Në prag të mijëvjeçarit të ri
Ne vetëm mund të hamendësojmë rreth shfaqjes së burrit dhe gruas së parë në tokë. Toka është e barazvlerësuar me qiellin meqë qielli nxjerr në pah krijimet hyjnore dhe sepse ai përmban domethënien ontologjike. Vlera e tokës rrjedh para së gjithash nga anëtari i saj: njerëzimi. Në përputhje me kalendarin që ne përdorim sot, jemi në prag të mijëvjeçarit të tretë pas lindjes së Jezusit (Isait), paqja qoftë mbi të! Meqë koha vërtitet dhe ecën përpara me një relativitet helikoidal, ka kritere të ndryshme për matjen e saj në botë. Për shembull, në përputhje me matjen e kohës që rëndom ka një pranim të përgjithshëm, bota është në prag të kapërcimit të një mijëvjeçari të ri. Në përputhje me kalendarin çifut, ne jemi tashmë në gjysmën e dytë të mijëvjeçarit të tetë. Brenda sistemit kohor hindu, ne jemi duke jetuar në epokën e Kali Jugas. Nëse ndjekim kalendarin islam, ne jemi duke iu afruar fundit të gjysmës së parë të mijëvjeçarit të dytë.
Ne megjithatë duhet të kujtojmë se çdo matje e kohës është asgjë më shumë se një matje relative. Ndërsa një periudhë 100-vjeçare është pranuar të jetë masë për një shekull, ideja e shekullit 60-vjeçar, bazuar në gjatësinë e jetës të një personi të zakonshëm, gjithashtu ia vlen të përmendet. Nga kjo pikë vështrimi, ne jemi tashmë në mijëvjeçarin e katërt pas lindjes së Jezusit (Isait) paqja qoftë mbi të, dhe në mijëvjeçarin e tretë pas hixhretit (emigrimi i Profetit nga Meka në Medine), momenti nga fillon kalendari islam. Unë e ngrita këtë çështje sepse njerëzit nuk po ndjehen të qetë shpirtërisht, veçanërisht në Perëndim, për arsye të ogurit të tmerrshëm që besojnë se lidhet me ardhjen e mijëvjeçarit.
Njerëzit jetojnë gjithmonë me shpresë dhe prandaj ngjajnë fëmijë për të. Në çastin që ata e humbin shpresën, gjithashtu shuajnë “zjarrin” e jetës së tyre, nuk ka rëndësi nëse ekzistenca fizike vazhdon. Posedimi I shpresës është në proporcion të drejtë me posedimin e besimit. Ashtu si dimri vazhdon në një të katërtën e vitit, periudhat e jetës së një njeriu apo të një shoqërie që korrespondojnë me dimrin, janë relativisht të vogla. Mekanizmat e akteve hyjnore sillen rreth urtësive të kuptueshme dhe qëllimeve të mëshirshme. Këta na vënë ne në dijeni, tamam siç zhvendosjet e ditës dhe natës ndërtojnë shpresën dhe rilindin shpirtin e njeriut dhe çdo vit I ri vjen me mundësinë e pranverës dhe verës, që në jetën e një individi dhe në historinë e një kombi periudhat shkatërrimtare janë të shkurtra dhe janë ndjekur nga kohë të gëzuara.
Ky cikël I “ditëve të Zotit” që është qendërzuar në Urtësinë Hyjnore, nuk është as I frikshëm dhe as tepër pesimist për ata që kanë besim, intuitë dhe konceptim të vërtetë. Më drejt, ai është një burim për refleksionet e vazhdueshme, kujtesën dhe lutjet e falenderimit për ata që kanë një zemër të zgjuar, një përceptim të brendshëm dhe aftësi për të dëgjuar. Në të njëjtën mënyrë si dita vjen nga zemra e natës dhe si dimri ushqen thellësitë e tokës me të cilat vjen pranvera, jeta e njeriut është pastruar, maturuar dhe jep frutet e saj të shpresuara brenda këtij cikli. Gjithashtu brenda këtij cikli, aftësitë njerëzore të dhëna nga Zoti bëhen prirje dhe talente, mendimi shkencor lulëzon si trëndafilat duke përparuar teknologjinë në bankën e punës së kohës dhe njerëzimi gradualisht I afrohet fundit të paracaktuar.
