Qani, që uji të ngrihet përpjetë!
Sa bukur ia thotë Nexhip Fazëlli në "lutjen" e tij:
Sikur thikën të ngulësh në hijen time
i ngrohti gjak pikon
pa hyr e shih njëherë këtë vendin tim
me njerëz pa koka e krye.
Qani, që uji të ngrihet përpjetë!
Ndoshta ashtu shpëton kjo gjemi
O nënë, sexhadja jote të vijë
Lutu dhe për ne, mirë no?
Dje, pak pasi kishim falur namazin e ikindisë e ishim ulur për të dëgjuar fjalët e mësuesit tonë, e ndër mendime filloi të më shëtiste dëshira që të thosha: "Të paktën të kërkoj nënën time; t'i lyp asaj ndonjë pikë lot për këtë zemrën time të vdekur? Hiç mos e mblidh sexhaden, o nënë!"
Ah sikur të mund të isha një njeri me zemrën të gjallë dhe sytë plot lot!.. Sikur të mund të qaja me ngashërim dhe të jepja dhe unë sadopak ndihmë në ngjitjen e ujit përpjetë!..
Pse? Ja po jua tregoj edhe juve disa paragrafë të bisedës së djeshme, e bashkë me to edhe arsyen:
Lëvduar qoftë Allahu, që shëndeti i mësuesit tonë fisnik është si gjithnjë. Në mësimet e përditshme të interpretimit të Kuranit dhe fikhut nuk ka patur asnjëlloj ndalese. Megjithatë, përsa i përket ligjëratave të përjavshme, ai është ende i mendimit që të vazhdojë me heshtjen. Ndonjëherë ndodh që pas namazit të kryejmë ndonjë bisedë të shkurtër dhe aq. Edhe dje ndodhi, ja një prej këtyre bisedave, aty tek dhjetë minutat. Siç u shpreha edhe më sipër, ashpërsinë e zemrës sime dhe pakësinë e lotëve në sytë e mi, isha përgatitur që t'i plotësoja vetëm me nënën time, ndërsa shënimet u ngrita t'i hidhja në arkivë. Pasi, hedhje-pritja e fjalëve u bë diçka krejt e natyrshme. Vetëm më vonë, më bindi mendimi, "Kush të dojë të thotë ç'të dojë, të paktën le të përfitojnë miqtë, shokët dhe vëllezërit e mi!", kështu që vendosa t'i publikoja.
Ja disa prej fjalive, që ia djegin zemrën atij që i dëgjon, prej asaj bisede të shkurtër të ditës së djeshme:
Tani që bota është duke u përpëlitur mes flakëve, kur rreth e qark nesh është ngritur një qerthull përcëllues, kur Turqia gjendet e kapluar prej lloj-lloj fatkeqësish, e armiqtë kanë marrë në dorë çdo fije drejtimi, duke nisur që të planifikojnë të këqija që as nuk janë parë ndonjëherë, të rrish ulur këtu, të hash e të pish, - që miqtë e mi e dinë mjaft mirë se sa ha unë, - nuk bëj dot pa u menduar njëherë, "A kam të drejtë unë ta ha këtë ushqim dhe ta pi këtë gotë çaji që më është vënë para?" Ndoshta edhe të gjithë atyre që janë duke jetuar të zhytur në rehati, u duhet thënë: "Po mirë more të pacipë, kohë për të ngrënë e për të pirë është kjo, kur përrethin po e përpijnë flakët?"
Sa besojmë ne në seriozitetin e kësaj çështjeje? Ç'do të arrihej nëse vdisnim, qoftë edhe të gjithë, fill në këtë çast? Nuk përbën kurrfarë rëndësie. Por ç'e do se mbi supe bartim një amanet, që na është lënë sa e sa vite më parë. Një amanet, që duke kaluar nga dora në dorë, ka mbërritur gjer sot, në duart tona. Tashmë, nga të katër anët kemi vetëm sulmime dhe sjellje egërshane. E në një periudhë të këtillë, kur mund të quhet e gjykueshme edhe ajo që hamë apo pimë, të rrish ulur kot, të zhytesh nga një kënaqësi në tjetrën, duke u llafosur, u hargalisur, apo duke argëtuar të tjerët, përsa i përket kohës dhe koniukturës, ma merr mendja se duhet konsideruar si diçka "haram".
