"Terrorizmi nuk përputhet me Islamin"
Bashkësia islame qëndron për vite mënjanë vetëm duke lajkatuar për masat parandaluese të terrorit dhe duke deklaruar se "Islami nuk përputhet me terrorin." Megjithatë incidentet e 11 shtatorit ndodhën. Si pasojë, sulmet me bomba janë të pranishme në shumë vende përfshirë dhe Turqinë. Eshtë zbuluar që ekzekutuesit e këtyre akteve vijnë nga radhët tona. A nuk mendoni që ne (muslimanët) duhet të alarmohemi para së gjithash?
Sot, më e pakta që mund të themi, është se Islami nuk njihet nga të gjithë. Muslimanët duhet të deklarojnë: "Në Islamin e vërtetë terrori nuk ekziston!" Në Islam, vrasja e një njeriu është një akt i barabartë për nga rëndësia me mosbesimin. Asnjë person nuk mund të vrasë një krijesë njerëzore. Asnjë person nuk mund ta ngacmojë një person tjetër të pafajshëm, edhe në kohë lufte. Asnjë person nuk mund të japë një fetva (një deklarim legal në Islam) në këtë çështje. Asnjë person nuk mund të jetë një granatier vetëvrasës (kamikaz). Asnjë person nuk mund të vrapojë në mes turmave me njerëz, me bomba lidhur në trupin e tij. Pakujdesia e treguar ndaj fesë së njerëzve në këto turma, nuk është nga ana fetare e lejueshme. Edhe në kohë lufte - gjatë së cilës është e vështirë të mbash balancat - kjo nuk është e lejuar në Islam. Islami deklaron: "Mos prekni fëmijët ose njerëzit që luten në kisha!" Kjo nuk është thënë vetëm një herë, por është përsëritur vazhdimisht gjatë gjithë historisë. Ç'thoshte mësuesi ynë, profeti Muhammed, ç'thoshte Ebu Bekri dhe ç'thoshte Omeri, është e njëjtë me çfarë kanë thënë gjithashtu në kohët e mëvonshme Salahaddin Ejubi, Alparslani dhe Këllëçarslani. Pastaj të njëjtën gjë tha dhe Sultan Mehmeti II, triumfuesi. Në këtë mënyrë, qyteti i Konstandinopojës, në të cilin sundonte kaosi dhe shthurja, u bë Stambolli. Në këtë qytet grekët nuk i dëmtuan armenasit dhe po ashtu as armenët nuk u sollën të këqija grekërve. As muslimanët nuk dëmtuan asnjë njeri nga popullsitë e tjera. Pak pas pushtimit të Konstandinopojës, njerëzit e qytetit varën një portret të stërmadh të triumfuesit në murin që i përkiste patriarkanës. Eshtë e çuditshme që një qëndrim i tillë ishte shfaqur në atë kohë. Atëherë, siç tregohet në histori, Sulltani e thirri Patriarkun dhe i dha atij çelësat e qytetit. Edhe sot, Patrikana e kujton këtë gjest me respekt. Por sot, Islami, si në çdo pikë tjetër, nuk është kuptuar saktë. Islami gjithmonë ka respektuar idetë e ndryshme dhe kjo duhet kuptuar për të pasur një vlerësim të saktë.
Me keqardhje po them që në vendet ku jetojnë muslimanët, disa udhëheqës fetarë dhe muslimanë të papjekur nuk kanë armë tjetër në duar veç interpretimit fundamentalist të tyre për Islamin. Ata e shfrytëzojnë këtë për të hedhur njerëzit në luftra që u shërbejnë interesave të tyre. Në fakt, Islami është një besim i vërtetë dhe duhet jetuar besnikërisht. Në rrugën për arritjen e besimit nuk mund të përdoren kurrë metoda të rreme. Në Islam, ashtu siç një qëllim mund të jetë i ligjshëm, po ashtu duhet të jenë të gjithë mjetet që përdoren për ta arritur atë. Nga kjo perspektivë, askush nuk mund ta fitojë parajsën duke vrarë një person tjetër. Një musliman nuk mund të thotë, "Unë do të vras një njeri dhe atëherë do të shkoj në parajsë." Pëlqimi i Zotit nuk mund të fitohet duke vrarë njerëz. Një prej qëllimeve më të rëndësishme për një musliman është të arrijë pëlqimin e Zotit, tjetra është për t'i bërë të njohur emrat e Zotit të gjithmëshirshëm në univers.