Duke qëndruar në këtë vështrim të përgjithshëm që nuk është as personal dhe as subjektiv, por I saktë në faktin objektiv të historisë njerëzore, nuk do të thotë që ne mirëpresim dimrin ose eventualitetet përkatëse që ngjajnë me të siç janë hidhërimet, sëmundjet dhe katastrofat. Pavarësisht prej faktit të përgjithshëm që sëmundja në fund të fundit rrit rezistencën e trupit, forcon sistemin imunitar dhe I jep shtytje progresit të mjekësisë, ajo është patologjike dhe e dëmshme. I njëjti gjykim vlen dhe për katastrofat tokësore dhe qiellore. Nga këndvështrimi teologjik dhe moral, ato janë rezultat I mëkateve dhe ndjenjave tona mbytëse që janë mjaft të mëdha për të tronditur tokën dhe qiejt, dhe prej përfshirjes në vepra që janë shpallur të ndaluara dhe përbuzjes ndaj ligjit dhe etikës (fetare ose laike). Edhe nëse këto sëmundje I zgjojnë njerëzit që të kuptojnë gabimet dhe neglizhencën e tyre dhe shkaktojnë zhvillimin e gjeologjisë, arkitekturës, inxhinierisë dhe treguesve që lidhen me ta, edhe nëse ato lartësojnë dashuritë e shkatërruara të besimtarëve në nivelin e dhembshurisë dhe vetë besimtarët në nivelin e flijimit, këto katastrofa I sjellin më shumë rrënim dhe dëme njerëzimit.
Në të njëjtën mënyrë, ne lexojmë në Kur'an:
Nëse Allahu nuk do të kishte zbrapsur disa (nga ju) me disa të tjerë (nga ju), xhamitë, manastiret dhe sinagogat në të cilat Zoti është adhuruar do të ishin rrënuar. (22:40)
Me fjalë të tjera, Zoti do të jetë aq pak I njohur për meshkujt dhe femrat që janë të prirur për të mos pohuar që gjithçka është superiore për vetë ata dhe që nuk besojnë që do të përgjigjen për veprat e tyre në botën e përtejme, do të kenë humbur plotësisht, për pasojë duke e bërë tokën të papërshtatshme për jetën njerëzore. Gjithashtu është dhe dispozita hyjnore:
Ju e konsideroni diçka si të keqe ndonëse ajo është e mirë për ju; gjithashtu ju konsideroni diçka tjetër si të mirë ndonëse është e keqe për ju. (2:126)
Për shembull, lufta është e lejueshme. Ndonëse luftërat të bazuara në parime specifike dhe në synimin për të përmirësuar situatat ekzistuese, mund të jenë të dobishme, ato sjellin dëme, ato lënë prapa shtëpi të rrënuara, familje të shkatërruara dhe vajtimin e jetimëve dhe grave të veja.
Përveç kësaj, realitetet e jetës nuk mund të jenë neglizhuar ose të jenë injoruar. Krijesat njerëzore janë pasqyrim I Emrave dhe Atributeve të Zotit, dhe prandaj janë dalluar nga krijesat e tjera duke qenë vlerësuar me përgjegjësinë për ta bërë tokën të begatë me emrat e Tij. Nëse ata nuk kuptojnë urtësinë dhe qëllimet prapa çdo të mire ose të keqeje që ka ardhur në udhën e tyre nga Krijuesi I tyre, atëherë nuk mund t'I shpëtojnë dëshpërimit apo pesimizmit. Për njerëzit e tillë, siç mund të jetë vështruar në literaturën ekzistencialiste, jeta kthehet në një proces të pakuptimtë, ekzistenca në një zbrazëti të paqëllimtë, absurditeti në kriterin e vetëm, vetëvrasja në një akt të denjë dhe vdekja bëhet një realitet I pashmangshëm.
