Te Drejtat e Njeriut ne Islam
Islami është i ekuilibruar, i hapur dhe universal, në fushën e të drejtave të njeriut. Përjashtuar ata që përpiqen të shkatërrojnë shtetin apo qeverisjen legjitime, ose që i kanë marrë jetën me pahir ndonjërit. Kur'ani na mëson ne se, që t'i marrësh padrejtësisht jetën një njeriu, është një krim kundër tërë njerëzimit (shih: el-Maide, 5:32). Një vlerësim i tillë nuk mund të gjendet në ndonjë fe tjetër ose në ndonjë sistem modern dhe po kështu, një vlerësim i tillë i lartë kurrë nuk është dhënë në jetën njerëzore nga ndonjë komision apo organizatë e të drejtave të njeriut. Islami e pranon vrasjen e një personi si vrasjen e të gjithë njerëzimit, sepse vrasja e një njeriu jep idenë që çdo person mund të vritet.
Biri i Ademit, Kaini, është personi i parë në historinë njerëzore që ka derdhur gjak. Megjithëse, emrat e tyre nuk janë përmendur në mënyrë specifike në Kur'an apo në Sunnet, ne mësojmë nga shkrimet e shenjta të kaluara që një moskuptim zuri vend në mes dy vëllezërve, Kainit (Kabilit) dhe Abelit (Habilit), dhe që Kaini padrejtësisht vrau Abelin thjesht për xhelozi, duke hapur, si rrjedhim, një epokë gjakderdhjeje në historinë njerëzore. Për këtë arsye, në një prej haditheve të tij, i Dërguari i Zotit thotë:
Kur një person është vrarë pa të drejtë, pjesa e mëkatit për këtë vrasje i është kaluar Kainit, sepse ai ishte i pari që hapi rrugën për vrasjen e padrejtë të krijesave njerëzore.[1]
Kjo ngjarje me rëndësi mësimdhënëse është shprehur kështu në Kur'an:
Lexoju (Muhammed) atyre (hebrenjve e të tjerëve) ngjarjen e vërtetë të dy djemve të Ademit kur të dy flijuan kurbanë, nga të cilët njërit iu pranua, ndërsa tjetrit nuk iu pranua. Ai (që nuk iu pranua) tha: "Unë do të të vras ty!" Ai (që iu pranua) tha: "Allahu pranon vetëm prej të sinqertëve dhe, nëse ti e zgjat te unë dorën tënde për të më vrarë, unë nuk e zgjas te ti dorën time për të të vrarë; unë i frikësohem Allahut, Zotit të botërave!" (el-Maide, 5:27-28)
Në vazhdim është dhënë gjykimi:
. . . kush e vret një njeri (pa të drejtë), pa pasë vrarë ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t'i kishte vrarë gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t'i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit. (el-Maide, 5:32)
Ky parim është universal dhe prandaj është i vlefshëm për të gjitha kohërat. Një tjetër ajet deklaron:
Kush e vret një besimtar me qëllim, dënimi i tij është xhehenemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është i zemëruar me të, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh atij. (en-Nisa, 4:93)
Në një tjetër hadith, Profeti ynë shprehet: "Kush është vrarë duke mbrojtur pronën e vet, është një martir. Kush është vrarë duke mbrojtur gjakun (jetën) e vet, është një martir. Kush është vrarë duke mbrojtur fenë e vet, është një martir. Kush është vrarë duke mbrojtur familjen e vet, është një martir."[2] Të gjitha vlerat e përmendura në këtë hadith janë mbrojtur si parime të veçanta në të gjithë sistemet juridike. Këtyre çështjeve u është dhënë rëndësi në librat themelorë që përmbledhin ligjet tona, si të jenë të "domosdoshme." Nga ky kontekst, liria e besimit, jeta, riprodhimi, shëndeti mendor dhe pasuria personale janë elementët më thelbësorë që mund të jenë ruajtur për të gjithë. Islami i sjell të drejtat njerëzore nga këndvështrimi i këtyre parimeve themelore.
Vetëm Islami i nderon krijesat njerëzore me titullin e "zëvendësit të Zotit." Asnjë sistem apo fe tjetër nuk e arrin këtë. Përveç kësaj, Islami shpall që, nga ligjet e Zotit, çdo gjë në qiell dhe në tokë është e dobishme dhe në të mirë të njerëzimit nëse përdoret në një rrugë legjitime. Si mundet që një fe që u ka dhënë një rëndësi kaq të madhe të drejtave njerëzore t'i neglizhojë ato qoftë edhe për një njeri të vetëm? (shih gjithashtu: Islami si një fe e mëshirës universale në këtë libër.)
[1] Buhari, Dijet, 2; Enbija, 1; Muslim, Kasem, 27.
[2] Tirmidhi, Dijet, 22; Ebu Davud, Sunne, 32.
- Publikuar më .