Fjalet e Vertetojne Ate
Ai ishte që në lindje Hz. Muhammed Mustafa (s.a.v.)! Prandaj, edhe pasi iu shpall profetësia, çdo njeri e besoi nga zemra për çfarëdo që tha dhe e vërtetoi atë. Po, njerëzimi si një i vetëm vrapoi t'ia vërtetonte fjalët: "Drejt po thua, o i Dërguari i Allahut!" Jo vetëm njerëzit. Çdo formë e ekzistencës, me gjuhën e mrekullive, i dërgoi atij një përfaqësues dhe i dha besën!
Këtu mendoj se do të ishte e dobishme të hapja një parantezë. Deklaratat dhe shprehjet e ndritshme të Kur'anit dhe të Profetit, me cilësinë e tyre të përputhjes ndaj marrëdhënieve midis individualitetit, atributeve dhe emrave të Providencës Hyjnore, zotërojnë një nivel të lartë të tillë të cilit është e pamundur t'i afrohet ndonjë shprehje apo deklaratë e bërë me rrugën logjike të filozofëve apo me dimensionet shpirtërore të të urtëve e të shenjtorëve dhe as që do të jetë e mundur.
Ngjitja lart drejt engjëllizimit e këtyre shpirtrave të evoluar, në përfundim ka treguar e do të tregojë gjithmonë këtë që ata do ta njohin vërtetësinë dhe përsosmërinë e deklaratave të Kur'anit e të të Dërguarit të Allahut, do të ndjejnë kënaqësi në zbulimin dhe vëzhgimin e tyre.
Të gjitha fjalët e thëna prej Tij mbi hyjnitetin, po vërtetohen sot prej kompetentëve të asaj tematike dhe po pranohen si nga një fundament më vete. Madje Ai ka bërë fjalë për çështje të tilla të imta lidhur me hyjnitetin, grumbullimin dhe shpërndarjen e njerëzve ditën e ringjalljes* dhe kaderin, paracaktimin hyjnor - duke ruajtur edhe drejtpeshimin midis tyre - saqë jo vetëm nuk mund t'i rrokë mendja e të parëve dhe e të pasmëve, por, sikur t'i supozonim të paqena deklaratat e ndritshme të Tij, në këto specifika ata s'do të kenë mundësi të thonë qoftë edhe një fjalë të vetme!
Hz. Omeri tregon: "Një ditë, pas namazit të agimit, i Dërguari i Allahut u ngjit në minber dhe foli e foli gjatë. U këndua ezani i mesditës, Profeti drejtoi faljen dhe u ngjit prapë e foli gjersa erdhi koha e pasdites. Pas përfundimit të namazit të pasdites foli prapë gjer në mbrëmje. Për çfarë foli, çfarë tregoi? Eshtë e vështirë të thuhet për gjithçka, por mund të thuhet se preku çdo çështje të padiskutuar gjer atë ditë." Po, kishte filluar nga krijimi i parë, kishte treguar për hedhjen e farës së parë të krijimit në "mitrën" e qenies, kishte folur për trajtësimin e gjithësisë, kishte radhitur një e nga një të gjitha epokat e krijimit gjer te krijimi i njeriut dhe më pas kishte përcjellur te dëgjuesit një e nga një ngjarjet që do t'u bien në kokë njerëzve gjer në kiamet, në ditën e katastrofës së përgjithshme dhe ringjalljes.(78)
Po, ishte zhytur në thellësitë e së shkuarës dhe kishte treguar për të gjithë profetët gjer te Hz. Ademi, madje duke i portretizuar; pastaj, duke e kthyer shikimin në të ardhmen, kishte shpalosur para syve të dëgjuesve çdo gjë gjer te ringjallja, xhenneti dhe xhehennemi.
Mirëpo ai as libër s'kishte lexuar, as dhe në mësimet e dikujt kishte marrë pjesë. Atëherë, si mundej t'i dinte të gjitha këto? Mundej, sepse ishte dikush që ia mësonte dhe se ai ishte, pa asnjë dyshim, Allahu që di çdo gjë!..
