Njerëzimi i përmalluar për dashuri
Sot, si njerëzim, kemi rënë në një pozitë të tillë aq sa kemi harruar të sillemi si njerëz. Gjendemi tepër larg së shprehuri veçoritë tona në mesin e krijesave. Megjithë aftësitë tona të mrekullueshme që bën edhe engjëjt të na kenë zili, bëjmë vepra që turpërojnë edhe shpirtrat e ndyrë. Jetojmë çdo çast me mëri e urrejtje, turfullojmë me inat dhe e shikojmë njëri-tjetrin vetëm me ndjenja hakmarrjeje. Shpirtrat tanë janë të zbrazur nga dashuria, mjegulla e tymi i armiqësisë na ka mbrujtur të gjitha ndjenjat dhe prej vitesh jetojmë larg prej ndikimit të magjepsshëm të dashurisë. Mendjet tona s'reshtin së prodhuari ndjesi dashakeqe.
Të djegësh e të shkatërrosh çka përreth, të përngjasësh gjithçka me veten dhe të poshtërosh me dhunë atë që e konsiderojmë “tjetër”, janë bërë situata të zakonshme. Pjesa jonë dërrmuese jetojmë nën diktatin e ndjenjave pavarësisht arsyes e logjikës. T'i shtypësh ata që s'mendojnë si ne e t'u mbyllësh gojët atyre, është prej cilësive tona më dalluese. Duke mos menduar assesi se mund të ketë shumë rrugëzgjidhje për shumë probleme, veprojmë sipas asaj që dimë dhe në rrugën e ndërtimit, bëhemi shkas i sa e sa shkatërrimeve. Të hysh në zemrat e sho-shoqit dhe të shprehim vetët tona me gjuhën e shpirtit e me fjalë zemre, ka mbetur si një metodë e prapambetur demode...
Jetojmë çdo çast me pështjellimin e të përballurit me shumë mendime antagoniste të prodhuara prej egoizmit tonë dhe të përfaqësuesve të tyre. Zemërohemi vazhdimisht, turfullojmë me urrejtje dhe po të kemi mundësi i hidhemi përsipër të tjerëve. Shtypim me këmbë ato që kemi mundësi t'i shtypim, e, me ata që s'na mjafton forca, luajmë me nderin e dinjitetin e tyre dhe po të kemi forcë e mundësi mediatike, i përplasim sa në një cep në tjetrin, duke i lënë në vuajtje më të këqija se vdekja.
Përpara gjithë këtyre situatave negative, ajo çka dëgjohet është ose ngërdheshja e tiranëve, ose rënkimi i të dhunuarve. Prej vitesh disa shtete shtypen e dhunohen vazhdimisht duke rënkuar të tërë si popull. Mendjet janë të shtangura, ndjenjat dhe emocionet të fikura, shumica është tëhuajësuar ndaj vlerave të veta dhe gjithkush është bërë ujku i njëri-tjetrit. Mendimet dhe botëkuptimet ndryshe konsiderohen si mosmarrëveshje dhe përçarje në këto lloj shoqërish, dalin në pah shfaqje të dhunshme të pamundura për t'u ndalur dhe njerëzit nxiten në luftë kundër njëri-tjetrit. Njëri i nxjerr syrin tjetrit dhe e vret; tjetri i drejtohet me bomba në trup ose me makina të ngarkuara me bombë. Kudo përjetohet tjetër dhunë e egërsi po aq sa edhe egërsia e tyre, ndoshta edhe më tepër.
Tek fëmijët s'ka mbetur asnjë gjurmë shpirti njerëzor.. janë shndërruar si mekanizma ndërgjegjeje të paralizuara: Vullnetet janë vënë pas planeve kriminalë; mendjet që konsiderohen si observatorë të njohjes së Zotit, u janë dorëzuar ndjenjave të liga; bota e ndjenjave që është burim i kulluar i dashurisë, është shndërruar në fole intrigash; zemra që si potencë është konsideruar si dritare e vështrimit të Zotit, është shndërruar në një skutë të pandriçuar dhe të gjitha sistemet njerëzore kanë rënë në një kurbet të pashteg, në kundërshti me qëllimin e ekzistencës.
