• Home
  • Intervista
  • “Në secilën parti shoh kandidatë të denjë dhe të aftë për t'i shërbyer popullit”

“Në secilën parti shoh kandidatë të denjë dhe të aftë për t'i shërbyer popullit”

Në secilën parti shoh kandidatë të denjë dhe të aftë për t'i shërbyer popullit

Mendimtari i njohur, në këtë pjesë të fundit të kësaj interviste shprehu mendimin e tij në lidhje me pyetjen e shumëartikuluar: "Cilës parti do t'ia japë votën Lëvizja?"

Pasi shprehet, se besimtarëve nuk u ka aspak hije që ta shohin kuptimin e jetës sikur të ishte i përbërë veç prej kutisë së votimit, ai thotë se e sheh si një trysni ndaj ndërgjegjes shprehjen jepjani votën domosdoshmërisht aksh partie. Ai e sheh angazhimin veç ndaj njërës prej partive si një diferencim prej pjesës tjetër të popullit që nuk mbështet të njëjtën parti. Ndër të tjera, Gylen tha: "Gjithsecili do të shohë rreth e qark vetes dhe do t'i vlerësojë të gjithë kandidatët për kryetar bashkie. Në fund të fundit, këtu nuk bëhet fjalë për zgjedhje të përgjithshme. Këtu kandidatët janë shumë më të rëndësishëm se sa partitë për të cilat ata kandidojnë, dhe unë shoh kandidatë të denjë dhe të aftë për t'i shërbyer popullit në se cilën prej partive. Nuk se mund të quheni mëkatarë nëse nuk ia jepni votën tuaj njërës apo disave syresh."

Shënim:

Gjatë publikimit të intervistës, ngase disa gazeta nuk patën se ç'të kritikonin në lidhje me brendinë e saj, mashtresat nga më të ndryshmet u shpifën ose prej vetë atyre, ose gjetën prej të pakënaqurve, që të vinin ata e të thoshin ç'u vinte ndoresh. Nuk ia vlente që t'u kthehej përgjigje këtyre njerëzve krejt të pasinqertë, të cilët nuk nxorën as edhe një fjalë nga goja edhe atëherë kur tallej hapur vetë Kurani Fisnik. Megjithatë, duke pasur parasysh njerëzit e sinqertë që mund t'i marrin seriozisht këto gënjeshtra, i dërgova ato që të pyetej vetë z. Gylen, se ç'mendim kishte në lidhje me to. Ja, pikërisht ato përgjigje po publikohen në këtë pjesë të fundit të intervistës. Ekrem Dumanllë

Kanë ngelur vetëm pak ditë nga dita e zgjedhjeve. Gjithandej po diskutohet, se kujt do t'ia japë votën Lëvizja?..

Në fakt, diçka e këtillë, që po përsëritet vazhdimisht, pa reshtur, sikur jeta të merrte kuptim vetëm prej kutisë së votimit, nuk u shkon aspak besimtarëve. Patjetër, që edhe kutia e votimit është një diçka tejet e rëndësishme në lidhje me të ardhmen e vendit, por jo çdo gjë. Ashtu siç edhe ju e keni shprehur diku shumë drejtë, se si lënia mënjanë e kutisë së veprave të jetës sonë për t'u përqendruar veç tek kutia e votimit, i ka çoroditur paq disa njerëz, aq sa i ka bërë ta shohin gënjeshtrën dhe shpifjen si diç krejt të natyrshme, e është e pamundur që të mos hidhërohesh për diçka të tillë.

Të vijmë tani tek çështja e dhënies së votës. Që në krye të herës, unë i varfri jam shprehur gjithnjë: "Votën tuaj jepeni atje ku ndërgjegja juaj të ndjejë bindje." Sepse, ashtu siç thënien, jepjani medoemos votën kandidatit të aksh partie, e konsideroj si një trysni ndaj ndërgjegjes, edhe angazhimin vetëm ndaj njërës prej partive e shoh si një diferencim prej pjesës tjetër të shoqërisë, e cila mbështet një tjetër ose të tjera parti. Edhe qëndrimi ynë i qartë dhe i palëkundur përsa i përket çështjes së referendumit, nuk ishte thjesht ndaj njërës prej partive; ishte për hedhjen e një hapi të duhur drejt demokracisë. Por, me ç'duket, sot po na del se edhe ajo nuk ishte diçka me vlerë...

