Fethullah Gyleni: Një urë mes Islamit dhe Perëndimit

Fethullah Gyleni: Një urë mes Islamit dhe Perëndimit

Fethullah Gyleni e koncepton globalizmin më të gjerë se sa në terma ekonomikë dhe ideologjikë. Për të globalizmi është më term më i gjerë dhe gjithëpërfshirës, duke qenë se i referohet lidhjes së fortë dhe ndërvarësisë, të cilat dallohen në të gjitha fushat e jetës, qofshin ato kulturore, ekologjike, ekonomike, politike, fetare, sociale dhe teknologjike. Gyleni është një udhërrëfyes fetar, i cili ndihet shumë komod duke thënë se globalizmi është një proces, përmes të cilit përvoja e jetës së përditshme po bëhet sa vjen e më standarde përreth botës.

Richard Penaskovic

Që prej 11 shtatorit, e gjithë bota perëndimore ka ardhur në zgrip të frikës dhe ankthit se çfarë tjetër do të bëjnë myslimanët pas kësaj që ndodhi. Vështirë të ketë ndonjë gazetar perëndimor që të flasë rreth Islamit të moderuar dhe liberal, megjithëse ka shumë myslimanë në të gjithë globin, të cilët i përkasin kësaj kategorie. Edhe ky shqyrtim i imi, një qëllim të tillë ka, që të trajtojë mendimin e Fethullah Gylenit, që është një mysliman I moderuar. Unë them se Gyleni mund të jetë një urë e denjë drejt një mirëkuptimi më të realizuar mes Islamit dhe Perëndimit, duke u nisur pikërisht nga mendimet dhe konceptet që ai ka për paqen, tolerance, dialogun ndërfetar dhe nga qëndrimi i tij optimist për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy blloqeve të sipërpërmendura.

Ne jetojmë në një botë të globalizuar

Perëndimi, jo rrallëherë, e sheh globaliz(i)min në terma ekonomikë, thënë ndryshe, si lëvizje të lirë e të pakufizuar të kapitalit, të të mirave, të punës dhe të shërbimeve përmes kufijve. Me fjalë të tjera, me globalizim I referohet integrimit të teknologjive, kombeve dhe tregjeve drejt një shkalle hapjeje të paprecedentë deri në kohët tona. Sidoqoftë, globalizmi ka marrë një domethënie tjetër në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Afrikës së Veriut. Atje globalizmi perceptohet më tepër në terma ideologjikë, ndaj edhe sulmohet si një formë e re e imperializmit, megjithëse shumë njerëz si mbreti Abdullah i Jordanisë e sheh globalizmin nga premisa më positive. Ndërsa në rajonin e Afrikës së Veriut, shumë njerëz e shohin globalizmin si rrezik për pavarësinë e tyre kulturore, ekonomike, apo politike.

Fethullah Gyleni e koncepton globalizmin më të gjerë se sa në terma ekonomikë dhe ideologjikë. Për të globalizmi është më term më i gjerë dhe gjithëpërfshirës, duke qenë se i referohet lidhjes së fortë dhe ndërvarësisë, të cilat dallohen në të gjitha fushat e jetës, qofshin ato kulturore, ekologjike, ekonomike, politike, fetare, sociale dhe teknologjike. Gyleni është një udhërrëfyes fetar, i cili ndihet shumë komod duke thënë se globalizmi është një proces, përmes të cilit përvoja e jetës së përditshme po bëhet sa vjen e më standarde përreth botës.

Gyleni i sheh, rendin, organizimin dhe harmoninë nëpër botë shumë më mbresëlënës. Ai nuk beson se ky lloj rendi dhe kjo lloj harmonie vjen si rrjedhojë e fatit apo rastësisë historike. Përkundrazi, në botëkuptimin e tij çdo gjë që ndodh në univers ndodh sipas disa ligjësish të caktuara. Edhe ndodhia më e vogël dhe e pakuptimtë nuk mund mund të ndodhë pa vendosur në ekuacion edhe Dikë që zotëron dije absolute rreth çdo gjëje dhe që zotëron një fuqi absolute e të pakundërshtueshme.Ky është Zoti, Krijuesi. Gyleni argumenton se Zoti e shfaq Veten përmes librit të natyrës, i cili i është vënë në shërbim mbarë njerëzimit si një i tërë, pikërisht për t’u bërë të ditur atyre Autorin.

