Është e nevojshme që SHBA t’i kërkojë Turqisë të ndërrojë kurs
Cilatdo qofshin arritjet e tij në këtë dhjetëvjeçar të fundit, kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdoğan është duke shkatërruar demokracinë “e vështirë” të vendit të tij. Ky është një problem tejet i qenësishëm për mbarë Turqinë, po edhe për aleatët perëndimorë të saj. Qëndrimi heshtur, ndoshta prej frikës se e folura hapur mund të dëmtojë disa interesa afatshkurtër, rrezikon stabilitetin e Turqisë për një kohë më të gjatë.
Muajin e shkuar policia arrestoi më tepër se pesëdhjetë persona, të cilët ishin pranë qeverisë së kryeministrit Erdoğan – duke përfshirë aty shumë prej përfaqësuesve më në zë të biznesit e disa prej djemve të ministrave të kësaj qeverie – me akuzën për afera korruptive. Megjithëse ryshfeti ka qenë diçka e lejuar për një kohë të gjatë në qeverinë turke, këto deklarata janë të paprecedente. Ato arrijnë deri në nivelet më të larta të qeverisjes dhe përfshijnë jo vetëm shkelje të brendshme, por edhe evazion të një shkalle tejet të lartë sanksionesh iraniane.
Ndërsa kryeministri turk, në vend që të siguronte një ekzaminim sa më të imtësishëm të këtyre akuzave, është duke u përpjekur që t’i varrosë ato. Ai ka pezulluar prokurorët kryesorë të kësaj çështjeje, e bashkë me ta edhe 3000 punonjës policie në shkallë kombëtare, me parashtrimin se po përpiqet të përfshijë kontrollin e qeverisë mbi një sistem gjyqësor të dobët, duke ia kufizuar mundësinë policisë për të kryer hetime të pavarura, e duke mos u mjaftuar veç me kaq, ai ua parandalon gazetarëve raportimin e kësaj çështjeje, me ndërmarrjen e një fushate mediatike të montuar për të shkatërruar armiqtë e tij – veçanërisht ndjekësit e liderit të fuqishëm fetar, Fethullah Gylen, të cilët deri më tani ishin aleatët e tij më të fortë. Dhe, njësoj siç veproi me protestat që iu kundërvunë qeverisjes së tij verën e shkuar, Erdoğan është duke i portretizuar ndodhitë e ngjara si një komplot masiv karshi tij. Ai nuk u mjaftua pa ndërfutur në këtë çështje edhe disa prej partive të opozitës, bashkë me përfaqësuesit e huaj, aq sa arriti gjer sa të kërcënonte me përzënie të ambasadorit të SHBA-ve.
Këto nuk janë vetëm veprimet e një politikani që kërkon të mënjanojë skandalin. Erdoğan është duke i shfrytëzuar deklaratat për një ndrydhje të krejt mospajtimeve në të ardhmen për ta përforcuar më tej kontrollin e tij mbi Turqinë.
Këto taktika të tij nuk janë të reja. Sa herë që është sfiduar, kryeministri Erdoğan ka kërkuar që t’i shkatërrojë kundërshtarët e tij, se sa të bjerë në kompromis me ta. Pasi e mënjanoi ndikimin politik të ushtrisë, ai shkoi pas qendrave të tjera të pushtetit: medias, liderëve të biznesit dhe shoqërisë civile; tani me ndjekësit e Lëvizjes Gylen, të cilët janë një komunitet me ndikim të madh në Turqi. Kryeministri ka krijuar përherë kriza – qofshin ato të vërteta apo të fabrikuara – për të minuar rregullin e vendosur prej ligjit.
Protestat e bëra në Gezi Park vitin e shkuar dhe skandali i tashëm nuk janë as shqetësime të vogla e të izoluara, e as mosmarrëveshje të brendshme të thjeshta. Ngjarja e tyre dhe reagimi i qeverisë janë simptomat e një përplasjeje mes një qeverie autoritare në rritje e sipër, e cila kërkon ta pakësojë rezistencën ndaj rregullave të saj, poende lëvizjet opozitare, qofshin ato liberale dhe shekullare, qofshin konservatore si në rastin e Gylenit.
Tanimë kjo përplasje ka hyrë në një fazë të re. Turqinë e presin zgjedhjet lokale, të cilat janë tejet të rëndësishme, në fund të muajit mars, të cilat ndiqen mandej prej fushatave presidenciale dhe parlamentare njëra pas tjetrës. Erdoğan ende nuk ka deklaruar nëse do të kërkojë apo jo presidencës, apo rizgjedhjen e tij si kryeministër, veçse është duke e bërë të ditur se do të jetë ai që do ta drejtojë Turqinë. Këto deklarata, dhe veprimet e tij të mëhershme, mund t’ia ulnin sasinë e votave; ato i kanë dhënë një frymë të re të gjitha partive opozitare.
