Nuk ka më pavarësi të sistemit të drejtësisë
Shkatërrimi hap pas hapi i sundimit të ligjit në Turqi
Pavarësia e sistemit gjyqësor në Turqi ka qenë duke u vrarë për një kohë të gjatë në Turqi, mirëpo ajo u zhduk përfundimisht pas përpjekjes për grusht shteti të 15 korrikut 2016. Një portret përmbledhës i asaj se si vendi, njëherë e një kohë mishërimi i shpresës demokratike për Lindjen e Mesme, e humbi rendin e së drejtës, kërkon një rikthim, për ta kundruar edhe njëherë aferën korruptive të dhjetorit 2013. Në këtë aferë ishin të përfshirë familjarë të kryeministrit të atëhershëm, Erdoganit, dhe shumë anëtarë të kabinetit të tij; provat tregonin haptas se bëhej fjalë për një skandal, ku përfshiheshin, ryshfeti, kontrabanda dhe shkelje të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit. Në vend se të lejohej një proces i hapur i hetimit të mëtejshëm, Erdogani e luftoi atë, duke ia ndryshuar krejtësisht strukturën shtetit, sidomos nëpërmjet prurjes së disa amendamenteve të posaçme dhe ndikimi në funksionimin e gjyqësorit, për ta shmangur tërësej procesin e investigimit të nevojshëm.
Erdogani ka ndërmarrë një varg hapash për ta shkatërruar mbizotërimin e ligjit në vend dhe ndarjen e pushteteve, të cilat përbëjnë shtyllën kurrizore të një demokracie të shëndetshme. Ai i ka shkaktuar gjyqësorit dëmet më të mëdha që mund t’i shkaktohen prej një qeverie. Çdo gjyqtar, apo prokuror, i zgjedhur për një proces që duhet të anojë në anën e qeverisë, kundër grupimeve të ndryshme opozitare, por veçanërisht kundër Lëvizjes Hizmet, është përballur me një trysni të jashtëzakonshme nga pushteti ekzekutiv, në mënyrë që të shmangë çdo lloj parimi të shtetit ligjor, për t’u bërë palë me qeverinë, pavarësisht provave të pranishme ose mungesës së tyre. Çdo gjyqtar, apo prokuror, që qëndron në anën e opozitës ose që ka qëndrime kundërshtuese ndaj vullnetit të ekzekutivit, është liruar nga detyra, madje shumë syresh edhe janë arrestuar, shumë të tjerë janë arrestuar me akuzën se kanë qenë pjesë e një organizate terroriste të ashtuquajtur FETO, emërtesë kjo e ndërtuar prej emrit të klerikut turk, Fethullah Gylen, i cili jeton në ekzil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo ndërhyrje e qeverisë ka lënë ndikimin e saj në të gjitha nivelet e gjyqësorit, duke nisur nga gjyqtarët e shkallës së parë, e deri te prokurorët publikë, gjykatat ushtarake, Këshilli Shtetëror, Gjykata e Lartë e Apelit dhe Gjykata Supreme Kushtetuese. Asnjë gjyqtar, apo prokuror, i cili ka marrë vendime në anën e grupimeve të opozitës dhe kundër akuzave të qeverisë, nuk ka mundur që të vijojë të qëndrojë në krye të detyrës.
Ky artikull rreket të shqyrtojë disa nga abuzimet më madhore të pushtetit që ka kryer presidenti i Turqisë gjatë përpjekjeve të tij për të konsoliduar regjimin autoritar të tij.