Po të na jepet mundësia, që për shembull, të ulemi diku, në vend që të gjejmë turlisoj bisedash për të bërë, le të ndajmë Xhevshen. Ta zëmë se gjenden dhjetë vetë, atëherë të marrë secili nga dhjetë pjesë të tij, e kështu do të jetë plotësuar një i plotë i tillë. E akoma më mirë, po të kemi më tepër kohë, shokët le të ulen e të lexojnë edhe "Virdet e Shenjta" (në origjinal, Eurad-i Kudsije). Apo të ndajnë ndër vedi dua të Tefrixhijes. E nëse ndodh që situata të jetë e atillë që do të qëndrojnë bashkë për njëfarë kohe, atëherë t'i ndajnë, sa t'u bjerë, nga 40-50-60 herë për secilin, e le t'i përsërisin ato çdo ditë; në çdo kohë, duke shëtitur, duke u ulur, duke ngrënë, apo duke larë dhëmbët; ndërsa të jenë duke larë duart le të mendojnë veç për Allahun; të mos u kalojë bosh asnjë hapësire e vetme kohe, por ta kalojnë çdo grimë-çast veç duke iu drejtuar me përgjërim Allahut (xh.xh.).
Nëse dëshira hyjnore, me këto fatkeqësi që janë duke na ndodhur, është që zemrat tona t'i kthehen Atij, atëherë ato kanë për të mos reshtur së na mbërthyeri për fyti derisa ne të kthehemi plotësisht. E nga njëra anë, dërgimi i gjithë këtyre vështirësive, që si e si ne të kthehemi kah Ai, është një tjetër valë pasqyruese e mëshirës së Tij. Një prej mënyrave për t'i kthyer robërit e Tij kah Vetja është lënia e tyre në një gjendje pa rrugëdalje, duke ua hequr të gjitha mundësitë nga duart; derisa në dritën e njëshmërisë të kuptohet sekreti i Njësisë së Allahut, që ata ta shohin dhe ta ndjejnë atë gjendje. Le të thonë njësoj siç thoshte Junus ibni Meta (ala sej'jidina ue alejhis'selam): "Nuk ka tjetër që të meritojë adhurimin, përveç Teje, Ti je i Lartësuari, padyshim që unë jam prej të gabuarve." Kur t'u dalë gjumi natën, të çohen e të marrin menjëherë abdes dhe ta vendosin ballin në sexhde. Nëse sytë nuk u lagen e nuk qajnë dot, atëherë ta gjykojnë veten, "Turp të më vijë, a mund të ashpërsohet kaq shumë një zemër?" E nëse ndodh që lotët t'u lëshohen, atëherë, në atë çast t'i drejtohen Allahut (xh.sh.): "O Zot largojua të gjitha vështirësitë dhe fatkeqësitë umetit të Muhamedit (s.a.s.), e vendose edhe njëherë bashkimin dhe bashkëjetesën; sepse ajo është shkaku më i madh i ndihmesës Sate!"
Ne nuk duhet të jetojmë për veten tonë. Po të jepet mundësia, qoftë edhe të gjithë shokët që kanë shtëpi e pasuri, të mjaftohen vetëm me dy orë gjumë nëpër kanepe, e pastaj të çohen për të falur pesëdhjetë rekate namaz, dhe duke e vendosur ballin në tokë, të qajnë me ngashërim për gjendjen e krijuar. Allahu (xh.sh.), këtë horizont që na e ka ngarkuar si amanet, - kur në mes të çështjes ka hyrë edhe e drejta e sa e sa njerëzve, - të mos e shprishë për fajin tonë.
Ndoshta jo e gjithë bota mund ta ndjejë këtë vuajtje. Zaten tymhedhësit dhe sulmuesit e përhershëm të Turqisë nuk e kanë një problem të tillë, si ata që besojnë, si ata që nuk besojnë. Se, si ka mundësi që një besimtar të ndërmarrë një të këtillë padrejtësi. Ai mund t'i lihet vetëm Allahut (xh.sh.) që të gjykojë për ta. Ndaj, përsa i përket këtij aspekti, kemi se ç'të themi. Ngase jemi njerëz, dhe duhet të bartim përherë shpirtin e mirëkuptimit, le të luten: "Zoti na i paqtoftë zemrat, mendjet, mendimet dhe shqetësimet tona!"
E në raste sulmesh të këtilla krejt asimetrike, shokët njësoj sikur të ishin duke u ngujuar në itikaf, më falni për shprehjen, po le të zënë rrënjë diku. Të ngrihen, të lëvizin, dhe sa herë që t'u duhet të kthehen nga majtas djathtas, apo anasjelltas, le të luten: "O Zot paqtona ne, duke na i larguar shqetësimet dhe fatkeqësitë që na kanë kapluar; nëse ato po na vijnë si pasojë e mangësive tona, atëherë falna ne, o Zot; nëse je duke na sprovuar, atëherë falna neve drejtqëndrim, durim dhe fuqi që të mund të qëndrojmë të palëkundur."
Mos lejoni të kalojë boshe qoftë edhe një minutë e vetme. Do të përmendja "istibra"-në pak më parë, e as atë çast nuk duhet ta kaloni pa e përdorur. Nuk e shoh si të pavend apo si mungesë respekti përsëritjen e disa lutjeve ndërkohë, mjafton që ju ta thoni vetmevete, kijeni qëllim dhe pëshpëriteni me fjalë të vetes.
