Perceptimi i temës dhe vështirësitë gjatë shtjellimit
Gjatë diskutimit të Islamit në Turqi por edhe shtjellimit të personaliteteve si Fethullah Gyleni, vazhdimisht hasim në pengesa të cilat duhen kapërcyer që në krye. Pengesa e parë është indiferenca dhe mungesa e përpjekjes për ta konceptuar e kuptuar Islamin sipas mentalitetit të vet, veçan nga elita intelektuale që është edhe udhërrëfyese e mendimit dhe e ideologjisë së pjesës së vetëquajtur laike e properëndimore në Turqi, si dhe trajtimi prej tyre i Islamit dhe i fesë në përgjithësi si një çështje krejtësisht jashtë e larg tyre. Veçanërisht në vendet joperëndimore, më tepër se në ato perëndimore, sot, shkenca trajtohet si burimi i vetëm i gjithçkaje. Çdo gjë shihet si pronë që i përket perëndimit. Domosdo këto shkaqe janë themelore në kontradiktat e thella shtet-nënshtetas dhe në shkëputjen popull-intelektual, të hasura aktualisht sidomos në vendet Islame, si dhe në konfliktet e shtresave të ndryshme të popullsisë në këto vende.
Në Turqi ende vazhdon ndikimin e vet konceptimi materialist perëndimor i shekullit të 19, i cili e trajton besimin fetar në tre aspekte. Antropologjik, sociologjik dhe psikologjik. Këtu nuk do të hyjmë në një analizë të thellë të këtyre tre aspekteve, por do të mjaftohemi me renditjen e anëve të tyre të përbashkëta.
- Besimi fetar nuk është një sistem dhe institucion i vendosur nga një pushtet mbinjerëzor, që zotëron vullnet, dituri e pushtet absolut, por është thjesht pjellë e mendjes njerëzore.
- Gjatë formimit të personalitetit të vet dhe gjatë jetës së tij në tokë, individi nuk arrin të kuptojë e të ndikojë dukuritë natyrore; gjithashtu normat sociale nuk janë ende efikase, kështu që ai has nevojën për të besuar në një forcë të mbinatyrshme dhe e specifikon këtë nevojë me perëndinë dhe me disa rituale sistematike, të cilat i quan fe.
- Me zhvillimin e shkencës dhe të teknologjisë, njeriu do të arrijë të ketë nën pushtet edhe natyrën dhe do të jetë i aftë të bëjë një shpjegim shkencor për dukuritë e saj, kështu që besimi fetar do ta humbasë funksionin e vet dhe pas një stadi, nuk do të jetë më një nevojë për individin.
- Megjithatë, disa individë, qoftë për të vendosur sjelljet e tyre në një platformë morale, qoftë për të plotësuar disa nevoja njerëzore, në një farë mënyre mund të vazhdojnë të ruajnë një besim fetar.
Në vendet e “botës së tretë” si Turqia, apo sipas një klasifikimi tjetër, në vendet e botës islame, ky koncept perëndimor i shekullit IXX rreth besimit fetar është bërë shkak i shumë keqkuptimeve. Njëri prej tyre është njehsimi i besimit fetar me Kristianizmin. Sidomos pjesa intelektuale, e trajton të njëjtë besimin fetar, pa bërë ndarjen Islam-Kristianizëm. Gabimi më i madh që lind nga trajtimi i këtyre dy besimeve fetare së bashku, kur dihet se kanë ndryshime të mëdha, si në doktrinë e katekizëm, ashtu edhe në rituale, në rolin mbi jetën sociale e në normat e sjelljes që predikojnë, është ai që shfaqet sot në trajtimin politik të Islamit. Si shembull real mund të përmendim këtu pozitën e Kishës, si përfaqësuese e pushtetit të Zotit në tokë, e cila është edhe shkaku i lindjes së teokracisë. Në Islam asnjëherë nuk bëhet fjalë për një institucion të tillë dhe përjashto Shian e Iranit, në Islam nuk është shfaqur asnjëherë as një klasë klerike dhe as një hierarki teokratike e tillë.
Gabimi i dytë që lind nga importimi i konceptit fetar prej perëndimit, është trajtimi i Islamit si një besim fetar skolastik, sikurse Kristianizmi, me nevojën e vazhdueshme të reformimit, me një tërësi dogmatike të rregullave dhe normave që trajtojnë jetën fetare e sociale pa i lënë vend aspak të menduarit, ose si një sistem që është shpikur njëherë e një kohë në histori nga një person dhe tani vazhdon të ruhet nga ithtarët e vet. Janë pikërisht të tilla gabime që sot janë shkak i rëndësishëm i kontradiktave të pjesës Islame me pjesën e quajtur laike në Turqi.
Nga ana tjetër konceptimi i fesë nën emrin e shkencës, në bazë të Pozitivizmit e të psikanalizës së Frojdit, ka gjetur mbështetje nga shumë intelektualë, si në Turqi ashtu edhe në botën islame, gjë që i hap rrugë moskuptimit të burimit të fesë, të Zotit e të Profetit, si dhe ndikimit që ajo ka mbi njerëzit. Kjo mënyrë konceptimi është e pamjaftueshme të shpjegojë burimin e fuqisë së profetëve si Musai e Isai, të cilët të vetëm, kanë qindra vite që ruajnë ndikimin mbi zemrat e qindra miliona njerëzve. Gjithashtu, është e pamjaftueshme të shpjegojë besimin e përshtatshëm me karakterin njerëzor që përfaqëson një Profet i vetëm në Mekë, burimin e tij-Allahun, librin e tij- Kuranin dhe pushtetin e tyre. Atë pushtet me të cilin ai Profet arrin e ulet në fronin e zemrave dhe të mendjeve të njerëzve, aq më tepër, pa pritur kurrfarë shpërblimi prej tyre, i fton njerëzit në rrugën e Zotit dhe në një kohë mjaft të shkurtër i tjetërson krejtësisht ata njerëz që në kushte normale ishte e pamundur të ndryshonin, por edhe i zbukuron ata me vlerat më të larta morale, duke formuar një grup të tillë njerëzish, që do të jenë shembull gjer në fundin e botës - sahabet. Gjithashtu nuk e shpjegon dot as nivelin e diturisë e të moralit të tyre shembullor të arritur në një kohë mjaft të shkurtër nën mësimet e atij Profeti. Është i pakonceptueshëm për të tilla mendje edhe fakti që besimi fetar, i cili mendohej se një ditë nuk do të ishte më i nevojshëm për njeriun, sa vjen e bëhet më i rëndësishëm e më i pushtetshëm në mendjet, zemrat dhe jetën e njerëzve. Edhe fakti që ndonëse përtej sa e sa shekujve, profetët ende janë udhërrëfyesit e qindra miliona njerëzve. Jo vetëm që është e pakuptueshme, po është edhe e pashpjegueshme një gjë e tillë. Dhe duke qenë e pashpjegueshme, lind nevoja e domosdoshme për të prodhuar “teori të reja shkencore”, të cilat fatkeqësisht janë të dështuara. Është pikërisht ky botëkuptim, ai që nuk e shpjegon dot se si njerëzit, të nxitur nga Gyleni, arrijnë të hapin institucione anekënd botës dhe detyrohet të gjejnë shpjegime e teori të tjera për burimin e këtyre institucioneve.
- Publikuar më .