Ngritja e gjyqeve projekt - Gjykatat Penale të Paqes
Qeveria turke ka ngritur gjykata të reja, projekt, (Gjykata Penale të Paqes), vetëm për hetimet dhe pretencat ndaj grupimeve opozitare të kurdëve dhe të majtëve, si dhe veçanërisht kundër Lëvizjes Hizmet, të cilën qeveria e akuzon jo vetëm për tentativën për grusht shteti të 15 korrikut 2016, por edhe për akuzat e aferës korruptive të dhjetorit 2013. Gjyqtarët dhe prokurorët e caktuar për këto procese janë të gjithë njerëz besnikë të vetë qeverisë, e jo të ligjit. Duke qenë se gjykatat e reja, të emërtuara Gjykata Penale të Paqes janë e njëjta gjë me Gjykatat e Apelit ekzistuese, gjithçka të jep përshtypjen e një sistemi me qark të mbyllur. Hizmeti është shndërruar kësisoj në shënjestrën kryesore të këtyre gjykatave, duke pasur parasysh që të gjitha organet e medias dhe organizatat e shoqërisë civile që qenë të lidhura disi me Hizmetin, kanë qenë kritike të politikave joliberale të qeverisë, pa harruar të përmendim këtu edhe mbështetjen e qeverisë ndaj grupimeve terroriste, si ai i ISIS, apo ai i al-Nusras. Për rrjedhojë, ithtarët e Hizmetit janë bastisur, arrestuar dhe çdo pasuri që kanë pasur u është konfiskuar në mënyrë ilegale vetëm në saje të vendimeve të marra në këtë formë.
Ristrukturimi i HSYK (Kolegji Suprem i Gjyqtarëve dhe i Prokurorëve)
Pas aferave korruptive të dhjetorit 2013, qeveria, një vëmendje të veçantë ia kushtoi rëndësisë së zgjedhjes së anëtarëve të HSYK (Kolegjit Suprem të Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve). Qeveria mbështeti krijimin e një grupi të emërtuar Platforma e Unionit në Gjyqësor (YBP) pikërisht para zgjedhjeve të 2014 për Kolegjin Suprem të Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve). Ky union (YBP) iu kanos të gjithë kandidatëve të pavarur dhe atyre që ishin të prirur kah opozita, përfshi këtu edhe ata që ishin pjesë e YARSAV, një tjetër platformë e gjyqësorit paralele. Në fund, grupimi i mbështetur prej qeverisë i fitoi zgjedhjet me gati njëmijë vota. Kandidatët e pavarur dhe anëtarët e YARSAV u profilizuan menjëherë dhe u liruan nga detyra menjëherë, fill pas përpjekjes për grusht shteti. Kundër tyre nuk u paraqit as edhe një provë e vetme.
Ndërkohë që gjyqtarët dhe prokurorët e pavarur janë vënë në qendër të shënjestrës dhe imazhi i tyre ka qenë preja më e parapëlqyer e mediave pro-qeveritare dhe bashkëpunimi në HSYK, qeveria i ka përzgjedhur ndihmësit e tyre si pjesë të trupave gjykuese. Për të zëvendësuar më shumë se katërmijë gjyqtarë të shkarkuar, të gjithë ndihmësgjyqtarët dhe prokurorët u vendosën në postet aktuale, pavarësisht kushtit të afatit kohor të detyrueshëm me ligj të kryerjes së asaj detyre.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Libri i Kuq
Pas zgjedhjes si president, Erdogani e shpalli Lëvizjen Hizmet një “organizatë terroriste” në Dokumentin e Politikës së Sigurisë Kombëtare (i njohur ndryshe edhe si MGSB, apo “Libri i Kuq”), i cili është një dokument i klasifikuar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Në 12 maj 2015, presidenti iu drejtua gazetarëve me fjalët: “Gjyqtarët, këtej e tutje, do ta kryejnë gjykimin e tyre duke u bazuar në Librin e Kuq.” Kjo do të thoshte se gjykatat nuk do të gjykonin më duke u bazuar te Kushtetuta, ligjet dhe normat universale, por duke u bazuar tek ajo çfarë shkruhej në Librin e Kuq, një dokument i klasifikuar i cili është sekret dhe i pasigurueshëm për publikun. Përveç kësaj, ai nuk përbën as një burim ligjor të së drejtës.
Afërsisht një muaj pas udhëzimeve të presidentit, në 23 qershor 2015, Gjykata V Penale e Paqes e Stambollit i lëshoi urdhër-arrestet duke u bazuar te MGSB. Në 8 nëntor 2015, Gjykata III Penale e Paqes i renditi këto baza në vendimin e saj (2015/2983). Si ky mund të jepen edhe shumë shembuj të tjerë, e që të gjithë do të ishin ilustrues shumë të mirë të faktit se gjyqësori është duke i marrë të gjitha udhëzimet prej ekzekutivit.
