• Home
  • Artikuj
  • Ç’lexojmë në figurën e Profetësisë

Ç’lexojmë në figurën e Profetësisë

Allahu ashtu siç ka dashur që, me anë të ekzistencës dhe materies ta prezantojë e ta bëjë të njohur veten, edhe me anë të gjuhës së vahjit, komunikimit dhe zbulesës hyjnore, ka dashur që urdhrat e krijimit dhe urdhrat e zbritur të kuptohen dhe trajtohen së bashku dhe të ndërthurura me njëra-tjetrën, që kuptimet të cilat rrjedhin nga sytë në zemër të mbështeten me anë të frymëzimeve të cilat vijnë me rrugën e veshëve dhe mbështjellin shpirtrat, që të vihet në shesh një mendësi hyjnore sipas së cilës Ai të njihet ashtu siç është dhe, natyrisht, për këtë, ka kërkuar që njerëzit, robtë e Tij të mësojnë përgjegjësitë e tyre, mënyrën se si duhet t’i plotësojnë ato, rregullat dhe etikën e rrugës ku ecin e ku do të ecin, si dhe premtimin e synimit ku kanë për të arritur. Sigurisht, ashtu siç njohja e drejtë dhe e saktë e çështjeve lidhur me të fshehtën absolute e bën të domosdoshëm vahjin, edhe vahji e kërkon në mënyrë të domosdoshme institucionin e Profetësisë. Pikërisht duke u mbështetur mbi këtë domosdoshmëri, Allahu e ka nderuar me praninë e një Profeti të veçantë pothuajse çdo periudhë, kurse, në disa periudha, çdo kontinent dhe, siç shprehet Bediuzamani, Fuqia Eternale që nuk i ka lënë milingonat pa sundimtar dhe bletët pa mbretëreshë, edhe njerëzimin në asnjë kohë s’e ka lënë pa Profet!

Allahu e ka krijuar këtë gjithësi me dëshirë dhe qëllim dhe duke i veshur trup të jashtëm çdo qenieje dhe çdo sendi të gjallë e jo të gjallë, të patejdukshëm e të tejdukshëm, tokësor e qiellor, e ka pajisur me urtësi dhe interesa të ndryshme, e ka kushtëzuar me qëllime të caktuara dhe e ka orientuar drejt synimeve të caktuara. Veçanërisht, në një gjatësi vale të ndryshme të shfaqjes së Tij, në rrugën për ta bërë të ditur Veten siç është vetë, në këtë kuptim, për ta njoftuar këdo për ekzistencën e vet, posaçërisht për t’i njoftuar qeniet me vetëdije se pse janë krijuar, se për çfarë dhe për ku janë caktuar dhe se prej se përbëhen përgjegjësitë e tyre, na ka dërguar si përfaqësues të Tij të ngarkuar me detyrë disa persona me pajisje të posaçme që t’i bëhen interpretë enigmës hyjnore dhe regjimit adhurimor, jo vetëm na ka treguar ne ekzistencën e Tij me anë të ngjyrave, dizenjove, varianteve, harmonisë, kuptimit dhe përmbajtjes së krijesave të Tij, por edhe ka dashur, me anë të këtyre personave të zgjedhur, me anë të deklaratës së Tij të zbritur nga perdja e thjeshtësisë, sipas nivelit të njohjes, ndjeshmërisë dhe vetëdijes njerëzore dhe, në të njëjtën kohë, duke u kujdesur për përputhshmërinë e saktë mes individualitetit, atributeve dhe emrave të Tij, t’ua bëjë të njohur shpirtrave tanë enigmën e hyjnitetit, qëllimin final të krijimit, rezultatin e natyrës së krijimit, pozitën e njeriut mbi tokë dhe pikën e fundit ku ka për të arritur ai.

