• Home
  • Nga Media
  • Lajmet
  • "Domosdoshmëria e Dialogut Ndërfetar e Ndërkulturor për Paqen Botërore"

"Domosdoshmëria e Dialogut Ndërfetar e Ndërkulturor për Paqen Botërore"

Ditën e shtunë më 26 Maj 2007, në ambientet e Hotel Tirana International, u organizua simpoziumi me temë "Domosdoshmëria e dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor për paqen botërore". Simpoziumi i organizuar nga një bashkëpunim i gjerë i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Shtëpisë Botuese PRIZMI, Institutit të Kontakteve Kulturore dhe Institutit për Mirëkuptim dhe Dialog, mblodhi rreth vetes intelektualë, historianë, sociologë, gazetarë, etj.

Në fjalën e hapjes, krerët e institucioneve fetarë dhe përfaqësues të tyre folën rreth konceptit të paqes që ndodhet në themelin e çdo feje dhe për rëndësinë e kultivimit të saj tek besimtarët e feve të ndryshme. Kryetari i Akademisë së Shkencave, Prof. Dr. Ylli Popa, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi tolerancën dhe mirëkuptimin e ndërsjellë ndërfetar në vendin tonë dhe shprehu mbështetjen që u duhet dhënë vazhdimësisë së kësaj tolerance dhe dialogu ndërfetar.

Profesori i njohur nga Muhamed Pirraku, i cili foli rreth kontributit të Fethullah Gylenit në dialogun ndërfetar e ndërkulturor, në fjalën e tij theksoi duke cituar Gylenin se "Dialogu ndërfetar është sot një domosdoshmëri dhe hapi i parë në vendosjen e tij është harrimi i së kaluarës, injorimi i argumenteve polemizuese dhe dhënia përparësi pikave të përbashkëta, të cilat janë më të shumta se polemikat".

Profesor Pirraku në fund të kumtesës së tij, propozoi që "Lëvizja e Gylenit" dhe kontributi i tij në fushën e dialogut ndërfetar e ndërkulturor, të futet në programet e universiteteve shqiptare si objekte studimi.

Temat e referuara në simpozium ishin të një rëndësie të veçantë jo vetëm për rajonin, por edhe më gjerë. Ndër to mund të veçojmë: "Globalizimi dhe dialogu ndërkulturor", "Arti i të bashkëjetuarit në shek. XXI", "Kontributi i fesë për paqen botërore", "Kontributi i F. Gylenit në dialogun ndërfetar e ndërkulturor", "Ruajtja dhe promovimi i tolerancës fetare në Shqipëri është investim për sigurinë tonë kombëtare", "Roli i elitave fetare në dialogun dhe tolerancën e ndërsjelltë religjioze në Shqipëri", "Dialogu ndërfetar në Ballkan përgjatë historisë", "Nevoja e dialogut ndërfetar e ndërkulturor për arritjen dhe vazhdimësinë e stabilitetit në Ballkan", etj.

Në simpozium e ndërtuar me dy panele, moderatorë ishin dy emra mjaft të njohur, Prof Dr. Pëllumb Xhufi, njëkohësisht sekretar i LSI dhe Prof. Dr. Gazmend Shpuza. Referues në këtë simpozium ishin deputeti Ferdinand Xhaferi, Dr. Milazim Krasniqi nga Kosova, historiani i njohur po nga Kosova Prof. Dr. Muhamed Pirraku, sociologu Prof. Dr. As. Gjergji Sinani, shkrimtari i njohur Agron Tufa, studiuesi nga Maqedonia Dr. Qani Nesimi, studiuesi i çështjeve të sigurisë dhe atyre fetare Xhavit Shala dhe gazetari Mentor Beqa.

Pin It
  • Publikuar më .
Copyright © 2026 Cascade Trust. Fethullah Gülen's Official Web Site. All Rights Reserved.
fgulen.com is the official source and licensor of the works of the renowned Turkish scholar and intellectual Fethullah Gülen. Operated by Paramus Publishing with permission of Cascade Trust.