Trysnia e qeverisë mbi sistemin e drejtësisë
Qeveria ka ndërhyrë menjëherë kur dy gjyqtarë liruan gjashtëdhjetë e tre të ndaluar, kryesisht nëpunës të legjislativit, të cilët kishin qenë të përfshirë në procesin e hetimit të aferës së korrupsionit të dhjetorit 2013. Të pakënaqur me vendimin, HSYK filloi një proces investigativ kundër këtyre dy gjyqtarëve. Megjithatë, presidenti Erdogan deklaroi, 26 prill 2015, se “HSYK po ndërhynte me shumë vonesë.” Kreu i Zyrës së Dytë të HSYK, Mehmet Jëllmaz, kërkoi falje publike për gabimin që kishin bërë duke reaguar me vonesë. Gjatë një mitingu elektoral në zonën e Gymyshhanes, kryeministri Ahmet Davutogllu, iu drejtua proceseve gjyqësore si “tentativa për grusht shteti ndaj qeverisë” dhe pohoi se “ata nuk do të lejoheshin kurrë që t’i kthenin në realitet qëllimet e tyre të këqija.” Për shkak të trysnisë së ushtruar nga ana e ekzekutivit, vendimet për t’i liruar të ndaluarit nuk u vunë në jetë dhe dy gjyqtarët mbetën të arrestuar. Kjo është prova më e pastër se si pushteti ekzekutiv ndërhyn në vendimmarrjen e gjyqësorit. (Ref. Deklarata e Komisionit të Venecies për Ndërhyrjen në Pavarësinë e Gjyqësorit në Turqi, i redaktuar në 20 qershor 2015).
Në 12 maj 2015, HSYK liroi nga detyra katër prokurorë publikë dhe një gjyqtar. Këta ishin njerëzit që po ekzekutonin hetimet për aferën korruptive të sipërpërmendur. Kryeministri i atëhershëm, Ahmet Davutogllu deklaroi: “Ne ia kthyem procesin atyre që duhet të merreshin me të në të vërtetë,” – duke iu referuar prokurorëve dhe gjyqtarit të liruar nga detyra. Kjo deklaratë na tregon se shkarkimi nuk qe vendosur nga vendimmarrja e HSYK, por nga Kryeministri i atëhershëm.
Në 29 maj 2015, Xhan Dyndar, kryeredaktori i së përditshmes Cumhuriyet [“Republika”], e cila është një gazetë e njohur për frymën e saj opozitare kundër qeverisë, raportoi një ngjarje të 19 janarit 2014, sipas të cilës kamionë të MIT (Agjensia Turke e Inteligjencës) ishin ndaluar në përpjekje e sipër për të transportuar armatime drejt grupimeve të opozitës në Siri, përfshi këtu edhe organizatën terroriste ISIS. Qeveria reagoi menjëherë duke thënë se kamionët ishin të mbushur me ndihma humanitare që shkonin në drejtim të komunitetit turkmen, mirëpo raportimi i Cumhuriyet-it jepte prova se brenda kamionët ishin të mbushur me armatime dhe municion.
Në vijim të këtij raportimi, në 31 maj 2015, presidenti Erdogan deklaroi gjatë një daljeje të tij drejtpërsëdrejti në televizionin publik TRT-1, se:
“Shpifjet e lëshuara në emër të agjensisë së inteligjencës, dhe operacione si ato të përmendura në atë gazetë, janë akte të pastra spiunazhi. Edhe kjo gazetë është pjesë e një rrjeti të gjerë spiunazhi. Ata japin disa numra; kush është burimi i tyre? Nga kush i morët ata numra? Nga “shteti paralel”. I kam dhënë avokatit tim të gjitha udhëzimet e nevojshme dhe shumë shpejt do t’i denoncojmë. Ky është një operacion i manaxhimit të perceptimit popullor, që kryhet nga disa njerëz të caktuar. Ai që e ka përgatitur këtë raport, besoj, do ta paguajë shumë shtrenjtë atë që ka bërë; unë nuk do t’ia lë me kaq.”