Në fakt, në përsëritjen e historisë gjithmonë kemi përjetuar fenomene negative të ngjashme me këto, por shkatërrimet dhe ligësia, kësaj radhe qenë akoma më të veçanta dhe rrëqethëse, paksa të mbështetur edhe nga globalizimi i botës dhe teknologjia gjithmonë e në zhvillim. Tërë ditën e Zotit, teksa ndjekim ekranet e televizioneve dhe internetit, teksa shfletojmë gazetat dhe revistat rrëqethemi me ankth dhe shpeshherë kthejmë fytyrën në tjetër anë. Edhe nëse i mbyllim sytë e veshët, pa qenë në dorën tonë, disa ligësi që hyjnë në kokë na ngulen në gjoks si fuzhnjë, duke na hapur në zemër dhe shpirt plagë të pashërueshme. Nganjëherë i ndjemë përnjëherësh ligësitë e mbledhura pirg, dridhemi së bashku me ata që dridhen në gjak e lot dhe rrënohemi bashkë me qytetërimet që janë rrënuar njësh me tokën. Kudo fryn sikur të ishte vjeshtë.. njerëzit janë tharë e rrëzuar si gjethe.. Siç thotë edhe Mehmet Akifi: “Qytetet rrënuar, shtetet përtokë, popujt pa krye/ urat të prishura, kanalet të shembura, rrugët pa udhëtarë / banesat të braktisura, fshatrat panjeri, çatitë të shembura / ditët nga mundi privuar, mbrëmjet ide për të nesërmen s'kanë!..” Gjërat që na vërshojnë përbrenda kthehen në kuja dhe mjaftohemi duke rënkuar në pamundësi për të reaguar.
Ndërkohë që gjithkush dhe gjithçka pret që t'i zgjatet një dorë; pret, por shemben përtokë me dëshpërim përballë indiferentizmit dhe pamundësisë sonë.. shemben përballë pandjeshmërisë dhe mosveprimit tonë duke mos gjetur përgjigje karshi britmave të tyre. Edhe pse pak, ka nga ata që i dëgjojnë e i ndjejnë këto, por dhe ata janë të pamund e të pafuqishëm.
Përballë gjithë këtyre situatave njeriu përfshihet nga zhgënjime dhe i vjen të thotë nga thellësia e zemrës se “Tashmë turmat do të kollofitin njëra-tjetrën, grupimet do të fërkohen më egërsisht mes tyre.. askush s'do dojë askënd me zemër.. njerëzit s'do mendojnë për të tjerët.. askush s'do t'i zgjasë dorën e ndihmës nevojtarit.. askush s'do ledhatojë kokën e të shtypurit.. individët s'do t'i hapin zemrën njëri-tjetrit.. askush s'do ndihet i sigurt aty ku jeton.. fatin e botës do ta kenë në dorë njerëz që mendojnë vetëm për gjak.. që pështyjnë gjak e që derdhin gjak.. dhe epoka do të shndërrohet edhe një herë në epokën e tiranëve..” Kjo gjendje s'mund të vazhdojë më kështu; vazhdimi i kësaj gjendjeje do të thotë vdekje për njerëzimin dhe vlerat njerëzore.
Ejani atëherë, në këto ditë ku udhët tona janë të ndara, t'i vëmë veshin thirrjeve universale hyjnore që jehon nga zëri i Junus Emreve dhe Mevlanave dhe të themi “dashuri” dhe “vëllazëri”! Ejani, t'ia tregojmë edhe njëherë botës me ngjyrën dhe dizenjon e saj veçantinë e të qenit njeri! Ejani, të themi edhe njëherë me gjithë sinqeritetin tonë dashuri dhe dialog në këto ditë ku urrejtjet, mëritë, inatet dhe mllefet kanë nxirë faqen e botës. Ejani, ta zgjerojmë shpirtin sipas gjerësisë së mëshirës hyjnore dhe t'ia hapim zemrën çdokujt! Ejani, të heqim dorë së shikuari vetët tona si pika uji të destinuara për t'u tharë e për t'u zhdukur e të përzihemi me përrenjtë e të vrapojmë drejt së qenit oqean! Përderisa të gjithë jemi njerëz, do të thotë se në genet tona ekzistojnë genet e Ademit dhe në thelb kemi shpirtin e të Vërtetave Muhamedane; atëherë ejani, t'i ngremë krye të gjitha cytjeve djallëzore dhe të bërtasim me aq fuqi sa të tronditim botën se jemi mëkëmbësit e faqes së tokës, se jemi të denjë për të arritur majat e qiellit dhe t'ia bëjmë të ditur edhe njëherë engjëjve veçantinë e të qenit njeri! Ejani, t'i shndërrojmë udhët ku ecim në një rrugënajë dhe t'i drejtohemi Zotit duar e zemërbashkuar.
Revista 'Sizinti', Mars 2008
- Publikuar më .