Ndërkaq, Zoti, në çdo punë të të Cilit ka shumë urtësi dhe kuadri hyjnor i të cilit, në të njëjtën kohë, përmban shumë urtësi dhe interesa, në këto urdhra revelativë dhe legjislativë nuk ka marrë për bashkëbisedues gjithkënd, nuk ka biseduar hapur e qartë me gjithkënd; në një çështje të tillë shumë të rëndësishme dhe që kërkon trajtim në veçanti, ka zgjedhur disa karaktere të veçantë të pajisur posaçërisht dhe të aftë për ta jetuar jetën në nivelin e zemrës dhe shpirtit dhe ka biseduar vetëm me ta; duke ua njoftuar ndërgjegjeve me anë të këtyre kapaciteteve të mëdhenj, natyrave të mrekullueshme dhe karaktereve të lartë, qëllimin e krijimit, urtësitë e ekzistencës, kuptimet dhe përmbajtjen e botës dhe çka ndodhet brenda saj, përbërjen dhe cilësinë e botëve përtej, rrugët parajsore që do t’i çojnë njerëzit, në botët përtej, në pavdekësi, si dhe, duke i ngritur aty-këtu zemrat peshë, duke i nxitur herë-herë dëshirat për botën tjetër, u ka njoftuar ndërgjegjeve faktin se, fund e krye, e gjithë faqja e tokës është ekspozitë e bukurive të Tij dhe truall për të mbjellë dhe korrë pavdekësinë, duke i shpëtuar, kështu, njerëzit, nga vetmia, nga mungesa e qëllimit, nga mungesa e detyrës, nga mungesa e synimit, u ka treguar njerëzve se kjo botë është një sallon pritjeje për përtej, ndërkaq që shpirtrat me kapacitet përtej ekzistencës dhe ndjerjes së ekzistencës, i ka gëzuar me premtime pavdekësie dhe lajmin e lumtur për t’ua treguar bukurinë e Vet!

Të gjitha këto synime të larta Allahu i ka realizuar me anë të atyre personave të veçantë e të zgjedhur dhe i ka bërë ata gjuhën, interpretin dhe komentuesin e ekzistencës dhe materies, udhëzuesit e pagabuar të arritjes në adhurim, orientim, sinqeritet dhe në vendin e jetës së pasme. Ja, pra, këta natyra eprore, në periudhat e tyre, janë përsjellë vazhdimisht brenda fushës së përgjegjësisë së tyre, kanë shpallur të vërtetën dhe, duke ua njoftuar të gjithëve kërkesat e Tij, u kanë shërbyer si udhërrëfyes njerëzve që i kanë pasur brenda fushës së përgjegjësisë së tyre.

Që të gjithë Profetët - vetëm me dallim grade mes tyre - janë modele të natyrës së pastër, shembuj të moralit të lartë, monumente nderi dhe virtyti, heronj besueshmërie dhe modele tipike besnikërie.

Me karakterin e tyre të lartë, me qëndrimet serioze, me gjendjet e tyre gjithmonë premtuese për besueshmëri e siguri, me orientimin e tyre tërësisht të pagabueshëm, me drejtësinë dhe ndershmërinë e tyre të pandryshueshme, me besnikërinë e tyre të njëjtë me të engjëjve, me qëndrueshmërinë e tyre si të maleve dhe me atë vetëdijen e tyre tejet të thellë të robit dhe adhurimit ndaj Allahut, Profetët janë njerëz shembullorë të treguar gjithmonë me gisht! Në të njëjtën kohë, këta njerëz, me pamjen dhe trajtën të patëmetë, me figurën morale që ia kujton Zotin çdokujt që i sheh, me ecurinë e jetës së tyre gjithmonë të hapur ndaj jashtëzakonshmërive, me aftësitë dhe kapacitetet e tyre aq të larta sa për të zgjidhur me një lëvizje problemet individuale, shoqërore, ekonomike, politike e kulturore që u dalin para, me ndikimin e jashtëzakonshëm të tyre mbi mjedisin e tyre, me mundësitë e tyre mrekullishprehëse, me kriteret e tyre proporcionale e të ekuilibruara të parashtruara në emër të të vërtetave njeri-gjithësi-hyjnitet, me pajisjen e tyre të jashtëzakonshme mbi përmbajtjen njerëzore, të një niveli që do t'i kënaqte të gjitha cilësitë e shquara ndjesore, shpirtërore, mendore, ideore të njerëzve dhe me qëndrimet dhe sjelljet e tyre parashikuese e të ekuilibruara në respektimin ndaj ekuilibrit të përgjithshëm me anë të zotërimit me kompetencë të harmonisë së brendshme e të jashtme të gjithësisë dhe materies në përgjithësi, janë në pozitën e zëdhënësve të botës hyjnore dhe pasqyrave reflektuese të urdhrave dhe enigmave hyjnore në shkallën e revelacionit hyjnor.

