Dashuria, Toleranca dhe Xhihadi ne Jeten e Profetit
Jeta e bekuar e profetit Muhammed, Krenarisë së Njerëzimit, paqja dhe mëshira qofshin mbi të, ishte thurur me fillin e paqes dhe tolerancës, si të ishte një dantellë e bukur. Si fillim, paqja është fundamentale në Islam. Shumë ajete në Kur'an i referohen kësaj çështje. Për shembull, në një prej tyre Profeti është udhëzuar:
Në qoftë se ata anojnë kah paqja, ano edhe ti kah ajo e mbështetu në Allahun. Ai është që dëgjon dhe di. (el-Enfal, 8:61)
Edhe në një atmosferë në të cilën dy ushtritë kanë luftuar kundër njëra-tjetrës dhe është derdhur gjak, nëse armiku e lë luftën dhe dëshiron marrëveshje, atëherë muslimanët janë urdhëruar të mos reagojnë emocionalisht, por të arrijnë në një kompromis, të tregojnë besimin e tyre te Zoti. Prandaj ka qenë sanksionuar një parim universal në lidhje me këtë çështje. Për pasojë, të flasësh rreth luftës ose konfliktit është plotësisht në kundërshtim me parimet morale të një feje që kërkon me forcë marrëveshje dhe pajtim, jo vetëm në kohë paqeje por, madje, edhe në kohë lufte.
Misioni i Profetit ishte të njoftonte besimin siç ishte urdhëruar prej Zotit. Ai e bëri këtë pa ndonjë paragjykim. Kjo ishte e vërtetë në një shkallë të tillë që, Profeti, ky njeri i dashurisë dhe paqes, bisedonte edhe me jobesimtarët më zemërgurë, siç ishin Ebu Xhehli dhe Ukbe ibn Ebu Mu'azhdi, për shumë kohë pa shfaqur ndonjë zemërim. Ai dëshironte që të gjithë njerëzit të ishin në gjendje të ndjenin parajsën në zemrat e tyre. Ai shpesh herë thoshte:
Deklaroje që nuk ka hyjni por Zot, dhe je i shpëtuar![1]
Ajo që synonte ai me këtë, ishte: "Për të arritur kënaqësinë në zemrat tuaja, ndihmoni farën e besimit që ka qenë mbjellur në to për t'u rritur në parajsë dhe siguroni botën tjetër." Njëherë Ebu Xhehli iu përgjigj kësaj ftese pa respekt dhe në mënyrë tallëse: "O Muhammed, nëse je duke e ndërmarrë këtë hap për të na bërë ne dëshmitarë të thirrjes tënde para Zotit, mos më grish në fe përsëri. Unë do të dëshmoj atje!" Ky mosbesimtar gjithmonë përgjigjej pa respekt. Por, me gjithë fyerjet e Ebu Xhehlit, Lavdia e Botës, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, bisedonte rreth Islamit në çdo kohë që ata takoheshin dhe kurrë nuk e ndryshonte qëndrimin e tij shembullor. Fjalët dhe qëndrimet fyese kurrë nuk ndikuan tek ai.
Një ngjarje që tregon për dashurinë e gjerë, dhembshurinë dhe tolerancën e Krenarisë së Njerëzimit për njerëzit, mori jetë gjatë pushtimit të Mekës. Pasi u arrit pushtimi, të gjithë u mblodhën rreth Profetit dhe, duke vështruar në sytë e tij, prisnin që ai të merrte një vendim për fatin e tyre. Pak para momentit të fundit, një grup i vogël midis të cilëve dhe djali i Ebu Xhehlit, Ikrime, kishte kundërshtuar hyrjen e muslimanëve në Mekë. Edhe njëherë, ndjenjat e tyre të dhunës dhe hakmarrjes kishin nxjerrë krye. Në një moment kur atmosfera ishte acaruar së tepërmi, i Dërguari i Zotit i pyeti mekasit që po prisnin me shqetësim: "Çfarë po prisni që të bëj për ju?" Disa nga mekasit që e njihnin mirë se ç'njeri fisnik, i mëshirshëm dhe zemërgjerë ishte ai, nuk u përmbajtën për të shprehur ndjenja e tyre dhe thanë: "Ti je më bujari nga zemërgjerët, më fisniku nga fisnikët!" Qëllimi i Profetit nuk ishte as prona apo pasuria, as sovraniteti apo pushteti, ose pushtimi i vendit. Qëllimi i tij ishte të shpëtonte njerëzit dhe fitimi i zemrave të tyre. Ky njeri i dashurisë dhe mëshirës dha këtë vendim për armiqtë e tij, duke thënë:
Po ju flas si u foli Jozefi vëllezërve të tij. Nuk keni përgjegjësi për veprimet që keni ndërmarrë përpara. Zoti do t' ju falë! Ai është më i Mëshirshmi i të Mëshirshmëve! Shkoni, jeni të gjithë të lirë! [2]
Çfarë nënkuptohej me këtë, mund të shprehet si më poshtë: "Mos vuani nga ndonjë ndëshkim i brendshëm. Unë nuk kam qëllim të dënoj askënd. Qëndrimi i gjithsecilit shpreh karakterin e tij ose të saj. Kjo është mënyra me të cilën unë i trajtoj çështjet."