Dhe kjo rënie e demokracisë në Turqi krijon një dilemë trysnuese për Shtetet e Bashkuara. Ky kurs i ndjekur prej kryeministrit turk vetëm sa e çojnë Turqinë prej një demokracie jo të përsosur drejt një autokracie. Që në të vërtetë, një fat i këtillë për një aleat tejet të ngushtë, njëkohësisht anëtare e NATO-s, do të përbënte ndërlikime të thella përsa i përket partneritetit tonë, besueshmërisë së Shteteve të Bashkuara dhe perspektivës së demokracisë në rajon. Ajo, veç këtyre, do të përbënte edhe një kërcënim për ekonominë e Turqisë.
Sekretari i Shtetit, John Kerry, me ministrin turk të punëve të jashtme, Ahmet Davutoglu, bënë kohët e fundit disa deklarata publike modeste përsa i përket devocionit të Shteteve të Bashkuara përsa i përket demokracisë dhe shtetit të së drejtës, duke ripohuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndronin jashtë politikës së brendshme turke dhe duke rapsodizuar marrëdhënien bilaterale. Siç edhe pritej, ministri turk, Davutoglu, qe dakord.
Denoncimi i Erdoğan, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara është duke ndërhyrë, e vendos Washington-in në një pozitë të vështirë: Nëse Shtetet e Bashkuara ndërhyn në çështjen e skandalit, atëherë kjo mund t’i japë merita akuzave të tij duke bërë që radhët e tij të shtohen edhe me më shumë mbështetës.
Më tepër përsa i përket rregullit të Erdoğan, qasja e Shteteve të Bashkuara ka qenë më tepër heshtje publike përsa i përket zhvillimeve të papëlqyeshme, me disa vërejtje private në disa raste. Siç edhe e diskutuam në një raport të fundmë të Qendrës për Politika Dypartiake, kjo strategji nuk ka rezultuar e suksesshme. Nuk ka ndikuar thuajse fare në disa aspekte të rëndësishme të politikës së jashtme të kryeministrit Erdoğan, të cilat në më të shumtën e rasteve kanë qenë në kundërshti me politikën e Shteteve të Bashkuara; veçse e ka moderuar retorikën e tij konfrontuese; ose i ka hyrë një politike të brendshme më pak antagoniste. Ç’është e vërteta, heshtja e Shteteve të Bashkuara përgjatë këtyre viteve ka gjasa ta ketë inkurajuar më tepër kryeministrin turk.
Politikëbërësit amerikanë duhet të heqin dorë prej ngurrimit për t’u përballur me efektin shkatërrimtar të tendencave diktatoriale të Erdoğan-it, dhe t’i rikujtojnë liderit turk rëndësinë që Shtetet e Bashkuara i jep stabilitetit politik dhe vitalitetit demokratik në Turqi. Veçanërisht, meqenëse ndikimi i tyre është më i madh nga ç’duket: me sa duket, ndërkohë që nuk i besojnë Shteteve të Bashkuara, turqit nuk duan as që të jenë në mosmarrëveshje me të.
Kryeministri turk Erdoğan e ka shfrytëzuar partneritetin me Shtetet e Bashkuara, dhe marrëdhënien e tij personale me presidentin Obama për të lëmuar legjitimitetin e tij. Dënimi i veprimeve të tij të fundit prej Shteteve të Bashkuara – shfaqur në publik dhe akoma më shumë privatisht – mund ta zbusin qëndrimin e tij. Sado domethënëse qofshin interesat e Shteteve të Bashkuara me Turqinë, as heshtja e as artikulimi i të vërtetës nuk do ta ndihmojnë që t’i japë fund rënies së saj politike.
Erdoğan-i është duke e dëmtuar rëndë demokracinë e Turqisë. Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë të qartë, privatisht dhe publikisht, se veprimet e tij të skajshme dhe demagogjia janë duke i rrënuar vlerat dhe institucionet politike të Turqisë, gjithashtu janë duke vënë në rrezik marrëdhënien mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Morton Abramowitz dhe Eric Edelman janë dy ish-ambasadorë të SHBA-ve në Turqi dhe gjithashtu dy nga drejtuesit e Nismës Turke të Qendrës së Politikave Dypartiake. Blaise Misztal është drejtor ekzekutiv pranë qendrës së Politikës së Jashtme.
- Publikuar më .