Profeti i Paralajmeruar dhe i Pritur
Lutja e Ibrahimit (as), sihariqi i Isait (as)
Një ditë, njëri prej pasuesve i thotë Profetit: "O i Dërguari i Allahut, a nuk po na flet pak për veten?" Në një pjesë të përgjigjes së vet, Profeti shprehet kështu: "Unë jam lutja e Ibrahimit dhe sihariqi i Isait!"(27)
Kur'ani e prek këtë specifikë në dy ajete.
1) Hz. Ibrahim është lutur kështu: "Zoti ynë! Dërgoju një përfaqësues nga mesi i tyre që t'u lexojë ajetet e Tua, t'u mësojë Librin dhe urtësinë e t'i pastrojë (prej idhujtarisë). Ti je i Dituri, Sovrani." (Kur'ani, Bakara: 129)
2) Sihariqi i Hz. Isait: "Kujto se Isai, biri i Merjemes tha: "O të bijtë e Izraelit! Unë jam i dërguari i Allahut tek ju, jam vërtetues i Teuratit(i) të dërguar para meje dhe përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed." Dhe kur ai u paraqiti argumente të qarta, ata thanë: "Kjo është një magji e hapët!" (Kur'ani, Saff: 6)
Po, i Dërguari i Allahut nuk ishte dikush i dalë në shesh si surprizë! Ai është profeti për ardhjen e të cilit ishte lajmëruar shekuj më parë dhe që pritej nga i gjithë njerëzimi.
Argumenti më i madh për profetësinë e tij është Kur'ani, mrekullia e të cilit është e amshuar. Qindra ajete-argumente të Deklaratës Mrekulli - Kur'an(ii) përmendin se Profeti i Dy Botëve është profet i vërtetë. Një person që nuk mundet ta mohojë plotësisht Kur'anin, kurrë nuk mundet ta mohojë kumtesën profetike të Muhammedit (s.a.v.)! Vetëm se ne nuk do t'i futemi tani kësaj specifike që përbën një temë më vete. Fundja, duke iu drejtuar njëri pas tjetrit ajeteve të ndryshëm, pjesërisht e kemi trajtuar edhe këtë temë.
Paralajmërimet e Testamentit të Vjetër
Në këtë pjesë dëshirojmë të citojmë disa fragmente nga Teurati (Testamenti i Vjetër), Ungjilli dhe Zeburi (Libri i Psalmeve) të cilat, me gjithë korrigjimet që u janë bërë qindra herë, bartin ende analogji dhe myzhde për të Dërguarin e Allahut. Duke ua lënë hollësitë e çështjes veprave të posaçme që merren drejtpërsëdrejti me këtë temë dhe veçanërisht veprës "Risale-i Hamidije" të Hysejin Xhisriut, do të synojmë të përmendim këtu vetëm disa prej atyre që na duken më të rëndësishme.
Malet Faran
Një sentencë e përkthimit arabisht të Testamentit të Vjetër të botuar në Londër më 1944, thotë: "Zoti u drejtua kah njerëzit në Sina, u shfaq në Sair dhe, duke u dukur në malet Faran, doli në shesh me gjithë përsosmërinë e Tij." (kap. 33, sentenca 2).
Kjo do të thotë se mëshira e Allahut, mëshira dhe favori i Tij për njerëzimin kanë marrë trajtë në malin e Sinait në bisedën midis Tij dhe Hz. Musait (a.s.). Konkretizimi i kësaj mëshire është profetësia e dhënë Musait në atë periudhë historike. Sair është Palestina. Atje, mëshira e Providencës Hyjnore ka rrethuar, me rrugën e revelacionit, Hz. Isanë dhe ata që ndodheshin në mjedisin e tij. Në të njëjtën kohë, Hz. Mesihu është një pejgamber i madh, i denjë për shfaqjet e Zotit. Shumica, duke mos i dalluar dot shfaqjen nga dukja, kanë rënë në konfondim në këtë çështje. Ajo që shfaqet tek ai, është fryma hyjnore.(iii) Kurse në malet Faran Providenca Hyjnore është dukur me anë të enigmës së unitetit dhe të nivelit individual unik(iv) që përfshin gjithësinë. Farani është Meka, sepse në një vend tjetër të Testamentit të Vjetër tregohet se Hz. Ibrahimi e vendosi në Faran të birin Ismail. Nga kjo kuptohet se në Testamentin e Vjetër, me emërtimin Faran bëhet fjalë për Mekën. Në sentencën në fjalë aludohet radhazi për tre profetë. I pari nga këta është Hz. Musai, i dyti, Hz. Isai (as) dhe, i treti, profeti i fundit, Profeti i Dy Botëve, Hz. Muhammed Mustafai (s.a.v.). Në vazhdimin e sentencës në fjalë të Testamentit të Vjetër janë këto pohime: "Pranë Tij do të jenë mijëra pasues, modele të përsosmërisë, kurse në dorën e Tij do të ndodhet një sëpatë dytehëshe prej zjarri." Nga kjo kuptohet se ai do të ngarkohet me detyrën e xhihadit.
