Sportet dhe Procesi i Dialogut
Eshtë e vërtetë që konceptet për demokracinë, paqen, dialogun dhe tolerancën janë përhapur kudo në botë për shkak të zhvillimit të shpejtë që kanë marrë mjetet e komunikimit. E rëndësishme është që këto koncepte të shpalosen akoma më shumë dhe çdokush të përfitojë prej tyre dhe për këtë, përgjegjësitë, si ato personale po ashu edhe ato shoqërore, bien mbi të gjithë njerëzit.
Në lidhje me këtë çështje, një nga fushat që mund të japë një kontribut të çmueshëm në transmetimin e këtyre koncepteve dhe që mund të ndikojë fuqishëm tek shoqëria, pa dyshim që është sporti. Të gjitha llojet e sporteve, në të vërtetë, gjithçka që ka lidhje me sportin, janë përçues të menjëhershëm nga njëra anë e globit në tjetrën. Sigurisht që ka mënyra të tjera më konvencionale për të përhapur idetë, por duke synuar në këtë drejtim, ne mund të ndihmojmë në përhapjen e ideve të dialogut dhe tolerancës, ide që ne besojmë se janë më thelbësoret për t'u njohur nga gjithsecili për hir të mirëqënies së popullit tonë dhe të mbarë njerëzimit.
Për shembull, një ndeshje futbolli mund të jetë një rast shumë i mirë për t'u shfrytëzuar. Ndeshja do të sjellë kënaqësi tek spordashësit që e ndjekin dhe në të njëjtën kohë, pa ndonjë vështirësi, vlerat njerëzore mund të shfaqen lehtësisht. Eshtë e rëndësishme që këtë 90 minutësh ta shfrytëzojmë në këtë drejtim. Për shembull, siç ndodh gjithmonë në një takim sportiv, fitimtarët dhe të humburit gjenden në të njëjtën fushë, së bashku, duke shtrënguar duart dhe duke shfaqur sportivitetin për të gjithë të pranishmit. Sjellja e tyre reflekton qëndrimin e sportdashësve në terrenin sportiv. Ky mund të jetë një mësim i çmueshëm për tifozët që herë pas here janë të prirur të djegin ndenjëset, të shajnë njëri-tjetrin ose edhe të sulmojnë kundërshtarët me armë. Për ta mund të jetë shumë e dobishme ta shohin dhe ta trajtojnë sportin në një këndvështrim që rrezaton ndjenjat dhe synimet më të mira. Edhe nëse spektatorët sot nuk respektojnë faktin që lojtarët shtrëngojnë duart para se të lënë fushën, do të jetë qëndrimi i futbollistëve që do të thyejë urrejtjen dhe shpirtin hakmarrës të tyre, ose më e pakta, do ta neutralizojë atë. Në këtë kohë, për këtë ka nevojë bota e dëshpëruar.
Si brenda, ashtu edhe jashtë terreneve sportive, ca njerëz kanë dëshirë të krijojnë përplasje dhe herë pas here, stadiumet përfshihen nga konfliktet, për pasojë, ata nuk dëshirojnë dialogun ose përmirësimin e marrëdhënieve njerëzore. Për këtë arsye, ne duhet të jemi shumë të matur. Çdo veprim i ndërmarrë duhet të ketë një kuptim të caktuar, të kërkohet sinqeritet dhe prioritet duhet të ketë arsyeja dhe gjykimi i shëndoshë. Për më tepër, çdo profesioni duhet t'i jepen meritat e tij dhe qëndrimi të jetë në përputhje me to. Një imam e vë në përdorim zërin e tij në xhami, por një yll kinemaje, një aktor, ose një autor nuk mund të veprojë në të njëjtën mënyrë. Aktori i jep përparësi gjuhës së trupit ose artit aktorial, ndërsa autori, stilit të të shkruarit dhe shkrimit të ideve në një mënyrë letrare. Gjërat janë të ndara në këtë formë, ndryshe, ndikimi dhe efektet e mesazhit do të jenë zvogëluar dhe nuk do të sjellin përfitime. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sportet. Një atlet duhet të tregojë aftësitë e veta përmes suksesit, sjelljes njerëzore dhe duke jetuar në mënyrë shembullore.
Fatkeqësisht, rëndësia e disa vlerave sot akoma nuk është perceptuar. Njerëzit kanë një nevojë të madhe për fenë ashtu siç kanë nevojë për bukë e ujë, për paqe dhe siguri të mbrojtur nga besimi dhe për garantimin e një jete të përtejme. Unë besoj që kur këto fakte të jenë shpjeguar saktë, atëherë nuk do të ketë dyshim në këtë çështje. Shumë njerëz anë e kënd botës duan të kontribuojnë në emër të Islamit. Por kur ky subjekt i rëndësishëm është ofruar në një mënyrë të rëndomtë dhe aspak korrekte, urrejtja është thirrur në vend të dashurisë dhe hendeku i pakalueshëm është shfaqur midis njerëzve. Akoma, nga Islami është shpresuar dhe është e nevojshme të jetë një urë midis njerëzve si edhe një faktor që hap shtegun për të kaluar humnerën.
Nëse nuk u përgjigjemi atyre që kanë zgjatur duart për të shfaqur dashurinë dhe respektin e tyre, ne do të bëhemi të papëlqyeshëm. Në fakt, ne do të bëhemi shkaktarë për ngjarje të pahijshme më pas. Shkurt, mund të themi që sporti është një faktor i rëndësishëm në arritjen e dialogut dhe tolerancës shoqërore, nëse është zhvilluar në drejtimin e duhur.
- Publikuar më .