Pothuaj çdo Profet është një prijës i besueshëm e i sigurt në rrugët që i çojnë njerëzit në lumturinë e kësaj bote e të përjetësisë, një këshilltar fjalëkulluar që i paralajmëron zemrat për bukuritë hyjnore, një prijës i patëmetë që hyn në shpirtin e bashkëbiseduesve, një njohës i thellë i njeriut në gdhendjen dhe sendërtimin e mendimeve dhe ndjenjave të njerëzve që i trajtojnë, në sendërtimin sipas qëllimit final të krijimit, një edukator i përsosur në shkuljen dhe hedhjen tutje të veseve e zakoneve të këqija dhe të natyrave të fëlliqura dhe në shtresimin, në vend të tyre, të vlerave të larta njerëzore. Profetët janë shpëtimtarë me besimin të fuqishëm, të sigurt fort te Zoti, të sigurt në drejtësinë e mesazheve që parashtrojnë, të cilët munden të flasin në çdo kohë pa lëkundje e të bindur, të cilët munden të veprojnë pa u tutur, por absolutisht me arsye dhe zgjuarsi, edhe përballë ngjarjeve më të ashpra, jashtëzakonisht seriozë dhe, me të gjitha mundësitë, të vendosur; shpëtimtarë të tillë që kurrë s'i kanë zhgënjyer ata që u kanë shkuar pas, ndërkaq që edhe ata që u kanë shkuar pas, në asnjë mënyrë s'kanë ndjerë pendim pse u kanë shkuar pas! Kjo është kështu sepse ata janë shumë mbi përmbajtjen e gjërave që na kanë përftuar e do të na përftojnë ne logjika dhe gjykimi i mendimeve dhe ndjenjave tona, sepse ata janë ruajtësit e thesareve më të pasura të dijeve më të shëndosha e më të kulluara hyjnore e natyrore, prijësit më të besueshëm e më të sigurt të rrugës së besimit dhe konfidencës, dashurisë dhe kënaqësisë hyjnore, si dhe udhëzuesit më të besueshëm të afrimit të njerëzve te Zoti. Ata që janë zgjuar te e Vërteta, me thirrjen e tyre janë zgjuar; gjuhët e atyre që kanë belbëzuar fjalë konfidence ndaj Zotit, me eliksirin e ofruar prej tyre janë zgjidhur; ata që kanë kërkuar pëlqimin e Zotit, në atmosferën e tyre e kanë gjetur atë që kanë kërkuar; ata që kanë qenë kureshtarë për enigmën e librit të gjithësisë, me të dhënat e parashtruara prej tyre kanë mundur ta lexojnë drejt këtë libër enigmatik!

Profetët janë prijësit e përparimit materialo-shpirtëror, pararendësit e rrugës së përkryerjes mendore dhe shpirtërore, arkitektët dhe mjeshtrit e të gjitha rregullave dhe regjimeve temporale[1] siç është jeta besimore-fetare. Në sajë të tyre njeriu arriti, nga niveli i një qenieje biologjike, në gradën e "krijesës së përsosur" që konsiderohet titull i veçantë i qenies njeri i vërtetë; duke e zbuluar veten me ndërmjetësinë e tyre, njeriu ka mundur ta kuptojë pozitën e vet mes qenieve; nën prijësinë e tyre ka mundur ta ndjejë dhe shijojë thellësinë e nivelit të jetës së njerëzve të jashtëzakonshëm të ngjitur në lartësitë shpirtërore[2]; prapë, me mësimet, orientimet dhe shenjimet e tyre kanë mundur ta shohin dhe vlerësojnë botën me fytyrën e saj të vërtetë, ta vlerësojnë si një laborator, si një punishte kimike, si një farmaci, si një pallat të mrekullueshëm, si një ekspozitë të shkëlqyer. Po, siç e ka shprehur Bediuzamani, duke i urdhëruar njerëzit t'i ndjekin Profetët, Allahu, krahas nderimit të njerëzve me mundësinë për të përfituar nga ky burim i begatë përmes njohjes me thellësitë moralo-shpirtërore të Profetëve dhe, me anë të shfaqjeve nga shkallë të ndryshme të mrekullive të tyre që konsiderohen shenja dhe tregues të Profetësisë, u ka treguar njerëzve rrugët e përparimit material; të paktën, ka dhënë disa shenja në lidhje me çështjen dhe, duke i vënë në lëvizje sistemet e asociacionit të shpirtrave të ndjeshëm, kureshtarë e kërkues, në imagjinatën e tyre ka hapur dyert për zhvillime teknologjike dhe mes tyre ka përgatitur truall për formimin e furtunave të mendjeve.