Tashmë është i njohur fakti se i Dërguari i Allahut, para se të fillonte revelacioni, tërhiqej në vetmi në një shpellë të malit Hira, ku jepej pas meditimit dhe adhurimit. Edhe revelacioni i parë në këtë mal i pati ardhur.(28) Po qe se Farani nuk është Meka, e cili mund të jetë ai vendi tjetër nga ku të jetë përhapur në lindje e perëndim një fe si Islami? Meqë në botë nuk ekziston ndonjë vend i quajtur kështu, Farani i përmendur në Testamentin e Vjetër shënon Mekën. Veçanërisht, ashtu siç e përmendëm edhe më sipër, pohimi "e vendosi në Faran" që përshkohet në sentencën 21 të librit të parë të Testamentit të Vjetër e që tregon se ku u vendos Hz. Ismaili, është argumenti më i hapur e më i madh në favor të thënies sonë. Dhe askush nuk do të kishte mundësi të pretendonte të kundërtën. Kundërshtimet e bëra rreth kësaj çështjeje janë polemika vetiake larg kompetencës shkencore. Sidomos pjesa e fundit e sentencës ku aludohet për pasuesit dhe xhihadin, tregon në një mënyrë që nuk lë shesh për asnjë ngurrim dhe dyshim se personi në fjalë është Hz. Muhammedi (s.a.v.).
Nga soji i Hz. Ismailit
Në një ajet tjetër të Testamentit të Vjetër, Zoti i thotë kështu drejtpërsëdrejti Hz. Musait: "Për ta (të bijtë e Izraelit) do të nxjerr një profet si ti mes vëllezërve të tyre dhe fjalët e mia do t'i vë në gojë të tij dhe do t'u thotë atyre çdo gjë për të cilat e urdhërova." (kap. 18, sentenca: 18).
Edhe sentenca e 19-të është në cilësinë e plotësimit të kësaj: "Unë vetë do të hakmerrem ndaj atyre që nuk do t'u binden fjalëve të tij të thëna në emrin Tim!"
Në këtë sentencë, me vëllanë e të bijve të Izraelit aludohet për një profet të ardhshëm nga soji i Hz. Ismailit dhe, siç dihet, si i ardhur nga soji i tij njihet vetëm një profet i cili është Hz. Muhammedi (s.a.v.). Veçanërisht theksohet se do të vijë si Musai, me një ligjshmëri të caktuar. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se profeti i ardhshëm do të jetë mbarëbotëror. Kurse hakmarrja ndaj të pabindurve duhet të jenë detyrimet dhe ndëshkimet të cilat janë të pranishme vetëm në Islam.
Ky profet që përmendet në Testamentin e Vjetër, kategorikisht nuk mund të jenë Hz. Isai dhe Hz. Jushai, sepse këta janë nga të bijtë e Izraelit. Veçanërisht Hz. Isai nuk ka sjellë ndonjë ligjshmëri të re për një shumicë çështjesh, vetëm ka qenë vazhdues i Hz. Musait. Kurse është e qartë si drita se Hz. Jushai nuk i përngjet Hz. Musait, sepse edhe ai nuk ka ardhur me një ligj të ri. Ndërkaq, ajeti-argument i Kur'anit "Ne dërguam te ju një të dërguar që të dëshmojë për ju, ashtu siç patëm dërguar edhe te Faraoni" (Kur'ani, Muzemmil: ) bën të qartë ngjashmërinë mes Hz. Musait dhe Profetit tonë. Në të vërtetë, nuk ka nevojë më tej për ndonjë argument tjetër.