Natyra thelbësore e njerëzimit
Pasi paraqitëm çështjet që krijojnë bazat e kësaj teme si një hyrje, ne mund të ndryshojmë gjykimet në lidhje me mijëvjeçarin e tretë.
Historia njerëzore fillon me dy njerëz që përbëjnë esencën e njerëzimit dhe plotësuan njëri-tjetrin. Njeriu jetoi qetësisht gjatë kohës së nënës dhe babait të parë dhe familjeve që rridhnin prej tyre. Ata ishin një bashkësi që kishin të njëjtin vështrim dhe ndanin të njëjtën jetë dhe të njëjtin mjedis.
Që nga ajo ditë, esenca e njerëzimit ka qëndruar e pandryshuar dhe ashtu do të qëndrojë përsëri. Realitetet rreth jetëve të tyre, struktura fizike, karakteristikat kryesore, nevojat bazë, vendi dhe koha e lindjes dhe vdekjes, seleksionimi I prindërve dhe fizikut të tyre, cilësitë e bashkëlindura si edhe mjedisi natyror përreth, nuk kanë ndryshuar. Të gjitha këto kërkojnë disa realitete dhe vlera esenciale dhe vitale të pandryshueshme. Prandaj zhvillimi dhe ndryshimi I realitetit të dytë të jetës duhet të jetë bazuar në boshtin e këtyre realiteteve dhe vlerave themelore, kështu që jeta do të vazhdojë si një parajsë tokësore nën hijen e parajsës së vërtetë.
Ne përmendëm më sipër disa çështje që ngjajnë të jenë të dëmshme ose të pakëndshme. Gjithashtu, veçoritë njerëzore që duket të jenë të këqija, në fillim shkëlqejnë. Të tilla janë urrejtja, xhelozia, armiqësia, dëshira për të sunduar të tjerët, lakmia, zemërimi dhe egoizmi. Një krijesë njerëzore ka gjithashtu stimuj dhe nevoja të natyrshme që lejojnë vazhdimin e jetës tokësore të tij ose të saj, siç është nevoja për të ngrënë dhe për të pirë dhe stimujt e epshit dhe zemërimit. Të gjithë stimujt, nevojat dhe dëshirat njerëzore duhet të jenë drejtuar dhe edukuar në drejtim të vlerave të përjetshme, universale dhe të pandryshueshme që u kushtohen aspekteve fundamentale të njerëzimit. Në këtë kontekst, nevoja për të ngrënë dhe për të pirë dhe dëshirat e bashkëshoqëruara me epsh dhe zemërim mund të jenë shfrytëzuar dhe transformuar në domethënien e së mirës absolute dhe relative.
Gjithashtu, egoizmi dhe urrejtja mund të bëhen burime të cilësive të bukura dhe të mirësisë. Xhelozia dhe rivaliteti mund të jenë shndërruar në një garë të veprave të mira dhe mirëbërëse. Ndjenja e armiqësisë mund të jetë transformuar në armiqësi kundër satanait, armikut më të madh të njerëzimit, dhe kundër ndjenjës së armiqësisë dhe urrejtjes për veten. Lakmia dhe pasioni mund të përdoren për të kryer vepra të mira pa u lodhur. Egoizmi mund të vërë në dukje aspektet e këqija të ndjenjave fizike (nefsit, egos), prandaj duhet të kërkojmë të edukojmë dhe të pastrojmë shpirtin dhe jo të shfajësojmë veprimet e këqija.
Të gjitha ndjenjat negative mund të jenë transformuar në burime të së mirës përmes përpjekjeve dhe edukimit. Në këtë mënyrë, njeriu arrin nivelin e “më të lartit ndër krijesat” duke udhëtuar në rrugën e transformimit nga një krijesë njerëzore potenciale në një krijesë njerëzore të vërtetë dhe të përsosur, në simbolin, modelin dhe përfaqësuesin e vet më të mirë të krijimit dhe ekzistencës.
