Drejt botës sonë

Kur thellohemi në ngjarjet e mëdha historike, mund të vërejmë se mendimi dhe veprimi jetojnë brenda njëri-tjetrit, se ata janë të lidhur ngushtë. Veprimi është nga njëra anë i planifikuar dhe i ushqyer prej mendimit, ndërsa nga ana tjetër, përpjekjet dhe lëvizjet e reja ndërtojnë themelin e mendimeve dhe projekteve të reja. Në këtë kuptim, lidhja e mendimit me veprimin mund të krahasohet me qiellin, shiun, atmosferën dhe ajrin, ndërsa veprimi mund të konsiderohet si ena, apo vazoja, dheu dhe fuqia vegjetative që zhvillon mendimin. Nuk do të ishte i gabuar vlerësimi i këtij reciprociteti. Çdo lëvizje përbën realizimin e disa mendimeve dhe planeve të caktuara, dhe çdo mendim, në bashkëpunim me lëvizjet në atë kah, përbën një fillim dhe një proces të gjetjes së kornizës së vërtetë dhe qëllimit të tij. Niveli i parë i vullnetit përbën një tendencë të brendshme, ndërsa i fundit është i përbërë prej vendosmërisë, vendimmarrjes dhe përpjekjeve. Në këtë proces mendimi është si fija e pëlhurës nga fillimi deri në fund, ndërsa veprimet e ndërgjegjshme janë si krejt pëlhura e endur me këto fije. Veprimet e pamenduara dhe të paplanifikuara rezultojnë në shumicën e rasteve një fiasko dhe çrregullim, ndërsa mendimet pa vepra parandalojnë ndërtimin e modeleve që konsiderohen si dimensionet më të fundme të të menduarit. Ato e dëmtojnë shpirtin e vullnetit.

Duke u rikthyer në ditët tona mund të themi se rrezet e mendimit, jo vetëm që janë penguar të ndriçojnë mbi të gjithë sektorët e shoqërisë, por edhe se vullneti ka qenë gjithashtu krejtësisht i paralizuar. Përfaqësimi është përjashtuar nga sistemi dhe është lejuar që anarkia të vrasë veprimin. Lëvizjet fatkeqe të shekullit të fundit, i kanë çuar masat popullore nga njëri depresion në tjetrin, duke i zhytur në rrëmuja të vazhdueshme. Këto masa njerëzish, të lënë në duart e shpirtrave egoistë, lakmitarë dhe ambiciozë, janë kequdhëzuar, paralizuar dhe ngatërruar, duke bërë që ata të hedhin hapa të pasigurt sa majtas-djathtas, duke u shfrytëzuar pa mëshirë dhe në mënyrë të vazhdueshme nga këta njerëz. Pavarësisht gjithë këtyre shkaqeve, vërejmë me hidhërim se edhe njerëzit e sotëm nuk janë pjekur sa duhet për t’i lëvizur zemrat dhe fuqitë e tyre mendore, ndaj ne themi “edhe pak...”, kur duam të largojmë veten nga dobësia jonë natyrore, për t’u shprehur me vullnet, për të ushqyer besimin tonë dhe për ta pjekur atë, për të çrrënjosur çdolloj mungese shprese dhe skepticizmi nga shpirtrat tanë. Gjithashtu, edhe kur duam ta shpëtojmë veten, para së gjithash, nga tronditja perëndimore, ne akoma themi “edhe pak”.

Që nga revolucioni industrial i së shkuarës, deri në përparimin teknologjik të ditës së sotme, pothuajse gjithçka, çdo ngjarje ka sjellë për pasojë tronditje pas tronditjeje, duke na shkaktuar mjaft ndërlikime. Për më tepër, keqinterpretimi i “shkencës”, paqëndrueshmëria dhe inkoherenca e modernizmit, i ka bërë mendjet tona mjaft konfuze dhe e ka errësuar vizionin tonë. Fatkeqësisht, të tilla dobësi dhe tronditje ka shumë të ngjarë të vazhdojnë edhe për disa kohë, por dhe fjalët tona delirante gjatë somnambulizmit tonë, ka mundësi që të vazhdojnë të jenë prezente. Zoti e di edhe për sa kohë na duhet të përballemi me një situatë të tillë. Ne na duhet ta përballojmë këtë situatë sepse jemi të ndërgjegjshëm për faktin se nëse duam të riparojmë një shoqëri kaq të tronditur dhe ta rikthejmë atë në gjendjen e saj fillestare, duke e modeluar në përputhje me epokën në vijim, nevojiten veprime të disiplinuara dhe pozitive, me një kohëzgjatje të madhe, ashtu sikurse durimi i gjallë i koraleve, një lëvizje aktive dhe e disiplinuar e cila t’i ngjajë qetësisë dhe atmosferës konstante së inkubatorit.