Tani, nga njëra anë kemi një kryetar partie që lëshon fyerje pa reshtur, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Dhe fatkeqësisht, të gjithë njerëzit e mençur të asaj partie po zgjedhin heshtjen e plotë si përgjigje. Përveç partizanëve që e teprojnë gjithnjë, këtë po e kuptojmë më së miri prej se si po mërziten edhe mbështetësit në masë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim. Por nëse edhe mes këtyre ka nga ata, ndërgjegja e të cilëve i pranojnë këto fjalë të rënda, mund të shkojë e ta japë votën e tij atje ku dëshiron; megjithëse, ma merr mendja se ato fjalë që do të thyenin zemrën e çdo njeriu të ndjeshëm, që do t'ia plagosnin ndërgjegjen kujtdo, i kanë tronditur të gjithë shokët tanë. Gjithsecili do të shohë rreth e qark e do t'i vlerësojë veçanërisht secilin prej kandidatëve. Në fund të fundit, këto nuk janë zgjedhje të përgjithshme. Kandidatët këtu janë më të rëndësishëm se partitë që përfaqësojnë, dhe në secilën prej partive ka kandidatë të denjë dhe të aftë për t'i shërbyer popullit. Nuk se mund të hyni në mëkat duke mos ia dhënë votën aksh partie.

Me lejen tuaj, dua t'ju pyes, sepse janë duke u bërë shumë spekulime në lidhje me qëndrimin tuaj në Amerikë, dhe moskthimin në Turqi. Ç'mendoni në lidhje me këtë çështje?

Unë desha ta mirëprisja dëshirën e mirë të disa njerëzve në lidhje me kthimin tim. Ka pasur që e kanë kërkuar edhe më herët diçka të këtillë. Nuk se edhe atyre ditëve nuk e kuptoja qëllimin e vërtetë të asaj thirrjeje për t'u kthyer. Megjithatë nuk hoqa asnjëherë dorë prej mirësjelljes apo nga mirëpandehma për vëllezërit besimtarë. Më lejoni t'ju them diçka që në fillim, unë jam një besimtar mes besimtarëve. Kam qenë përherë me këmbë në tokë. Dhe po në atë mënyrë kam jetuar. Nuk e ndërroj qenien tim rob i Allahut me asnjë post apo cilësor. Po kështu dëshiroj që të dal edhe përballë Krijuesit tim. Nuk kam as lidhjen më të vogël me ndonjëfarë qarku të huaj, e nuk ka se si të ketë. Ata që kanë rënë vetë në rrjetën e qarqeve të huaja, janë pikërisht ata që rendin pas kërkimit të ndonjë të ardhmeje, pushteti apo fuqie, për të ardhur despotisht në krye të shtetit, me një oreks për ta hedhur shtetin në dorë dhe për të mos e lëshuar më; janë pikërisht ata të parët që i shohin njerëzit, të cilët nuk bëjnë kurrfarë llogarie për post apo famë, madje që i shmangen çdo lloj dukurie që i përmbahet hesapeve të fuqisë dhe pushtetit. Edhe po të duan t'i tregojnë këta njerëz si rrezik brenda shtetit, në thelb ata vetëm sa i shohin ata si rrezik përballë planeve të tyre të kobshme.

Edhe në vendet më të prapambetura, njerëzit gjykohen për fjalët dhe veprimet e tyre. Vendimi për ta jepet pikërisht në përfundim të gjykimit të tyre. Ja tek i keni të gjitha ç'kam thënë apo ç'kam vepruar unë për pesëdhjetë vjet, përpara syve dhe veshëve të mbarë popullit. A ka mundësi, që një njeri me turlifarë llogarish të fshehta, të mund të depërtojë pa iu kuptuar asgjë, qoftë edhe nëpërmjet ndonjë shenje apo pretendimi?

Nëse do të kthehem apo jo, këtë nuk e bëj duke marrë në konsideratë mendimet e atyre që sot mendojnë ndryshe, e nesër ndryshe, por vetëm pasi të jem këshilluar me miqtë e mi, të cilëve u besoj njësoj si vetë zemrës sime. E kam shprehur edhe më herët, se nëse kthehem, këtë nuk do ta bëj si filani apo fisteku, por si djali i Ramiz Efendiut, që kryen detyrën e imamit në xhaminë e "Tri sherefeve" .

