Xhihadi me llojet ose aspektet e tij si i madh ose i vogël
Xhihadi është një nga subjektet më të keqkuptuara nga perëndimorët dhe muslimanët. Fethullah Gylen e analizon këtë çështje në librin e tij I'la-yi Kelimetullah veya Cihad (Lartësim i emrit Allah: Xhihad) dhe i jep përgjigje një pyetjeje specifike. Artikujt në vazhdim na japin pikëpamjen e tij për këtë çështje.
Ç'është Xhihadi?
E rrjedhur nga rrënja xh-h-d, fjala xhihad do të thotë shkrirja e të gjithë forcave si edhe lëvizja drejt një objektivi me të gjitha aftësitë dhe fuqitë dhe qëndresa ndaj çdo vështirësie.
Xhihadi fiton një cilësi të veçantë me ardhjen në Islam: përpjekje në udhën e Zotit. Ky është kuptimi që përgjithësisht vjen në mendje sot. Kjo përpjekje zhvillohet në frontin e brendshëm dhe në frontin e jashtëm. Fronti i brendshëm tek një njeri mund të përshkruhet si përpjekje për të fituar esencën e tij, ndërsa fronti i jashtëm si procesi i mundësimit të një personi tjetër për të arritur esencën e tij ose të saj. I pari është xhihadi i madh, ndërsa i dyti është xhihadi i vogël. I pari është bazuar në kapërcimin e pengesave ndërmjet vetvetes dhe esencës së saj, dhe arritjen e njohurive të shpirtit dhe, në fund të fundit, të njohurive hyjnore, dashurisë hyjnore dhe lumturisë shpirtërore. I dyti është bazuar në zhdukjen e pengesave midis njerëzve dhe besimit kështu që njerëzit të mund të zgjedhin lirisht rrugën e tyre.
Llojet e xhihadit
Xhihadi i vogël nuk nënkupton luftën vetëm në fushën e betejës. Në të vërtetë xhihadi i vogël ka një kuptim dhe aplikim aq të gjerë sa që një fjalë apo heshtje, një qëndrim i vrenjtur apo një buzëqeshje, largimi apo pjesëmarrja në tubim – më shkurt, gjithçka e bërë për hir të Zotit – dhe disiplinimi i dashurisë dhe zemërimit në përputhje me pëlqimin e Tij, të gjitha këto janë përfshirë në të. Në këtë mënyrë, të gjitha përpjekjet që bëhen për të reformuar shoqërinë dhe popullin janë pjesë e xhihadit, ashtu si çdo përpjekje e ndërmarrë për familjen, të afërmit, fqinjët dhe fenë tuaj.
Në një sens, xhihadi i vogël është material. Xhihadi i madh ndonëse është drejtuar në frontin shpirtëror, është luftë me botën dhe egon (nefsin) tonë të brendshme. Kur të dy xhihadet janë zbatuar në mënyrë të suksesshme, është vënë ekuilibri i dëshiruar. Nëse mungon njëri prej tyre, kjo balancë është shkatërruar. Besimtarët gjejnë paqe dhe vitalitet në një xhihad të tillë të ekuilibruar.
Siç janë shumë rrugë për te Zoti, ashtu janë edhe krijesat. Zoti i drejton ata që luftojnë për hir të tij, të shpëtojnë në një apo më shumë prej këtyre rrugëve. Ai hap çdo rrugë për mirësinë dhe e mbron atë nga rrugët e së keqes. Gjithsecili që gjen rrugën e Tij, ka gjetur rrugën e mesme. Po ashtu siç këta njerëz ndjekin një rrugë të mesme në lidhje me zemërimin, inteligjencën dhe lakminë, gjithashtu ata ndjekin një rrugë të mesme në lidhje me xhihadin dhe adhurimin. Kjo do të thotë që Zoti e ka drejtuar njerëzimin në rrugën e shpëtimit.
Xhihadi i vogël është përmbushja jonë aktive e urdhërave të Zotit ndërsa xhihadi i madh është shpallja e luftës kundër egos sonë destruktive, emocioneve dhe mendimeve negative (shpirtligësisë, urrejtjes, zilisë, egoizmit, mburrjes, arrogancës dhe pompozitetit), të cilat na pengojnë për të arritur përsosmërinë. Ky xhihad shumë i vështirë dhe i mundimshëm është thirrje për xhihadin e madh.
Ata që dështojnë në xhihadin e madh, do të dështojnë edhe në xhihadin e vogël.
Aishja tregon:
Një natë i Dërguari i Zotit më pyeti: "Aishe, a mundem ta kaloj këtë natë me Zotin tim?" (Ai ishte aq xhentil sa të kërkonte leje edhe për një gjë të tillë. Fisnikëria dhe përsosja ishinaspektet më të rëndësishme të thellësisë së tij). Unë u përgjigja: "O i Dërguari i Zotit, unë dëshiroj të jem me ty, por nuk e di çfarë të pëlqen më tepër!" Profeti mori abdes dhe filloi lutjen.
Ai recitoi: Krijimi i qiejve dhe tokës, alternimi i ditës dhe natës janë në të vërtetë shenja për popujt që kuptojnë (3:190). Pasi recitoi këtë ajet, ai derdhi lot deri në mëngjes![1]
Kjo ngjarje tregon thellësinë e brendshme dhe xhihadin e madh të Profetit tonë.
Xhihadi është një balancë për mposhtjen e brendshme dhe të jashtme. Arritja e përsosmërisë shpirtërore dhe ndihma për të tjerët për të ardhur në të njëjtin nivel kanë një rëndësi shumë të madhe.
Arritja e përsosmërisë së brendshme është xhihadi i madh, kurse ndihma për të tjerët për ta arritur atë është xhihadi i vogël. Kur ju i veçoni nga njëri-tjetri, xhihadi nuk është më xhihad. Plogështia lind nga njëra dhe anarkia, nga tjetra. Sa të lumtur janë ata që kërkojnë një rrugë për të shpëtuar të tjerët aq sa ç'kërkojnë për veten e vet! Dhe sa të lumtur janë ata që kujtohen për të shpëtuar veten ndërsa shpëtojnë të tjerët!
[1] Ibni Kethir, Tefsir (Al-i Imran, 190).
- Publikuar më .