Veçori të tjera
Një sentencë e tretë nga Testamenti i Vjetër. Abdullah b. Amr b. As, Abdullah b. Selam dhe Kabul Ahbar të cilët kanë qenë shquar në njohjen e librave të vjetër, përcjellin se në tekstin e Testamentit të Vjetër i cili në ditët e tyre nuk pati pësuar dhe aq shumë korrigjime, ekziston një sentencë e tillë: "O i Dërguar! Ne të dërguam ty si dëshmitar, paralajmërues dhe mbështetje për popujt. Ti je robi dhe dorëzanësi Im. Ty të dhashë titullin "Përfaqësues". Ai nuk është njeri i ashpër e i trashë. Nuk bërtet me zë të lartë nëpër treg. Nuk i përgjigjet të keqes me të keqe, por fal dhe dhuron. Zoti nuk do t'ia marrë shpirtin atij gjersa të mos e drejtojë me anë të tij një popull që të thotë "Nuk ka zot tjetër veç Allahut!"(29)
Dhe tani le të mendojmë. Këto fjalë të Testamentit të Vjetër kujt i drejtohen? Duke mos ndjerë as nevojën e një analize thelluese, kuptimi aparent i sentencës tregon se fjalët i drejtohen një profeti që do të vijë dhe, midis profetëve, personalisht Muhammedit (s.a.v.). Ai është një profet i dërguar për të gjithë njerëzimin dhe sentenca sikur i thotë kështu atij rreth kësaj teme:
Të dërgova ty për gjithë njerëzimin si një myzhdedhënës i rrugës së drejtë dhe si paralajmërues e frikësues i tyre për fundin e dhimbshëm të rrugës së shtrembër. Ti do t'u vësh gjoksin të këqiave dhe do t'i pengosh njerëzit që të shkojnë e të bien në gropën e xhehennemit. Në të njëjtën kohë, do t'u bëhesh dritë të mbeturve në errësirën e rrugëve të shtrembra e plot lakime e, duke i kapur për dore, do t'i mundësosh t'ia arrijnë xhennetit dhe takimit me Bukurinë Hyjnore.
Të dërgova ty si një strehim, si një vendruajtje për bashkësinë e përgjithshme njerëzore të periudhës së injorancës. Kur t'i hapin sytë tek ti, do t'u jepet dora e do të mbrohen dhe për sa kohë do të mbështeten tek ti, do të kenë mundësi të vazhdojnë ekzistencën e tyre.
Ti je robi dhe i dërguari Im. Po, edhe ne, në lutjet tona, gjithmonë për pozitën e tij si rob i Zotit dhe për kumtesën profetike të tij bëjmë fjalë. Unë të quajta ty "Përfaqësues". Sikur gjithë njerëzimi të vijë e të ngulet para teje e ti të bëhesh një me ta, përsëri asnjë lëkundje nuk pëson. Çdo profet e ka një masë përfaqësimi, por ti në këtë dimension je krejt tjetër. Prandaj edhe Unë të quajta "Përfaqësuesi Im"!
Pastaj fjala drejtohet në vetë të tretë:
Ai nuk është njeriu i urrejtjes që ua thyen zemrat njerëzve përreth. Në të kundërt, ai është njeriu i edukatës, i masës dhe i seriozitetit. Nuk thërret e bërtet nëpër sokakë. Dëshira dhe përpjekja për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve mbi veten në këtë mënyrë është shenjë dobësie, nga e cila si dhe nga shenja të tjera si kjo ai është i pastër.
Kurrë nuk i përgjigjet të keqes me të keqe. Vjen një beduin, e kap e e shkund për xhybeje duke i thënë "ma jep të drejtën time!" Ndërsa sahabet, pasuesit e tij, tërbohen nga kjo paturpësi dhe brutalitet, Përmendorja e Mëshirës qesh dhe urdhëron: "Jepini këtij njeriu çfarë kërkon!"(30) Po, ai falte edhe fajet e pafalshme. Mjafton që çështja të mos përbënte një kundërvënie ndaj urdhrave të sheriatit. Pa mendoni një herë! Si u pati thënë mekasve që i patën bërë gjithë ato të këqia atë ditë kur i kishte ardhur rasti t'u bënte ç'të donte? "Shkoni, të gjithë të lirë jeni!"(31) Allahu nuk do ta merrte pranë të dashurin e Tij dhe nuk e mori gjersa njerëzit që jetonin rrugën e shtrembër të periudhës së injorancës të mos e gjenin orientimin e tyre me nurin e sjellë prej tij. Lartësimi(v) i tij te Shoku i Lartë(vi) do të bëhej kur të përplotësohej feja dhe kur të merrte fund detyra e tij. Do të shkonte në audiencën e Mikut të Vërtetë duke u larguar nga mesi i njerëzve kur njerëzit e përgatitur prej tij të kishin arritur nivelin për ta përfaqësuar atë me të drejtë, sepse detyra e tij në këtë botë atë çast do të kishte marrë fund.