Pavarësisht nga ky fakt, realitetet e jetës njerëzore nuk ndjekin gjithmonë këto linja udhëzuese. Ndjenjat dhe veçoritë negative shpesh herë I thyejnë njerëzit duke dominuar me një shtrirje të tillë që edhe fetë që I drejtojnë njerëzit tek mirësia dhe mirësjellja, janë nëpërkëmbur, jo për të lavdëruar ndjenjat dhe cilësitë që janë burim I së mirës absolute. Jeta njerëzore, në nivelin individual dhe të njerëzimit si një të tërë, është thjesht përmbledhje e përpjekjeve personale të brendshme dhe manifestimit të tyre të jashtëm. Këto drejtime përbëjnë shoqërinë, historinë dhe botën personale të individit në fushën e betejës, përpjekjeve, luftës, shtypjes dhe tiranisë. Si rrjedhim, është përgjithësisht krijesa njerëzore që vuan pasojat.
Ne gjithmonë vjelim frytet e veprave tona. Në periudhën e parë të historisë së tij, njerëzimi jetoi në lumturi si një shoqëri e bashkuar, anëtarët e së cilës ndanin gëzimet dhe hidhërimet e tyre. Por pastaj ata lidhën grykët dhe këmbët e tyre me një zinxhir të ndryshkur të formuar me vargonjtë e shtypjes; ky ishte rezultat I xhelozisë, makutërisë dhe lakmisë për të drejtat dhe pasurinë e të tjerëve. Pasoja ishte vrasja e Abelit nga Kaini. Si rrjedhim, njerëzimi hyri shkallë-shkallë në udhën e përçarjes. Pavarësisht se mijëvjeçarët rrjedhin njëri pas tjetrit, ashtu si ditët, stinët, dhe vitet, ky “cikël” vazhdon akoma.
Mijëvjeçari I dytë
Mijëvjeçari I dytë filloi me kryqëzatat dhe pastaj me invazionin mongol në botën islame, që në atë kohë ishte zemra e botës dhe historisë. Pavarësisht nga luftërat dhe shkatërrimet, pavarësisht nga krimet e kryera, nganjëherë në emër të fesë dhe nganjëherë në emër të epërsisë ekonomike, politike dhe ushtarake, ky mijëvjeçar shihet si kulmi I qytetërimit oriental, një qytetërim I bazuar në vlerat shpirtërore, metafizike, universale dhe të përjetshme, ndërsa qytetërimi perëndimor bazohet në shkencat fizike. Shumë zbulime gjeografike dhe shkencore ndodhën gjatë këtij mijëvjeçari.
Megjithatë, qytetërimi oriental dhe perëndimor ekzistonin të ndarë nga njëri-tjetri. Kjo ndarje, që nuk duhej të kishte ndodhur, ishte bazuar në faktin që I pari distancohej nga përpjekjet e inteligjencës dhe shkencës, ndërsa I dyti distancohej nga spiritualiteti, metafizika dhe vlerat e përjetshme dhe të pandryshueshme. Si rrjedhim, shekujt e fundit të mijëvjeçarit të dytë dëshmuan katastrofa që për ne janë të vështira për t'u kuptuar. Për shkak të rritjes së arrogancës dhe egoizmit tek njerëzimi, të nxitur nga aftësitë e tij, popujt do të përjetonin kolonializmin botëror, masakrat e egra, revolucionet që flijuan miliona jetë njerëzore, gjakderdhjet e paimagjinueshme dhe luftërat shkatërrimtare, diskriminimin racial, padrejtësitë e pafundme shoqërore dhe ekonomike dhe perdet e hekurta ndërtuar nga regjimet që me ideologjinë dhe filozofinë e tyre kërkonin të mohonin esencën, lirinë, vlerën dhe nderin e natyrës njerëzore. Gjithçka përmendëm më sipër dhe po ashtu disa shenja nga Bibla janë arsyet e frikës që ka pushtuar perëndimin që bota përsëri do të përmbytet nga lumenjtë e gjakut dhe shkatërrimet. Ata janë plotësisht pesimistë dhe të shqetësuar për faktin se si do të rrjedhë ky mijëvjeçar I ri.
