Humanizmi dhe Dashuria per Natyren Njerezore

Dashuria nuk është vetëm një nga temat më të frekuentuara në diskutimet e ditëve tona, ajo është gjithashtu një prej debateve më esenciale. Në të vërtetë, dashuria është një trëndafil në besimin tonë, një mbretëri për zemrat që kurrë nuk vyshken. Mbi çdo gjë tjetër, vetëm Zoti i paanshëm e thur universin si dantellën në avlëmendin e dashurisë, muzika më mahnitëse dhe më magjiplote në gjirin e jetës është gjithmonë dashuria. Marrëdhënia më e fortë midis individëve që i jep formë familjes, shoqërisë dhe kombit është dashuria. Dashuria universale shfaqet vetë kudo në kozmos, në faktin që çdo pjesëz ndihmon dhe mbështet një pjesëz tjetër.

Kjo është e vërtetë në një shkallë të tillë që faktori më kryesor në thelbin e ekzistencës është dashuria. Si një zë i veçantë në korin universal, pothuajse veprimi dhe sjellja e çdo krijese në mënyrën e njohur të tij, në harmoni me motivin magjik që e ka marrë prej Zotit, është një melodi për dashurinë. Nëse ky shkëmbim me dashuri prej ekzistencës te ndjenjat njerëzore dhe prej një krijese në një tjetër, ka zënë vend përtej dëshirave të tyre, kjo ndodh sepse Vullneti Hyjnor i zotëron tërësisht ata.

Prej kësaj perspektive, njerëzimi “në mënyrë të ndërgjegjshme” merr pjesë në këtë simfoni që po luhet në ekzistencë. Nga shfaqja e dashurisë në natyrën e vet të vërtetë, qeniet njerëzore hetojnë se si mund ta demonstrojnë atë në një rrugë njerëzore. Prandaj, pa shpërdorimin e dashurisë në mendjen e tyre dhe për hir të saj në karakterin e tyre, çdo njeri duhet të ofrojë ndihmën dhe mbështetjen e vet të vërtetë për të tjerët. Njerëzit duhet ta mbrojnë harmoninë e përgjithshme që ka qenë vendosur në thelbin e ekzistencës duke marrë parasysh si ligjet e natyrës, ashtu dhe ligjet që janë bërë për të administruar jetën njerëzore.

Humanizmi është një doktrinë për dashurinë dhe ndjenjat njerëzore, artikuluar në mënyrë të pamatur këto kohë, dhe që ka një potencial lehtësisht të manipulueshëm nëpërmjet interpretimeve të ndryshme. Disa qarqe provojnë të imponojnë një kuptim të turbullt dhe abstrakt të humanizmit për popujt e hutuar prej xhihadit në Islam dhe dyshimeve të lindura në zemrat e tyre. Duhet të jetë e vështirë të përputhësh me humanizmin qëndrimin e çuditshëm të kampionëve të “mëshirës dhe dhembshurisë”, për ata që janë përzier në anarki dhe terror për të shkatërruar unitetin e një vendi, me ata që kanë vrarë pa mëshirë njerëz të pafajshëm si një pjesë e veprimtarive shumëshekullore që synojnë shkatërrimin e mirëqenies për një komb, dhe akoma më keq, për ata që e bëjnë këtë në emër të vlerave fetare, për ata të krisur që akuzojnë Islamin për lidhje me aktet terroriste.

Çdo besimtar duhet të ndjekë të Dërguarin e Zotit, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, në kumtimin e së vërtetës. Ata kurrë nuk duhet t'i braktisin njerëzit që përcjellin parimin e lumturisë në të dy botët. Bashkëpunëtorët dhe shokët e Profetit, të quajturit sahabet, të cilët si një bashkësi, janë një shembull i gjallë i mishërimit të së vërtetës prej Profetit, janë bërë shembulli i maturisë dhe ekuilibrit në çdo çështje.

Disa njerëz të veçantë prej gjeneratës fatbardhë që menjëherë ndoqën sahabet, shkuan te Kalifi për të mësuar se si do ndëshkoheshin nëse aksidentalisht do të shtypnin një karkalec. Kur vështrojmë në muret e jashtme të xhamive dhe minareve tona që rrezatojnë dritë, shikojmë gropëza që janë bërë për zogjtë për të zënë vend në to, kjo është shprehje e thellësisë së dashurisë të të parëve tanë. Historia është ndërthurur me shumë akte të tilla humane: vepra që mbrojnë kafshët si edhe njerëzit.

Në strukturën e parimeve universale të Islamit, shqyrtimi dhe mendimi për dashurinë është shumë i ekuilibruar. Shtypësit dhe agresorët e kanë mohuar këtë dashuri, sepse pikërisht shfaqja si e dashurisë, po ashtu edhe e mëshirës, i ka bërë shtypësit më agresivë, gjithashtu i ka inkurajuar ata të shkelin të drejtat e të tjerëve. Për këtë arsye mëshira nuk duhet të shfaqet te popujt që kërcënojnë dashurinë universale. Shfaqja e mëshirës për një shtypës është veprimi më i pamëshirshëm ndaj të shtypurit. Kështu, ne duhet të shfaqim mëshirë për ata që gabojnë pa dashje ose që ndjejnë pendim për gabimet e tyre. Profeti ka thënë:

Ndihmoni vëllezërit tuaj nëse ata janë shtypës ose viktima. Ju mund t'i ndihmoni shtypësit duke i bërë ata të ndalojnë shtypjen e tyre (për të tjerët)![1]


[1] Buhari, Mezalim, 4; Tirmidhi, Fitn, 68.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.