Apel per Meshire
Dhe, përsëri, në lidhje me të njëjtin vështrim të zvetënuar, çështjet nuk kanë lidhje me realitetin fizik ose, e thënë ndryshe, trupi nuk ka asnjë kuptim. As e kaluara dhe as e ardhmja nuk përmbajnë ndonjë domethënie. E kaluara dhe e ardhmja janë thjesht strehë në të cilën ata që kanë humbur të sotmen, mund të gjejnë mbrojtje. Ajo që njerëz të tillë e konsiderojnë si thelbësore, është e sotmja, çfarë ekziston përtej saj, e shohin si djerrinë të kohës.
Vërtet, këta njerëz, të burgosur në një perspektivë të tillë të kufizuar, nuk janë të gatshëm të kuptojnë thënie të tilla si, "Nëse ju do të dinit atë që di unë, ju rrallë do të qeshnit dhe shpesh do të qanit."[1] Megjithatë, Mbreti i botërave, Profeti që e shqiptoi këtë hadith, e dinte mirë pse e kishte thënë hadithin, pikërisht për pjekurinë e mendjeve të tyre, i mbushur vetëm me besim, dije dhe dashuri hyjnore dhe i përgatitur me armatimin e tyre për amshim, gjithashtu në dijeni pse ata po qanin dhe çfarë po kërkonin. Janë shumë arsye që i bëjnë të tillë njerëz të qajnë.
Si besimi, ashtu edhe qetësia e gjetur - një problem për të cilin çdokush është i interesuar - apo rreziku për qeniet e mbytura në mosbesim, janë një mizëri problemesh që kërkojnë zgjidhje sociale, ekonomike, politike, dhe kulturore. Janë çështje që padrejtësisht janë konsideruar të jenë burimi i turbullimit të shoqërisë. Janë të drejtat që kanë nevojë të rirespektohen dhe rishpërndahen në harmoni me vlerat humane dhe përgjatë parimeve të drejtësisë dhe ndërgjegjes. Janë shpresat dhe idealet tona të lidhura me amshimin dhe, në kundërshtim me këto, janë pengesat antidemokratike që nuk mund të jenë duke soditur, si edhe propaganda e pushtetit. Në shumë vende, akoma emocionet dominojnë mbi arsyen dhe urdhrat jepen në përputhje me çmendurinë e pushtetit. Në shumë pjesë të botës, gabimet njerëzore
dhe aktet që janë konsideruar të gabuara fshihen akoma me gjak dhe lot. Njerëzit, kohë pas kohe, tërhiqen me forcë nga drejtimi i parajsës, ose shtyhen me dhunë në drejtim të ferrit, nga forca e vullnetit të tyre dhe opinionet e shpërfillura. Kampe të reja ngrihen çdo ditë, çdo ekip lufton për perspektivën ose për urdhrat e tyre, çdo ideologji pasqyron një mënyrë jetese që u shkon për shtat parimeve të tyre. Për më tepër, njerëzit janë detyruar të përshtaten në këtë kornizë të ngushtë dhe të jetojnë në përputhje me të. Anembanë botës, në qindra vende, ndërgjegjet personale janë akoma ndjesi të shtypura, dëshira për bashkësi është akoma krijesë e injoruar dhe sytë e ndërgjegjes janë akoma krijesa të verbuara.
Në fakt, rruga më e shkurtër për të lehtësuar dhimbjet e tyre dhe për t'i shpëtuar nga shtypja shoqërore dhe personale, është të ndërpresësh manipulimin me ndërgjegjen e tyre dhe t'u tregosh atyre si të jetojnë me vetëdijen dhe vullnetin e vet. Vërtet, vetëm kur mekanizmi i ndërgjegjes është mbajtur gjallë dhe forca e vullnetit dhe vetëdija janë respektuar në shoqëri, ka qenë e mundur që njerëzit të jenë mirëdashës dhe të jenë orientuar në drejtim të vlerave humane. Individët mund të vlerësohen si qytetarë të vërtetë vetëm kur jetojnë me ndërgjegjen dhe forcën e vullnetit të vet, kështu që rritja e maturuar është e mjaftueshme për të ndihmuar shpirtërisht të tjerët. Ndryshe, shoqëria është e goditur ashmangshmërisht nga një larmi problemesh sociale, politike, administrative, dhe ekonomike. Një komunitet, që është parapërgatitur në mënyrë të pamjaftueshme, i pathemeltë ose me modele të arnuara së bashku, nuk mund të quhet një komb. Gjithashtu, një popull që paraqitet si një komb, i cili megjithatë është zhvlerësuar përtej rimëkëmbjes, nuk mund të premtojë një të ardhme të ndritur. Nëse ne duam shërim si një shoqëri e tërë, është thelbësore që të gjithë individët të jenë të gatshëm dhe të motivuar.