Islami dhe Perëndimi janë tëhuajëzuar prej njëri-tjetrit

Kur flet për Islamin dhe Perëndimin, është e domosdoshme që të bësh disa dallime të rëndësishme. E para që ta dallojmë Islamin si religjion nga Islamizmi si ideologji politike. Dhe ky dallim është implicit në shkrimet e Gylenit, për shembull në esenë e tij “Myslimani i vërtetë nuk mund të jetë terrorist”. Si religjion, Islami këmbëngul fort që theksi të qëndrojë medomos te paqja, dashuria dhe toleranca. Për Gylenin është dashuria ajo që e bën të mundur ekzistencën. Ai thekson se Muhamedit (pqmT), i Cili ishte një njeri shumë i dashur për njerëzit, i është dhënë titulli “Habibullah”, që vjen prej fjalës habib, që do të thotë “ai që e do Zotin dhe Zoti e do atë.”

Gyleni rrëfen shumë hadithe të transmetuara prej Profetit Muhamed, në të cilat theksohet se në Islam, apo në botën e shumëngjyrshme të ambasadorit të Tij, Profetit Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi Të) nuk ka vend për urrejtje. Për të, i tërë Kurani i ka themelet në falje dhe tolerance.

Ndërsa Islamizmi ka rrëshkitur në imazheri fetare, duke u paraqitur me një gjuhë apokaliptike, çka e bën që të ketë më shumë afri me ideologjitë shekullare për terrorin, sesa me vetë fenë islame. Për shembull, ashtu siç Forcat e Armatosura të Republikës së Irlandës nuk mund të barazohen dot assesi me Katolicizmin Roman, ashtu edhe Islamizmi nuk mund të përkapet në të njëjtën frymë me fenë islame.

Kryqëzatat i kanë bërë myslimanët që të kërkojnë rrezik pas hyrjes në dialog me të krishterët, mirëpo ka sa e sa faktorë të tjerë që ndikojnë në mosrealizimin e ndërtimit të dialogut. Për shembull, Gyleni vëren se, në shek. XX, edhe më shumë myslimanë janë vrarë prej të krishterëve, nga sa të krishterë mund të jenë vrarë nga myslimanët përgjatë gjithë histories. Sulmet e europianëve ishin ato që e çuan Perandorinë Osmane drejt rënies, ndërkohë që portretizimi i Islamit nga ana e botës së krishterë si diçka e egër, variantet e shtrembëruara të Judaizmit dhe të Krishterimit i shqetësojnë shumë myslimanë edhe sot e kësaj dite. Me shpresën për të ndërtuar një të ardhme më të mire, Gyleni këmbëngul se dialogu ndërfetar është elementi kyç në kapërcimin e konfliktit historic mes Islamit dhe Perëndimit. Gjithashtu, ai shprehet nganjëherë, se “le të fillojë mjekimi”. Tani le të kthehemi te kjo çështje kaq e rëndësishme e dialogut.

Dialogu është çelësi

Pavarësisht tensionit dhe përplasjeve mes myslimanëve dhe të krishterëve për gati katërmbëdhjetë shekull, Gyleni bën thirrje për dialog, duke e pare atë si një nevojë të domosdoshme. Thuajse në të gjitha shkrimet e Gylenit e ke të lehtë për të dalluar ngulmimin e tij për realizimin e dialogut ndërfetar, duke bërë thirrje që ta harrojmë të shkuarën, t’i shmangim polemikat dhe të përqendrohemi te pikat e përbashkëta që të dyja religjionet kanë me njëri-tjetrin. Ai shënon se të gjitha religjionet e revelacionit janë të bazuara te paqja, siguria dhe harmonia mbarëbotërore. Njësoj si thirrja e Jezusit për “të kthyer edhe faqen tjetër”, Gyleni na këshillon që t’i përgjigjemi së keqes me të mire, duke i anashkaluar sjelljet e pakëndshme me të cilat mund të jemi përballur apo që mund të përballemi.

A duhet të angazhohen myslimanët për dialog me hebrenjtë dhe të krishterët? Bazuar në leximet e tij të Kuramit, Gyleni i përgjigjet kësaj pyetjeje me një “po” të prerë. Në fillim të Kuranit, në suren e dytë, ajeti i dytë, i tretë dhe i katërt, njerëzve u bëhet thirrje që të pranojnë profetët e mëhershëm, si të Shkrimeve Hebreje, ashtu edhe të atyre në Dhiatën e Re, apo në librat e tjerë. Ai e interpreton këtë pasazh si një mesazh të rëndësishëm që u drejtohet gjithë myslimanëve, që ata të kujdesen për të jetuar në dialog me hebrenjtë dhe të krishterët.. Ndërsa në ajetin e dyzetegjashtë të sures 29, neve na bëhet thirrje të gjithëve bashkë, që të mos luftojmë me Njerëzit e Librit, përveçse me rrugë më të mira se ato të luftës. Kësisoj, Kurani na ofron neve një metodë se si mund të ndërtohet dialogu me hebrenjtë dhe të krishterët. Dhe, sërish duke u bazuar në leximin e tij të Kuranit, Gyleni beson se ombrella e tolerances duhet hapur edhe më tej, përtej hebrenjve dhe të krishterëve, drejt të gjithë njerëzve.