Shpresat tona
Mjetet moderne të komunikimit dhe transportit e kanë transformuar botën në një fshat të madh global. Kështu, ata që besojnë dhe qëndrojnë të kufizuar në pikëpamjen që çdo ndryshim radikal në një vend përcaktohet për shkak të situatave të brendshme dhe jo nga influencat jashtë tij, janë jashtë realitetit të sotëm. Kjo është koha e marrëdhënieve interaktive. Kombet dhe popujt janë më shumë në nevojë dhe kushtëzohen nga njëri-tjetri, një situatë që shkakton afërsi në marrëdhëniet e ndërsjellta.
Ky rrjet I marrëdhënieve që ka lënë pas periudhën e shëmtuar të kolonializmit dhe ekziston në bazë të interesit të ndërsjelltë, siguron përfitime edhe për pjesën e prapambetur. Përveç kësaj, në sajë të përparimit të teknologjisë, veçanërisht asaj elektronike digjitale, grumbullimi dhe shkëmbimi I informacionit gradualisht po vjen duke u rritur. Si rezultat, individët dalin në ballë duke e bërë të pashmangshëm zëvendësimin e regjimeve shtypëse me qeveritë demokratike që respektojnë të drejtat e njeriut.
Ashtu siç çdo njeri, ndryshe nga kafshët, simbolizon të gjithë njerëzimin, të drejtat e individit nuk mund të jenë sakrifikuar për shoqërinë, dhe të drejtat shoqërore duhet të jenë të kushtëzuara nga të drejtat e individit. Kjo është arsyeja pse të drejtat dhe liritë themelore njerëzore që gjenden në fetë e reveluara ishin marrë në bordin e një perëndimi të cfilitur nga lufta. Këtyre të drejtave u është dhënë përparësi në të gjitha marrëdhëniet. E drejta e parë është ajo për jetën, e cila është dhënë nga Zoti dhe mund të merret vetëm prej Tij. Për të nxjerrë në pah rëndësinë e kësaj të drejte në Islam, ka një parim themelor në Kur'an:
. . . kush e vret një njeri pa të drejtë, atëherë (krimi I tij) është si të kishte vrarë të gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që ai të jetë gjallë), është si të kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit. (5:32)
Të drejta të tjera janë liria e fesë dhe e besimit, liria e mendimit dhe e shprehjes, e drejta e pasurisë dhe shenjtëria e familjes, e drejta për t'u martuar dhe për të pasur fëmijë, për të komunikuar dhe udhëtuar, dhe e drejta e arsimimit të lirë. Parimet e jurisprudencës islame janë bazuar në këto dhe në të drejta të tjera, të cilat tani të gjitha janë pranuar nga sistemet e ligjshme moderne, të tilla si mbrojtja e jetës, fesë, pasurisë, riprodhimit, intelektit si edhe kuptimi thelbësor I barazisë së popujve, që është bazuar në faktin që të gjithë popujt janë krijesa njerëzore dhe prandaj nuk pranohet diskriminimi për shkak të racës, ngjyrës dhe gjuhës. Të gjitha këto do të jenë – dhe duhet të jenë – bazat e domosdoshme të mijëvjeçarit të ri.
Unë shpresoj dhe besoj që bota e mijëvjeçarit të ri do të jetë lumturisjellëse, do të jetë më e drejtë dhe më e mëshirshme, në kundërshtim me frikën e disa popujve. Islami, krishterizmi dhe hebraizmi, rrjedhin të gjitha nga e njëjta rrënjë, të gjitha kanë në mënyrë thelbësore të njëjtën bazë besimi dhe janë ushqyer nga I njëjti burim. Megjithëse ata kanë jetuar si fe rivale për shekuj me radhë, pikat e përbashkëta dhe ndarja e përgjegjësive për të ndërtuar një botë të lumtur për të gjitha krijesat e Zotit e bën të nevojshëm dialogun ndërfetar në mes tyre. Ky dialog tani është shpalosur për të përfshirë dhe fetë aziatike dhe të zonave të tjera. Rezultatet janë pozitive.