Ylli i fatit të mbarë për shoqërinë tonë do të shfaqet çuditërisht në një formë lehtësuese nëse ne do të lutemi për shpëtimin e të tjerëve sup më sup, me duart tona hapur drejt qiellit.
Esenca e parimeve themelore, që na ndihmon të arrijmë pjekurinë e duhur, është kompozuar për qeniet tona të vetëdijshme për besimin me gjithë thellësitë e posaçme të tij, për nënshtrimin ndaj dhimbjeve dhe përpjekjeve në adhurimin tonë, për të qenë me etikë në të gjithë veprimtarinë tonë, për të qenë shpirtërisht, në mënyrë të ndërgjegjshme dhe ndjeshmërisht të rivitalizuar dhe për të dërrmuar çdo gjë kundër drejtësisë së zemrës. Të ndriçuar, ne do të kapërcejmë kufijtë e individualitetit, do të pretendojmë në përputhje me këto parime dhe, gjithashtu, do të jemi të vetëdijshëm për gjërat që kërkojmë.
Duke shkuar një hap më përpara, ne do të jemi në gjendje të lidhim çdo gjë me amshimin dhe të vlerësojmë gjithçka me kriteret supreme. Kështu që, pjesmarrës në të gjithë avantazhet e natyrës njerëzore, ne do të jemi të aftë edhe njëherë tjetër të shprehim përshtatshmërinë tonë "në formën dhe natyrën më perfekte" siç jemi ne, njerëzit. Unë besoj që të bekuarit tanë që e kuptojnë këtë pikëpamje kryesore, nuk do të orvaten vetëm të drejtojnë të tjerët në udhën e drejtë, por gjithashtu do të garantojnë edhe të ardhmen e tyre.
Unë e ndjej për detyrim ta ripërsëris për shpjegim që projektet personale të cilat nuk janë të planifikuara të ndihmojnë komunitetin, janë të dënuara që të dështojnë. Përveç kësaj, nuk është e mundur të ringjallen vlerat që janë rrënuar në zemrat për individualitet në shoqëri, në ndërgjegje ose në forcën e vullnetit. Pikërisht, planet dhe projektet për rrugëdalje personale që janë të shkëputura nga përpjekjet e shpëtimit për të tjerët, nuk janë gjë tjetër veçse një iluzion, prandaj edhe synimi për arritjen e suksesit të paralizuar tërësisht nga vetëdija individuale, është një fantazi.
Në këtë frymë, ne besojmë që, duke u qartësuar në vetëdijen dhe vullnetin tonë për faktin që gjithsecili e ka veten në duart e veta, por duart duhet të jenë të bashkuara, ne të mund t'i zgjidhim të gjitha problemet me një ndërgjegje dhe vullnet të përbashkët. Duke u sjellur në këtë mënyrë, ne shpresojmë të mbajmë, dhe madje të shtojmë, shterpësinë e jetëve tona individuale ndërsa u tregojmë të tjerëve eliksirin e jetës, dhe, prandaj me siguri rriten vlerat tona fizike dhe shpirtërore. Për ne, plani më shumë se vetmohues ose një përpjekje, është drejtuar në më të shumtën për ardhmërinë e të tjerëve, kështu ai është më i qëndrueshëm dhe më premtues. Kjo është e vërtetë sepse ajo çfarë e mban një njeri në jetë, është synimi për të lartësuar të tjerët. Në kundërshtim me këtë, është interesi vetjak që vret ose paralizon krijesat njerëzore. Ata që rrënojnë jetën e tyre në kërkim të interesave personale janë herët ose vonë të zvetënuar, ndonëse nuk janë përfshirë medoemos në veprimtari të ndyra. Ata që kanë qëndruar në jetë, të motivuar për zgjimin e të tjerëve, ecin të sigurt të pajisur me eliksirin e jetës, atje ku gjithë të tjerët janë hedhur përreth si krijesa të braktisura. Të tillë janë njerëzit që janë caktuar me "kënaqësi" në këtë maratonë për të fituar vend në këtë botë dhe në tjetrën.