Fatkeqësitë vijnë e ikin, ju mos u hidhëroni ndaj askujt

U bë kohë e gjatë që i keni ndërprerë ligjëratat tuaja që publikoheshin nëpërmjet internetit. Ata që ju duan, janë të shqetësuar dhe duan të dijnë se cilat janë ndjesitë dhe mendimet tuaja pas tërë këtyre përndjekjeve dhe fyerjeve të pandalura, a keni ndonjë gjë për t'ua thënë atyre veçanërisht?

Ne duhet të kemi përherë durim karshi atyre që mund të na ndodhin, e asnjëherë, në çfarëdolloj kushti, nuk duhet të heqim dorë prej mirësjelljes sonë. Në çdo periudhë të historisë njerëzore ka pasur njerëz që kanë kaluar vuajtje dhe shqetësime nga më të ndryshmet. Imam Rabaniu, Hasan Shazeliu, Mevlana Bagdadi, e shumë e shumë personalitete të larta si këto, kanë hequr sa e sa vuajtje... Vuajtjet që ka hequr Bediuzaman Said Nursiu janë për të thurur himne... Nuk i ka ngelur vuajtje apo lloj përndjekjeje që të mos e ketë provuar. Ne mund të jemi vetëm këtmirë të këtyre personaliteteve. Mirëpo, kjo rrugë është rruga e tyre, e mënyra e veprimit është po e tyrja, kështu që ne duhet të gjendemi përherë të përgatitur për të përballuar çdo lloj vuajtjeje. Nuk do hidhëruar. Ne duhet t'i përgjërohemi Allahut (xh.sh.) ditë natë, "Ne jemi të kënaqur për Allahun si Zot, për Islamin si fe dhe për Muhamedin si të Dërguar (s.a.s.)." Karshi Atij nuk do mbajtur asnjëherë mëri, por do vepruar në çdo çast veç me ndjenjën e kërkimit të pëlqimit të Tij. Fatkeqësitë janë kalimtare. Sikur një tsunami madhështor të na përpijë të gjithëve e të na marrë para, e ne ta kemi të plotë lidhjen tonë me Allahun (xh.sh.), kjo do të thotë se kemi siguruar Ahiretin tonë. Të gjithë njerëzit që ia kanë dhënë zemrën kësaj çështjeje, dhe që nuk kanë synuar asgjë të kësibotshme pas saj, në botën tjetër bëhet zotërues mbretërish të përjetshme. Gjithsecili duhet të mbajë pozicionin e tij. Ndoshta, për shkak të kushteve dhe koniukturës, nuk duhet të thotë, padyshim që kjo është rruga e vetme e vërtetë; sipas situatës, edhe sikur t'ia bllokojnë të gjitha rrugët anësore, ai duhet të përpiqet që të shkojë atje ku ka për të shkuar nëpërmjet të tjerash rrugë. Dhe ai vend duhet të jetë medoemos vendi i vlerave universale njerëzore. Këta lloj njerëzish nuk janë kapluar asnjëherë prej pesimizmit; edhe ne nuk duhet të kaplohemi. Nuk duhet ta humbasim shpresën. "Pesimizmi është një moçalishte, që po re në të, mbytesh, përqafoju vullnetit fort e fort, shih se ç'bëhesh..." Kështu thotë Mehmet Akifi. "Ata që jetojnë, jetojnë veç me shpresa, pesimisti thjesht të tijin shpirt dhe ndërgjegje vetëm sa e lidh." Ne besojmë, se kjo situatë e ashpër do të fshihet e do të ikë me lejen dhe me ndihmesën e Allahut. Ne përherë me këtë shpresë kemi jetuar.