Pas kthimit në Medine, Ikrime ibn Ebu Xhehli, i cili kishte derdhur gjak edhe gjatë pushtimit të Mekës, ishte bindur nga gruaja e tij Ume Hakimi të kthehej prej andej nga kishte shpëtuar, dhe ishte shpënë përpara Princit të Profetëve, paqja dhe bekimi qofshin mbi të. Përpara se të gjendej në praninë e Profetit, ata që ishin përreth i thanë se nëse do të kërkonte ndjesë, i Dërguari i Zotit do ta falte atë. Sipas të gjitha gjasave, përpara se Ikrime të vinte në prezencën e tij, Profeti i ka këshilluar ata përreth vetes, "Ikrime është duke ardhur. Mos ia lëndoni ndjenjat duke thënë gjëra të pahijshme për babain e tij." Sapo Ikrime u fut brenda, i Dërguari tha ngrohtësisht, "Mirë se erdhe, o i arratisuri me anije!" Duke mos i pritur kurrë këto fjalë të mbushura me dashuri dhe afeksion, Ikrime tha: "Për sa do të jetoj, nuk do ta harroj kurrë këtë qëndrim të Profetit!" Katër vjet pasi Ikrime u bë musliman, u martirizua në Jermuk. Duke pëshpëritur fjalët, "O i Dërguari i Zotit, a e ke gjetur mirësinë që prisje si shpërblim për të këqijat e bëra nga një që emigroi me anije?", ai bashkohej me martirët e tjerë.[3]
Siç e theksova më sipër, thirrja e të Dërguarit ishte misioni i tij për të shfaqur të vërtetat që ai tregonte për të tjerët. Me fjalë të tjera, ishte detyra e tij të praktikonte në jetën e tij gjërat që ai thoshte. Ai gjithmonë e praktikonte një gjë përpara se t'u bënte thirrje të tjerëve për të bërë të njëjtën gjë. Çështjet që ne kemi shpjeguar deri më tani, përmbledhin karakterin e përgjithshëm të Princit të Profetëve, paqja dhe mëshira qofshin mbi të. Megjithëse disa përpiqen me të gjithë forcat e tyre ta keqinterpretojnë ekzistencën e xhihadit dhe nxitjen për xhihad në Kuranin e Shenjtë dhe në Sunnet, ata bien në konflikt me dashurinë dhe mëshirën universale të Profetit tonë. Po, me xhihad mund të kuptohet një luftë e armatosur si një aksion që lidhet me kushte specifike, që nganjëherë është e nevojshme për t'u kryer me qëllim që të mbrohen vlerat e tilla si jeta, prona, feja, fëmijët, atdheu dhe nderi. Gjithashtu nganjëherë është e nevojshme për t'u mbështetur tek lufta, për të larguar pengesat nga udha që drejton në lartësimin e Fjalës së Zotit. Sot këto dy pozita janë vazhdimisht të mjegulluara, nganjëherë janë bërë me synimin për të injoruar dhe nganjëherë qëllimisht. Dashuria, mëshira dhe toleranca, në dimensionet e gjera të tyre, ishin shijuar gjatë Epokës së Lumtur, një periudhë e mbushur me paqe dhe lumturi, një kohë që me fjalët e Profetit ishte, "më i bukuri i shekujve." Si një çështje në fakt, kjo periudhë përfaqëson kulmin e civilizimit Islam. Ishte një kohë e artë kur paqja, dashuria dhe mirëkuptimi kishin zënë pozitat e vërteta në shoqëri.
[1] Ibni Kethir, el-Bidaje ve'n-Nihaje, III, 62-63.
[2] El-Iraki, el-Mugni en Haml'el-Esfar, III, 179.
[3] Ibni Athir, Usd el-Xhebe, III, 567-570; Muttaki el-Hindi, Kenzu'l-Ummal, 13:540-541.
- Publikuar më .