Rruga e gabuar e Erdoganit
Besimi dhe stabiliteti janë dy përbërës thelbësorë për zhvillimin e një kombi, si dhe në mënyrën se si bota e percepton atë. Dhe besimi i ndërsjellë mund të gjendet në një qeverisje demokratike dhe të përgjegjshme vetëm kur ajo respekton ligjin e së drejtës. Turqia nisi ta mëkëmbte këtë besueshmëri në dekadën e fundit, qoftë edhe me vështirësi të konsiderueshme, aq sa deri para fare pak kohësh qe kthyer në shembull të një shteti që zhvillohej përgjatë ecurisë së një qeverie demokratike të përbërë prej liderësh myslimanë.
Megjithatë jo më tej. Një grup i vogël përbrenda ekzekutivit të kësaj qeverie po përpiqet që ta mbajë të frenuar krejt progresin e shtetit. Mbështetja e një shtrese të gjerë të publikut turk tashmë po shpërdororhet, e bashkë me të edhe mundësia për t'iu bashkuar BE-së.
Mjaft veprime të kohëve të fundit të ndërmarra prej qeverisë së Turqisë kanë ngjallur një kritikë të fortë nga ana e BE-së dhe mjaft vendeve të tjera perëndimore, ndër to edhe një ligj që i jep forcë ministrit të drejtësisë që të emërojë ose ndëshkojë gjyqtarët apo prokurorët; një kërkesë për të kufizuar liritë e përdorimit të internetit; një draft-ligj që do t'i japë të drejta Agjensisë së Inteligjencës në Turqi të ngjashme me ato që mbështesin regjimet diktatoriale.
Pas disa dekadash grushtesh shteti dhe mosfunksionimi politik, përpjekja e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim që tashmë është në qeverisje për t'i dhënë fund ndërhyrjes së ushtrisë në politikat e brendshme qe më se e domosdoshme. Këto reforma demokratizuese kah ky përfundim qenë mbështetur dhe përgëzuar gjerësisht nga BE dhe përkrahur nga pjesa më e madhe e popullit turk, siç edhe u vu re në referendumin kushtetues gjatë vitit 2010.
Mirëpo mbizotërimi i ushtrisë njëherë e njëkohë në politikë, tashmë shfaqet të zëvendësohet nga njëfarë hegjemonie e pushtetit ekzekutiv. Mbi të gjitha zhvillimet e kësaj dekade të fundit po hidhet një perde e zezë - portretizimi si tinëzar i disa grupeve të caktuara mes shtetasve turq, për shkak të bindjeve të tyre, apo pezullimi i vazhdueshëm i sa e sa nëpunësve civilë për interesa të pastra politike, si dhe një ndërhyrje e paprecedentë në lirinë e medias, gjyqësorit dhe shoqërisë civile.
Rruga e vetme për qeverinë turke që ajo të mund ta rimëkëmbë besueshmërinë brenda Turqisë dhe të rifitojë mirëkuptimin ndërkombëtar mund të jetë ajo e rinovimit të përpjekjeve të saj kah të drejtat universale të njerut, ligjit të së drejtës dhe një qeverisjeje më të përgjegjshme.
E këto përpjekje duhet të përfshijnë një kushtetutë demokratike të re, të përgatitur prej vetë zërit të qytetarëve. Demokracia nuk përplaset me asnjë prej parimeve islame të qeverisjes. Ç'është e drejta, synimet etike të Islamit, siç janë mbrojtja e jetës apo lirisë së besimit, shërbehen më së miri në një demokraci ku vetë qytetarët marrin pjesë në qeverisjen e vendit.
Ne duhet gjithashtu të përqafojmë disa vlera të caktuara, që i japin formë lindjes së një kombi në lulëzim e sipër. E një vjerë e tillë është mirëkuptimi ndaj diversiteteve të të gjitha llojeve - qofshin ato religjioze, kulturore, shoqërore apo politike. Kjo nuk do të thotë aspak të bëjmë kompromis mbi besimet tona. Përkundrazi, të pranosh çdo njeri, pavarësisht ngjyrës së tij, si një krijesë me dinjitetin e saj të të qenit e Zotit demonstron respekt dhe mirëkuptim ndaj vullnetit të lirë që Zoti u ka dhënë të gjithë njerëzve.