Anija mrekullore e Profetit Nuh që ai e ndërtoi në kantierin e tij detar të Profetësisë... Këmisha zjarrduruese e Profetit Ibrahim e dalë nga punishtja e tij "miku i Allahut"[3], e cila të kujton qëndrueshmërinë ndaj temperaturave më të larta të amiantit apo lëndëve përtej tij... Ora me përbërje të panjohur e Profetit Jusuf e favorizuar atij në mënyrë mrekullore për kërkimin e përcaktimit të kohës, kërkim i arritur gjer në nivel domosdoshmërie... Shkopi magjik i Profetit Musa që të kujton mjetet moderne të sondazhit dhe centrifugimit... Mrekullia e Profetit Daud në shkrirjen e hekurit dhe derdhjen e tij nëpër kallëpe për t'u dhënë forma të ndryshme, gjë që të kujton industrinë metalurgjike... Veprimi i jashtëzakonshëm i Profetit Sulejman i cili ia solli Belkisës fronin e vet me të gjitha pajisjet përreth, gjë që të kujton televizionin, internetin dhe mrekullitë e tjera përtej këtyre të kohëve moderne... Dhe prapë udhëtimi i jashtëzakonshëm i këtij Profeti të lartë i cili, me kalimin brenda një dite të një largësie dymujore, të kujton teknologjinë e sotme të avionëve... Po kështu, akti i tij tej material e tejfizik që u hap portë kufijve fundorë të studimeve dhe përpjekjeve të ditëve të sotme lidhur me shpirtrat, në ngjarjen e ekspozimit të xhindëve dhe djajve, gjë që shënon ndërhyrjen në botët metafizike... Veç këtyre, ngjarja e "logjikës së kafshëve" që tregon teknikat e mësimit të gjuhëve ose kodeve të marrëveshjes mes zogjve, milingonave dhe kafshëve të tjera, madje që e inkurajon këtë... Mrekullitë e Profetit Isa, si fryrja jetë gjërave të pajetë, hapja e syve të verbërve të lindur, shërimi i albinizmit dhe ringjallja e të vdekurve, si dhe barërat (ilaçet) e mrekullueshme të tij përtej nivelit aktual të mjekësisë moderne dhe gjenetikës moderne, të cilat e vënë njeriun në mendime... Më në fund, qindra mrekulli të njëvlershme me të gjitha këto të Profetit Muhamed, krenarisë së gjithësisë... Të gjitha këto, përsa u përket urdhrave të krijimit, janë shenja dhe tregues, janë asociacione dhe pothuaj të gjitha këto janë si thirrje për trajtimin dhe vlerësimin e veçantive të Profetëve, të këtyre njerëzve të zgjedhur në fusha të ndryshme.

Profeti është një kapacitet dhe talent transcendental dhe hyjnor, i cili e merr dhe e kupton siç është informacionin e konsideruar nga tërësia e dijeve të detyrueshme përsa i përket prejardhjes së tyre nga Allahu, dhe, pastaj, që mundet t'ua përcjellë të tjerëve pa i ngjitur asgjë që do të binte në kundërshtim me thelbin e tij. Ashtu si domosdoshmëria e veprimtarive jetësore dhe riprodhuese me anë të shtytjes hyjnore te njerëzit e thjeshtë dhe qeniet e tjera të gjalla - një përngjasim, ky, nga poshtë - ashtu dhe detyrat dhe përgjegjësitë e shpirtrave të lartësuar me Profetësinë veprojnë pothuajse brenda një natyrshmërie të tillë, ndërkaq, duke ruajtur vëzhgimin dhe kujdesin, bërjen e përcaktimeve dhe diagnostikimeve dhe, sipas nevojës, ideatimin, të gjitha këto me anë të mekanizmit të tyre ndërgjegjësor i cili është identitet i aliazhit të përbërë nga delikatesat hyjnore, ndjenjat, vetëdija dhe vullneti. Po, mesazhet e marra nga Zoti, sipas pajisjeve të tyre të brendshme, i ndjejnë si një aspekt të natyrës së tyre dhe, si domosdoshmëri e krijimit të tyre, ua përcjellin personave që duhet t'ua përcjellin, ndërkaq, pa bërë ndalim e pushim, në çdo kohë lëvizin e veprojnë siç janë urdhëruar. Dhe, duke vepruar, sikur të çonin në vend nevojat e natyrës krijimore të tyre, nuk hyjnë në pritje të ndonjë diçkaje.

