Vlera e lartë e nënës

Nëna është elementi më i rëndësishëm i familjes që për­gatit një komb. Në shikimin e islamit ajo është aq e shenjtë, saqë i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë:

"Xhenneti ndodhet nën këmbët e nënave!"[1]

Ashtu është, sepse nëna është dora e shenjtë që e gatuan një komb si dhe ngritësja e folesë familjare që përbën qe­lizën e pa­rë të shoqërisë, ngritësja e një foleje ku reflektohen gëzimet dhe lumturia e fëmijëve që cicërojnë si zogjtë...

Me këtë aspekt, islami i jep nënës një vend dhe vlerë të tillë që përpjekja për t'i dhënë asaj vend tjetër dhe vlera të tjera për­tej kësaj, është ta vulgarizosh atë, është njësoj sikur t'i heqësh nga koka kurorën me margaritarë për t'i vënë një kësulë të "sto­lisur" me copëra qelqi! Allahu (xh.xh.) që i ka krijuar mashkullin dhe femrën, i ka pajisur ata sipas vendit dhe vlerës të tyre dhe u ka dhënë ato që duhen dhënë sipas kapaciteteve përkatëse. Femra është e dobët dhe delikate. Ajo preket më shpejt nga ndo­dhitë. Ja, pra, ta marrësh njeriun me një natyrë të tillë e ta largosh nga punët e përshtatshme me natyrën e tij me qëllim për ta shtrënguar në punë që nuk mund të përputhen me hije­shinë, dobësinë, delikatesën dhe respektin për të cilin është i de­një, është drejtpërsëdrejti padrejtësi dhe dhunë ndaj tij!

Në të vërtetë, kjo qenie delikate që i themi femër, është e pa­jisur me gjëra të tilla që, në këtë aspekt qëndron tejet pa­ra ma­shkullit. Femra është një heroinë dhembshurie; ajo ashtu dri­dhet mbi kokë të bijve të saj, saqë në këtë gjë mashkulli as që mund të krahasohet me të! Ndërkaq, kjo nuk është e posaçme vetëm për botën njerëzore. Megjithëse e gjithë pasuria e pulës është jeta e saj, ajo është gati ta fli­jojë veten për ta shpëtuar të voglin e saj nga dhëmbët e qe­nit. Ja, pra, kjo ndjenjë e thellë dhembshurie ndaj fëmijëve e dhënë nga Allahu të gjithë fry­morëve, është për nënën një kapital aq i madh, saqë çfarëdo vlere që t'i jepni asaj, do të mbetet e zbehtë para vlerës që i ka dhënë Allahu!

Në këtë pjesë ku kaluam duke e parë çdo gjë në mënyrë të përgjithshme, u përpoqëm të japim një mendim se si du­het ngri­tur foleja familjare. U ndalëm mbi çështjet e besimit, aspek­tin praktik të islamit, aspektin fetar të bashkëshortëve, ndarjen e punëve mes tyre, mbi ndihmën reciproke, rritjen dhe përgatitjen e mirë të fëmijëve. Theksuam, ndërkaq, disa çështje të ndjesh­me siç është të qenit një bashkësi (ummet) me të cilën të kre­nohet i Dërguari i Madh (s.a.s). Në pjesën në vazhdim duam të qëndrojmë mbi kuadrin e familjes.



[1] Axhluni, Keshfu'l-hafa, 1/335; veçanërisht shih Nesei, Xhihad, 6; Ibni Ma­xhe, Xhihad, 12.
Pin It
  • Publikuar më .
Copyright © 2026 Cascade Trust. Fethullah Gülen's Official Web Site. All Rights Reserved.
fgulen.com is the official source and licensor of the works of the renowned Turkish scholar and intellectual Fethullah Gülen. Operated by Paramus Publishing with permission of Cascade Trust.