Liria e mendimit dhe shprehjes janë përbërësit më të qenësishëm të demokracisë. Shfaqja e Turqisë në pozicionet më të dobëta të transparencës përsa i përket lirisë së medias është për të ardhur keq. Njerëzit e edukuar e mirëpresin kritikën, e cila nëse e është e vërtetë, na ndihmon neve që të përparojmë më tej. Prandaj edhe ne duhet t'i kritikojmë idetë e keqorientuara, poashtu veprimet, në vend të vetë individëve, në mënyrë që ta shmangim lindjen e tensioneve të panevojshme.
Këndvështrimi i paplotë i kërkimit të fuqisë politike në emër të religjionit bie ndesh me shpirtin e Islamit. Kur ndodh që feja dhe politika të përziehen me njëra-tjetrën, atëherë ato vuajnë të dyja, sidomos feja. Çdo segment i shoqërisë turke ka të drejtën e saj për t'u përfaqësuar në qeverisje. Mirëpo shteti turk për një kohë të gjatë i ka diskriminuar një pjesë prej tyre, sidomos nëpunësit publikë, pikërisht për arsye të bindjeve a botëkuptimit të tyre. Përfshirja në demokraci do t'i inkurajonte njerëzit që t'i shfaqnin besimet e tyre personale pa pasur frikën e ndofarë persekutimi.
Që prej viteve 1970, aktivistët e Lëvizjes Hizmet, të cilët vijnë nga udhë të ndryshme të jetës, kanë punuar për të arritur mundësi të barabarta për të gjithë, përmes institucioneve arsimore, organizatave të ndihmës së ndërsjelltë dhe shumë e shumë projekteve të tjera të shoqërisë civile. Motivimet e tyre parësore kanë qenë për brenda, derisa ato janë në kërkim të lumturisë në lumturinë e të tjerëve.
Aktivistët e Hizmetit - e unë konsideroj edhe veten time si një të tillë - nuk janë aktorë politikë dhe nuk kanë kurrfarë interesi në privilegjet e fuqisë. Kjo është e dukshme nga ndërmarrjet e tyre individuale apo shoqërore përsa i përket ndihmave humanitare, në edukim apo dialog, e poende në mungesën e tyre në karriget kryesore të politikës.
Shumë larg prej inkurajimit të bashkëqytetarëve për të votuar, unë nuk kam mbështetur e as nuk kam kundërshtuar ndonjë kandidat apo parti politike, e ponjësoj do ta ruaj veten time për të mos e bërë diçka të këtillë as në të ardhmen. Unë besoj në mençurinë e popullit turk dhe besoj se ata do t'i dalin krah demokracisë për të ruajtur interesat e kombit përmbi çdo interes politik partizan.
Unë kam kaluar 15 vjet në një jetë të tërhequr shpirtërore, të palidhur fare me përditshmërinë e Turqisë, e pokështu mendoj të vazhdoj. Lus Zotin që Turqia t'i lexojë shqetësimet me të cilat po përballet këtyre ditëve si një mundësi për të përparuar në demokraci, liri dhe në ligjin e së drejtës. Gjithashtu besoj se duke rinovuar përpjekjet tona drejt parimeve fondamentale të demokracisë, ne mund të ringjallim besueshmërinë dhe stabilitetin duke i dhënë jetë edhe njëherë shembullit turk, i cili qe kthyer satash në një frymëzim për rajonin, por edhe për mbarë botën.
*Botuar së pari në Financial Times. Fetullah Gulen është një teolog mysliman i moderuar që jeton në Amerikë. Themelues i lëvizjes Hizmet që ka shumë ndikim në Turqi. Titulli është i red. MAPO. Titulli në origjinal Turqisë i duhet një kushtetutë e re për të shpëtuar demokracinë.
- Publikuar më .