Idetë Themelore

Në bisedat dhe shkrimet e tij, për të arritur qetësinë dhe lumturinë në kuptimin e vërtetë të tyre, Fethullah Gylen nxit kërkimin e së vërtetës duke krijuar një drejtpeshim mes vlerave materiale dhe atyre moralo-shpirtërore.

Sipas tij, shkenca, në kuptim më të gjerë, dituria, është faktori më i rëndësishëm që e ndan njeriun nga qeniet e tjera dhe i jep përparësi ndaj tyre, sepse në sajë të diturisë njeriu ka fituar epërsi ndaj engjëjve dhe është ngarkuar me misionin e përfaqësimit hyjnor për të ndërhyrë në natyrë në një masë të caktuar me qëllim për ta ndryshuar dhe rregulluar fytyrën e tokës. 

Fethullah Gylen beson se shekulli XX do të bëhet dëshmitar i një dinamike të re moralo-shpirtërore që do t'i ringjallë vlerat morale të harruara prej kohësh, e sheh atë si epokën kur do të sundojnë toleranca, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar që, duke u mbështetur në dialogun ndërkulturor dhe ndarjen e vlerave të përbashkëta, do të rezultojnë, më në fund, një qytetërim nga i cili nuk do të rrijë larg askush. Për ta forcuar këtë ideal të lartë, Fethullah Gylen u bë iniciator i ngritjes në Turqi dhe jashtë të shumë institucioneve shërbyese dhe nxiti mjetet e informacionit masiv, veçanërisht televizionin, për ta informuar opinionin publik rreth çështjeve individuale e kolektive.

Fethullah Gylen beson se rruga që shkon për tek drejtësia absolute, kalon përmes sigurimit në përmasa botërore për njerëzit të një arsimi dhe edukimi të përshtatshëm. Vetëm në këtë mënyrë do të arrihen toleranca dhe mirëkuptimi i domosdoshëm për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve dhe për të treguar respekt ndaj tyre. Në emër të shërbimit ndaj këtij qëllimi, pjesën më të madhe të kohës Fethullah Gylen e shpenzoi për t'i orientuar elitën e shoqërisë, udhëheqësit shoqërorë, afaristët e vegjël krahas industrialistëve të mëdhenj për ta mbështetur arsim-edukimin cilësor. Pastaj, me kontributet e mbledhura, në Turqi dhe jashtë saj u hapën institucione arsimore organizative për të ngritur shkolla. Përpjekjet nisën të jepnin frytet e tyre dhe maturantët e këtyre shkollave nisën ta tregojnë veten në provimet e pranimit në universitete si dhe të marrin çmime të larta ose të zënë vende të para në konkurset dhe olimpiadat ndërkombëtare veçanërisht në degët matematikë, fizikë, kimi dhe biologji.

Me rolin e tij nxitës për hapjen e shkollave në të gjithë botën, Fethullah Gylen ka për qëllim të arrijë një sistem mësimor-edukativ të ekuilibruar dhe me nivel të lartë që do të përgatisë njerëzit cilësorë të së nesërmes duke i pajisur nxënësit e sotëm, krahas vlerave moralo-etike, edhe me njohuri dhe aftësi që i kërkon në mënyrë të domosdoshme epoka moderne. Një sistem mësimor-edukativ i tillë do të përgatisë nxënës të cilët, në të ardhmen, do t'i administrojnë punët e botës jo vetëm në favor të një kombi, populli apo shoqërie të caktuar, por në favor të interesave të përbashkëta të të gjithë njerëzimit!

Fethullah Gylen mendon se njerëzit s'kanë për t'i përvetësuar idetë e reja vetëm me metodën e bindjes nga jashtë. Faktin që njerëzit mbahen pas forcës së dhunshme, ai e diagnostikon si falimentim intelektual, sepse njerëzit do të kërkojnë vazhdimisht liri zgjedhjeje në mënyrë që parapëlqimet t'i bëjnë vetë si dhe që të mund të shprehin vlerat e veta besimore-fetare dhe shpirtërore. Ndërkaq, megjithëse ka ende nevojë për t'u zhvilluar dhe përsosur, demokracia është sistemi politik ekzistent më i arsyeshëm. Prandaj, për të mund të jetuar në një shoqëri ku mbrohen dhe respektohen të drejtat dhe liritë e individëve dhe ku secilit i njihen mundësi të barabarta, njerëzit duhet të punojnë dhe përpiqen për t'i mbështetur dhe modernizuar institucionet demokratike.

Fethullah Gylen që është bërë frymëzim për një brez të gjerë të përbërë përgjithësisht prej nxënësve të rinj, në vitin 1981 i dha fund detyrës zyrtare të vaizit duke dalë në pension. Përpjekjet e tij qysh nga vitet 60 veçanërisht në reformën e arsimit, e bënë atë ndër personalitetet më të njohur e të respektuar të Turqisë. Gjatë viteve 1988-91, ai zhvilloi një seri predikimesh në xhamitë më të mëdha të Turqisë. Megjithëse qe i detyruar t'u jepte fund predikimeve për shkaqe shëndetësore serioze, mendimet dhe idetë e tij vazhdojnë t'i ofrohen opinionit publik me anë të kasetave, videodisqeve, librave dhe mjeteve të tjera të informacionit masiv.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.