Ç'duhet te Kesh per te Qene Besimtar
Sot, më tepër se për çdo gjë tjetër, ne kemi nevojë për një gjeneratë të ndërgjegjshme në përmbushjen e të gjitha detyrimeve ndaj Zotit dhe për njeriun ideal që mund të drejtojë shoqërinë, ne kemi nevojë për drejtuesin ideal që do ta shpëtojë njerëzimin nga humbëtira e mallkuar e ateizmit, injorancës, gabimit dhe anarkisë dhe që do t'i drejtojë ata me besim, njohuri, destinacion të saktë dhe paqe. Në çdo periudhë rënieje, gjenden mendjet që i ndriçojnë masat nga vuajtjet religjioze, intelektuale, sociale, financiare dhe depresioni moral. Ato mendje kanë riinterpretuar qeniet njerëzore, universin dhe ekzistencën në tërësinë e tyre dhe madje kanë riinterpretuar prejardhjen e ekzistencës, zhdukjen e pengesave në procesin e zhvillimit të mendimit tonë. Shpesh herë njerëzit kanë qepur një këmishë të re me qefinin e tyre. Ata i kanë riinterpretuar çështjet dhe fenomenet për shumë herë me radhë. Ata e kanë thënë përmendësh librin e ekzistencës, një libër i cili në perceptimin e mendjeve të cekëta ka humbur ngjyrën dhe shkëlqimin e tij dhe ka marrë një pamje të zbehtë sikur të ishte muzikë, me një ndjenjë dhe mendim shumë të thellë, duke e vëzhguar jo vetëm për t'u mburrur. Ata kanë nxjerrë në shesh të vërtetat e fshehura në zemër të universit duke i analizuar çështjet hap pas hapi, paragraf pas paragrafi.
Cilësitë më të çmueshme të njerëzve të tillë këmbëmbarë janë besimi i tyre dhe përpjekjet për të nxitur të tjerët që ta përjetojnë këtë besim. Me besimin dhe përpjekjet e tyre, ata besojnë që do të jenë në gjendje të mposhtin çdo gjë dhe të mbërrijnë tek Zoti, besojnë që mund të arrijnë paqen e vërtetë dhe besojnë se janë të aftë ta kthejnë këtë botë në një parajsë dhe standartet e tyre të lartësohen në Eden, Parajsë. Kënaqësia për destinacionin e tyre i bën ata ta kuptojnë jetën dhe shërbimin ndaj veprave dinjitoze si një udhëtim në luginat e parajsës.
Në të vërtetë, me të gjithë veçoritë dhe ndërlikimet që mund të kenë, asnjë sistem tjetër, doktrinë, ose filozofi, nuk ka një ndikim të tillë pozitiv te njerëzimi, siç ka besimi. Kur besimi hyn në zemrat e njerëzve duke u bërë pjesë e qenies së tyre, mendimet që lidhen me universin, objektet dhe Zotin, ndryshojnë menjëherë dhe para tyre shtrihet pafundësia që i lejon ata ta vlerësojnë të gjithë ekzistencën sikur të jenë faqet e një libri të hapur. Të gjithë këta njerëz, që kanë vështruar përreth gjërat që deri më tani nuk kanë zgjuar interesin e tyre, gjithçka që ka qenë e pajetë dhe e pakuptimtë deri në këtë ditë, menjëherë gjallërohen dhe tani shfaqen si miq e bashkëpunëtorë dhe këto gjëra i përqafojnë ata. Në këtë atmosferë që të ngroh zemrën, njerëzit e shohin vetveten të jetë një masë për vlerat e tyre, ata kuptojnë që janë një pjesë e ndërgjegjshme dhe unike e ekzistencës, ata i pranojnë me dëshirë të fshehtat, udhët gjarpëruese mes fletëve dhe rreshtave të universit, ata e ndjejnë që janë pranë kuptimit të sekreteve që shtrihen poshtë velit që ka mbuluar gjithçka. Atëherë ata janë plotësisht të lirë nga qelia e ngushtë e kësaj bote tredimensionale, duke e gjetur vetveten në kërkim të amshimit.
Në të vërtetë, të gjithë besimtarët, përmes mendimeve që gjenden në thellësi të identitetit të tyre dhe në përputhje me shkallën e besimit të tyre, bëhen të pakufizueshëm brenda caqeve të tyre. Edhe nëse janë kufizuar në hapësirë dhe kohë, bëhen modele të krijesave të pakufizuara, ngjiten në rangun e qenieve që janë në kufijtë e hapësirës, duke ndjekur melodinë e engjëjve. Këto krijesa, krijuar nga uji, nga ç'duken të jenë një copë mishi pa formë - që ngjan të jetë një krijesë e pavlerë, por çfarë është në realitet, e vërteta e madhe - fitojnë një rëndësi të tillë që toka bëhet stacioni për zbulimin e frymës hyjnore që përmban shpirti i tij apo i saj. Dhe, ata bëhen qenie të tilla që nuk janë larg përputhjes mes qiellit dhe tokës, krijesa transhendente që shtrihen në të dy polet.