Interpretimi i shërbimeve dhe veprimtarive të Profetëve të dërguar, të kryera në vartësi të zgjedhjes hyjnore, të detyrës së ngarkuar nga ana hyjnore dhe pajisjeve të botës së tyre të brendshme, si lëvizje dhe veprime të tipit të akteve të detyrueshme që u përkasin ndërgjegjeve të pastra, është pikëpamje e shumicës dërrmuese. Sipas kësaj pikëpamjeje, Profetësia është, përsa i përket pajisjes së botës së brendshme, një ndërgjegje e cila e ka orientuar çdo element përbërës të saj kah qëllimi i krijimit të vet ose, mund të themi, e cila është hapur plotësisht kah qëllimi i krijimit të vet, kurse përsa i përket krijimit të pastër, natyrës së drejtë dhe përbërjes, është një dhuratë e një peshqesh hyjnor për shpirtrat si dritë e përshtatshme për ta bërë atë të reflektohet pa të meta dhe Profeti, përfaqësuesi i posaçëm i kësaj dhurate dhe peshqeshi. Nisur nga kjo, Profetësia është vlerësuar edhe si kuptim dhe konceptim i gjërave të pakuptueshme me njohjen njerëzore dhe përcjellje e këtij kuptimi dhe konceptimi te bashkëbiseduesit e gradës së dytë pa e thyer dhe shformuar. Pikërisht nga ky këndvështrim, Profetësia është konsideruar pika ku bashkohen fillimi dhe fundi. Pra, sipas dekretit që thotë se "Ai ia jep urtësinë kujt të dojë. Cilitdo që i është dhënë urtësia, vërtet që i është dhënë një mirësi e madhe " (Bekare, 2/269) Allahu i ka nderuar shumë vetë me pjesë dhe pozita të larta dhe, pastaj, me anë të këtyre personaliteteve të zgjedhur, ua ka njoftuar "enigmën hyjnore" dhe "enigmën adhurimore" ndërgjegjeve të tjera, i ka ndriçuar edhe ato.

Dërgimi nga Allahu për njerëzit i karaktereve të lartë të pafajshëm e të mbrojtur, me një pajisje të tillë të botës së brendshme, është një e dhënë e veçantë po aq me rëndësi, madje më me rëndësi se dhuntia e krijimit dhe e ekzistencës për ne që ndodhemi në gjendjen për të ngecur e mbetur në rrugë, për të rënë në hutim e për të humbur. Sigurisht, ekzistenca është një dhuratë dhe mirësi, kurse, pas ekzistencës, shpjegimi dhe interpretimi me ndërmjetësinë e një Profeti i tërë gjithësisë dhe dukurive e ngjarjeve, interpretimi dhe nxjerrja në shesh e thellësive hyjnore, është një favor dhe dhuratë më vete. Çdo natyrë njerëzore e kulluar që nuk është fëlliqur dhe çdo ndërgjegje që s'është verbuar, pavarësisht nga niveli ku ndodhet, duke i vlerësuar këto shpjegime dhe interpretime mund të arrijë në nivelet më të lartë që do t'ua kishin zili qeniet shpirtërore, dhe kanë arritur. E kundërta e kësaj, ata që jetojnë në gëthapët e mendjemadhësisë, padrejtësisë, dhunës, perversitetit dhe imitimit të verbër, jo vetëm që nuk e ndjejnë favorin e të qenit dhe ekzistencës, por edhe në dhuratën dhe mirësinë e dytë - në vartësi të vullneteve të veta në planin e kushtit elementar - kanë ngecur në verbërinë, shurdhërinë dhe pandjeshmërinë e vet dhe, duke thënë, "Përse nuk i është dërguar atij një engjëll e të bëhet me të paralajmërues?!" (Furkan, 25/7), kanë dalë kundër dhe i kanë nxirë krejt horizontet e vet!