Jemi duke kaluar përmes një trysnie dhe ngushtice, të cilën nuk e njohim. Poashtu gjithë njerëzimi në mbarë botën është duke kaluar një të këtillë. Nëse nuk ndiejmë hidhërim për ato që kanë kaq kohë që janë duke ngjarë në Siri, kjo do të thotë se e kemi humbur njerëzoren brenda nesh. Nëse nuk ndiejmë therje në zemër për ato që janë duke ndodhur në Somali, atëherë do të thotë se kemi bjerrur shumëçka prej të qenit njerëz. Poende me Mianmarin, i cili ka ngelur pa mbështetjen e askujt, pa ndihma, e me një botë që nuk e kthen fare shikimin kah ai vend. E në rast se zemrat tona nuk dridhen edhe përballë të gjitha këtyre zullumeve që po u bëhen tërë atyre njerëzve besimtarë, atëherë do të thotë se kemi bjerrë ndërgjegjen. Do të thotë se nuk paskemi as zemër. Lëre pastaj për vetë vendin tonë!..
Krahas gjithë këtyre janë dhe shërbimet që po bëhen. Sa e sa shokë sakrifikues, burra e gra, ka, që janë shpërndarë drejt njëqind e gjashtëdhjetë shtete të ndryshme. Tani, më falni, por edhe ata janë duke u sulmuar në formën më të pacipë, më të paturp e më të pahijshme. A nuk ia jep dënimin Allahu (xh.sh.) një paturpësie të tillë, megjithatë ne nuk duam diçka të këtillë; thjesht lutemi, që Allahu t'i paqtojë. Por kjo nuk do të thotë se kjo paturpësi nuk është pranishme dhe e vërtetë.
Ajo që na bie si detyrë në këto kohë është të dorëzohemi pranë Allahut (xh.sh.)... t'i hyjmë përpjekjeve, e të mos rrimë kot qoftë edhe për një sekondë të vetme; të shohim se si ta bëjmë njëshin njëmijë... e pastaj t'i dorëzohemi urtësisë: "Besoji Allahut, mbështilliu përpjekjeve, dorëzoiu urtësisë/ nëse ka, kjo është rruga, nuk di unë jo, tjetër rrugëdalje." (M. Akif)
Tani jam në një gjendje shpirtërore të atillë që; nënën dhe babanë i kam dashur jashtëzakonisht shumë... kanë, babai dyzet vjet, e nëna më shumë se njëzet vjet që janë larguar prej kësaj bote. Sa herë që më vijnë ndërmend, fillojnë të më djegin kockat e hundës. Po po të ishin ata tani, le t'u binte shtëpia mbi krye dhe të digjeshin, të bëheshin shkrumb e hi, Allahu u dhëntë jetë të gjatë, por edhe vëllezërit e mi të digjeshin, të përcëlloheshin, nuk do të isha mërzitur kaq shumë. Nuk do të ndieja mërzi sa ç'po ndiej tani, kur shoh gjithë dëmin që po i bëhet vendit tonë, popullit, fesë dhe hizmetit. Madje më tepër mërzi ndjej për ata njerëz që ulen e ngrihen në sexhde bashkë me ju, kur në fakt bëhet fjalë për një sulm që nuk e pret as prej atyre që janë armiq të fesë... e ja ku po e them, se akoma më shumë i mërzitur ndihem me ata që nuk ndihen poaq të mërzitur e të hidhëruar, më duhet ta them, "Po këta njerëz, asfare nuk e kuptojnë se ç'është duke ndodhur? Mos e shohin si çështje të lidhur me një individ apo me një përfaqësues shpirtëror të caktuar? Deri këtu ka arritur tëhuajëzimi prej vlerave njerëzore?"
Madje thuajuani të gjithëve! Të gjithë atyre që u shkon buza gjer në vesh prej buzëqeshjes, "Stina s'është më ajo stinë, o mik!". "Tani është nderi që na përtypet, fëmija që na copëtohet/ O ti që s'turpërohesh, po s'qave, të paktën të të vijë turp të qeshësh!" (M. Akif)
As nuk vodhëm, as nuk grabitëm, as ryshfet nuk kemi marrë, as në afera të mëdha nuk kemi marrë pjesë, as të drejtën e ndokujt nuk e prekëm, ndonjëherë madje sakrifikuam edhe prej atyre gjërave për të cilat menduam se i meritonim. Po kjo situata e fajësimit, e të treguarit me gisht sikur të ishim të dënuar me dënim të përjetshëm, është një bela dhe fatkeqësi e atillë që, nëse disa njerëz nuk i kryejnë disa gjëra, të cilat i kërkon situata përballë Allahut (xh.sh.), atëherë edhe Allahu (xh.xh.), vjen një ditë e ia kërkon llogarinë e tyre.
- Publikuar më .