Të gjitha ato ç'mund të kemi përjetuar deri më tani i përmendët edhe ju pak më parë. Unë nuk kisha shkuar ende ushtar kur përjetova 27 majin, prej të cilit të them të drejtën u trysnova shumë. Edhe në 12 mars po ashtu. Në 12 shtator u arratisa sikur të isha më i ndyri. Ishte i ndjeri Turgut Ozal, i cili arriti të vendoste në pah forcën e tij në një kohë të caktuar. Hoqën dorë prej meje. Mirëpo, kjo vazhdoi edhe më vonë. Shkova dhe erdha nga haxhi. Prapë qenë bllokuar rrugët për mua. Më patën thirrur në Gjykatën e Sigurisë për të më pyetur. Edhe pas 28 shkurtit, çështja e hapur prej prokurorit Nuh Mete Jykselit pati zgjatur për vite të tëra. Të më besoni, karshi të gjitha atyre të këqijave, mosrespektimit dhe fyerjeve që përjetova prej prokurorisë së atjeshme, nga Kryeprokuroria e Nju Xhersit qeshë trajtuar me respektin më të veçantë. Doli e më priti gjer tek porta e jashtme. Madje ma mbajti vetë karrigen, që të ulesha unë, në mënyrë që të mos ndihesha keq. Shkoi lau gotën e tij që kishte aty, e mbushi me ujë dhe më tha: "Mbaje pranë, që të pish, nëse të thahet buza." Këtu u përballa një sjellje të këtillë. As nuk më njihte fare. Mandej, patëm menduar edhe t'i dërgonim ndonjë dhuratë për këtë mirësjellje dhe xhentilesë që pati treguar. Z. Kemal që pati hyrë në mes është ende gjallë. Kur pati shkuar për t'i çuar dhuratën, qe përgjigjur me këto fjalë: "Unë nuk marr dhurata prej njerëzve, të cilëve më është dashur t'u ndjek çështjen." Aty mendova, se pikërisht sajë kësaj filozofie drejtësie, apo këtij botëkuptimi në drejtësi, pavarësisht gjithë të këqijave që mund të gjenden, gjenen ende në jetë këta njerëz. Janë duke luajtur rolin e një përbërësi tejet të rëndësishëm në ekuilibrat botërorë.

Madje, të them edhe këtë: Unë kam bërë burg edhe gjatë ushtrisë. Arsyeja ishte pse u mbaja ligjërata fetare të tjerëve. Ka qenë një komandant, i cili më lejonte gjithsesi, që unë t'i mbaja ligjëratat e mia, pasi ishte edhe vetë që i ndiqte. Më pati përqafuar ngrohtësisht kur iu desh të largohej. "Mund të të bëjnë keq tani që po largohem unë." E poashtu ndodhi. Më futën brenda dhe m'u desh të qëndroja i izoluar. Në kohë të ndryshme më janë bërë sulme, fyerje, akuza dhe përndjekje nga më të larmishmet. Por, ato që po më bëhen sot nuk janë as një e njëqindta e atyre ç'mund të më jenë bërë në të shkuarën. Artikulimi i sa e sa fjalëve, shprehjeve dhe fyerjeve të ulëta... Mirëpo, unë e di se gjithsecili paraqet karakterin e vet në fjalët, ligjërimin, sjelljet dhe reagimet që paraqet. Nuk kemi të drejtë t'i themi ndonjë gjë ndokujt.

Një kushtetutë e re është kusht

Turqia po kalon ditë tejet të vështira. Nganjëherë mund të ndodhë edhe që njerëzit të humbasin shpresën prej tërë kësaj rrëmuje zulmëmadhe. Si mendoni, se mund të shpëtojë Turqia prej kësaj atmosfere?

Pikësëpari dua të shpreh, se në periudha të këtilla është i domosdoshëm drejtimi kah Allahu (xh.xh.), duke iu lutur e përgjëruar, e duke kërkuar mbrojtje veç prej Tij. Është për t'u pasur frikë prej përfundimit të atij që nuk shqetësohet fare për përfundimin e vet. Ata që ndjehen vazhdimisht të sigurt në besimin e vet, por që kanë dyshime të vazhdueshme për besimin e të tjerëve, janë vetë ballë për ballë një rreziku shumë të madh. Omeri i nderuar (r.a.) ishte pikërisht i këtillë, që shqetësohej për përfundimin e tij. Kur përllogariste shpërblimet dhe mëkatet e tij, thoshte: "Sikur kokë më kokë të vijnë, shpëtova.". Edhe ne, sidomos tani në kohën e fundme, duhet të shqetësohemi jashtëzakonisht shumë për përfundimin tonë; duhet të strehohemi nën mëshirën dhe ndihmesën e Tij duke thënë: "Mbamë Ti për dore, o Zot! Se po nuk na mbajte Ti, ne shkatërrohemi." Sepse besimi, ashtu siç besimi dhe mbështetja duke u dorëzuar plotësisht tek Allahu (xh.xh.) janë streha më e mirë për t'u mbrojtur për individët, po njëlloj janë edhe për mbarë shoqëritë. Ai që nuk strehohet nën këtë strehë mund të ngelet nën peshën e rëndë të unit të tij, që Zoti na ruajtë!