Pas një pritjeje dhe pas veprimesh të tilla, unë besoj vërtet se ne do të rigjallërohemi dhe do të kontribuojmë në përmirësimin dhe përparimin e botës. Megjithatë, nëse duam ta nisim këtë proces, ne duhet të përgatisim njerëz me vullnet të hekurt, të cilët do t’i japin popullit një shpirt të ri. Këta duhet të jenë njerëz me thellësinë e Abdul Kadir Gejlanit, gjerësinë e Imam Gazaliut, devotshmërinë e Imam Rabaniut, dashurinë dhe entuziazmin e Mevlana Xhelaledin Rumiut, gjithpërfshirshmërinë dhe pozitivitetin e Nursiut, si dhe të atyre të cilët do të përgatisin terrenin e ri në të cilin të jetojnë njerëzit e ditëve tona. Megjithatë, është fakt që ne kemi nevojë për kohë në dispozicion, për kushte dhe mundësi të mjaftueshme që të mund të lindin të tilla figura, në mënyrë që të çajmë dallgët e depresionit ku janë zhytur mendimet dhe intuita jonë për vite me radhë, duke bërë të mundur që puhia e Araratit[1] të fryjë në shpirtrat e njerëzve. Sigurisht, duhet të kemi parasysh që vetë ne së pari kemi nevojë të fitojmë vetveten, të riparojmë mekanizmat e shpirtrave tanë dhe të rikthejmë në gjendjen e mëparshme botën tonë shpirtërore, ndjenjat dhe mendimet. Përndryshe, nëse nuk jemi në gjendje të ngremë “Kalorësinë e dritës”, atëherë kush do të na ndihmojë të arrijmë burimin e Hidrit? Për sa kohë që ne do të mbetemi të mbyllur ndaj vlerave tona, sistemit tonë shpirtëror dhe do të jetojmë të ç’orientuar, nuk do të mundim të ecim përpara dhe të bëjmë progres, kjo është ajo që ka ndodhur deri tani. Përsa i përket kësaj çështjeje, nuk kemi nevojë të kërkojmë për armiq të jashtëm, sepse armiku i vërtetë është brenda vetes sonë. Ai është duke shikuar nga pallati i tij, këmbëkryq dhe duke nënqeshur me ironi varfërinë dhe sorollatjen tonë.

Nëse do të na duhet të bëjmë një strategji për xhihad, atëherë kjo strategji duhet të mbështetet në çrrënjosjen e armiqve të pamëshirshëm dhe të pabesë të cilët kanë pushtuar zemrat tona. Në fakt, bota jonë ka qenë e bllokuar për vite me radhë nga këta armiq dhe nga askush tjetër. Njerëzit tanë nuk kanë qenë në gjendje ta heqin këtë bllokadë fatale dhe të rikthehen në natyrën e tyre, pra, të jenë vetvetja. Kombi ynë ka qenë si një pikë e çuditshme vatërore për bashkësi, zakone dhe kultura të ndryshme. Ka qenë gjithmonë një vend çrregullimi dhe çorientimi duke sjellë për pasojë mungesën e unitetit, ka qenë viktimë e ideve të gabuara, i nënshtrimit konfliktual të shumë kombeve, fiseve, botëkuptimeve dhe idhujve. Ai i është gjunjëzuar shumë perëndive të rreme në të njëjtën kohë, duke rinovuar betimin solemn përpara çdo perëndie të rreme çdo ditë. Për këtë arsye në këtë periudhë fatkeqe, populli ynë kurrë nuk ka besuar se ndonjëra prej këtyre ideve ishte plotësisht e saktë, apo e drejtë. Megjithëse ka përjetuar shumë udhëkryqe intelektuale dhe ideologjike, populli ynë nuk ka qenë kurrë në gjendje ta përqafojë plotësisht ndonjërin prej tyre.