A funksionon në këtë mënyrë logjika e tyre, "lufta është për të luftuar në front, por tani kudo është një fushë beteje"? A e perceptojnë ata këtë si një lloj lufte apo xhihadi? A mendojnë ata që dera e parajsës do të jetë e hapur për ta?
Rregullat e Islamit janë të qarta. Individët nuk mund të shpallin luftë. Një grupim apo një organizatë nuk mund të deklarojë luftë. Lufta shpallet nga shteti. Lufta nuk mund të shpallet pa një president apo një ushtri, duke deklaruar së pari që jemi në luftë. Ndryshe, ky është një akt terrori. Një rast lufte i tillë është krijuar nga grumbullimi rreth vetes, më falni për gjuhën time, i pak banditëve. Një tjetër person duhet të mbledhë të tjerë rreth vetes së tij. Nëse njerëzit do të shpallnin luftë individualisht, atëherë do të mbizotëronte kaosi, sepse për dallime kaq të vogla, një front lufte mund të jetë krijuar edhe në mes njerëzve me mendim të shëndoshë. Disa njerëz mund të thonë: "Unë shpall luftë kundër aksh personi." Një njeri që është tolerant me krishtërimin mund të jetë akuzuar si në vijim: "Ky njeri ndihmon krishtërimin dhe dobëson Islamin. Kundër tij duhet të shpallet luftë dhe ai duhet të vritet." Si rezultat, është shpallur luftë. Për fat, shpallja e luftës nuk është kaq e thjeshtë. Nëse shteti nuk deklaron luftë, asnjë tjetër nuk mund ta nisë atë. Kushdo që nuk e kupton këtë, edhe nëse ata janë dijetarë, të cilët unë i admiroj, nuk mund të zhvillojë një luftë të vërtetë. Kjo është kundër frymës së Islamit. Normat e paqes dhe të luftës në Islam janë parashtruar qartë.
Nëse kjo është kundër frymës së Islamit, atëherë pse bota islame gjendet në këtë pikë?
Sipas opinionit tim, një botë islamike nuk ekziston realisht, por në botë ka vende ku jetojnë muslimanët. Në disa vende ka më shumë muslimanë dhe në disa të tjera, më pak. Islami është një mënyrë jete, një kulturë dhe nuk është ndjekur si një besim. Muslimanët e kanë ristrukturuar Islamin në përputhje me idetë e tyre. Unë nuk u referohem radikalëve, muslimanëve ekstremistë, por muslimanëve të thjeshtë që e jetojnë Islamin siç u përshtatet ai atyre. Kushti i domosdoshëm në Islam është besimi i "vërtetë" dhe jeta në përputhje me të, prandaj muslimanët duhet të marrin përgjegjësi të natyrshme në Islam. Nuk mund të thuhet që ndonjë shoqëri e tillë me këtë koncept dhe filozofi ekziston brenda gjeografisë islame. Nëse ne themi që ata ekzistojnë, atëherë ne jemi duke shpifur për Islamin. Nëse ne themi që Islami nuk ekziston, atëherë ne jemi njerëz shpifës. Unë nuk mendoj që muslimanët do të jenë në gjendje të kontribuojnë shumë për ekuilibrin e botës në të ardhmen e afërt. Unë nuk i shoh drejtuesit tanë që ta kenë këtë vizion. Bota islame është injorante, pavarësisht nga një ndriçim i ngadalshëm që po vjen në ditët e sotme. Ne mund ta vëzhgojmë këtë fenomen gjatë haxhit. Ne mund ta shohim këtë nëpër konferenca dhe tek drejtuesit e saj. Ju mund ta shihni këtë në parlamentet e tyre nëpërmjet televizionit. Eshtë një parregullsi serioze në çështje të rëndësishme. Ata, muslimanët, nuk mund të zgjidhin problemet e botës. Ndoshta mund ta arrijnë këtë gjë në të ardhmen!
Ju rrjedhimisht mendoni që termi "botë islame" nuk duhet të përdoret?