Në 26 nëntor 2015, Xhan Dyndari dhe Erdem Gyli, përfaqësuesit e Cumhuriyet-it për Ankaranë, u arrestuan pikërisht për akuzat e përmendura më sipër (spiunazh dhe mbështetje e organizatave terroriste/shtetit paralel). Pa u dhënë asnjë provë e mjaftueshme, megjithëse Xhan Dyndari dhe Erdem Gyli kishin qenë të ndaluar për nëntëdhjetë e dy ditë dhe qenë liruar me një vendim të Gjykatës Supreme, e cila u mbështet në lirinë e shprehjes, liritë personale dhe në të drejtën e sigurisë së të akuzuarve. Pas lirimit të tyre, presidenti deklaroi:
“Incidenti nuk ka të bëjë aspak me lirinë e shprehjes. Kjo është një çështje spiunazhi dhe agjenture. Për mendimin tim, media nuk mund të ketë liri të pakufizuar... Unë nuk jam dakord me vendimin dhe as nuk e respektoj atë. Ky është një vendim me qëllimin për t’i liruar... Këta hapa nuk janë hapat e duhur.”
Gjykata e një shkalle më të ulët, që kishte vendosur kundër Dyndarit dhe Gylit, reagoi menjëherë pas deklaratës këshillë të presidentit dhe e refuzoi vendimin e Gjykatës Supreme. Ata i dënuan gazetarët me pesë vjet heqje lirie.
Në qendër të shënjestrës së presidentit dhe të medias pro-qeveritare ka qenë edhe Gjykata Kushtetuese Supreme (AYM), për sa i përket incidentit të kamionëve të MIT. Sipas një raportimi të Cumhuriyet-it, që daton më 26 prill 2016, presidenti i Turqisë ka zhvilluar një takim me anëtarë të kësaj gjykate në lidhje me vendimin e marrë për Xhan Dyndarin dhe Erdem Gylin. Ai u tërhoqi atyre vërejtje, duke u thënë: “Vendimi juaj është i gabuar. Sepse kjo çështje (raportimi për kamionët e MIT) është një çështje e sigurisë kombëtare. Ne po prisnim që ju do ta merrnit vendimin në përputhje me ndjeshmërinë tonë.”
Gjykata supreme, i kapur
Dr. Alparslan Altan dhe Dr. Erdal Tezxhan ishin dy anëtarë të Gjykatës Supreme, të cilët votuan se gjykatat e ngritura, ato të Apelit të Paqes, bien ndesh me Kushtetutën. Në 4 gusht 2016, ata u shkarkuan bazuar në Dekretin Statutor nr. 667, e cila hyri në fuqi në ditët e parë të Gjendjes së Jashtëzakonshme që u ndërmorr menjëherë pas përpjekjes për grusht shteti. Vendimi nuk bazohej në asnjë provë të fortë, por në opinionet e anëtarëve të tjerë dhe të rrethit shoqëror të dy anëtarëve të shkarkuar. Duke pasur parasysh faktin se Gjykata Supreme i shkarkoi dy prej anëtarëve të saj duke u bazuar në një dekret statutor të jashtëligjshëm dhe pa kurrfarë prove të fortë, neve na lejohet që të arrijmë në konkluzionin se Gjykata Supreme e ka humbur pavarësinë e saj. Që këtej e tutje, vendimet e ndërmarra duke u bazuar në të do të jenë veçse humbje kohe.
Gjyqësori, i kapur
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Ergun Ozbudun, i cili foli në konferencën e Rendit të së Drejtës, që u mbajt prej “Freedom Research Association” në Stamboll në 15 tetor 2015. Në fjalën e tij, ai thoshte:
“Në këto vitet e fundit, plagët më të mëdha në demokracinë tonë janë ato që janë hapur në sistemin gjyqësor, në pavarësinë e gjyqësorit dhe në mbizotërimin e ligjit... Ngjarja që e ka nxitur këtë regres dhe këtë përkeqësim të gjendjes është procesi hetimor i aferës korruptive i dhjetorit 2013. Një sërë ligjesh, me qëllimin për ta mbuluar atë proces, e zhbënë tërësej pavarësinë e gjyqësorit. Hapi i parë ishte ndryshimi i tyre me dekrete të posaçme në formën e amendamenteve. Mandej ligji i famshëm për HSYK, i ndjekur nga ligji që krijonte Gjykatat Penale të Paqes, të cilat unë mendoj se janë edhe shkaktaret e plagës më të madhe... Përfundimisht, ligjet dhe rregullimet që ndryshojnë strukturën e gjykatave më të larta në favor të pushtetit ekzekutiv, duke i mbushur ato gjykata me besnikë të qeverisë... kapja e organeve të gjyqësorit dhe krijimi i një gjyqësori të varur kanë qenë të suksesshme në njëfarë mase... detyra e gjyqësorit nuk është që ta bashkërendojë veprimtarinë e saj me pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ, por që t’i kontrollojë ato...