Kushedi sa ide të mëdha janë hedhur dhe kanë mbetur të patrajtuara dhe të pazbatuara në jetë, sa projekte serioze janë penguar dhe shkatërruar për shkak të shikimit të turbullt dhe të errët të njerëzve me vizion miop. Në këndvështrimin e tyre, domethënia që mbartin ngjarjet, gjërat dhe marrëdhëniet e njerëzve, si dhe universi, jeta dhe shkenca, përbëjnë gjëra të parëndësishme dhe të pakuptimta, duke mos u kushtuar asnjë lloj rëndësie. Sipas tyre, gjithçka që dimë janë vetëm njohuritë tona aktuale në lidhje me ekzistencën, ndërsa për atë që nuk dimë, kjo do të zgjidhet në të ardhmen nga botëkuptimi i ndokujt tjetër. Gjithçka është matur, formuar dhe zgjidhur nëpërmjet këtyre ideve fikse. Nëse nevojitet, ata janë gati ta paraqesin një botë të shtrembër si të drejtë, dhe atë të drejtën si të shtrembër. Ata synojnë ta mbajnë shkencën, kërkimin dhe dijen nën urdhrat e besimeve dhe dogmave të tyre dhe megjithëse nuk kanë qenë ndonjëherë dëshmitarë të krijimit dhe fazave të tij, mburren dhe kapardisen në një mënyrë kaq absurde sa i shesin hipotezat si fakte të kryera.

Nëse nuk do të kishte ndonjë të vërtetë për të besuar në të, nëse asnjë ide nuk do të kishte vlerë për t’u besuar, apo pranuar, atëherë çfarë do ta dallonte ekzistencën nga kaosi? Në një botë ku mbizotërojnë pikëpamje të tilla, si mund të mbrohet një bashkësi nga relativizmi, apo nga çështje të pamundura? A nuk do ta pranonin masat e zhytura në relativizëm atë çfarë është më e vërtetë dhe atë çfarë është më e pavërtetë vetëm në atë shkallë që ata pranojnë të kundërtën e saj? Sigurisht, nëse një botëkuptim i tillë do të përhapet, gjithçka, që nga koncepti i së mirës dhe i së keqes e deri tek konsiderimi i morales dhe i imorales, do të ndikoheshin nga relativizmi. Aktualisht, ajo që kemi nevojë si komb, është një karakter i tillë i cili aktivizohet përmes ndërgjegjes, efikasitetit në vepra dhe përgjegjësisë. Një karakter që reflekton plot ide në lidhje me planet dhe projektet e ardhme, por edhe në sjellje dhe veprime që burojnë nga nevojat dhe kërkesat e së sotmes. Një karakter i cili të jetë i sinqertë dhe i lartësuar, por gjithashtu edhe i ekulibruar. Ne kemi nevojë për një karakter të mendimit dhe të shpirtit i cili të jetë i hapur ndaj të gjithë ekzistencës nëpërmjet zemrës, një figurë me mendje të kultivuar dhe të përparuar. I tillë që të jetë i ndërgjegjshëm për dijet e tij, një figurë që gjithmonë është në gjendje ta rinovojë vetveten, një njeri i cili do të mund të qëndrojë gjithmonë pas rregullit dhe ligjit që do të jetë i shpejtë në riparimin e çdo dëmtimi.

Një person me një karakter të tillë do të rendë gjithmonë nga fitorja në fitore. Jo me synimin për të shkatërruar vende dhe për të fituar pasuri prej rrënimit, por, përkundrazi, për të lëvizur dhe aktivizuar mendjet, ndjenjat dhe aftësitë njerëzore, për të na forcuar me shumë dashuri, dhembshuri dhe dashamirësi, në mënyrë që të jemi në gjendje të përqafojmë gjithçka dhe këdo, të riparojmë dhe të rikthejmë lidhjet e shkatërruara, të bëjmë që jeta të lulëzojë në sektorët e vdekur të shoqërisë, që jeta të qarkullojë në venat e qenies dhe të ekzistencës në mënyrë që ne ta ndjejmë kënaqësinë e saj të pafundme. Me të gjitha këto cilësi, një person i tillë do të jetë një njeri i Zotit dhe këta lloj njerëzish me titullin e mëkëmbësit të Tij, do të jenë gjithmonë në kontakt me krijimin. Çdo veprim dhe sjellje e tyre kontrollohet dhe vëzhgohet. Gjithçka që ata bëjnë, e bëjnë sikur të ishin nën prezencën e inspektimit të tij, ata ndjejnë atë që ndjen Ai, ata shikojnë me anë të vështrimit të Tij, ata flasin me fjalët e Shpalljes së Tij, ata janë si një njeri i vdekur në duart e Gasalit[2] përpara Vullnetit të Tij. Burimi i tyre i madh i fuqisë është vetëdija për dobësinë, paaftësinë dhe varfërinë që kanë para Tij dhe ata gjithmonë përpiqen të bëjnë të pamundurën për të mos bërë ndonjë gabim, në mënyrë që të bëjnë më të mirën e mundshme në përdorimin efikas të kësaj pasurie të pafundme.