Të gjitha çështjet e shpjeguara prej tij, nga qielli te njeriu e gjer te thellësitë e tokës, Oratori i Amshuar ia mësonte atij. Edhe nga njerëzit e sotëm pranohet se ndryshe s'kishte sesi t'i mësonte, gjë që, njëkohësisht, është argument më vete për drejtësinë dhe besnikërinë e Hz. Muhammedit (s.a.v.).
Ai fliste për profetët, i karakterizonte, i portretizonte dhe adhuruesit e librit (krishterët dhe çifutët) e asaj kohe i pranonin të gjitha këto pa bërë asnjë lloj kundërshtimi e pa shfaqur ndonjë pretendim dhe thoshin: "Po, këto gjëra i gjejmë në librat tanë në atë trajtë që i thatë ju!"(79) A nuk është dëshmitar dhe argument për besnikërinë e të Dërguarit të Allahut dhe drejtësinë e vërtetësinë e kauzës së tij fakti që një njeri i cili s'ka lexuar as Teuratin (Testamentin e Vjetër) e Ungjillin e as ndonjë libër tjetër, të flasë mbi të gjithë profetët paraardhës të përmendur në ato libra me të gjitha cilësitë e tyre, madje me hollësi dhe fakti që për këtë ka marrë miratimin e kompetentëve të fushës përkatëse?
Parashtrimi i këtyre specifikave që u përpoqëm ta bëjmë brenda një paranteze, i kapërcen shumë mundësitë e mia. Në fakt, edhe gjendja e lexuesit me mundësi sa të miat, nuk duhet të jetë e ndryshme nga e imja. Që të mund të kuptohen e të trajtohen çështje si kjo, njeriu duhet të jetë i nivelit që të mund të bëjë vlerësimin e tyre. Vetëm se ne, duke u mbështetur në fjalët e personave për të cilët besojmë se janë ngjitur në një nivel të tillë, themi se fakti që qindra mijëra të urtë e shenjtorë të ngjitur shkallë-shkallë drejt përsosmërisë shpirtërore si dhe filozofë e shkencëtarë që e kanë ndriçuar mendjen me dituri, kur i shohin deklaratat e Profetit tonë, pranojnë se deklarata e tij qëndron vazhdimisht në kulmin e çështjes përkatëse, përbën një dimension tjetër të drejtësisë, vërtetësisë dhe besnikërisë së Tij. Po, edhe miratimi i këtyre njerëzve të zgjedhur tregon se në asnjë fjalë të tij ai s'ka thënë ndonjë gjë kontradiktore. Në fund të fundit, fjalët e tij s'kanë qenë fjalët e tij...Ai ka folur gjithmonë në bazë të mesazheve hyjnore, ka bërë përkthimin e revelacionit, prandaj edhe është bërë Mbreti i Fjalës për të gjitha vendet dhe kohët.(80)
Specifika mbi të cilën do të përqëndrohemi ne këtu, është fakti që disa ngjarje të së ardhmes për të cilat ai pati bërë fjalë katërmbëdhjetë shekuj më parë, u realizuan identikisht kur u erdhi koha, gjë që përbën një tjetër argument për vërtetësinë, drejtësinë dhe besnikërinë e thënieve të tij ndaj së vërtetës. Vetëm mendojmë se, pa hyrë ende në temë, do të ishte e dobishme të bënim shpjegime mbi një çështje e cila është interpretimi indryshëm i të fshehtës.(*) Po, edhe kjo është ndër ato çështjet e imta që duhen ndjekur me kujdes.
(78) Myslim, Fiten, 25; Mysned, 5/341.
(79) Myslim, Iman, 271.
(80) "Ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur'ani) s'është gjë tjetër veçse mesazhi hyjnor që i është reveluar." (Kur'ani, Nexhm: 3-4).
(*) Në origjinal: gajb.
- Publikuar më .