Kjo është vetëm njëra anë e çështjes. Ana tjetër është ajo, se vendi ynë ka nevojë për një klimë të re, që të mund t'i kapërcejë këto tollovi që e kanë mbërthyer. Është kusht hartimi i një kushtetute të re, e cila të marrë në mbrojtje të drejtat dhe liritë thelbësore të njeriut. Por ma merr mendja, se për hartimin e një kushtetute të tillë, më parë duhet të rritet interesimi i shoqërisë, apo të shtohen kërkesat prej personave dhe institucioneve të interesit për një kushtetutë, e cila të qerthullohet rreth parimeve universale të drejtësisë dhe të të drejtave. Sepse, fatkeqësisht, siç edhe po vërehet, janë duke u dëmtuar normat e një "shteti të së drejtës demokratike". Sa e sa analistë bënë shqyrtime të imtësishme në lidhje me këtë çështje. Pasi, një Turqi, e cila sa vjen e largohet prej vetes, vlerave dhe njerëzve të saj, poaq largohet me kilometra drite largësi nga bota.

Në ditët tona, individi dhe shoqëritë gjenden në pozicionin e të qenit më të rëndësishëm edhe se vetë shteti. Është bërë pothuajse i pamundur zbatimi i një projekti që parashtrohet apo imponohet nga lart. Ishte vetë Bediuzamani që në krye të shekullit të shkuar, që e tha: "Ngadhënjimi ndaj njerëzve të qytetëruar bëhet duke i bindur, jo duke i detyruar." Kështu edhe trysnitë e ushtruara vazhdimisht mbi popullin, nuk mund të jenë të qëndrueshme. Jemi të detyruar, që ndodhive t'u qasemi veç me durim, duke i kuptuar mirë, me vendosmëri, por edhe me kujdesin më të madh, me largpamësi dhe me mençuri. Nëse ju i qaseni çështjeve me seriozitetin dhe duke u treguar rëndësinë e nevojshme, duke i përballuar të gjitha ç'ndodhin me durim dhe dorëzim tek Allahu (xh.sh.), atëherë të jeni të sigurt, se vjen një ditë, e bëhet pikërisht mendjekthjelltësia që mbizotëron. Është pikërisht ajo ditë, kur të gjithë ata që kanë përgojuar, apo që kanë marrë pjesë në shpifjet e hedhura, ndihen të turpëruar; ndërsa ju u thoni: "Se sot nuk është ditë hakmarrjeje, e nuk preket askush.", ua hapni zemrat edhe atyre, në mënyrë që të mos i lini të turpërohen prej mëkateve që kanë kryer. Historia është e mbushur plot e përplot me shembuj të këtillë. Nëse dikush ngrihet e ikën i drejtuar nga një anë e ju ia mbani më anën tjetër, atëherë ajo çfarë do të keni bërë di të jetë thjesht zgjerim i distancës më tej mes jush, asisoj që kur një ditë ta ndieni se keni nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e njëri-tjetrit, e kupton se keni gabuar, por ç'e do se mund të ketë shkuar shumë vonë. Nuk duhet të mendojmë asgjë tjetër, veçse të themi, "Edhe kjo kalon, o Zot!", e të vazhdojmë shërbimin tonë duke e shtuar edhe më shpejtësinë. Ky është mendimi im.

Lëvizja pozitive nuk do të thotë të heshtësh përballë padrejtësisë

Disa njerëz po thonë, se sjellja që po tregon Lëvizja bie ndesh me filozofinë e "lëvizjes pozitive" të Bediuzamanit...