Dërgimi i Profetit dhe përcaktimi i personit që do të dërgohet Profet, është nga çështjet e larta që i përkasin Allahut. Nisur nga kjo, çdo punë dhe çdo veprimtari duhet lidhur pas logjikës "Në çdo punë ka urtësi, Allahu nuk bën punë të kotë" (Ibrahim Haki) dhe pastaj duhen kërkuar urtësitë e Tij në atë masë që ta lejojë horizonti njohës i mendjes. Në të vërtetë, ndërkaq, ne mund të bëjmë fjalë për urtësi dhe interesa me rëndësi, si duhet që personi që do të dërgohet si i ngarkuar me detyrën Profetike, të jetë njëri ndër ne, ta ndjejë jetën siç e ndjejmë edhe ne, të kënaqet me ato gjëra nga të cilat kënaqemi edhe ne, të ndajë me ne të gjitha dhimbjet dhe kënaqësitë tona, t'i ndjejë në shpirt ato gjëra që ne i konsiderojmë domosdoshmëritë dhe nevojat tona, të marrë edhe ai përsipër përgjegjësitë që duhet të marrin masat njerëzore dhe personat që ai u drejtohet, të jetë shembull imitimi, më drejt, prijës për ata që e ndjekin, shkurt, në çdo kohë, brenda qiellores së mesazheve të Zotit, të përfaqësojë edhe tokësoren. Prapë dhe, megjithëkëtë, ne themi se "fytyrën e brendshme të kësaj pune vetëm Allahu e di", e rinojmë nënshtrimin tonë ndaj të vërtetës "Allahu e dëshmon se ç'është më e mira" dhe, duke e konsideruar si urtësinë më të madhe heshtjen përballë atij "të Diturit” dhe “të Urtit", e lidhim gjuhën pas zemrës dhe priremi të zhytemi në vetëkontroll.

Ndërkaq, pavarësisht nga të gjitha këto, është edhe një gjë që nuk duhet harruar: edhe Profetët, ata të dërguar bujarë, janë njerëz krejt si ne! Po, edhe ata kanë qenë njerëz si ne! Detyra e tyre më e rëndësishme është besimi dhe adhurimi, kurse detyra që përbën bazë për zgjedhjen e tyre, është që botëkuptimin e tyre besimor dhe adhurimor t'ua përcjellin dhe bëjnë të ditur edhe të tjerëve dhe të heqin dhe zhdukin pengesat mes atyre të tjerëve dhe Zotit. Kthimi maleve dhe gurëve në ar, ndërrimi i rrjedhës së lumenjve, shndërrimi i shkretëtirave të thata në kopshte të blerta parajsore, çarja e lumenjve dhe kalimi përmes tyre si dhe zbritja e gjellëve dhe ushqimeve nga qielli, nuk janë detyra të Profetëve. Ç'është e vërteta, është prapë Kurani që flet për ekzistencën e shumë mrekullive kozmike si këto që janë kryer me dorën e Profetëve në vartësi të kauzës së tyre Profetike. Por të gjitha këto mrekulli që janë, nga njëra anë, "shpërblime urgjente" dhe "favore private" për devocionin e kthjelltë të këtyre personave të zgjedhur, për vetëdijen e tyre të detyrës dhe qëndrimin e tyre para Zotit, kurse, nga ana tjetër, shfaqje të tyre të posaçme me synimin për të krijuar bindje në bashkësitë e tyre, pra, të gjitha këto mrekulli, janë në fakt konsiderata hyjnore të parashtruara krejtësisht me dëshirën dhe vullnetin hyjnor!

Në kuadrin e realizimit të kauzës së Profetësisë, duke e kthyer me dorën e tyre gurin në ar dhe qymyrin në margaritar si dhe, prapë, duke i ngjallur të vdekurit me frymën e tyre - që asnjëri nga këto nuk është më mrekulli se njoftimi i të vërtetës së besimit shpirtrave mohues, se, duke i zbutur natyrat e mbërthyera pas mohimit, bërja e tyre ta ndjejnë Zotin dhe fryrja jetë zemrave të vdekura, të gjitha këto, me mirësinë e posaçme të Zotit - Allahu bën një shfaqje favori për pranimin e Profetësisë së tyre dhe një mirësi për t'ua konkretizuar shpresat. E shprehur ndryshe, këto dukuri ose ngjarje mrekullore të ndodhura me anë të aktit krijues të Allahut, janë krejtësisht ngjarje dytësore që synojnë ta mbështesin dhe qetësojnë Profetin dhe që t'i bëjnë bashkëbiseduesit e tyre të kuptojnë e të nënshtrohen, pra, nuk konsiderohen orbita themelore e Profetësisë.

