“Leadership”: Shkollat turke, Erdogan i pandeh budallenj afrikanët
“Leadership”, një nga gazetat më të rëndësishme dhe më me ndikim në Nigeri, i cili është një nga vendet me shumicë myslimane në kontinentin afrikan, në një shkrim të posaçëm, ka kritikuar ashpër nismën e Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, për mbylljen e shkollave turke në këtë kontinent.
Analisti i Marrëdhënieve me Publikun në gazetën “Leadership”, Vincent Kanaro në artikullin e tij të fundit, ndërsa i ka kushtuar një rëndësi të veçantë deklaratave të Presidentit Erdogan në vizitën e tij të fundit në Etiopi, i ka cilësuar si përpjekje në shërbim të interesave të tij personale.
“Perëndimi nuk i kapërdin dot këto gjepura”
Në artikullin e tij titulluar “Lufta e Erdoganit me arsimin në Afrikë”, analisti Vincent Kanaro thekson se duke ndërmarrë një tur vizitash në kontinentin afrikan, Presidenti i Turqisë është përpjekur që t’i etiketojë shkollat turke si “platformë për veprime terroriste”. Në artikullin e tij, ndërsa i referohet qasjes së tij në perëndim, ai kritikon qëndrimin e Presidentit Erdogan dhe shtron pyetjen se “përse ai nuk guxon të shkojë dhe të hedhë baltë ndaj këtyre shkollave në vende të tilla si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Angli, apo në ndonjë nga vendet e tjera të perëndimit? Përse në shënjestrën e tij është vetëm kontinenti afrikan? Duhet ta themi troç: Sepse perëndimi nuk i ha këto gjepura. Presidenti Erdogan me mendjengushtësinë e tij, ngaqë janë më pak të zhvilluar ekonomikisht, afrikanët i pandeh për budallenj”.
“Përveç Gambias, të cilës i ofroi lëmoshë, nuk arriti të bindë asnjë vend tjetër.”
Në artikullin e tij, Kanaro shprehet, se përveç rastit të Gambias, të cilës i ofroi lëmoshë në këmbim të plotësimit të kërkesës së tij për mbylljen e shkollave turke, ai nuk ia ka arritur të bindë asnjë prej vendeve të tjera të kontinentit afrikan.
Teksa i referohet raporteve “PISA” të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, në artikullin e tij ai jep të dhëna të detajuara në lidhje me problematikat kryesore të sistemit arsimor në Turqi dhe shprehet i habitur se si është e mundur që Presidenti Erdogan pretendon të ndërtojë shkolla në kontinentit afrikan. “Si është e mundur që Erdogan, duke hequr dorë nga përgjegjësia që ka ndaj popullit të tij, shprehet se do të ndërtojë shkolla të reja në kontinentin afrikan?”, - shkruan ai.
Në këtë shkrim ai ndalet gjithashtu të kritikojë edhe shërbimin arsimor që u ofrohet mijëra refugjatëve sirianë të strehuar në Turqi për shkak të konfliktit në vendin e tyre. Duke iu referuar presidentit Erdogan, ai shprehet se “është një person tek i cili nuk mund të kesh besim.”
“Shihni shkollat e Lëvizjes për Shërbim”
Në shkrimin e tij të gjatë në lidhje me këtë çështje, ai thekson se në vend të “qëndrimeve dhe zgjidhjeve konfliktuale dhe luftënxitëse” të Presidentit Erdogan, vendet afrikane duhet të përqendrohen tek ndikimi pozitiv që shkollat e hapura nga Lëvizja për Shërbim kanë në zhvillimin e standardeve të sistemit arsimor dhe ekonomitë e këtyre vendeve.
Ai analizon veçanërisht rastin e Nigerisë, ku sipas tij nëse nuk do të ishin shkollat ndërkombëtare turke dhe Universiteti “Nil”, një numër shumë i madh i të rinjve nigerianë do të ishin të detyruar të braktisnin vendin e tyre dhe të kërkonin alternativa shkollimi jashtë. Kjo sipas tij do të kishte një ndikim tejet negativ në ekonominë e këtij vendi.
Jo në interesin e Afrikës, por të interesave personale të Erdoganit
Në vijim të artikullit të tij, ai përmend gjithashtu, se sulmi dhe etiketimi i shkollave turke, hapja e të cilave është frymëzuar dhe nxitur nga mendimtari Fethullah Gylen, si ‘tradhtare”, i shërben interesave të vetë Presidentit Erdogan. Ndër argumentet e tij, ndërsa thotë se një përpjekje e tillë e Presidentit Turk nuk i shërbën interesave të Afrikës. Ndërkaq ai shtron këto pyetje: “Edhe nëse ai i ndërton këto shkolla shtetërore në Afrikë, a do të vazhdojë ta ofrojë edhe në të ardhmen këtë shërbim? A do të mundet të garantojë që edhe qeveria apo qeveritë pasardhëse do të vazhdojnë të ndjekin këtë politikë?”.
Artikullin e tij të publikuar në gazetën “Leadership”, analisti i Marrëdhënieve me Publikun, Vincent Kanaro e mbyll me fjalinë: “Afrika është shumë më e zgjuar nga sa pandeh Presidenti i Turqisë.”
- Publikuar më .