Ata ecin krah për krah me ne, qëndrojnë me ne, ata vënë këmbët atje ku ne kemi shkelur dhe vënë kokën në të njëjtin vend me ne kur falen, por i drejtojnë të bashkuara këmbët dhe kokën e, kështu, bëhen një sferë. Ata shtrihen përpara Zotit, vënë vetveten karshi Zotit si një platformë në rrugën për të qenë i afërt me Atë dhe arrijnë horizontin për t'u bërë një nga të afërtit e Zotit në çdo hap. Ata përplasin flatrat në të njëjtin qiell si shpirtrat dhe jetojnë si krijesa qiellore në një gjendje njerëzore. Zemrat e tilla lënë mënjanë individualitetet me evoluimin dhe ekspansionin e ndjenjave njerëzore, ata bëhen, në një rrugë, një personalitet kolektiv dhe hapin krahët për të gjithë besimtarët, ata shtrëngojnë duart me çdo njeri dhe përshëndesin plotësisht krijimin me çiltërsinë e ndjenjave të tyre. Ata vështrojnë ngjyrat, ruajnë trajtat dhe janë të vetëdijshëm për tingujt e vizionit hyjnor në çdo gjë dhe në çdo njeri që kanë hasur, ata dëgjojnë tingujt qiellorë në çdo frekuencë të mundshme dhe ngjan sikur mund të ndjejnë përplasjen e krahëve të engjëjve. Ata shikojnë, ndjejnë dhe dëgjojnë me një ceremoni të tillë të madhe të bukurive: nga gjëmimet e lemerishme të rrufeve, te këngët e reveluara të zogjve, nga dallgët shkatërrimtare të detrave, te zhurma e ëmbël e lumenjve e cila të ngjall ndjenjën e amshimit, nga jehona e magjishme e pyjeve të vetmuar, te madhështia e majave të thepisura që ngjan të kenë kapur qiejt, nga puhitë magjiplota që duket sikur përkëdhelin kodrinat e blerta, te kundërmimi magjepsës që shpërthen nga trëndafilishtet dhe përhapet ngado, ata shprehen "kjo duhet të jetë jeta". Ata përpiqen t'i japin frymës së tyre vlerat e merituara me anë të lutjeve dhe duke shprehur e soditur Emrat e Bukur të Zotit.
Ata hapin e mbyllin sytë, ballet e tyre janë gjithmonë duke prekur dyshemenë, duke parashikuar një vështrim të njohur nga pragu i derës që shpresojnë të hapet dhe vëzhgojnë të dëshiruar në krahun tjetër të derës, në pritje të orës së lumtur kur çoroditja dhe përmallimi do të largohen dhe paqja e afërsia do të mbështjellin shpirtrat e tyre si një hajmali e shenjtë. Ata përpiqen të gjejnë burimin e kënaqësisë për dëshirën e ribashkimit në shpirtin e tyre. Ata vrapojnë drejt Zotit, herë pas here duke fluturuar, nganjëherë duke çaluar, të njësuar me gjithsecilin dhe me gjithçka. Ata provojnë gëzimin e një "nate dasme"[1] nën hijen e ribashkimit në çdo vendqëndrim, duke shuar zjarrin e përmallimit tek njëri-tjetri në çdo kthim dhe në çdo moment që ata kanë ndezur një zjarr të ri, dhe fillojnë të digjen. Kushedi për sa kohë ata do ta shohin vetveten të rrethuar me frymën e "intimitetit hyjnor" dhe zemrat e tyre do të jenë plagosur nga mendimi për vetminë dhe tragjedinë e atyre që nuk mund ta ndjejnë këtë frymëzim.
Në të vërtetë, shpirtrat që kanë një horizont kaq të hapur, e ndjejnë vetveten të jetë gjithmonë në një trampolinë kërcimi drejt botërave të reja, gjithmonë të tendosur me një vendim dhe vendosmëri për të kapërcyer normat njerëzore. Ata mendojnë se cilat janë aftësitë ekstra që do të përfitojnë, dhe çfarë suksesesh do të arrijnë me besimin dhe forcën që e mbështet atë. Ata kanë të njëjtin vrull pa ndjerë lodhje, me horizontin dhe perspektivën e tyre të hapur gjithmonë dhe me zemrat në paqe. Në çdo vendqëndrim, marrëdhënia e tyre me mjedisin bëhet më e fortë dhe më e thellë. Ata mund të jenë ose jo të vetëdijshëm për atë, por kur dëgjojnë shpirtrat e tyre, vështrojnë vetveten në një faqe mali të pambarim me paqe. Pavarësisht nga motivet e shumta për dëshirimin dhe vetminë që kanë dëshmuar në njerëzit e tjerë, ata kurrë nuk ndjejnë agoninë e rrugës apo të përmallimit sepse e dinë prej nga kanë ardhur, pse dhe për ku janë drejtuar dhe janë të ndërgjegjshëm për të gjitha korrjet dhe shpërndarjen në botë, gjithashtu të vetëdijshëm se vrapojnë në një udhë të veçantë me një synim dhe objektiv të pandryshueshëm. Ata as ndjejnë lodhjen e rrugës, as provojnë frikën, brengat, ose mundimet që njerëzit e tjerë kanë përjetuar. Ata besojnë në Zot, përparojnë me shpresë dhe provojnë gëzimin për arritjen e majës që mban ëndrrat e kaltra të së nesërmes.