Bediuzamani, në veprata e tij, ndërsa ndalet në këtë çështje, e tërheq vëmendjen edhe tek kushtet e saj: "Të veprosh sipas pëlqimit të Allahut (xh.sh.), të kryesh shërbim për besimin, të mos ndërhysh në punën e Zotit, të ruash sigurinë, dhe të jesh përherë i duruar dhe falënderues." Kështu që, veprimtaria pozitive nuk do të thotë aspak, që të heshtësh përballë padrejtësive. As Bediuzamani, nuk ka heshtur përballë padrejtësisë, zullumit dhe privimit nga të drejtat, vetëm se këtë ishin duke ia bërë "autoritetet e shtetit", përkundrazi iu është përgjigjur në çast çdo shpifjeje, ndërsa në gjyqe e ka mbrojtur veten e tij për orë të tëra. Këto mund t'i vëreni fare lehtë në Jetëshënimet dhe korrespondencën e tij.

Pastaj, ç'kanë bërë tjetër vullnetarët e lëvizjes gjer më tani, veçse kanë mbrojtur veten e tyre karshi sulmeve që u janë bërë, kanë sqaruar shpifjet që u janë bërë, si dhe kanë thënë: "të mos ndërhyhet mbi ligjin dhe zbatimin e tij prej gjykatave."? Organet e medias, që janë në anën e Lëvizjes nuk kanë kaluar asnjë hap më tutje, veçse janë përpjekur që të informojnë rreth akuzave për afera korruptive, që janë paraqitur nëpër gjykata, të cilat kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me zhvatjen e asaj ç'i përket popullit. Në vend që t'u jepej përgjigje, një e nga një, të gjitha akuzave për këto afera korruptive, apo të mohoheshin, po një e nga një, sa muaj u bënë, që vetëm u bëhet padrejtësi disa njerëzve të pafajshëm, duke fyer dhe shpifur mbi ta, pa as provën më të vogël në duar.

Ose nuk e kanë kuptuar fare këtë Lëvizje, ose vlojnë prej mllefit, andaj edhe shpifin

Ka edhe disa, të cilët janë shprehur, se kanë ndenjur për gati dyzet vjet pranë jush, të cilët kanë shprehur disa mendime të tyre në lidhje me ju. Kanë artikuluar gjer dhe në shprehje, si Mesia, Mehdi, "Foli me Allahun", "Imami i Botës". A mund të na thoni, se cili është mendimi juaj lidhur me to?

Çështja e Mesisë dhe Mehdiut është një çështje që i ka preokupuar shoqëritë myslimane që në krye të herës. Është tjetër gjë dimensioni dituror në lidhje me ta, e është tjetër ai shpirtëror. Ka pasur gjatë gjithë historisë, si nga ata që janë shprehur kundër, qoftë nga ata që kanë qenë pro. Mirëpo, kjo çështje ka qenë përherë e hapur ndaj keqkuptimeve dhe keqpërdorimeve. Njëherë e njëkohë ishin disa qarqe të caktuara, të cilat pretenduan dhe shpifën kësisoji edhe për Bediuzaman Said Nursiun; Ia shpërfytyruar interpretimet e tij në lidhje me çështjen e Mehdiut dhe Mesisë, sikur të mendonte se është dora vetë, - patën thënë.

Unë, çdo kohë, kam pasur pranë vetes me dhjetëra nxënës; ata janë dëshmitarët më të sigurt, se unë këto pretendime i quaj si çudhëzim, madje mohim. Ata e kanë dëgjuar me dhjetëra herë, kur u kam thënë: "Unë e di mjaft mirë se i biri i cilës nënë dhe i cilit baba jam. Përse nuk na mjaftuaka një robëri e thjeshtë dhe e zakonshme?" Sepse në vendet ku jam rritur unë, përveç rasteve kur mund të kenë pasur ndofarë problemi mendor, nuk kam hasur asnjëherë në ndokën që të pretendonte për veten e tij ndonjërën prej këtyre gradave apo pozitave. Përkundrazi, unë kam qenë përherë nga ata, që i shihnin pretendimet e këtilla si një nga mohimet më të rënda. Ndërsa ata që janë duke i sjellë ndërgojë këto shpifje, nuk e dinë se janë duke e fyer mbarë popullin e tyre.

