerëzit që do t'i ndiqni pas me mendje të fjetur, i matni dhe lidhuni pas atij që jeton natë e ditë i mbushur plot me ashkun e shërbimit. Ai duhet të parapëlqejë përgatitjen e rrugëve nga do të kalojnë karrocat e fitores së brezit të ardhshëm, konceptimin dhe arritjen e ditëve të mrekullueshme e të përshndritshme të asaj kohe. Dhe në botën ndjesore të tij të mbrujtur me vullnetarizëm e sakrificë të mos bjerë qoftë edhe hija e një kërkese të pafajshme. Ja, të tillë prijës e të parë zgjidhni për vete dhe u shkoni pas!

I Dërguari i Allahut ishte njeriu i vullnetarizmit e i sakrificës. Gjatë gjithë jetës as me bukë thekre nuk e pati mbushur barkun. Ndodhte që kalonin ditë, javë e muaj e në banesën e tij të mbushur plot lumturi të mos ndizej zjarr për të gatuar e të mos ziente një enë me supë.(51) Ebu Hurejre tregon: "Shkova një ditë pranë të Dërguarit të Allahut dhe e gjeta tek po falej ulur. Pasi mbaroi, e pyeta:

- O i Dërguari i Allahut, mos je i sëmurë?

- Jo, o Hurejre, e kam nga të pangrënët.

Fillova të qaja. I dashuri i Allahut, për të cilin ishte krijuar gjithësia, falej ulur nga të pangrënët! Kurse ai më qetësoi kështu kur më pa të përlotesha:

- Mos qaj, o Eba Hurejre! Ai që vuan në këtë botë ankthin e urisë, do të jetë i sigurt nga ana tjetër se do të jetë i mbrojtur nga ndëshkimi i Zotit!(52)

Një grua medinase i kishte sjellë Profetit një si dyshek dhe Hz. Aisheja e kishte shtruar mbi rrogozin mbi të cilin ulej e prehej gjithmonë ai. Kur Profeti kishte ardhur dhe e kishte vënë re ndryshimin, kishte kërkuar shpjegim për këtë. Pas përgjigjes së marrë, kishte thënë:

- O Aishe! Ktheje mbrapsht menjëherë këtë. Betohem në Allahun se, po të desha, Allahu më vinte djathtas e majtas male me ar e argjend, por unë s'dua...(53)

Ashtu është, po të donte, ai mund të kalonte një jetë komode. Një ditë kishte ardhur një engjëll e i kishte sjellë të fala nga Zoti: "A do të bëhesh një pejgamber sundimtar apo një pejgamber rob?"

Engjëlli Xhebrail i vjen në ndihmë: "O i Dërguari i Allahut, tregohu i thjeshtë!" Dhe Profeti e bën zgjedhjen: "Dua të jem një profet që një ditë i pangrënë lutet e që një ditë tjetër i ngopur falënderon!"(54)

Profeti rrinte bashkë e hante bukë me shërbëtorët e skllevërit. Një grua që një ditë sheh një pamje të tillë, i thotë me përbuzje: "Je ulur e ha bukë si një skllav!" Kurse Zotëria i Gjithësisë i përgjigjet: "A mund të ketë skllav më të lumtur se unë? Unë jam skllav i Zotit!"(55)

E gjithë jeta e të Dërguarit të Allahut është e mbushur me tablo vullnetarizmi e sakrifice. Tani për tani, hollësitë po ua lëmë mijëra librave që kanë për tematikë jetën e tij të lartë. Po, të gjithë profetët me të në krye kanë jetuar si vullnetarë dhe njerëz të sakrificës dhe nuk kanë kërkuar asgjë nga sendet e kësaj bote apo tjetrës si kundërvlerë të shërbimeve që kanë sjellë. Prandaj fjalët e tyre kanë pasur ndikim. Në qoftë kështu, ata që kërkojnë që fjalët e tyre të kenë aftësi ndikimi si të ishin një eliksir, para çdo gjëje tjetër duhet të mësojnë të mos kërkojnë asgjë dhe prej askujt në përgjigje të shërbimit të kryer!