Nuk ka një botë të tillë. Sot Islami është individual. Muslimanët janë në vende të ndryshme të botës. Hap pas hapi ata janë ndarë nga njëri-tjetri. Unë personalisht nuk e shoh ndonjërin të jetë musliman i përsosur. Nëse muslimanët nuk janë të aftë të kontaktojnë me njëri-tjetrin dhe të krijojnë një bashkim, të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e përbashkëta, për të interpretuar universin, për ta kuptuar atë më mirë, për ta shqyrtuar universin me kujdes në përputhje me Kur'anin, për ta interpretuar të ardhmen më drejt, për të krijuar projekte për të ardhmen, për të përcaktuar vendin e tyre në të ardhmen, atëherë unë nuk mendoj që ne mund të bisedojmë rreth një bote islamike. Me qënë se nuk ka një botë islamike, gjithsecili vepron individualisht. Madje mund të thuhet që disa muslimanë kanë bindjet e tyre personale. Nuk mund të deklarohet që ka një konceptim islam i cili ka qenë sipas marrëveshjes i aprovuar nga studiues të kualifikuar, mbështetur me besimin në Kur'an dhe i testuar në mënyrë të përsëritur. Më saktë, mund të thuhet që është mbizotëruese një kulturë muslimane, se sa një kulturë islame.
Ajo ka ekzistuar që prej shek. V h. (XI e.r.). Ka filluar me periudhën abaside dhe shfaqjen e selçukëve. Eshtë rritur pas pushtimit të Stambollit. Në periudhat në vazhdim, dyert për interpretime të reja janë mbyllur. Horizontet e mendimit janë kufizuar. Gjerësia e mendimit që ishte në shpirtin e Islamit është ngushtuar. Shumë njerëz të paskrupullt filluan të shfaqen në botën islame, njerëz të paqëndrueshëm, që nuk mund t'i pranonin të tjerët, që nuk mund ta hapnin vetveten për çdo njeri tjetër. Ky kufizim ishte hasur gjithashtu edhe në tyrben e dervishit. Eshtë e trishtueshme që madje ishte i pranishëm edhe në medresetë (shkollat teologjike). Dhe sigurisht, të gjitha këto dogma dhe interpretime kanë nevojë për rishikim dhe rinovim nga njerëzit e edukuar në fushat e tyre.
Duket që rrjeti el-Kaide ka një shtrirje në Turqi. Ju shpjeguat anën fetare të çështjes. A ka gjithashtu dimensione të tjera të saj?
Një prej njerëzve që unë urrej më shumë në botë, është Osama Bin Laden, sepse ai ka nxirë pamjen e ndritshme të Islamit. Ai ka krijuar një imazh të njollosur. Edhe nëse ne përpiqemi me më të mirën tonë për të rregulluar dëmin e tmerrshëm që ai ka sjellë, do të duhen shumë vite për ta korrigjuar.
Ne flasim rreth kësaj mbrapshtie kudo, në shumë tribuna të ndryshme. Ne shkruajmë libra për të. Ne themi, "ky nuk është Islam." Bin Laden zëvendëson logjikën islame me ndjenjat dhe dëshirat e tij. Ai është një monstër, siç janë edhe njerëzit përreth tij. Nëse njerëzit ngado janë të ngjashëm me të, atëherë ata gjithashtu, nuk janë asgjë më shumë se monstra.
Ne e dënojmë këtë qëndrim të Ladenit. Ndonëse rruga e vetme për ta ndaluar këtë mënyrë të vepruari është që muslimanët, duke jetuar në vendet që ngjajnë të jenë islame - dhe në fillim unë deklarova që nuk perceptoj një botë islame, por janë vetëm vende në të cilat muslimanët jetojnë - do t'i zgjidhin problemet e tyre.
A duhet të mendojnë ata në një mënyrë plotësisht të ndryshme kur zgjedhin udhëheqësit e tyre? Ose a duhet që ata të zbatojnë reforma fundamentale? Për rritjen e një brezi të ri të edukuar ashtu siç duhet, muslimanët duhet të punojnë për të zgjidhur problemet e tyre. Jo vetëm problemet e tyre për çështjen e terrorit, një instrument që sigurisht nuk aprovohet nga Zoti, por gjithashtu dhe për sa i përket drogës dhe duhanit, dy nga gjërat e ndaluara prej Zotit. Mosmarrëveshjet, trazirat civile, varfëria pa fund, turpi për të qenë i qeverisur nga të tjerët dhe të qenët i fyer pas formimit të qeverisë nga fuqitë e huaja, janë të gjitha probleme që mund t'i jenë shtuar listës.
Siç ka thënë Mehmet Akif Ersoji, skllavëria, mizëritë e vështirësive, narkomania, pranimi i gjërave jashtë karakterit dhe vënia në lojë e të tjerëve, janë të gjitha të pranishme midis nesh. Ato janë mallkime për Zotin dhe së pari kanë zënë vend në kombin tonë. Kapërcimi i këtyre, në opinionin tim, varet në të qenët një krijesë njerëzore e vërtetë dhe e devotshme për Zotin.