Do ta them edhe njëherë, si Mevlana, në lidhje me këtë çështje: "As Mehdi, e as Mesi, e as tjetër gradim, unë jam veç një rob i thjeshtë i Zotit tim." "Për aq kohë sa do të jetoj, unë do të jem një njeri i robëruar prej Kuranit, pluhur i këmbës së të Dërguari të Allahut, Muhamedit (s.a.s.). Nëse del ndokush me më atribuon ndofarë më shumë se kaq, ankestar jam dhe për të edhe për fjalën."

Ndërsa përsa i përket përçartjes tjetër... Nuk e kuptoj, se si e kanë kaq të lehtë përdorimin e të këtilla shpifjeve. Ata që janë duke i thënë, e dinë fare mirë merakun tim ndaj çështjesh të tilla. Kurani e thotë fare qartë: "Allahu flet me një njeri, vetëm nëpërmjet revelatës, ose nëpërmjet një perdeje. Ose zgjedh një mëkëmbës, për t'u çuar njerëzve revelatën." (Shura, 51). Qoftë edhe njohuria më e thjeshtë në lidhje me besimin, di t'i vërë një cak mënyrës së sjelljes së njeriut karshi Zotit. Ne kemi ardhur prej një atmosfere të atillë kulturore, që njerëzit shkrijnë dhe përkulen vetëm me një përmendje të emrit të Allahut (xh.sh.). Si atje, si në ndonjë vend tjetër, e keni të pamundur që të gjeni një person, që të mund të ketë shprehur diçka të tillë.

Ndërsa shprehjet e këtilla, si imami i botës, nuk ia vlen fare, që t'u japësh kaq shumë rëndësi. Ma merr mendja se çdo njeri me pak mend dhe mëshirë ka bërë çudi përballë këtyre fjalëve. Po stisin një strukturë hierarkike të atillë, që unë nuk e kam parë asnjëherë në 60-70 vjet jetë shërbimi. Nuk e di, ç'ndotje mendjeje dhe shpirti mund të jetë kjo? Po nxjerrin lloj-lloj pandehmash imagjinare, sikur të ishin duke u tallur me mendjen e miliona njerëzve.

Ata që flasin për struktura paralele hierarkike, apo për zënie postesh të këtilla apo të atilla, ose nuk e kanë kuptuar fare këtë lëvizje, ose shpifin lart e poshtë prej ndofarë mllefi. Sepse, siç e thotë edhe Bediuzaman Said Nursiu, "Thelbi i profesionit tonë është vëllazëria. Nuk janë raportet babai dhe biri, apo shejhu dhe myridi. Më e shumta, në mes mund të hyjë ndofarë pozite mësuesi." Ata që më njohin e dinë fare mirë, që unë edhe nxënësit e mi i kam parë përherë si shokë, e nuk kam pranuar as pozitën e mësuesit, për të qenë mbi ta.

Furuat, nga pikëpamja e Islamit është një njohuri e nivelit të arsimit fillor

Lart e poshtë po thuhet edhe se ne nuk i dhënkërkemi rëndësi mbulesës së grave, duke e cilësuar atë si fyruat. Ç'mund të na thoni lidhur më këtë?

Në fenë islame, përgjegjësitë e lidhura me besimin dhe veprimin ndahen në dy kategori; "usul" dhe "furu". Së këndejmi, ato ç'janë të lidhura me besimin, cilësohen si "usul"; ndërsa ato me veprimin, sjelljet apo reagimet ndaj dukurive të ndryshme si "furu". Gjykimet lidhur me veprimin, krahasuar me ato të lidhura me besimin, janë të dorës së dytë, duke u ngritur po mbi ato të cilësuara si "furu". Andaj edhe mbulesa e grave, është një çështje veprimi; andaj edhe mund të thuhet se është furuat. Mirëpo, nuk duhet harruar, që qasja ndaj mbulesës si fyruat u përket shumë dijetarëve të fesë islame. Ndoshta, disa gazetarë mund të mos e tregojnë kujdesin e nevojshëm ndërsa e trajtojnë në gazeta këtë çështje, mirëpo ata që punojnë në institucionet fetare i dinë shumë mirë. Pasi kjo nuk është as ndofarë njohurie e thelluar. Nga pikëpamja e literaturës klasike të Islamit, kjo nuk është as njohuri e nivelit të arsimit fillor. Unë nuk besoj, se ata që janë duke i rënë nga pas çështjes së përcaktimit të mbulesës si prej fyruat-it, për ta keqpërdorur mandej, vetëm prej meje të varfrit, nuk e dinë kaq gjë në bazë të literaturës më themelore fetare. Gjithnjë u ndoq një fushatë keqdashëse. Unë thashë thjesht furuat, mediat e pasqyruan si detaj; e dinë të gjithë, që përsa i përket semantikës së fjalës, sikur edhe në atë kuptim të ishte përdorur, fjala teferruat ka kuptimet detaj i vogël, gjë e parëndësishme. Nuk e di a duhet ta quaj si lartësi dhe pasuri të gjuhës turke, apo mirënjohje e thellë e miqve...