Shoqëria, për politikanin i cili ngjan të ketë miratuar ekzistencën dhe të drejtat e jetës për të tjerët vetëm sepse ata i shërbejnë interesave personale të tij apo të saj, kurrë nuk mund të jetë e besuar, ose ndokush të jetë i pacënueshëm kur politikanë të tillë janë kundërshtarë. Njerëz të tillë mendojnë gjatë gjithë kohës për interesin e tyre personal. Kjo është arsyeja që i bën ata të lajkatojnë dhe t'i nënshtrohen vetvetes për tekat ndaj njerëzve të tjerë. Njerëz të tillë i shtypin, po të jetë nevoja, edhe ata për të cilët kanë nevojë, edhe ata me të cilët kanë komplotuar vazhdimisht. Kur vijnë në pushtet, këta tiranë janë të pamëshirshëm, kurse, kur bien nga fuqia, fillojnë të përulen dhe të lëpihen. Sepse janë vazhdimisht të pasinqertë, ata janë përgjithësisht të dërrmuar nga mashtrimet e veta, duke përgatitur të keqen e tyre dhe fundin e zi. Ata shtyjnë vetveten të besojnë që janë gënjyer dhe mashtruar nga çdokush dhe që po bëjnë më të mirën. Këta politikanë të gjorë, ndonëse e kanë vënë veten në një pozitë të jashtëzakonshme, shkatërrojnë reputacionin e tyre për hir të karrierës. Një intelekt i tillë i gënjeshtërt, dëshmuar në disa njerëz, është një çrregullim shumë serioz dhe një sëmundje psikologjike e pashërueshme. Njerëzit e këtij soji, përpiqen gjithmonë për interesat personale, pavarësisht nga fakti që nuk vlejnë për asgjë. Megjithë përpjekjet, ata nuk mund të fitojnë një reputacion apo autoritet në karrierën e tyre, por përfundojnë të përulur, të rrahur e të shkelmuar.
Në anën tjetër, çfarë shtrihet në rrënjët e sjelljes së njerëzve për të ndihmuar të tjerët, është një kohë e gjatë me vuajtje të shumta, ndjekur prej një apeli për mëshirë, që ka si synim kërkimin e të drejtave njerëzore. Ky apel pothuajse gjithmonë shtrihet përtej përgjegjësive individuale, tejkalon kufijtë e dijeve për përgjegjësitë shoqërore me një sinqeritet të thellë dhe është një mision i përshtatshëm për zemrën e një njeriu. Njerëzit me zemër të madhe janë të parët në çdo akt humanitar, reflektojnë sjelljen e tyre në vendet e punës dhe janë të hapur e të ndershëm gjatë gjithë jetës. Edhe
pse rrethanat mund të jenë jo të favorshme dhe të padurueshme, njerëzit e tillë janë të vendosur të mos shmangen nga rruga në të cilën janë drejtuar dhe mbështetur në parimet e tyre, ata nuk ndjehen të humbur. Me gjithë ndjenjat e tyre, ata janë programuar ta shikojnë dhe ta dëgjojnë Zotin në një drejtim të sigurtë, ta njohin dhe të jenë me Zotin. Këta njerëz u përkasin të dy botëve, pasi duke bashkëpunuar me të tjerët, nga këndvështrimi i lartpërmendur, mund të konsiderohen se janë lidhur me Zotin. Me sa duket, është e mundur të vëzhgosh zenitin e botës së përtejme nga kjo zgjedhje e interesave tokësore.