Po, kështu e përshkruante atë Testamenti i Vjetër. Edhe ai, kur të vinte koha, do ta përfaqësonte këtë përshkrim në tërë jetën dhe veprimtarinë e tij. Përshkrimet e Testamentit të Vjetër janë vetë mënyra e të jetuarit të të Dërguarit të Allahut. E kush mund të ishte tjetër veç tij me këto cilësi? Historia nuk njeh ndonjë rast tjetër. Sigurisht! Njeriu për të cilin aludon Testamenti i Vjetër, është vetë Hz. Muhammedi (s.a.v.)!
Lajmet e gëzueshme të Ungjillit
Farakliti
Një sentencë nga Ungjilli i Shën Joanit: "Mesihu tha: Unë po shkoj te Zoti im dhe juaji gjersa të dërgojë tek ju Faraklitin i cili do të sjellë Interpretimin".
Fjala "Faraklit" ka kuptimin "shpirt i së vërtetës", "ndarës i së drejtës nga e shtrembra". Po, i Dërguari i Allahut është shpirti i së vërtetës! Sepse zemrat e vdekura vetëm me të vërtetën e sjellë prej tij kanë marrë jetë. Për t'i orientuar njerëzit e për t'i sjellë ata në rrugën e drejtë, Ai pati zhvilluar një luftë vetmohuese dhe vetëm në sajë të një lufte të tillë qe bërë e mundur të ndahej e vërteta nga gënjeshtra, e drejta nga e shtrembra. Ja, pati ardhur një Faraklit për të cilin pati paralajmëruar Hz. Mesihu dhe Ai është përfaqësuesi i fundit i Zotit, Drita e të Dy Botëve, Hz. Muhammedi (s.a.v.)!
Në Ungjillin e Shën Joanit, kreu i 14-të, sentencat dhe 16 thuhet kështu:
"Nëse më doni, i ruani urdhrat e mia! Unë do t'i lutem Zotit dhe Ai do t'ju japë juve një tjetër ngushëllues, shpirtin e së vërtetës (Faraklitin) që të jetë me ju së bashku gjithmonë."
Dhe tani le t'i shohim me radhë këto sentenca:
"Farakliti është Shpirti i Shenjtë që Zoti do ta dërgojë me emrin tim (domethënë si profet). Ai do t'ua mësojë të gjitha gjërat dhe do t'jua kujtojë përsëri edhe ato që unë ju pata thënë". (Ungjilli i Shën Joanit, 14:26)
"Kur të vijë Farakliti, do të dëshmojë për mua, po ashtu edhe ju do të dëshmoni". (Shën Joani, : 26-27)
"Unë ju them të vërtetën. Eshtë më mirë për ju që unë të shkoj. Sepse po nuk shkova unë, nuk ju vjen Farakliti. Kurse po të shkoj unë, ua dërgoj Atë". (Shën Joani, 16:7)
"Kur të vijë Farakliti, do t'i qortojë të gjithë njerëzit për shkak të gabimeve dhe do t'i edukojë ata". (Shën Joani, 16:8)
Ardhja e parë e ungjillit është bërë në hebraisht dhe pastaj është përkthyer në greqisht. Kurse përkthimi arabisht që kemi ne në dorë, është bërë nga greqishtja. Kështu që nuk mundemi ta dimë se cili është përgjegjësi i emrit "Faraklit" në origjinalin hebraisht. Kjo fjalë është varianti i arabizuar i fjalës përkatëse në greqisht. Vetëm se ne nuk do të kërkojmë ta ngremë tematikën tonë mbi këtë fjalë duke u përqëndruar vetëm mbi të. Ne do të përpiqemi të shohim në Ungjill vërtetimin, ndoshta, të të gjitha veçorive të profetit të ardhshëm.
Le t'i përdorim si një epilog vargjet e një personi të pasionuar pas profetit, vargjet e poetit të shquar Mevlana - Xhelaledin Rumi:
Cilësitë Mustafai (s.a.v.) në Ungjill i kish të shkruar,
Ai që ish enigma dhe oqeani i kulluar i profetëve;
Morali, sjelljet, e ngrëna, agjërimi, luftërat që kish për të fituar,
Një për një i gjen në Ungjill mes radhëve...
