Erozioni i demorkacisë turke
Është thellësisht zhgënjyese të shohësh se çfarë i është bërë Turqisë në vitet e fundit. Jo shumë kohë më parë, ajo ishte e lakmueshme nga vendet me shumicë myslimane: një kandidat potencial për Bashkimin Evropian në rrugën për t'u bërë një demokraci funksionale që përkrah të drejtat universale të njeriut, barazinë gjinore, sundimin e ligjit, të drejtat e kurdëve dhe qytetarëve jomyslimanë. Kjo mundësi historike tashmë duket se është venitur, ndërsa partia qeverisëse AKP [Partia për Zhvillim dhe Drejtësi], ka zhbërë këtë përparim, duke goditur shoqërinë civile, mediat, gjyqësorin dhe sipërmarrjen e lirë.
Liderët aktualë të Turqisë duket të pretendojnë një mandat absolut duke u mbështetur në fitoren e zgjedhjeve. Por fitorja e zgjedhjeve asesi nuk u jep atyre të drejtë të injorojnë Kushtetutën dhe të shtypin ata që mendojnë ndryshe, veçanërisht kur fitorja e zgjedhjeve është ndërtuar mbi “kapitalizmin mik” (marrëdhëniet e ngushta mes biznesmenëve dhe zyrtarëve të qeverisë) dhe nënshtrimin e mediave. Drejtuesit e Partisë për Zhvillim dhe Drejtësi [AKP e përshkruajnë] tashmë çdo kritikë demokratike ndaj tyre si një sulm ndaj shtetit. Duke e konsideruar çdo zë kritik si një armik - ose më keq, një tradhëtar - ata po e udhëheqin vendin drejt totalitarizmit.
Viktimat e fundit të goditjes së partisë në pushtet janë stafi, drejtuesit dhe redaktorët e grupeve të pavarura mediatike, të cilët janë burgosur dhe tani po përballen me akuza të bëra akoma edhe më të mundura me ndryshimet e fundit në ligjet dhe sistemin gjyqësor. Drejtor i një prej kanaleve televizive më të njohura në Turqi është arrestuar në dhjetor të vit të kaluar, dhe mbahet ende pas hekurave. Zyrtarët publikë që hetojnë akuzat për korrupsion, gjithashtu janë larguar dhe burgosur, thjesht sepse kanë bërë punën e tyre. Një gjyqësor i pavarur, një shoqëri civile funksionale dhe mediat janë faktori më i rëndësishëm për mekanizmin e “kontroll dhe ekuilibra” kundër shkeljeve të qeverisë. Një shtypje e tillë kaq agresive përçon mesazhin se kushdo që qëndron në rrugën e agjendës së partisë në pushtet do të jetë në shënjestër përmes përgojimeve, sanksioneve dhe madje edhe akuzave të sajuara.
Sundimtarët e Turqisë jo vetëm që kanë tjetërsuar Perëndimin, por ata tashmë po humbasin dhe besueshmërinë në Lindjen e Mesme. Aftësia e Turqisë në mbrojtjen e ndikimit pozitiv në rajon varet jo vetëm nga ekonomia e saj, por dhe nga shëndeti i vetë demokracisë së saj.
Parimet kryesore të një demokracie funksionale - shtetit i së drejtës, respektimi i lirive individuale - janë gjithashtu ndër çështjet themelore të vlerave islame të dhuruara për ne nga Zoti. Asnjë udhëheqës politik apo fetar nuk ka autoritet t’i cenojë ato. Është jashtëzakonisht dëshpëruese të shohësh dijetarët fetarë teksa gjejnë justifikime teologjike për tiraninë e partisë në pushtet dhe korrupsionin, apo të tjerë që thjesht qëndrojnë të heshtur. Ata të cilët përdorin gjuhën dhe simbolet e riteve fetare duke shkelur parimet kryesore të fesë së tyre, nuk e meritojnë një besnikëri të tillë nga dijetarët fetarë.
Të flasësh kundër shtypjes dhe tiranisë është një e drejtë demokratike, një detyrë qytetare dhe për besimtarët një detyrim fetar. Kurani e thotë qartë që njerëzit nuk duhet të heshtin përballë padrejtësisë: "O ju që besuat! Jini dëshmues dhe bartës të së drejtës, dëshmoni të vërtetën për hir të Zotit, edhe nëse ajo mund të jetë kundër jush, prindërve ose të afërmve tuaj."