3. PRINCIPIALITET

Principialitet do të thotë që çdo gjë që bën, ta bësh për Allahun dhe, gjithashtu, çdo gjë që nuk bën, për hir të Allahut të mos e bësh. Profetët janë personalitete të përgatitur pikërisht me një principialitet të tillë që në krye të herës. Ç'është e vërteta, njeriu me përpjekje mund të arrijë në principialitet në një pikë të caktuar, por ç'e do se pika ku mund të arrijnë njerëzit e zakonshëm është vetëm një fillim për profetët. Ata janë bërë pothuajse vetë esenca e principialitetit. Këtë specifikë Kur'ani e shtjellon kështu duke e personifikuar te disa profetë: "Përmendju në libër edhe Musanë! Ai ishte një i dërguar dhe profet i zgjedhur." (Kur'ani, Merjem: 51).

Po ashtu edhe për Hz. Jusufin: "Vërtet ai ishte nga robtë tanë të zgjedhur!" (Kur'ani, Jusuf: 24).

Kurse për personalitetin e të Dërguarit të Allahut i flet kështu ummetit, bashkësisë së tij: "Pa dyshim që Ne ta zbritëm Librin për hir të së vërtetës, prandaj ti adhuroje sinqerisht Allahun!" (Kur'ani, Zumer: 2)

Dhe në një vend tjetër Allahu e porosit kështu të flasë të dashurin e Tij: "Thuaj: Unë e adhuroj Allahun sinqerisht duke ia dedikuar fenë vetëm Atij!" (Kur'ani, Zumer: 14).

Shkaku i adhurimit është urdhri i Allahut dhe rezultati, pëlqimi dhe miratimi i Tij; kurse frytet dhe përfitimi janë ato që do të japë Zoti në jetën tjetër. Adhurimi e përfshin në vetvete tërë një jetë dhe e bën veten të ndihet si një vetëdije e konceptim në të gjitha sjelljet e besimtarit.

Mendimtari i madh i shekullit tonë, duke thënë "Punoni për Allahun, filloni për Allahun, përpiquni për Allahun dhe veproni brenda kuadrit të pëlqimit dhe të miratimit të Tij!", edhe bën përkufizimin e principialitetit, edhe flet për rëndësinë e tij.(56)

Principialiteti është emërtimi i të qenit i drejtë e i orientuar për njeriun. Në jetën e një njeriu të tillë nuk ka zigzage. Diagrama e zhvillimit të tij shpirtëror është gjithmonë në ngjitje. Eshtë për këtë që njerëz të tillë kanë mundur ta ruajnë thjeshtësinë e ditëve të para edhe pasi janë ngjitur në maja. Mirëpo ç'e do që ata janë aq shumë pak!

Në historinë e njerëzimit është vetëm një njeri që ka arritur në këtë majë dhe ai është i Dërguari i Allahut. E si të mos jetë, kur, midis ditës së parë kur nisi ta bëjë të njohur kauzën e tij dhe ditës kur u triumfua Meka, në sjelljet e tij, përsa i përket thjeshtësisë, nuk pati treguar edhe ndryshimin më të vogël?

Meka qe marrë me paqe. Nëse pati nja dy ngjarje të veçuara, përfshirja e tyre në të përgjithshmen nuk është e drejtë. Duke hyrë në atë vend të bekuar nga ku ishte nxjerrë vite më parë, Profeti i të Dy Botëve nuk hynte me pamjen e një komandanti triumfator. I hipur mbi kalë, e mbante kokën aq ulur, sa ajo kokë e bekuar pothuaj do t'i prekte në jelet e kafshës.(57)

Ai nuk e pati ndryshuar sjelljen dhe qëndrimin as gjatë periudhës kur pati ndenjur në Medinë. Sahabet, pasuesit e tij, ngriheshin në këmbë kur hynte ai. Dhe ashtu është, duhet të ngriheshin! Madje edhe të vdekurit duhet të ngriheshin nga varret e t'i shprehnin respektin e tyre! Ai e meritonte me të tepërt një respekt të tillë. Kurse ai ndjehej seriozisht i shqetësuar nga ngritja në këmbë e pasuesve dhe çdo herë u thoshte si me qortim: "Mos u ngrini në këmbë si fëmijët ndaj të mëdhenjve!"(58)

Po, ashtu si ta fillonte ai një detyrë të shenjtë, ashtu edhe e mbaronte. Jeta e tij pati kaluar pothuajse si në një harmoni melodike. E mbaronte punën në po atë perde ku e pati filluar dhe kjo do të thoshte një sukses i madh. Madje, në një aspekt, ai e pati filluar këtë melodi hyjnore në "lento" dhe, në përfundim, pati kaluar në "fortissimo" duke gjëmuar qiej e tokë!