Siç u theksua më sipër, ky dialog do të zhvillohet si një proces I nevojshëm dhe ndjekësit e të gjitha feve do të gjejnë rrugët për t'u bërë të afërt dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin.
Gjeneratat e shkuara dëshmojnë një përleshje të ashpër që kurrë nuk duhet të zërë vend: shkenca kundër fesë. Ky konflikt që I jep krah ateizmit dhe materializmit, ka ndikuar më shumë se në çdo fe tjetër te krishterizmi. Shkenca nuk mund ta kundërshtojë fenë, qëllimi I saj është të kuptojë natyrën dhe njerëzimin, që janë secili një kompozim I manifestimeve të Atributeve të Zotit të vullnetit dhe fuqisë. Feja e ka burimin e saj në Atributin Hyjnor të shprehjes, që ishte shprehur në rrjedhën e historisë njerëzore në shkrimet e shenjta, të tilla si Kur'ani, ungjijtë, Dhjata (Tora) e Vjetër dhe e Re dhe të tjera që kanë qenë reveluar nga profetët e vërtetë duke filluar nga Ademi. Në sajë të përpjekjeve të studiuesve dhe teologëve krishterë dhe muslimanë, duket që konflikti midis fesë dhe shkencës që ka vazhduar për pak shekuj, do të vijë në një fund, ose më e pakta absurditeti I tij do të jetë më në fund I pranuar.
Fundi I këtij konflikti dhe një formë e re e edukimit që I bashkëngjit njohuritë fetare dhe shkencore me moralitetin dhe spiritualitetin, do të krijojë njerëz vërtet pa paragjykime me zemrat të ndriçuara nga shkencat fetare dhe spiritualiteti, me mendjet e ndriçuara nga shkencat pozitiviste, të karakterizuar nga të gjitha llojet e meritave njerëzore dhe vlerat morale, kompetentë për kushtet social-ekonomike dhe politike të kohës së tyre. Bota jonë e vjetër do të përjetojë një “pranverë” të çuditshme përpara vdekjes së saj. Kjo pranverë do të shohë hendekun e ngushtuar midis të pasurve dhe të varfërve; pasuritë e botës do të shpërndahen më me drejtësi, në përputhje me punën, kapitalin dhe nevojat; nuk do të ketë diskriminim të bazuar në racën, ngjyrën, gjuhën dhe botëkuptimin; liritë dhe të drejtat themelore njerëzore do të jenë të mbrojtura. Individët do të dalin në krye dhe duke mësuar se si të shfrytëzojnë mundësitë e tyre, do të fluturojnë në udhën për t'u bërë “krijesa njerëzore më e lartësuar” me krahët e dashurisë, dijeve dhe besimit.
Në këtë pranverë të re, kur progresi shkencor dhe teknologjik është marrë në konsideratë, njerëzit do të kuptojnë që nivelet e sotme të shkencës dhe teknologjisë I ngjasojnë stadit të jetës të një foshnjeje që është mësuar të ecë këmbadoras. Njerëzit do të organizojnë udhëtime në hapësirë thjesht sikur të ishin duke shkuar në një vend tjetër. Udhëtarët në rrugën e Zotit, të devotshmit e dashurisë që nuk kanë kohë për armiqësi, do të mbajnë brenda shpirtit të tyre frymëzimin për botët e tjera.
Po, kjo pranverë do të lulëzojë në themelet e dashurisë, dhembshurisë, mëshirës, dialogut, pranimit të të tjerëve, respektit të ndërsjellët, drejtësisë dhe të drejtave. Ajo do të jetë koha kur njerëzimi do të zbulojë esencën e tij të vërtetë. Mirësia dhe mirësjellja, drejtësia dhe virtyti do të formojnë bazën esenciale të botës. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh, bota do të vijë herët ose vonë në këtë udhë dhe asnjë nuk mund ta ndalojë këtë.
Ne lutemi dhe shpresojmë se Mëshira e Pafundme nuk do t'I lërë shpresat dhe pritjet tona pa përgjigje!
The Fountain, Issue No: 29 (January-March 2000) f. 4-9
- Publikuar më .