Këto komente mund të shihen edhe si një përmbledhje e asaj që ka ndodhur në sistemin gjyqësor në Turqi përgjatë tridhjetë muajve të fundit.
Demokraci, s’ka më
Në 13 maj 2016, Riza Tyrmen, përfaqësues i partisë opozitare kryesore, Partia Popullore Republikane (CHP), njëherazi ish-gjyqtar i Komisionit Evropian për të Drejtat e Njeriut (ECHR), shkroi një artikull në portalin T24 në internet. Ai u shpreh:
“Ka një konsensus brenda dhe jashtë Turqisë se regjimi në Turqi nuk është më një demokraci. Është e pamundur që të mos e vëresh se Turqia po çdohet drejt një zgripi, ku nuk ka më pavarësi të gjyqësorit; të drejtat themelore të njeriut, si liria e medias dhe ajo e fjalës, apo e drejta e asamblesë, janë duke u shkelur në mënyrë konstante; çdo kritikë shtypet nën pretekstin e një “strukture paralele”, apo në emër “të luftës kundër terrorizmit”; kudo ka frikë dhe represion në rritje; njerëz po humbin jetën në një luftë civile, ku ne e dimë, nga përvoja ndërkombëtare dhe nga ajo e jona, se nuk do të ketë asnjë fitues; qytetet po evakuohen; vendi po shndërrohet gradualisht në një errësirë plot me introvertë. Edhe partia që është në qeveri e sheh këtë gjë. Mirëpo ata kanë një “kauzë”, që është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër: të ngrejë një Turqi të re autoritare të bazuar te besimtarët, e cila do të varet nga një njeri i vetëm...”
Pas përpjekjes për grusht shteti
Menjëherë pas përpjekjes për grusht shteti, 2745 gjyqtarë dhe prokurorë u ndaluan duke u bazuar tek akuza se ishin anëtarë “të një organizate terroriste”, e ashtuquajtura FETO/PDY. Të gjithë këta gjyqtarë dhe prokurorë më vonë u shkarkuan. Me tri dekrete të lëshuara nga ana e HSYK, shumë gjyqtarë u liruan nga detyra, pa iu dhënë asnjë paralajmërim, apo e drejta për t’u mbrojtur. Afërsisht pesëmijë gjyqtarë dhe prokurorë, përfshi këtu edhe gjyqtarë të gjykatave ushtarake, Gjykata Supreme e Apelit, Këshilli Shtetëror, Gjykata e Audituesve, Gjykata Supreme dhe gjykata administrative të tjera. Thuajse të gjitha ato janë ndaluar, me përjashtim të atyre që ia arritën të arratiseshin nga vendi.
Gjithçka u qartësua kur listat e gjyqtarëve të përndjekur ishin përgatitur më parë se sa të ndodhte tentativa për grusht shteti. Aty përfshiheshin edhe emrat e prokurorit të provincës së Bandërmasë, Ahmet Biçer, i cili kishte ndërruar jetë dy muaj para se të ndodhte grushti i shtetit. HSYK kishte botuar një letër ngushëllimi në 24 maj 2016. Nga këtu kuptohet se HSYK, ose harroi ta përditësonte listën, ose besoi se prokurori ishte në mbështetje të tentativës për grusht shteti që përtej varrit.