Vërtet, përgjatë rrugëve në të cilat bota përparon, këta heronj kalorësiakë të besimit bëjnë udhën e tyre sipas shkallës së besimit, sikur janë endacakë buzë luginës së parajsës, nuk thithin asgjë veç paqes. Në anën tjetër, përmes pranimit të tyre tek Zoti, ata mund ta sfidojnë tërë universin, të mposhtin çdo vështirësi, dhe nuk bien në dëshpërim edhe nëse shohin shkatërrime kudo. Ata nuk tërhiqen të tmerruar edhe nëse mbrapshtitë shfaqen para tyre. Ata gjithmonë e mbajnë kokën lart dhe kurrë nuk përulen përveç para Zotit. Ata nuk pranojnë asgjë nga asnjeri, nuk kundërshtojnë asgjë prej ndokujt dhe as e bëjnë veten borxhli të askujt. Kur ata janë ngadhënjimtarë dhe arrijnë suksese njëri pas tjetrit, dridhen nga frika për mirëkuptimin që është në fakt një provë për devotshmërinë dhe nënshtrimin te Zoti, ndërsa në të njëjtën kohë ata janë të përulur me mirënjohje dhe lotët u rrjedhin nga gëzimi. Ata e dinë si të jenë të duruar kur humbasin dhe janë të tendosur me vendosmëri. Ata fillojnë udhëtimin e tyre përsëri me një dëshirë të papërmbajtur. Ata nuk bëhen arrogantë ose mosmirënjohës karshi zemërgjerësisë apo të bien në dëshpërim kur përjashtohen nga të drejtat e tyre.
Ata mbajnë një zemër profetike në shkëmbimet e tyre me njerëzit. Ata duan dhe përkrahin çdo njeri, mbyllin një sy për dobësitë e të tjerëve, ndërsa në të njëjtën kohë janë në gjendje të hetojnë të metat e tyre më të vogla. Gabimet e njerëzve përreth tyre i falin jo vetëm në kushte normale, por edhe kur janë të zemëruar. Ata dinë si të jetojnë në paqe edhe me shpirtrat më të irrituar. Në fakt, Islami i këshillon ndjekësit e tij të falin sa më shumë të jetë e mundur dhe të mos bien pre e ndjenjave të urrejtjes, mërisë ose hakmarrjes. Në çdo rast, është e pakonceptueshme që ata të cilët janë të ndërgjegjshëm se gjenden në udhën drejt Zotit, duhet ose mund të jenë në një rrugë tjetër. Të qëndrosh në ndonjë drejtim tjetër ose të mendosh në ndonjë mënyrë tjetër, është jashtë çdo diskutimi. Përkundrazi, gjithë veprimtaria e tyre ka synuar t'u sjellë përfitim dhe dobi të tjerëve, ata dëshirojnë lumturinë e të tjerëve dhe përpiqen të mbajnë gjallë dashurinë në zemrat e tyre duke vazhduar një betejë të pafundme kundër urrejtjes dhe smirës. Ata ndjejnë afshin e dobësive dhe mëkateve të tyre duke u djegur me pendesë, dhe shtrëngojnë të keqen për gryke në pak kohë për çdo ditë. Ata e fillojnë punën e tyre me vullnet dhe bëjnë gati tokën për të mbjellur kudo fidanët e mirësisë dhe bukurisë. Në gjurmët e Rabi'a el-Adevija-s, ata pranojnë gjithsecilin dhe gjithçka si një shurup të ëmbël, edhe po të jetë helm. Edhe kur janë afruar me urrejtje, mirëpresin me buzëqeshje dhe zmbrapsin ushtritë më të mëdha me armën e palodhur të dashurisë.
Zoti i do këta njerëz, dhe ata e duan Zotin. Ata janë gjithmonë të zgjuar nga gjallëria e dashurisë dhe përjetimi i gëzimit verbues që buron nga ndjenja e të qenët i dashuruar. Krahët e tyre me përulësi qëndrojnë gjithmonë në tokë dhe ata nevojitet të bëhen ushqim pjellor me qëllim që të arrijë gëzimi kur trëndafilat të çelin. Aq sa janë të respektueshëm për të tjerët, po aq ata vlerësojnë respektin e tyre. Ata kurrë nuk lejojnë zemërbutësinë, mëshirën, fisnikërinë dhe përsosjen e tyre të jetë interpretuar si një dobësi. Ata kurrë nuk i kushtojnë vëmendje qortimit apo vlerësimit për njerëzit e tjerë. Siç jetojnë në përputhje me besimin e tyre, ata nuk kujdesen vetëm që atlasit të mendjes së tyre të mos i humbë shkëlqimi, për ata është e rëndësishme të jenë besimtarë të devotshëm!
[1] Term që Rumi përdor për vdekjen.
- Publikuar më .