Njerëzit që e përkrahin terrorin rriten midis nesh në familjet muslimane. Ne mendojmë që ata ishin "muslimanë." Çfarë transformimi kanë pësuar ata duke u bërë terroristë? A nuk jemi të gjithë fajtorë?
Eshtë dobësia jonë, është dobësia e kombit. Eshtë dobësia e edukimit. Një musliman i vërtetë që e ka kuptuar Islamin në çdo aspekt, nuk mund të jetë një terrorist. Eshtë e vështirë për një person që të mbetet një musliman nëse ai është përfshirë në terrorizëm. Feja nuk e pranon vrasjen e njerëzve me qëllim arritjen e një objektivi.
Por, sigurisht, çfarë përjekjesh duhet të bëjmë ne që këta njerëz t'i ngremë në nivelin e një krijese të përsosur? Me çfarë elementësh duhet t'i pajisim ata? Çfarë përgjegjësish marrim ne për edukimin e tyre dhe, kështu, tani të presim që ata të mos përfshihen në terror?
Njerëzit mund të jenë mbrojtur nga përfshirja në terrorizëm prej domethënieve të disa virtyteve që burojnë në besimin Islam, siç janë, frika për Zotin, frika për Ditën e Gjykimit dhe frika për kundërshtimin e parimeve të fesë. Ndonëse ne nuk e kemi ndjeshmërinë e duhur për këtë çështje. Përpjekjet deri më sot kanë qenë të vogla për ta trajtuar këtë temë të harruar. Por, fatkeqësisht, janë disa pengesa të vëna në këtë rrugë nga bashkëkombasit tanë.
Disa tregojnë llojet e aktiviteteve që ne na nevojiten por nuk duhen lejuar. Kjo do të thotë që mësimi i kulturës dhe moralit duhet të jetë plotësisht i ndaluar në institucionet edukative. Në të njëjtën kohë, ne luftojmë që çdo kërkesë e jetës duhet të njihet në shkollë. Edukimi i shëndoshë duhet të jetë siguruar nga specialistët e edukimit. Klasifikimet në lidhje me jetën në përgjithësi dhe jetën në shtëpi duhet të bëhen të kuptueshme në shkollë.
Njerëzit duhet të udhëzohen se si ta kalojnë jetën në harmoni bashkëshortore dhe si të rrisin fëmijët e tyre. Por problemi nuk mbaron këtu. Turqia dhe vendet e tjera që kanë një popullsi të madhe muslimane, vuajnë nga abuzimi me drogën, bixhozi dhe korrupsioni. Nuk gjendet pothuajse asnjeri në Turqi që të mos jetë përfshirë në ndonjë skandal. Disa qëllime që ishin menduar për t'u arritur, janë finalizuar. Akoma shumë objektiva të tjerë nuk janë konkretizuar. Ju nuk mund të hetoni asnjeri në lidhje me këtë. Ju nuk mund të akuzoni njeri për përfitime. Ata janë të mbrojtur dhe në këtë mënyrë janë lënë në punën e tyre.
Këta janë njerëzit që rriten midis nesh. Të gjithë ata janë fëmijët tanë. Pse disa prej tyre marrin rrugë të shtrembër? Pse disa rriten si tiranë? Pse ka disa nga ata që rebelohen kundër vlerave njerëzore? Pse vijnë në vendin e tyre dhe e hedhin veten në erë si kamikazë?
Të gjithë ata janë madhuar në mes nesh. Prandaj, edukimi i tyre ka qenë i gabuar. Kjo do të thotë që sistemi edukativ mund të ketë disa mangësi, disa pika të dobëta që është e nevojshme të ekzaminohen. Eshtë e domosdoshme që këto dobësi të eliminohen. Më shkurt, rritjes së krijesave njerëzore nuk i është dhënë prioritet. Ndërkohë disa gjenerata kanë humbur, janë rrënuar dhe shkatërruar.
Rinia e pakënaqur ka humbur spiritualitetin e saj. Disa njerëz kanë përfituar prej tyre duke i lidhur ata me dollarët ose duke i kthyer në robotë. Ata i kanë droguar. Ky është lajmi i parë në të gjitha gazetat që mund të lexojmë këto ditë. Me këta të rinj është abuzuar në atë shkallë sa ata janë manipuluar. Ata janë shfrytëzuar si vrasës me pretekstin e disa idealeve apo qëllimeve të çmendura. Disa njerëz keqdashës kanë dashur të arrijnë ca synime duke abuzuar me këta të rinj.