Për më tepër, jeta e këtyre njerëzve, me gjithë peripecitë e saj, është mjaft e kthjellët dhe e pakufizuar për të shijuar një pamje kalimthi nga limani i qetë në botën tjetër. Sigurisht, këto vërtetësi për zemrat e pastra që kanë fituar tashmë lumturinë, janë përfundime që të tjerët vetëm kanë ëndërruar t'i arrijnë pas miliona e miliona vjet mundimesh. Ata janë konsideruar të kenë arritur shoqërinë e Zotit dhe të kenë qëndruar me banorët më të përzgjedhur gju më gju, sup më sup, duke vërtetuar që njerëzit e këtillë janë fitimtarë përjetësisht. Gjithmonë të sinqertë dhe të thelluar, këta njerëz vazhdimisht kërkojnë projekte të mëdha për zemrën e tyre. Duke menduar për mëshirën, flasin për mëshirën dhe kërkojnë rrugët për të shfaqur vetveten përmes mëshirës. Ata përpiqen me aq kënaqësi për të drejtuar gjithsecilin, pa dallim, në lumturinë e pafund, sakrifikojnë kënaqësitë dhe fuqitë shpirtërore për botën e ardhshme, pa zënë në gojë interesat materiale apo dëshirat për pozitë shoqërore. Manifestimi i një qëndrimi fisnik në marrëdhëniet me të tjerët dhe në gjendjen shpirtërore të tyre tregon faktin që ata janë në praninë e Pushtetit Absolut. Dhe siç të tjerët vdesin, ata rigjallërohen njëri pas tjetrit.
Në ndjekje të thënies "mos dëshironi për të tjerët çfarë nuk dëshironi për veten tuaj," ata pa pushim përpiqen më shumë për të tjerët. Prandaj të tjerët do të përfitojnë nga çfarë kanë krijuar të dobishme tashmë këta njerëz me zemër. Me pafundësinë e horizontit të tyre, ata janë në gjendje të ringjallin ndjenjën e mëshirës në zemrat e tiranëve. Në të njëjtën kohë, ata besojnë që edhe një qenie e shtypur është krijesë e Zotit, dhe në këtë mënyrë e mbështesin atë.
Faktori më i rëndësishëm që përcakton sjelljen e heronjve të tillë është të jetuarit për të tjerët. Shqetësimi më i madh për ta është përshtatshmëria e tyre për një mision të tillë, ndërsa karakteristika më mbizotëruese është ambicja e skajshme e kërkimit të pranimit nga Zoti. Kur përpiqen të ndriçojnë të tjerët, ata nuk ndjejnë dhimbje dhe as pësojnë ndonjë tronditje nga gëzimi që po i sqarojnë ata.
Sukseset që arrijnë vlerësohen si zbulime për ndihmën e shenjtë të Tij dhe heronjtë përulen me modesti, duke asgjësuar vetveten orë e çast, për çdo ditë. Në plotësim të të gjithë kësaj, ata dridhen me idenë që emocionet e tyre janë ndaluar të ndërhyjnë në veprat që kanë krijuar për të hyrë brenda ekzistencës, dhe rënkojnë: "Ju jeni gjithçka që unë kam nevojë!"
Për shumë kohë ne kemi pritur pa durim duar të tilla të bekuara për të transformuar çfarë mund të jetë përshkruar si "vendet e shkretuara, shtëpitë e rrënuara dhe shkretëtirat e largëta" në një botë të re. Dhe ne jemi të vendosur të presim edhe për shumë vite me besim, dëshirë dhe vendosmëri. Mundet që pritja për këto dëlirësi, për zemrat e dhembshura për këtë Mëshirë të Pafund, të mos mbetet pa përgjigje!
* Origjinali i këtij artikulli përmbahet në Isigin Göründügü Ufuk (Horizonti ku duket drita), Nil, Istanbul, 2000, f. 189-195.
[1] Buhari, Kusf, 2; Muslim, Kusf, 1; Tirmidhi, Zuhd, 9; Ibni Maxhe, Zuhd, 19.
- Publikuar më .