Dhuna nuk ekziston në traditën e Profetit
Myslimanët, çdo ditë luten me fjalët “O Zot, mbana ne në rrugë të drejtë!” Një lutje, e cila na ndihmon t’i qëndrojmë sa më larg teprimeve, duke jetuar kështu një jetë të ekuilibruar. Nuk duhet të biem kurrsesi pre e instinkteve tona të çastit për të reaguar ashpër, as nuk duhet të qëndrojmë kryekreje të heshtur përballë vazhdës së shpifjeve mbi vlerat dhe besimin tonë. Ky ekuilibër është çoroditur paksa për shkak të reagimeve të dhunshme që janë shfaqur karshi fyerjeve të drejtuara kah figura e të dashurit tonë, Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi Të). Ky reagim i ashpër ishte një përgjigje e gabuar, e cila rrëshqiti që në fillim prej rrugës së drejtë.
Myslimanët nuk mund të qëndrojnë mospërfillës ndaj sulmeve të drejtuara mbi Profetin (pqmt). Përkundrazi, ata duhet të shfaqin ndjeshmërinë dhe përkujdesjen më të madhe, pasi ata që fyejnë, ndoshta kanë si qëllim të skicojnë një imazh të gabuar për besimtarët myslimanë, për të shfajësuar sakaq diskriminimin, izolimin dhe persekutimin e ushtruar prej vetë atyre. Nxitja e paramenduar për të krijuar trazira brenda botës islame nuk është e re për veshin tonë. Shpeshherë ka ndodhur që vlerat tona të sulmohen nëpërmjet filmash vizatimorë. Sot po ndodh përmes një filmi, ose me anë të karikaturave në një revistë franceze; ndoshta nesër kushedi se ç’forma do të përdoren. Prandaj, myslimanët nuk duhet të ndillen apo të mashtrohen assesi, por duhet të flasin hapur për parandalimin e veprimeve të atyre që janë më lehtësisht të provokueshëm për të përfunduar në ushtrimin e dhunës.
Kurdo që ndaj Profetit mund të lëshohet një koment i pakënaqshëm, sado i lehtë qoftë ai, një mysliman duhet të ndjejë një hidhërim të thellë. Patjetër, shprehja e saj është një çështje më vete. Sepse veprimet e papërgjegjshme të disa individëve e dëmtojnë imazhin e Islamit, duke shkatërruar traditën që myslimanët janë përpjekur ta mbrojnë.
Askush nuk mund të veprojë pa maturi, kur në shënjestër janë marrë të drejtat e çdo myslimani, të Zotit, të Kuranit dhe të Profetit. Madje çdokush duhet të shqyrtojë me kujdes edhe pasojën më të vogël të çdo veprimi të tij, duke kërkuar fillimisht urtësinë e gjykimit kolektiv.
Pyetja, që ne si myslimanë duhet t’i bëjmë vetes, është në ia kemi shpjeguar botës si duhet, Islamin dhe Profetin Muhamed. A e kemi ndjekur ne shembullin e Tij asisoj që të meritojë admirimin e gjithkujt? Kjo është detyra jonë, e jo me fjalë, por me mënyrën tonë të jetesës.
Nëse njerëzve u vijnë të parat në mendje bombat vetëvrasëse, atëherë si mund të kenë një mendim të mirë për Islamin? E si mund të jetë e ndryshme vrasja padrejtësisht e disa civilëve të pafajshëm, nga vrazhdësia që ka përndjekur vazhdimisht myslimanët? E si mund të jetë e arsyeshme të sulmosh Konsullatën Amerikane në Libi, të vrasësh një ambasador dhe oficerë të pafajshëm të konsullatës, që s’kanë të bëjnë fare me filmin e publikuar? Nëse janë pikërisht myslimanë ata që i ndërmarrin këto sulme, kjo do të thotë se nuk janë fare në dijeni se ç’është Islami në vetvete, por veçse, të fshehur pas Islamit, kanë kryer një krim, më të rëndin.
Një mysliman duhet të jetë gjithnjë i drejtë dhe i qëndrueshëm në fjalët dhe veprimet e tij. Ai duhet të respektojë të gjitha vlerat e shenjta të të krishterëve, hebrenjve, budistëve dhe të tjerëve, njëlloj siç dëshiron që të tjerët të tregojnë respekt karshi fesë dhe vlerave të tij. Teksa reagon, ai nuk duhet të ndahet kurrsesi prej rrugës së mesme, që është më e mira. Shumë mënyra përgjigjeje mund të gjenden duke u mbështetur te vetëdija kolektive e shoqërisë apo edhe e komuniteteve ndërkombëtare.
Ligjërimi i urrejtjes për të nxitur dhunën është një keqpërdorim i lirisë së fjalës. Ajo dhunon të drejtat, dinjitetin dhe liritë e të tjerëve, duke e çuar kështu njerëzimin drejt konfliktit në një epokë të armatimeve të tmerrshme. Andaj, në vend që të biem pre e nxitjeve të të tjerëve, duhet të bëjmë apel nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare, përgjegjëse për gjetjen e zgjidhjes, si për shembull Organizata e Bashkëpunimit Islam ose Kombet e Bashkuara, që të marrin përsipër identifikimin dhe dënimin e këtyre instancave të ligjërimit urrejtës. Ne mund të ndërmarrim çdo hap që është i parashikuar në ligje dhe të drejta për të parandaluar çdo lloj mosrespektimi të figurave fetare, jo vetëm të Profetit Muhamed.
Sulmet e përsëritura mbi Profetin, që tashmë janë kthyer në një përvojë të hidhur, janë për t’u ndëshkuar. Por dhuna nuk është ndëshkimi i duhur. Duke marrë shkas, ne mund të nisim një fushatë për të promovuar vlerat e shenjta të të gjitha besimeve.
Autori është teolog mysliman, njëherazi kryetar i Fondacionit të Gazetarëve dhe Shkrimtarëve me qendër në Stamboll.
- Publikuar më .