Prijësi i Gjithësisë
Ungjilli i Shën Joanit në kreun e 14-të, sentenca e 30-të thotë:
"Mesihu tha kështu: Unë s'kam për të biseduar edhe shumë me ju, sepse prijësi i kësaj gjithësie po vjen. Tek unë kurrsesi nuk ka gjëra prej tij..."
Te Zeburi, Libri i Psalmeve, në kreun e 72-të, sentenca e 30-të e në vazhdim thuhet kështu:
"Ai do të mbretërojë nga deti në det e nga lumi gjer ku të ketë tokë. Popullsia e shkretëtirës do të përgjunjet para tij, kurse dushmanët do të lëpijnë dheun. Sundimtarët e Tarshisit dhe të ishujve do të sjellin peshqeshe, Shebaja dhe sundimtarët e saj do të ofrojnë dhurata. Të gjithë sundimtarët do të bien në sexhde para tij dhe të gjitha fiset do ta adhurojnë atë. Sepse ai do të shpëtojë të varfërin dhe të pashpresin dhe të braktisurin që thërresin për ndihmë. Duke treguar mëshirë për të varfërin dhe nevojtarin, do të sjellë shpëtim për jetën e tyre. Duke u shpëtuar jeta prej padrejtësisë dhe brutalitetit, gjaku i tyre do të fitojë vlerë. Dhe do të luten çdo ditë për të e çdo ditë do ta lartësojnë atë. Emri i tij i amshuar do të ekzistojë gjersa të ekzistojë dielli dhe njerëzit do të bëhen të bekuar me të. Të gjithë popujt atij "i bekuar" do t'i thonë!"
Ashtu siç e prekëm edhe më sipër, ne i hymë kësaj teme vetëm pjesërisht dhe me synimin për të dhënë një mendim. Dhe as që do t'u hyjmë hollësive. Megjithatë, as nuk do të kalojmë pa shtuar edhe këtë: pavarësisht nga përpjekjet për korrigjime të çifutëve dhe krishterëve të djeshëm e të sotëm, të cilëve urrejtja dhe xhelozia u kanë hyrë gjer në palcë, në Testamentin e Vjetër dhe Ungjillin që kemi në dorë, është e mundur të gjenden shumë analogji dhe paralajmërime lidhur me profetësinë e të Dërguarit të Allahut. Dashtë Zoti, në të ardhmen, në u gjetshin ekzemplarë me korrigjimet më të pakta të Testamentit të Vjetër, Ungjillit dhe Librit të Psalmeve nëpërmjet zellit të historianëve tanë analistë, pandeh se, pa qenë fare nevoja e interpretimeve dhe komenteve, do të shihet edhe nga njerëzit më të rëndomtë se në to gjenden shenja shumë të qarta mbi të Dërguarin e Allahut. Ndoshta në hadithet që lajmërojnë se kristianizmi do të pastrohet e thjeshtohet, aludohet edhe në këtë kuptim.32
Nga ana tjetër, fakti që në Testamentin e Vjetër, në Ungjill e në Librin e Psalmeve flitet për të Dërguarin e Allahut personalisht si dhe për sahabet, pasuesit e tij, është i sanksionuar në Kur'an dhe Sunnetin, Traditën Profetike. Për rrjedhojë, përpjekja për mohimin e kësaj është perversitet dhe blasfemi.(33)
(27) Kenzu'l-Ummal, 11/384.
(i) Teurati: Testamenti (Dhjata) i Vjetër.
(ii) Në origjinal: Kur'ani Muxhizul Bejan
(iii) Në origjinal: Nefha-i ilahi.
(iv) Në origjinal: Sirr-i ehadijjet; makam-i ferdijjet.
(28) Buhari, Bedu'l-Vahj, 3.
(29) Buhari, Byjy, 50; Mysned, 2/174.
(30) Ebu Davud, Edeb, 1; Nesai, Kasame, 24.
(31) Ibni Hisham, Sire, 4/55.
(v) Lartësimi: ndarja nga kjo botë.
(vi) Në origjinal: Refik-i A'la.
32 Buhari, Enbija, 49; Myslim, Iman, 244, 245, 246, 247.
(33) "Ata i binden Përfaqësuesit, atij pejgamberi të përgjithshëm për të cilin gjejnë të shkruar në Teurat dhe në Ungjillin që i kanë pranë..." (Kur'ani, A'raf: 7/157; veçanërisht shih Fetih: 29, Saff: 6); Buhari, Byjy, 50; Mysned, 2/174. Për hollësi, shih: Sujuti, el-Hasaisu'l-Kubra, 1/18-31.
- Publikuar më .