Këta njerëz janë kthyer në robotë. Një kohë, shumë njerëz u vranë në Turqi. Grupet e ndryshme vrisnin njerëzit nga kampet kundërshtare. Gjithsecili ishte përfshirë në një luftë të përgjakshme përpara se të vinte dhe të ndërhynte ushtria më 12 mars të vitit 1971 dhe më vonë më 12 shtator të vitit 1980. Njerëzit vrisnin duke derdhur gjakun e njëri-tjetrit.
Disa njerëz u përpoqën të arrijnë një qëllim duke vrarë të tjerët. Gjithsecili ishte një terrorist. Njerëzit e njërit krah ishin terroristë, edhe ata në krahun tjetër ishin terroristë, ndërkaq që çdokush e etiketonte të njëjtin veprim ndryshe. Një person do të thoshte: "Unë po veproj në emër të Islamit." Një tjetër do të thoshte: "Unë jam duke luftuar për popullin dhe vendin tim!" Ndërsa një i tretë: "Unë jam ngritur kundër kapitalizmit dhe shfrytëzimit!" Të gjitha ishin vetëm fjalë. Kur'ani flet rreth këtyre "etiketimeve." Ata nuk meritojnë të vlerësohen. Por njerëzit vazhduan me vrasje. Çdokush ishte vrarë në emër të një ideali.
Në emër të këtyre "idealeve" të përgjakura shumë njerëz ishin vrarë. Kjo nuk ishte asgjë tjetër veçse terror. Çdo njeri, jo vetëm muslimanët, kishte bërë të njëjtin gabim. Më pas, këto vrasje u bënë një qëllim "i realizueshëm." Vrasja u kthye në një zakon. Gjithsecili filloi të shfrytëzohej për të vrarë, edhe pse vrasja e një personi tjetër është një akt shumë i dënueshëm. Një herë, një nga miqtë e mi më të afërt, vrau një gjarpër. Ai ishte i diplomuar në teologji dhe tani është predikues. Në shenjë kundërshtimi për këtë veprim, unë nuk fola me të për një muaj. Unë i thashë: "Ky gjarpër ka të drejtë të jetojë në natyrë. Çfarë të drejte ke ti për ta vrarë?"
Por sot gjendemi në një moment të tillë që, nëse 10 apo 20 njerëz janë vrarë, ose nëse numri nuk është aq i lartë sa mendohej, atëherë ata thonë: "Nuk është aq keq, nuk kanë vdekur shumë njerëz!" Kjo dhunë e pabesueshme është e pranueshme për njerëzit në një nivel të tmerrshëm. Ata thonë: "Eshtë pozitive që numri i të vdekurve nuk i kalon 20 apo 30!" Shkurt, e tërë shoqëria e pranon këtë si një pjesë të jetës sonë të përditshme.
Kjo situatë mund të ishte shmangur nëpërmjet edukimit. Ligjet dhe rregullat e shtetit mund ta parandalonin këtë. Disa grupime të vogla që janë mbrojtur, dhe për pasojë nuk mund të ndalohen, janë duke i ekzagjeruar çështjet e parëndësishme dhe po u japin shumë rëndësi çështjeve pa vlerë. Ka një shërim nga kjo. Shërimi është të mësojmë të vërtetën menjëherë. Duhet të bëhet e qartë që muslimanët nuk mund të jenë terroristë. Pse duhet të bëhet kjo e qartë? Sepse njerëzit duhet ta kuptojnë që nëse bëjnë diçka të keqe, edhe në qoftë se është e vockël sa një atom, ata do të paguajnë për atë në këtë botë dhe në botën tjetër![1]
Po, vrasja e një njeriu është diçka shumë domethënëse. Kur'ani thotë që vrasja e një personi është e një njëjtë me vrasjen e të gjithë njerëzve. Ibni Abasi shprehet që një vrasës do të qëndrojë përjetësisht në ferr. Ky është i njëjti dënim që është dhënë edhe për mosbesimtarët. Kjo do të thotë që një vrasës i është nënshtruar të njëjtit dënim si një jobesimtar. Shkurt, në Islam, në momentet e ndëshkimit në Ditën e Gjykimit, një vrasës do të konsiderohet të jetë aq i ulët po aq sa dikush që ka mohuar Zotin dhe Profetin (me fjalë të tjera një ateist). Nëse ky është një parim themelor i fesë, atëherë ai duhet të jetë mësuar në shkollë.
[1] Kur'ani, 99:7-8.
Nuriye Akman, Zaman 22 mars-1 prill 2004
- Publikuar më .