Më duhet të shtoj edhe, se të thuash se mbulesa e grave është një çështje furuat nuk do të thotë se ajo nuk është farz - e detyruar. Mbulesa e grave është farz. Megjithatë, ka shumë çështje të veprimit dhe sjelljes, të cilat janë farz, por që në fund të fundit janë furu. Sepse po të isha një njeri, i cili përpiqej ta nënvlerësonte - hasha - çështjen e mbulimit, nuk i shkruaja kryeministrit në vitin 2006, ku t'i lutesha që të përpiqeshin e ta zgjidhnin një orë e më parë këtë problem. Kush të dëshirojë, mund ta gjejë e le ta publikojë në media letrën e dërguar prej meje.

Ata që thonë "Mos futni ngatërresa", duhet t'u hedhin njëherë sytë edhe nga ato që po thuhen

Disa teologë janë shprehur, se Lëvizja është duke lëvizur kundër ulu'l emrit, duke kundërshtuar qeverinë në fuqi. Si mendoni ju?

T'i bindesh ulu'l emrit - urdhërimeve të më të mëdhenjve (këtu bëhet fjalë për një parim mbi hierarkinë institucionale organizative. shën. i përkth.), nuk do të thotë të heshtësh për gabimet e drejtuesve, apo të mos i dalësh për zot të drejtës sate. Detyra e "urdhërimit të së mirës dhe parandalimit të së keqes" nuk bëhet vetëm ndaj atij njeriut që jeton rrugëve, por karshi të gjithëve.

Fusha e politikës është një çështje gjykimi; nuk bën pjesë as në ato çështje që quhen usul, as në ato që quhen të besimit. E zhgënjimi në gjykimet që kanë të bëjnë me të janë më se të natyrshme. Çdo grup që shërben, apo edhe çdo individ brenda një grupi të caktuar, nuk është i detyruar që të mendoj njësoj, apo të veprojë poashtu, si të tjerët. Ndërsa përsa i përket një organizimi demokratik, nëse ju nuk e thoni dot mendimin tuaj ndryshe, atëherë mund të themi se në atë vend nuk ekziston as më e vogla demokraci. Të përpiqesh që të bësh deklarata politike nëpërmjet terminologjisë fetare, tregon një gjendje tejet të rëndë, e cila për më tepër mund të bëjë edhe që të lindin probleme ligjore.

Një lloj politike që sa vjen e po bëhet më autoritare, është duke iu veshur edhe një farë këllëfi i një lejueshmërie ose jo islame, është duke iu ngarkuar mbi supe popullit, duke i ushtruar një trysni të rëndë mbi ndërgjegjet e tyre. Sepse për fat të keq, keqpërdorimet dhe qasjet e gabuara nga ana e parisë së vendit u diskutuan aq shumë, saqë u bënë të mos u jepet dot më kuptim mbi kuptimet që iu dhanë; ngjan sikur të jenë duke u bërë përgatitje për luftë prej mosmarrëveshjesh për sa i përket çështjeve të besimit. E çuan çështjen deri aty sa të arrijnë të pohojnë edhe se u bëka fjalë për një lëvizje dhe organizim të çudhëzuar, i cili mohon të vërtetat absolute.

A nuk duhet, që ata që janë duke na këshilluar që të mos "nxjerrim ngatërresa", t'ua thonë këto edhe atyre që gjenden në pushtet? Lëreni këtë, kritikat, por që nuk u gjendën as në ndonjë këshillë apo sugjerim, sot na këshillojnë neve, unë nuk e quaj këtë veçse sulm ndaj Lëvizjes, gjë që me sa duket është kthyer sot në diçka tejet të lehtë.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.