Mënjanimi i pikëpyetjeve qysh në fillim

Fëmija mund të ketë disa pikëpyetje mbi namazin dhe çësh­tjet fetare përtej tij. Veçanërisht fëmijët e mbyllur në vetvete ka shumë mundësi që të mos ua hapin këto lloj pikëpyetjesh fetare prindërve. Ka shumë rëndësi që, duke gjetur pretekste dhe mje­te të ndryshme, të arrihet që fëmija të zbërthehet, ta derdhë ze­mrën e të hapet. Po qe se me rritjen e fëmijës, rritet edhe pikë­pyetja brenda tij, me kohë, çdo dyshim, çdo lëkundje, çdo çë­shtje fetare e pa shpje­guar, çfarëdo çështje besimore me kuptim dhe urtësi të pa­kuptueshme kthehet në një gjarpër, në një akrep që ia kafshon zemrën.

Disa herë këto pikëpyetje në botën e tij të brendshme rriten, si një plagë, me aq shpejtësi, saqë e shtrijnë për tokë atë të mje­rë pa i rënë ne dot në të! Ai vjen çdo ditë në xha­mi, i kryen rre­gullisht të gjitha gjërat bashkë me ju duke dhënë përshtypjen si­kur gjithçka është në rregull, kurse, në të vërtetë, ai u është nën­shtruar lëkundjeve e dyshimeve dhe tretet çdo ditë brenda qer­thullit të tyre. Po qe se kur e dërgojmë fëmijën në një universitet për t'ia krijuar të ardh­men, nuk ia mjekojmë në kohë problemet e mundshme, bëhet e pashmangshme që, si rrjedhojë e pikë­pyetjeve me karakter fetar, të na dalë para një ditë me një sërë ndje­njash, mendimesh e sjelljesh që s'do t'i kishim përfytyruar për të! Prandaj fëmija kurrë nuk duhet të lihet pa u ushqyer me­ndërisht e shpirtërisht, gjë që duhet bërë sipas moshës dhe ve­çorive individuale të tij. Në të kaluarën, njerëzit tanë ua dorë­zonin fëmijët edukatorëve ose edukatoreve dhe ata, duke hyrë në botën shpirtërore të tyre, përpiqeshin që, bre­nda anatomisë shpirtërore të tyre, t'u gjenin zgjidhje halleve të tyre. Në të vër­tetë, këtë edukim duhet ta bëjnë prindërit. Po qe se nuk e bëjnë dot, duhet të gjejnë edukatorë dhe edukatore me kulturë për ta bërë këtë edukim dhe kurrsesi s'duhet t'i lënë shteg humbjes së fëmijës. Një besim i shën­doshë, një konsideratë adhurimi e për­vetësuar thellësisht dhe një moral i përkryer i shndërruar në një aspekt të naty­rës sonë mund të realizohen vetëm me një ndje­shmëri të kë­tyre përmasave!

Pin It
  • Publikuar më .
Copyright © 2026 Cascade Trust. Fethullah Gülen's Official Web Site. All Rights Reserved.
fgulen.com is the official source and licensor of the works of the renowned Turkish scholar and intellectual Fethullah Gülen. Operated by Paramus Publishing with permission of Cascade Trust.