Me pak fjalë, z. Gylen e sheh dialogun si një marrëdhënie mes dy apo më shumë palëve, ku mbizotëron respekti, ndershmëria dhe dashuria bamirëse mes tyre. Edhe në dialog, secilës nga palët i duhet që të ruajë integritetin e vet, ndërkohë që, duke u përballur me tjetrin si një tjetër i vërtetë, i cili nuk është as një i ngjashëm i rremë, as shumë i ndryshëm nga ty. Dhe dialogu ndërfetar është i një rëndësie kritike përsa i përket ndërtimit të paqes në botën e sotme. Por ashtu si me të, duhet të ketë edhe një dialog të kulturave, përtej dialogut që duhet të ekzistojë mes Islamit dhe Perëndimit.

Dashuria ngadhënjen mbi gjithçka

Fethullah Gyleni, kur flet për dashurinë, e sheh atë të pandarë nga dhembshuria, falja, apo toleranca. Për të këto janë shtyllat që e mbajnë në këmbë dialogun dhe, njëherazi, vlerat themelore njerëzore. Dashuria ka aftësinë të kapërcejë çdo lloj force, të lartësojë çdo shpirt që e thith atë dhe e përgatit shpirtin për të rrugëtuar drejt përjetësisë. Pra, dashuria është dera përmes së cilës ne kontaktojmë me përjetësinë. Z. Gylen e përmend dashurinë si fuqinë më të madhe që ekziston, dritën më rrezatuese dhe zinxhirin që i lidh qeniet njerëzore me njëra-tjetrën. Ndërsa në planin individual, dashuria është sulltani që sundon mbi fronin e zemrave njerëzore. Ndërsa në planin social nuk ka gjë më jetëgjatë dhe më të vërtetë se dashuria në ndonjë komb apo ndonjë shoqëri. Për Gylenin, është aksiomatike që dashuria duhet të jetë e gjerë sa gjerësitë e oqeanit. Dashuria është ajo që arrin të depërtojë më thellë se çdo gjë në rrënjët e shpirtit tonë.

Dashuri e mirëfilltë për Zotin  do të thotë që ta ndiesh veten në praninë e Zotit, të ndihesh se po shikohet prej më të Shumdashurit dhe i vetëdijshëm që bashkimi i plotë me Zotin do të ndodhë një ditë, në jetën e përtejme. Dashuria e një personi për Zotin varet nga shkalla e bindjes që ai ka ndaj Tij. Për t’u afruar më pranë Zotit me një dashuri të vërtetë, njeriut i duhet që të luftojë për të kapërcyer të metat dhe gabimet e veta, shprehet Gyleni. Ata individë që kanë arritur shkallët më të larta në dashuri janë ndriçuar mandej prej dritës që buron nga Qenia e Zotit dhe janë vazhdimisht në kontakt me botën spirituale. Këta shpirtra të privilegjuara e dallojnë se janë frymëzim për të tjerët, me të cilët bien në kontakt. Gyleni do të thoshte se identiteti dhe personaliteti i vërtetë i çdokujt buron prej thellësive të shpirtit të tij. Dhe, sa më shumë njerëz të mbushen me dashurinë për Zotin, aq më shumë janë të aftë që të thonë, njësoj si Profeti Ibrahim, se “nuk i duan gjërat që perëndojnë.”

Imagjinojeni pak se si do të dukej bota, nëse do të kishte shumë më shumë njerëz që do të bartnin dashuri të vërtetë, shpirtërore. Çfarë dallimesh do të kishte, nëse liderët e kombeve të ndryshme do të zotëronin një dashuri më të thellë, më dinamike dhe transformuese për shoqëritë e veta. Nëse do të ishin të tillë, atëherë ata do të mund të zgjidhnin edhe problem të mëdha sa mallet dhe nuk do të kishte kurrfarë përplasjeje qytetërimesh. Ky është mesazhi i Gylenit për botën e sotme, e cila është e thyer me fraktura të shumta, të shkaktuara nga egoizmi, individualizmi dhe babëzia lakmitare.