Gjatë gjithë jetës ai adhuroi vetëm Allahun duke ia dedikuar Atij fenë, ndjesitë ia mbushën zemrën e dolën nga shtrati me afërsinë e ndjerë për Të, syri i kërkoi në çdo vend veprën e Tij, gjithë ndjenjat i valuan e u derdhën me kënaqësinë shpirtërore të buruar prej Tij! Ai pati hapur sytë te e vërteta, pati hapur velat drejt së vërtetës dhe qe sjellë kudo duke thënë gjithmonë "Allah!" me një oreks që s'dinte të ngopej. Sepse ai ishte njeri i principialitetit!

Edhe vetëdija e favorit tek ai përbënte një dimension të veçantë. Sepse favori brenda përkufizimit të tij personalisht ishte kryerja e adhurimit sikur ta shihje Allahun.(59) Po qe se çështjen do ta shpjegonim figurativisht, do të thoshim se, ndërsa të tjerët faleshin duke u kthyer nga Qabeja, ai e falte namazin brenda në Qabe!

4. KESHILLE E MIRE

Duke bërë të njohur dhe përhapur kauzën e tyre, profetët kategorikisht nuk hyjnë në dialektikë. Ata u afrohen njerëzve me urtësi dhe këshillë të mirë. Me të vërtetë, Kur'ani i shprehet kështu Profetit: "Ti thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ta në formën më të pëlqyeshme..." (Kur'ani, Nahl: 125). Me fjalë të tjera, kërkon t'i thotë që urtësinë e fshehur në materie dhe të fshehtën e krijimit ta tregojë në mënyrë të butë dhe me një stil bindës. Të përpiqet për t'ua ngopur mendjet dhe zemrat pa ua prekur ndjenjat.

Profetët nuk i kanë pëlqyer aspak demagogjinë, dialektikën dhe stilin filozofik. Nëse dje apo sot i janë drejtuar demagogjisë disa kokëtrashë, me këtë rrugë askujt nuk ka qenë e mundur t'i tregohet diçka. Edhe Providenca Hyjnore nuk ka dashur t'i preokupojë profetët me të tilla gjëra boshe. Detyra e tyre ka qenë kumtimi dhe përhapja e çështjeve fetare me urtësi dhe këshillë të mirë.

Njeriu nuk është identitet i vetëm një koke dhe mendjeje; ai ka edhe një zemër, një shpirt, ka enigmën e tij dhe të gjitha këto kërkojnë e presin të kënaqen. Ja, pra, profetët, duke i trajtuar njerëzit në të gjitha këto aspekte e duke u kumtuar mesazhet e tyre profetike, i bindin dhe i kënaqin ata në të gjitha aspektet e individualitetit të tyre. Dhe rezultati i një kumtese të realizuar pa lënë mangut asnjë prej specifikave njerëzore, është afrimi i lëkundjeve te ideja e unitetit e asgjësuar në besimin e bashkëbiseduesit, gjë që është vetë qëllimi i krijimit të njeriut.

Te të përgatiturit në rrethin e mësimit të profetëve del në pah një fakt tjetër. Në praninë e tyre, krahas syve që shohin këtë botë, hapen edhe kapakët e syve të zemrës dhe çështjet e papërceptuara e të panjohura për dikë tjetër, për ta bëhen të qarta më në fund. Sikur e gjithë bota tjetër të fryhet e të derdhet me lëkundje e dyshime, këta njerëz s'bëjnë gjë tjetër veç të kalojnë duke hedhur sytë me një vështrim ironik. Sepse në hojet e intuitës së krijuar në ndërgjegjet e tyre nuk mund të hyjë e të vendoset asnjë mizë dyshimi...

Njëshin që njohin ata, Allahu ua bën një mijë, njohurive u jep bereqet dhe ua mëson ato që s'dinë.(60) Erërat frymëzonjëse që vijnë nga qiejt, i shndërrojnë pothuaj në qiell zemrat e tyre dhe ata, duke i zbatuar shkronjë për shkronjë ato që dinë, gjejnë pegasin që quhet "fjala e bukur" dhe lartësohen lart pa pra.(61)

