Vrasja e ambasadorit rus, SHBA: “Nuk duhet shpërndarë vëmendja duke treguar me gisht vend e pa vend.”
Kanë qenë Shtetet e Bashkuara të parët që i janë përgjigjur dyshimit të hedhur se është Lëvizja Gylen ajo që fshihet pas vrasjes së ambasadorit rus në Turqi mbrëmjen e djeshme. Ato janë shprehur se nuk duhet shpërndarë vëmendja vend e pa vend.
Ka qenë zëdhënësi i Departamentit të Punëve të Jashtme të Shteteve të Bashkuara që i është përgjigjur këtyre akuzave të dyshimta.
Ambasadori Andrej Karlov u vra mbrëmjen e djeshme në çeljen e një ekspozite në Ankara. Identiteti i vrasësit u përcaktua menjëherë që ishte Mevlut Mert Alltëntash, një polic i forcave speciale i datëlindjes 1994, i cili kishte dy vjet e gjysmë në këtë detyrë. Menjëherë pas tij u shpall se ishin arrestuar edhe nëna e tij me motrën, të cilat jetonin në rrethinën e Sokes
Një ndër përfaqësuesit më të lartë të forcave të rendit në Turqi pati deklaruar se kishte “dyshime mjaft të forta” se Alltëntash kishte lidhje me lëvizjen “Gylen”. Lideri i kësaj lëvizjeje, Fethullah Gylen e cilësoi “qesharak” këtë pretendim.
“Vlerësimet kaq të shpejta nuk i vlejnë askujt,” – ishin fjalët, me të cilat e nisi përgjigjen zëdhënësi i SHBA, i pyetur nga njëri prej gazetarëve të pranishëm në sallë. Pyetja që iu drejtua atij ishte: “A ju shqetëson fakti se pas këtij sulmi mund të fshihen vetë SHBA ose z. Gylen, i cili mbrohet prej tyre? A jeni të përgatitur nëse do të nevojitet që të përballeni me një fakt të këtillë?” Megjithatë ai u përgjigj se ishte ende herët dhe nuk do të kishte kurrfarë vlere që të thuhej diçka lidhur me ngjarjen, pa pasur kurrfarë ekspertize.
Pasi u shpreh se SHBA kanë qenë përherë në mbështetje të qeverisë turke, Kirby u shpreh se “tani sapo ka nisur një proces hetimor për zbardhjen e kësaj çështjeje. Çdo vlerësim i bërë para kohe, pa dalë rezultatet e para të këtij procesi, nuk do t’i vlente askujt. Ndaj, është e kotë që të nisim e ta shpërndajmë vëmendjen duke treguar me gisht vend e pa vend.
“Ka gjasa që ky të ketë qenë një sulm i pastër terrorist.”
Pasi shtoi se nuk e hedhin poshtë faktin se mund të bëhet fjalë për një sulm terrorist, ai e përfundoi fjalën e tij me fjalët: “Megjithatë, të presim rezultatet e para të procesit hetimor të saponisur.”
Ndërkohë që disa orë më pas ka qenë edhe analisti i njohur rus për çështjet politike, z. Aleksej Malashenko, i cili është shprehur në një prej të përditshmeve ruse, duke thënë: “Presidenti Erdogan padyshim që do ta përdorë këtë pretendim... mirëpo, nuk ka dyshim që pas gjithë kësaj nuk qëndron Gyleni.”
- Publikuar më .