• Home
  • Nga Media
  • Lajmet
  • HRW: Nuk ekziston asnjë provë që lëvizja “Hizmet” të jetë e përfshirë në akte terrori

HRW: Nuk ekziston asnjë provë që lëvizja “Hizmet” të jetë e përfshirë në akte terrori

HRW: Nuk ekziston asnjë provë që lëvizja “Hizmet” të jetë e përfshirë në akte terrori

Nw raportin e saj për vitin 2015, Human Rights Watch (HRW) ka publikuar të dhënat e saj më të fundit në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut në Turqi. Raporti në fjalë, i bërë publik së fundmi, thekson faktin se respektimi i të drejtave të njeriut në Turqi është përkeqësuar akoma edhe më shumë në vitin që lamë pas. Raporti nënvizon gjithashtu, se “deri më tani, nuk ekziston asnjë provë, fakt apo dëshmi, që lëvizja “Hizmet” të jetë përfshirë në akte të dhunës apo të jetë e përfshirë në çfarëdolloj forme qoftë edhe jo drejtpërsëdrejti në aktivitete apo veprime të cilat mund të përkufizohen si akte terroriste”.

Raporti i Human Rights Watch për të drejtat e njeriut në Turqi u bë publik në një konferencë të posaçme, e cila u organizua në rezidencën “Beyoğlu Cezayir”, ku të pranishëm ishin Drejtori i Përgjithshëm i Human Rights Watch, Kenneth Roth, reporterja e Human Rights Watch për Turqinë, Emma Sinclair-Webb dhe përfaqësues të medieve vendase dhe atyre të huaja. Gjatë prezantimit të përfundimeve të raportit, reporterja për Turqinë, Emma Sinclair-Webb, shprehu shqetësimin e saj të thellë për të ardhmen e Turqisë dhe theksoi se demokracia e saj është në rënie. Sipas saj, gjatë vitit të kaluar janë vërejtur shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. “Ne, shohim një shpërbërje të të gjitha kontrolleve mbi pushtetin e drejtuesve të vendit. Turqia, qartazi, po çmonton dhe gërryen të gjithë kuadrin e saj demokratik. Dhe, për rrjedhojë, Turqinë ka gjasa që ta presin kohë të zymta”, - u shpreh reporterja e lartë gjatë publikimit të raportit para mediave vendase dhe të huaja.

Duke u ndalur në atë që ajo e cilësoi si "politika e frikës", znj. Ema Sinclair-Webb tha se "udhëheqësit politikë turq, veçanërisht Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, gjatë vitit të kaluar kanë treguar një gatishmëri të paprecedent për të krijuar një klimë të frikës për kritikët dhe demonizimin e kundërshtarëve të tyre”.

Sinclair-Webb kritikoi edhe qëndrimin e qeverisë aktuale për shtypjen e zërave kritikë, qofshin ata nga shoqëria civile apo media, ndërsa shtoi se “duke ngjallur frikë tek kundërshtarët tuaj, në të vërtetë ju demonstroni frikën tuaj: frikë nga ata që mendojnë ndryshe nga ju, frikë nga kritikat dhe frikë nga njerëzit që kërkojnë të drejtat e tyre. Gjatë vitit të kaluar në Turqi mendoj se kemi qënë dëshmitarë të përkeqësimit më serioz të të drejtave të njeriut, që unë personalisht kam parë gjatë gjithë këtyre viteve që kam punuar në Turqi, periudhë e cila e gjitha përkon me kohën kur vendi është qeverisur nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim [AKP]”, - u shpreh ajo.

Ndërkohë raporti në fjalë i bërë publik nga Human Rights Watch vë theksin në faktin se “gjatë vitit 2015, para dy palë zgjedhjeve të përgjithshme, opozita politike në vend është përballur me një diskreditim të hapur dhe asaj i është mohuar e drejta për të kritikuar politikat e qeverisë në pushtet”.