Në 50 vitet e fundit, kam qenë me fat të jem pjesëmarrës në lëvizjen e shoqërisë civile, së cilës nganjëherë i referohet edhe si Lëvizja për Shërbim, pjesëmarrësit dhe përkrahësit e të cilës përfshijnë miliona qytetarë turq. Këta qytetarë janë angazhuar për dialog ndërfetar, shërbime ndaj komunitetit, përpjekje për ndihmë dhe kanë mundësuar një shërbim arsimor që ndryshon jetën e njërëzve. Ata kanë ndërtuar më shumë se 1000 shkolla moderne laike, qendra kursesh private, kolegje, spitale dhe organizata humanitare në mbi 150 vende. Ata janë mësues, gazetarë, biznesmenë dhe qytetarë të zakonshëm.
Retorika e përdorur nga partia në pushtet, në mënyrë të përsëritur, për të goditur pjesëtarët e Lëvizjes për Shërbim nuk është asgjë tjetër veçse një pretekst për të justifikuar autoritarizmin. Pjesëtarët e Lëvizjes për Shërbim nuk kanë formuar kurrë një parti politike dhe as nuk kanë ndjekur ndonjë ambicie politike. Pjesëmarrja e tyre në këtë lëvizje është e shtyrë nga shpërblime të brendshme shpirtërore, dhe aspak nga shpërblime materiale të kësaj bote.
Kam kaluar mbi 50 vite duke predikuar dhe duke mësuar vlerat e paqes, respektit të ndërsjellë dhe altruizmit. Kam avokatuar për edukim, shërbimin ndaj komunitetit, si dhe për dialogun ndërfetar. Gjithmonë kam besuar në kërkimin e lumturisë duke bërë të tjerët të jenë të lumtur dhe në mirësinë e kënaqësinë e Zotit duke ndihmuar popullin e Tij. Çfarëdo ndikimi që më atribuohet, e kam përdorur si një mjet për të promovuar projekte arsimore dhe sociale që ndihmojnë e ushqejnë individë me virtyte të larta. Personalisht nuk kam asnjë interes në pushtetin politik.
Shumë pjesëtarë të Lëvizjes për Shërbim, përfshirë dhe mua, dikur kemi mbështetur agjendën e partisë në pushtet, duke përfshirë edhe hapjen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian në vitin 2015. Mbështetja jonë më pas është bazuar në parime, siç dhe janë kritikat tona sot. Është e drejta dhe detyra jonë të flasim publikisht për politikat qeveritare, të cilat kanë një ndikim të madh në shoqëri. Fatkeqësisht, qëndrimi ynë demokratik kundër korrupsionit publik dhe autoritarizmit na ka bërë ne viktima të një gjuetie shtrigash; të dyja palët, si Lëvizja për Shërbim dhe unë gjendemi në shënjestër të një gjuhe urrejtjeje, fushatash shpifjeje të mediave dhe proceseve ligjore.
Ashtu sikundër të gjitha segmentet e shoqërisë turke, pjesëtarët e Lëvizjes për Shërbim janë të pranishme në institucionet qeveritare dhe në sektorin privat. Këtyre qytetarëve nuk mund t’u mohohen të drejtat e tyre kushtetuese dhe nuk mund të jenë subjekt i diskriminimit për shkak të simpatisë e tyre ndaj idealeve të Lëvizjes për Shërbim, për aq kohë sa ata të veprojnë në përputhje me ligjet e vendit, rregullat e institucioneve të tyre dhe parimet themelore etike. Profilizimi i një segmenti të shoqërisë dhe të parët e tyre si një kërcënim është shenjë e intolerancës.
Ne nuk jemi të vetmit viktima të shtypjes të AKP-së. Protestuesit paqësorë në mbrojtje të mjedisit, kurdët, alevitë, qytetarët jomyslimane dhe disa grupe suni të paangazhuar me partinë në pushtet, kanë vuajtur gjithashtu nga shtypja. Pa mekanizmin “kontroll dhe ekuilibër”, asnjë individ apo grup nuk është i sigurt nga zemërimi i partisë në pushtet. Pavarësisht qasjeve të tyre fetare, qytetarët mund, dhe duhet, të bashkohen rreth të drejtave dhe lirive universale të njeriut, duke i kundërshtuar në mënyrë demokratike ata që i shkelin ato.
Turqia, tani ka arritur në një pikë ku demokracia dhe të drejtat e njeriut pothuajse janë braktisur. Shpresoj dhe lutem që ata që janë në pushtet të heqin dorë nga rruga e tyre drejt autoritarizmit. Në të kaluarën, populli turk i ka refuzuar udhëheqësit e zgjedhur që kanë hequr dorë nga demokracia. Shpresoj që ata do t'i ushtrojnë përsëri të drejtat e tyre ligjore dhe demokratike për të kërkuar të ardhmen e vendit të tyre.
New York Times, 2.2.2015
- Publikuar më .