Madje midis tyre përgatiten të tillë si Hz. Aliu që thotë: "Edhe sikur perdja e së fshehtës të hapet, faktet që shoh nuk do të ndriçohen më shumë!" Me fjalë të tjera, kërkon të thotë se edhe sikur të hiqet perdja e së padukshmes dhe, si rezultat, të shohë çdo gjë që i duhet të shohë, prapëseprapë nuk mendon se do të arrijë një horizont besimi më të largët se ai i sotmi, sepse ajo çka di ai, është e tillë që e vendos atë pikërisht në fokusin e besimit për të panjohurën.(62) Kjo fjalë në gojën e një njeriu si Hz. Aliu, është një fjalë e thënë në nivelin e "falënderimit për të mirën".(*) I Dërguari i Allahut e ka shpallur atë, me miratimin e Zotit, si atin e prijësve gjer në Kiamet. E pati sjellë atë në qelizën e tij të lumturisë, e pati martuar me Hz. Fatimenë, me atë lulen e bahçes profetike, dhe nga ajo martesë e lumtur patën ardhur në botë dy bukuri, Hz. Hasani dhe Hz. Hyseni. Në mënyrë të veçantë, të gjithë prijësit dhe majat ndërmjet tyre gjithë prej këtij burimi patën shpërthyer...

Po, ashtu siç qe Hz. Aliu, edhe pothuaj çdo hallkë e zinxhirit të artë të lidhur pas tij qenë bërë heronj përfaqësues të kësaj vetëdijeje.(63)

Kjo vetëdije zhvillohet tek ata që kanë rrokur enigmën e favorit si rezultat i besimit, të cilët, duke qenë ende në këtë botë, meritojnë komunikimin "...ta hoqëm perden dhe ti tashmë sheh shumë prehtë!" (Kur'ani, 50/22). Sapo që kjo gjendje e cila në terminologjinë perëndimore quhet "intuitë", fillon të veprojë në ndërgjegjen e njeriut, bota e jashtme hesht dhe vetveten e mbështjellin tingujt zhurmërues të parandjenjave të brendshme duke kaluar, kështu, në një situatë shpirtërore disaplanëshe,(*) sepse Mbreti i ndjenjave intuitive është ulur në fronin e tyre. E, atëherë, pse duhet kërkuar Ai jashtë?

Ja, pra, Profeti që i lartëson nxënësit e vet në një ndjesi dhe mendim të tillë, në metodë ka marrë për parim gjithmonë këshillën e mirë në kuptimin e plotë e të përgjithshëm të saj, po ashtu edhe ndërtesën e orientimit mbi këtë themel e ka ngritur.

Specifikat për të cilat u përpoqëm të flasim në këtë kapitull, ajeti i mëposhtëm i shpreh me stilin më konçiz e më të mrekullueshëm:

"Ju dërguam një Përfaqësues nga mesi juaj që t'ju lexojë ajetet tona, t'ju pastrojë, t'ju sjellë Librin e urtësitë e t'ju mësojë ato që s'i dini." (Kur'ani, Bakara: 1).

Pasi kemi parashtruar dhe ilustruar nisur nga raste të ndryshme ndjeshmërinë dhe metodën e Profetit të të Dy Botëve lidhur me tematikën në fjalë, e shohim të tepërt të shtojmë diçka tjetër. Megjithatë, po qe se do të bënim një përmbledhje me dy-tri fjali, do të mund të thoshim kështu: Ai gjithmonë i fliste bashkëbiseduesit me një mënyrë dhe metodë brenda kuadrit të urtësisë, të pastër nga mangësitë dhe tepritë, të tillë që do t'ia ngopte mendjen, zemrën dhe ndërgjegjen, në përputhje me gjendjen dhe nivelin e tij. Për rrjedhojë, në përgjithësi, ata që ndaheshin prej tij pasi e kishin dëgjuar, ndaheshin të tillë që kishin fituar besim e siguri. Nëse ka ndodhur që të ketë raste si ai i Velid b. Mugires dhe Utbe b. Rebiait që, megjithëse e kanë pranuar se thëniet e Hz. Muhammedit janë të vërteta, nuk kanë shpëtuar dot nga të qenit robër të krenarisë dhe mendjemadhësisë bashkë me ata që janë bërë kurban i frikës nga e reja dhe, për pasojë, kanë mbetur në herezi, pra, nëse ka pasur raste të tilla, këto janë mangësi që u përkasin plotësisht subjekteve në pozitën e receptorit. Disa herë ka pasur edhe raste si poeti Asha që, megjithëse e kanë pranuar çdo gjë, kanë kërkuar kohë për shkak se nuk kanë mundur t'i braktisin veset e tyre; nëse këta kanë vdekur para se të hynin në rrugë të drejtë, kjo duhet të shpjegohet me faktin që kaderi (paracaktimi hyjnor) dhe kadhaja (aksidenca) përkatëse e tyre ka hyrë në veprim që më parë. Në asnjërin nga këto raste nuk ekziston ndonjë mangësi dhe e metë që t'i reflektohet të Dërguarit të Allahut dhe nuk mund të ekzistojë, madje!