E ardhmja duket më shpresëplotë

Në dritën e pjesës së mësipërme mbi dashurinë, nuk është aspak për t’u çuditur se si Gyleni zotëron një qasje më të qetë, më optimiste dhe të mbushur plot shpresë për të ardhmen. Me shumë gjasa, Gyleni nuk e pajtohet me tezën e zgjeruar Sam Huntington-it për përplasjen e qytetërimeve. Duke u përqendruar më tepër te veçori të tilla, si dialogu, paqja dhe dashuria, Gyleni ka shumë shpresë se Islami dhe Perëndimi mund t’i kapërcejnë dallimet që kanë mes tyre, me rrugë më miqësore, siç është ajo e dialogut. Me një focus më të thellë te dialogu, toleranca, paqja dhe dashuria, e ardhmja e marrëdhënieve mes Islamit dhe Perëndimit duket më e prirur nga e kuqja e dashurisë.

Besimi i Gylenit te ringjallja dhe gjykimi i fundit e ndihmojnë atë që të shohë drejt një jete shumë ndryshe për nga cilësia nga ajo e humanizmit shekullar dhe e të tjerëve që besojnë se jeta mbaron me varrosjen. Për Gylenin jeta në tokë na përgatit ne drejt një jete të përjetshme, matanë, në parajsën e premtuar nga Krijuesi. Ai e sheh këtë jetë aktuale si një provim për racën njerëzore. Ne gjendemi këtu, për të shpëtuar veten tone, të ardhmen tone, duke u kujdesur për të tjerët dhe për ta pajisur veten me cilësi të tilla, si dashuria, butësia dhe paqja e brendshme. Ata që e jetojnë jetën e tyre duke i bërë të gjitha llogaritë sipas planit të përjetësisë mund t’i falin të tjerët, mund t’i kapërcejnë më lehtë mosmarrëveshjet dhe t’i përmirësojnë mangësitë e tyre. E thënë shkurt, Gyleni mbetet i bindur se jeta njerëzore në tokë do të ishte absurd dhe e pakuptimtë pa një besim të forte te ringjallja e të vdekurve.

Ai argumenton se nëse ne e shohim jetën përmes dritareve të Krijuesit tonë, atëherë ajo çfarë vjen vetvetiu është shpresa, e cila është dinamika kryesore e veprimit, që nuk gabon kurrë. Shpresa mund të konsiderohet si ushqimi më i mirë i ekzistencës për ato shpirtra që jetojnë për të tjerët, në vend që të ngarendin nëpër tokë dukemenduar vetëmse për veten. Gyleni bën thirrje për shpresë, sepse për të ajo është një burim energjie që nuk shteron kurrë te shpirtrat që në qendër të ekzistencës së tyre kanë jetësimin e të tjerëve. Si përfundim, refleksionet e Gylenit rreth shpresës mund të gdhenden në nivel sentence poetike vetëm se me këto fjalë: “Unë e mbaj shpresën gjallë për mbarë njerëzinë, të freskët e të shëndetshme si gjethet e njoma e të gjelbra të një peme pranverore dhe vetëm kështu arrij që t’u buzëqesh së nesërmes.”

Burimi:

Ky material është shkëputur prej artikullit: “M. F. GÜLEN: A BRIDGE BETWEEN ISLAM AND THE WEST”, prezantuar në Konferencën Ndërkombëtare mbi Bashkëekzistencën Paqësore: nismat e Fethullah Gylenit për paqe në botën bashkëkohore, Erasmus University, Rotterdam, 22-23 nëntor 2007.

*Richard Penaskovic është Profesor i Studimeve Fetare dhe ish-kryetari i Senatit të Universitetit në Universitetin “Auburn” në Alabama të Shteteve të Bashkuara. (BA në filozofi, ekuivalente e MA në Teologji nga Universiteti I Wuerzburg-ut në Gjermani dhe me doctorate në Teologji nga Universiteti “Ludwig Maximilians” në Mynih. Ai është autori i më shumë se 100 botimeve dhe është shfaqur shumë herë si person public në radio dhe TV në Shtetet e Bashkuara. Libri i tij më i fundit, i titulluar “Critical Thinking and the Academic Study of Religion”, është botuar nga Duke University Press. Shumë artikuj dhe recensione librash janë botuar prej tij nëpër periodikë, si The Journal of the American Academy of Religion, Augustinian Studies, Theological Studies, The Journal of Ecumenical Studies, Louvain Studies (Belgjikë) dhe The Heythrop Journal (London). Fusha e tij aktuale e interesit janë dialogu mes myslimanëve dhe të krishterëve, spiritualiteti dhe ekleziologjia.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.