Emrat e gjyqtarëve Metin Ozçelik dhe Mustafa Basher ishin gjithashtu në listë, megjithëse ata ishin ndaluar nga policia që në 30 prill dhe 1 maj 2015. Siç përshkruhet më sipër, këta gjyqtarë kanë vendosur të lirojnë gazetarin Hidajet Karaxha, drejtori i grupit mediatik të lidhur me Hizmetin, si dhe oficerët e policisë që kishin kryer procedura në hetimin e aferës korruptive të dhjetorit 2013.
Prokurorët publikë Sulejman Bagrëjanëk, Aziz Takçë, Ozxhan Shishman dhe Jashar Kavaxhëkllëogllu ishin gjithashtu në listë. Këta prokurorë, që ishin përfshirë në çështjen e kamionëve të MIT me armatime në drejtim të grupimeve terroriste, ishin shkarkuar nga HSYK në 15 janar 2015. Është më se e dukshme se HSJK kishte harruar t’i hiqte emrat e tyre nga lista.
Ka edhe shumë raste të tjera të panumërta – si për shembull gjyqtari Kemal Karanfil, i cili kishte aplikuar në Gjykatën Supreme për anulimin e ligjit që krijonte Gjykatat Penale të Paqes, duke u bazuar në shkeljen që i bëhej parimit të gjykimit të drejtë prej tyre. Kuptohet, se këta qytetarë dhe, veçanërisht nëpunësit civilë, u klasifikuan nga MIT, dhe dosjet u përgatitën për çdo gjyqtar, prokuror, akademik, ushtarak dhe burokrat civil demokrat dhe liberal. Tentativa për grusht shteti bëri të mundur realizimin e një preteksti për t’i larguar të gjithë kundërshtarët e qeverisë.
Shtabi i Përgjithshëm i Turqisë raportoi në faqen e tij online se grushti i shtetit kishte nisur në mbrëmjen e 15 korrikut 2016 dhe nuk qe rrëzuar krejtësisht deri në orën 4 pasdite të datës 17 korrik 2016. Nëse këto lista nuk qenë përgatitur që më parë, anëtarët e HSJK duhet të japin shpjegime se si mundën ata që t’i identifikonin emrat gjithë atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke përmendur këtu edhe të dhëna nga jeta e tyre private, si adresat, emrat e bashkëshortëve/eve, menjëherë, në mëngjesin e 16 korrikut, kur tentativa për grusht shteti ishte ende në gjendje aktive.
Gjykatat më të larta, të kapura
Gjykatat e larta janë kapur gjithashtu nga ana e qeverisë. Të gjithë anëtarët e Gjykatave Supreme dhe të Këshillit Shtetëror janë shkarkuar bazuar në një ligj i ratifikuar nga Presidenti në 23 korrik 2016. Fill pas kësaj, 25% e anëtarëve të Këshillit Shtetëror u përzgjodhën nga presidenti, ndërsa të tjerët u zgjodhën prej anëtarëve të tjerë të YBP, të cilët njihen për qëndrime pro qeverisë. Në shtator 2016, Zyra V e Këshillit Shtetëror u identifikua si gjykata që do të merrej me çështjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga detyra. Kështu, në Turqi nuk ka më asnjë gjykatë të paanshme dhe të pavarur në përputhje me kriteret e Komisionit Evropian të të Drejtave të Njeriut.
Konkluzion
Të gjitha organet gjyqësore të Turqisë janë kapur përmes aksionit të degës ekzekutive të pushtetit gjyqësor, HSJK, dhe media. Më shumë se katërmijë gjyqtarë dhe prokurorë janë arrestuar ose shkarkuar në gjuetinë e shtrigave që pasoi tentativën për grusht shteti. Në një mjedis të këtillë, është e pamundur që një gjyqtar apo prokuror, përfshi edhe ata të Gjykatës Supreme, që të vendosë në favor të atyre që janë në mbrojtje përballë akuzave të tilla, që kanë të bëjnë me Lëvizjen Hizmet, apo me grupime të tjera opozitare. Gjyqësori i pavarur është i vdekur në Turqi.
Talip Aydin, PhD
Ish-gjyqtar dhe Kreu i Departamentit të të Drejtave të Njeriut, Ministria e Drejtësisë, Turqi
Anëtar bordi i Advocates of Silenced Turkey, Washington, D.C.
- Publikuar më .