5. THIRRJE PER UNITET

Në Kur'an, kur tregohet se si u janë drejtuar profetë të ndryshëm fiseve të veta, përdoret kjo shprehje: "O njerëz të mi! Allahun adhurojeni, se nuk keni zot tjetër përveç Tij!" (Kur'ani, Hud: 84).

Kauza e çdo profeti me këtë të vërtetë fillon dhe me të i vihet pika.

Marrëveshja e njëzëshme në këtë pikë e këtyre personaliteteve të shquar, të ardhur në kohë e vende të ndryshme, si dhe fakti që kanë proklamuar gjithmonë të njëjtat të vërteta, nuk lë asnjë lëkundje e dyshim që ata nuk kanë kumtuar idetë dhe mendimet e veta, por mesazhet e marra nga Zoti i tyre. Eshtë e papranueshme mendërisht që të jenë unanimë për të njëjtën çështje njerëz me dhunti dhe aftësi krejt të ndryshme e që kanë jetuar në kohë dhe vende të ndryshme. Ju bëheni dëshmitarë të faktit se midis ndjekësve të një shkolle, madje edhe midis bashkëkohësve, në çështje shumë të vogla e të thjeshta të një pjese rrymash filozofike ka shumë ndryshime dhe kontradikta. Ja, pra, ky kontradiksion në rrymat me burim mendimin njerëzor dhe polemikën si dhe ky unanimitet në sistemet e ofruara nga individë të zgjedhur me revelacionin hyjnor, tregon se të parat janë me burim subjektiv e iluziv, kurse të dytat janë të orientuara e të qëndrueshme, me një fizionomi përfundimtare. Sigurisht, uniteti i fjalës te profetët dhe fakti që të gjithë ata kanë ardhur me të vërtetën e unitetit hyjnor, është, përsëri, një specifikë e atij institucioni. Eshtë për këtë arsye që i Dërguari i Allahut ka urdhëruar: "Fjala më e lartë dhe e virtytshme e thënë prej meje dhe prej të gjithë profetëve të ardhur para meje, është fjala që përmblidhet në këtë shprehje: "La ilahe illallahu vahdehu la sherike lehu", "Nuk ka zot tjetër përveç Allahut Një të Vetëm e të Pashoq!"(64)



(49) Shih Ibni Hisham, Sire, 2/285.
(50) Buhari, Tevhid, 36; Myslim, Iman, 326.
(51) Buhari, Rikak, 17; Myslim, Zyhd, 28...
(52) Kenzu'l-Ummal, 7/199.
(53) Ibni Kethir, el-Bidaje, 6/60.
(54) Mysned, 2/231; Kenzu'l-Ummal, 7/191; Mexhmau'z-Zevaid, 9/19-20.
(55) Mexhmau'z-Zevaid, 9/21.54; Mysned, 2/231; Kenzu'l-Ummal, 7/191; Mexhmau'z-Zevaid, 9/19-20.
(56) Bediuzzaman, Sözler, 1. Söz; Lem'alar, 21. Lem'a.
(57) Ibni Hisham, Sire, 4/47-48; Mexhmeu'z-Zevaid, 6/169.
(58) Ebu Davud, Edeb, 152; Mysned, 5/253.
(59) Buhari, Iman, 47; Myslim, Iman, 5, 7.
(60) Një hadith aludon për këtë: "Kush vepron me aq sa di, Allahu ia favorizon njohjen e diturisë së gjërave që nuk di." (Ebu Nuajm, Hilje, 10/15).
(61) "Vepra e pastër e lartëson njeriun, fjalët e bukura ngjiten tek Ai..." (Kur'ani, Fatir:10).
(62) Aliju'l-Kaari, el-Esraru'l-Merfua, f. 286.
(*) Në origjinal: Tahdis-i nimet.
(63) Myslim, Fezailu's-Sahabe, 61
(*) Në origjinal: Ruh-efza.
(64) Muvatta, Hacc, 246; Kenzu'l-Ummâl, 5/73
Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.