“Pas publikimit të lajmit në lidhje me kamionët e ngarkuar me armë, për të cilët e përditshmja “Cumhuriyet” pretendonte se kishin si destinacion Sirinë, ndaj kësaj të fundit u hapën menjëherë hetime për spiunazh dhe terrorizëm. Në muajin nëntor të vitit të kaluar, kryeredaktori i kësaj gazete, Xhan Dyndar dhe gazetari Erdem Gyl u burgosën. Në muajin tetor, policia bastisi zyrat e Grupit Mediatik “İpek”. Qeveria thotë se Grupi “Koza İpek” mbështet liderin e lëvizjes fetare, Fethullah Gylen, i cili së bashku me anëtarët dhe mbështetësit e tjerë të kësaj lëvizjeje prej kohësh po përballen me një trysni të pashembullt. Me largimin nga puna të personelit ekzistues dhe emërimin në vend të tyre të drejtorit të ri të informacionit, kryetaredaktorëve dhe gazetarëve të tjerë, televizionet dhe gazetat e këtij grupi mediatik u shndërruan në media pro-qeveritare”,

LIRIA E SHTYPIT

“Qeveria veproi në të njëjtën mënyrë edhe ndaj medieve të njohura për qëndrimet e tyre në mbështetje të lëvizjes "Hizmet", ku në shënjestër të sulmeve të saj ishte grupi mediatik “Samanyolu”. Të gjitha kanalet televizive të këtij grupi mediatik u përjashtun nga platforma “Turksat”. Gjatë përgatitjes së raportit, me pretendimin se janë mbështetës të kësaj lëvizjeje, vazhduan hetimet dhe gjyqet ndaj gazetarëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve. Ndërkohë, që deri më tani nuk ekziston asnjë provë, fakt apo dëshmi që lëvizja “Hizmet” të jetë përfshirë në akte dhune apo të jetë e implikuar në çfarëdo lloj forme qoftë edhe jo drejtpërsëdrejti në aktivitete apo veprime, të cilat mund të përkufizohen si akte terroriste”.

“Në muajin nëntor, Drejtori i Përgjithshëm i revistës “Nokta”, Xhevheri Gyven dhe Kryeredaktori i kësaj reviste, Murat Çapan, pas publikimit të një karikature satirike dhe lajmeve kritike për Presidentin Erdogan, u arrestuan me akuzën “për nxitje të revoltave popullore të armatosura kundër qeverisë”.

“Gjatë vitit 2015, në Turqi vazhduan largimet nga puna të gazetarëve të medieve më kryesore për shkak të publikimit të lajmeve, analizave dhe komenteve në rrjetin social Twitter. Ndërkohë, janë ngritur padi dhe kanë nisur procedimet penale dhe ndaj njerëzve të thjeshtë, për publikimin dhe shpërndarjen në profilet e tyre në rrjetet sociale të teksteve apo përmbajtjeve kritike për Presidentin dhe politikanët e partisë në pushtet. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, rreth 3/4 e të gjithë kërkesave nga e gjithë bota për bllokimin e llogarive dhe fshirjen e komenteve të rrjetit social Twitter, i përkasin autoriteteve turke”.

PROBLEMATIKAT NË PAVARËSINË E GJYQËSORIT

Ndërkohë raporti vëren problematika në rritje dhe tejet shqetësuese dhe përsa i përket pavarësisë së sistemit gjyqësor. “Sistemi gjyqësor në Turqi përballet me kërcënim të pavarësisë, shkelje të kryera nga forcat e sigurisë dhe aktorët të tjerë shtetërorë, dështimi për të hetuar në mënyrë efektive, tejzgjatja e procedurave dhe djekjet penale për motive politike. Gjatë vitit 2015, qeveria e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim [AKP] ka vijuar pastrimet në radhët e policisë dhe gjyqësorit ndaj njerëzve që pretendohet se janë mbështetës të lëvizjes së Gylen. Gjatë vitit 2015, me pretendimin se kanë lidhje me lëvizjen “Hizmet”, gjyqtarë, prokurorë dhe nëpunës të policisë janë burgosur me akuzën “për pjesëmarrje në organizatat terroriste” dhe “përpjekje për grusht shteti ndaj qeverisë”. Gjatë kohës së përpilimit të këtij raporti, faktet dhe provat e paraqitura ndaj këtyre prokurorëve dhe gjyqtarëve, jo vetëm që nuk përbënin vepër penale, por përkundrazi, ato ishin thjesht vendime tërësisht ligjore të marra në përputhje me funksionet dhe detyrat e parashikuara prej profesionit.”

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.