Ata janë gjithashtu njerëz me vetëpërmbajtje dhe vetëkontroll të jashtëzakonshëm. E mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, janë të ndara dhe të sistemuara në vendet e tyre, në pasqyrën e shpirtit të tyre si dita me natën, drita me errësirën. Me gjithë fuqinë e vullnetit, zemrës, ndjenjave dhe perceptimit të tyre, ata janë në kërkim të mekanizmit të ndërgjegjes dhe qëllimeve të larta që e ndërtojnë këtë mekanizëm ndërgjegjeje, me idenë se “Pasuritë e Krijuesit i transportojnë kafshët e Tij”, ndjehet ndjenja e tyre e përgjegjësisë me anë të vullnetit. Me anë të lidhjeve midis zemrës dhe dashurisë, shkëmbimit dhe relatave të ndërgjegjes dhe ekzistencës, si dhe ndërmjet ndërgjegjes dhe së mistershmes që qëndron prapa vellos së ekzistencës, nëpërmjet sensit të tyre të të kuptuarit të së vërtetës absolute, përtej çdo mjeti dhe mënyre, përtej çdo sasie dhe cilësie dhe me anë të dijes së tyre e cila i vendos ata disa shkallë mbi engjëjt, ata e ndjejnë afërsinë me Zotin e tyre.

Përsa i përket jetës së tyre individuale, sytë e tyre janë gjithmonë në horizontin e të qenit një person shembullor, ata janë në ndjekje të së shkëlqyerës, qafë për qafë me evlijatë dhe miq të sinqertë të Zotit, ata janë jashtëzakonisht të kujdesshëm, të mprehtë dhe të përpiktë veçanërisht në përmbushjen e urdhrave të Zotit. Të gjitha cilësitë e tyre si vendosmëria heroike për ta jetuar Islamin e vërtetë, reagimin ndaj gjërave që Zoti nuk i pëlqen, trimëria, kuraja dhe vendosmëria gjatë realizimit të objektivave të tyre, janë përtej konceptimit, apo imagjinatës sonë. Për më tepër, gjerësia e pafundme e ndjenjave të tyre kolektive, thellësia e qenies së tyre si persona të së Vërtetës dhe njëkohësisht si shokë të njeriut të zakonshëm, dashuria e tyre për Zotin dhe për krijimin për hir të Tij, dashuria e tyre asketike, zelli i tyre entuziast, interesat dhe pikësynimet e tyre janë përtej çdo përmase dhe shprehjeje.

Një person i tillë është mbi të gjitha, një person i dijes që e përjeton ndjenjën e detyrës së përtejbotshme. Ajo që ne kuptojmë me detyrën e përtejbotshme meriton një diskutim të veçantë.


[1] Mali Ararat, ndodhet në juglindje të Turqisë, shumë afër kufirit turko-iraken. Mali në majën e të cilit anija e Nuhut (a.s) qëndroi gjatë përmbytjes së madhe. “Më pas, një zë thirri: “O Tokë, gëlltit ujin tënd dhe ti, o qiell, ndaloje (shiun)!” Dhe uji u tërhoq e u plotësua urdhri (i Allahut). Ndërsa anija u ndal në malin Xhudi (Ararat) dhe u tha: “Mallkuar qofshin keqbërësit!” (Kuran, Hud:44)

[2] Gasal: Personi i cili kryen ritualin e larjes së të vdekurit në Islam.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.