E shohim të dobishme të kujtojmë edhe një herë se detyra e vërtetë e Profetëve është që të sigurojnë pastrimin e njerëzve nga veset e këqija dhe nga shprehitë e këqija, si mendjemadhësia, padrejtësia dhe dhuna, thyerja, imitimi i etërve, mbetja nën ndikimin e egos dhe sensualitetit, etj., të cilat konsiderohen pengesa në afrimin tek Allahu dhe pretekste për t'u larguar prej Tij; t'i bëjnë njerëzit të interesohen dhe priren nga cilësitë dhe shprehitë e bukura, si modestia, edukata, orientimi i mendimit, përkrahja e të drejtës, prirja ndaj jetës ndjesore dhe shpirtërore, etj.; t'ua tërheqin vëmendjen njerëzve dhe t'ua kujtojnë pozitën ku ndodhen dhe përgjegjësitë që kanë dhe t'i mësojnë ata të jenë respektues në marrëdhëniet me Krijuesin, kurse të dhembshur ndaj krijesave; t'i kthejnë nga bukuritë e përjetësisë sytë e zemrave të njerëzve, të cilat janë krijuar për përjetësinë dhe që s'kënaqen me asgjë tjetër veçse me përjetësinë; duke ua treguar njerëzve specifikat që u interesojnë të gjithë njerëzve, si e drejtë-e gabuar, e dobishme-e dëmshme, e bukur-e shëmtuar, e vërtetë, e shtrembër, e përjetshme - e përkohshme, etj., duke ua treguar, pra, këto specifika pa paragjykime, në mënyrë që të mund t'i kuptojnë pothuaj të gjitha mendjet dhe të mund t'i pranojnë ndërgjegjet e paprishura, të parandalojnë rënien e tyre në gabim dhe zhgënjim; duke diskutuar dhe përcaktuar me mjediset e afërta me Zotin, rrugën e drejtë dhe të shtrembër, t'ua bëjnë të qarta shpirtrave bukuritë e pafundme të arritjes te Zoti dhe shëmtitë e tmerrshme të shmangies nga rruga dhe humbjes; t'u mësojnë dhe praktikojnë njerëzve një bindje hyjnore dhe njerëzore jo ashtu siç e përcaktojnë dëshirat dhe pasionet, por siç e do Zoti; t'i bëjnë njerëzit ta lidhin çdo punë me pëlqimin e Zotit dhe t'ua tregojnë rrugët që çojnë në atë horizont; t'u njoftojnë njerëzve se, në jetën përtej, mohuesit do të ndëshkohen, kurse besimtarët do të shpërblehen me xhenete të bukura.

Të presësh nga Profetët diçka jashtë fushës së detyrës së tyre është të mos e njohësh se ç'është Profetësia si dhe të tregosh mungesë të hapur respekti ndaj tyre. Përgjigjja e Kuranit ndaj atyre që kërkojnë apo presin nga Profetët diçka jashtë fushës së detyrës së tyre, është mjaft i qartë: "Thuaj: “Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e Allahut apo se e di të padukshmen dhe as nuk them se jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet!” (En'am, 6/50) Po, Profetët janë të lidhur vetëm pas vahjit hyjnor dhe, me të gjithë zellin e tyre përpiqen ta njoftojnë, interpretojnë dhe përfaqësojnë atë. Pothuaj çdo gjë që dinë, që thonë, që bëjnë dhe që duan të bëjnë, është kumtimi dhe përfaqësimi i mesazheve të njoftuara atyre me një stil të posaçëm nga ana e Zotit të Ditur e të Urtë. Me një shprehje të veçantë, përballë mesazheve hyjnore dhe në krye të burimit të vahjit që është "burimi i ujit të ëmbël", ata janë pothuaj si nëpunës ndarjeje, shpërndarjeje dhe lajmërimi. Edhe nëse vende-vende bëjnë disa komente dhe ideatime në përputhje me kuptimin e drejtpërdrejtë të vahjit, prapë përpiqen ta shprehin çdo gjë sipas planit dhe kuadrit të mezologjisë[4] dhe në çdo lëvizje të tyre mbajnë parasysh dëshirën dhe pëlqimin hyjnor.

Ata e vazhdojnë jetën gjithmonë nën hijen e vahjit, në të gjitha veprimtaritë kërkojnë vetëm e vetëm pëlqimin hyjnor, në çdo situatë ecin në rrugën e përcaktuar nga Mësuesi Hyjnor, përfundimin e lëvizjeve dhe veprimtarive ia lënë Allahut dhe frytet e përpjekjeve të tyre i lënë gjer për në skajin më të largët të botës përtej. Profetët dhe ata që u shkojnë me gjithë zemër pas, kurrë nuk kapen pas dashurisë ndaj kësaj bote dhe pas dëshirës për post e pozitë, çdo lëvizje dhe çdo veprimtari e lidhin me ndjenjën e devocionit, tejpamësinë e përputhjes ndaj vahjit e konsiderojnë si vetë orientimin në rrugën e drejtë, ata drejtohen në këtë rrugë të gjerë e të ndritshme me të gjitha aftësitë e tyre mendore, shpirtërore dhe ndjesore, ecjen në atë rrugë e shohin si garanci edhe të shpëtimit të vet, edhe të shpëtimit të të tjerëve dhe e lidhin jetën pas këtij shikimi e pas kësaj njohjeje.

Për sa kohë që mendja e njeriut, logjika dhe gjykimi njerëzor - mundet edhe që të gjitha këto të pranohen si diçka e vetme - ta pranojnë Profetësinë dhe premtimet e saj dhe të përfitojnë plotësisht prej një burimi të tillë të begatë, ndërsa nga njëra anë do të hyjnë në rrugën e arritjes së kufirit të fushës së vet, nga ana tjetër do të shpëtojnë nga rënia në gjendjen e mjeteve për të gënjyer të tjerët. Para së gjithash, në këtë lloj sjelljeje bëhet fjalë për nënshtrimin ndaj fuqisë së pafundme që sundon mbi gjithë ekzistencën dhe materien, dhe ndaj mezologjisë. Po deshët, ju mund t'i thoni kësaj qiellorizim të produkteve të mendjes dhe logjikës, të projekteve të ndryshme të arritura me anë të mendjes dhe logjikës si dhe kërkimet dhe përvojat e fushave të ndryshme, domethënë qiellorizim të të gjitha gjërave tokësore si dhe testimin e çdo gjëje me anë të vahjit me qëllim për ta reflektuar frymën e elementit esencial në ato truallësore. Në të vërtetë, Allahu është po ai që e ka krijuar mendjen dhe po ai që i tregon mendjes rrugën e thellimit me anë të vahjit. Me anë të mendjes, Allahu ua ka hapur sytë njerëzve kurse me anë të vahjit, duke siguruar shikimin dhe mendimin e saktë të mendjes, i ka përgatitur asaj një fushë më të gjerë gjykimi dhe, me atë deklaratën e tij gjithëpërfshirëse, ka shtresuar mbi njerëzit argumentin e tij kushtëzues. Me një shprehje tjetër, institucionin e vahjit që përfshin të tërën menjëherë, Allahu e ka sjellë në gjendjen e një laboratori që t'i sintetizojë rrugët e ndryshme të mendjes dhe gjykimit që në çdo kohë paraqesin një gjendje të shpërndarë dhe të këputur nga njëra-tjetra dhe t'i testojë produktet krahasuese të këtyre.

Ja, pra, është si rrjedhojë e këtyre konsideratave që ne kemi opinionin se, pa ndjekur Profetët, kushdo nga të cilët ka qenë i sigurt dhe me përvojë në kohën e vet dhe i ka njohur me të gjitha specifikat e ndryshme rrugët ku ka ecur, nuk do të mund të merret rrugë në mënyrë të sigurt dhe kjo jetë që duket tejet komplekse, nuk do të mund të jetohet pa rrëshqitje. Po kështu, kemi besimin se vahji është një eliksir që e mbron mendjen e njeriut nga përçartjet e ndryshme, kurse Profetët, mjekë specialistë që e përdorin me vend këtë eliksir. Po, këta njerëz të zgjedhur janë prijës dritësorë që e mbrojnë mendjen e njeriut përballë pikave të ndryshme rrëshqitjeje, që i hapin asaj horizonte tejfizike mbi synimet e larta, hyjnore e fizike. Mendja, logjika dhe gjykimi që ua japin dorën këtyre prijësve, në të njëjtën kohë quhet se e kanë garantuar edhe arritjen në kufijtë e tyre. Ne që u besojmë Profetësisë dhe vahjit, krahas vlerësimit të mendjes, logjikës dhe produkteve të këtyre aftësive, besojmë plotësisht se këto kurrë nuk do të mund ta mbushnin boshllëkun e vahjit dhe nuk do të mund ta zinin vendin e kumtuesve besnikë e të patëmetë të tij![5]


[1] Në origjinal: dünyevî (nga arab.), të kësaj bote, të kufizuara në kohë dhe hapësirë. Përkthyesi.

[2] Kështu i kemi shprehur në mënyrë të përbashkët e të perifrazuar emërtimet e papërkthyeshme në shqip të origjinalit: evlija, asfija, ebrar, mukarrebin. Përkthyesi.

[3] halilullah.

[4] Në origjinal: ilm-i muhit (osm.), mezologjia (frëngj. mésologie; angl. mesology). Përkthyesi.

[5] Revista "Yeni Ümit" prill-maj-qershor 2001, vëll. 7, nr. 52.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.